top of page

Për këto letra „vlerësuese“ pa vlerë


Për këto letra „vlerësuese“ pa vlerë

 

 

Diplomat letrare, certifikatat, çmimet, apo thënë më saktë „sajdisjet“ letrare prej grupimeve, departamenteve letrare, qofshin dhe zyrtare, shtetërore, apo dhe ato që ngrihen diku në seksione konkursesh të ndryshme letrare, natyrshëm që ndryshojnë nga kuptimi i parë i tyre. Këto të dhëna (dhurata), „të tipit më jep të të jap“, pa ndonjë status, pa ndonjë mandat letrar, mjafton që të shënojnë juri me emra, dhe emra në juri, që anasjelltas bëjnë vetëm zhurmë, për letërsinë janë një rast ende i pakonceptueshëm, që një person mesatar të ndihet i varfër dhe i pakulturuar, por jo për ndonjë efekt pozitiv në Letërsi.

Në një vit të mbarë aktivitetesh, që kalojnë nga njëra komunë në tjetrën, një i tillë mund të jetë një krijues/e për të cilin/cilën keni dëgjuar, ndoshta edhe e keni lexuar, por përballë poezisë, tregimit, apo shkrimit, që ia keni lexuar efekti i vënies së duarve në kokë natyrisht nënkupton shumë. Dhe kur sheh se firmosësi i këtij vlerësimi letrar është një ish-kuadër partiak i monizmit, që ka mbaruar ish-Shkollën e Partisë së Punës në Laprakë habia kthehet jo thjesht në humor, por në një problem mjaft serioz. Pastaj hajde të bësh zë më shumë për më tutje, e të thuash këtij, ose kësaj nuk i janë përkthyer kurrë shkrimet në ndonjë gjuhë tjetër, nuk mund të fajësohet për thjesht ngritje supesh edhe pse ia ke harruar emrin, e nuk ekziston kurkundi në ndonjë vepër. E në ndonjë rast kur sheh poezi në shqip dhe italisht, shqip dhe anglisht, deri sa nuk e ke lexuar emrin e përkthyesit, futesh thellë e më thellë të kuptosh fjalët, që pasi sheh se kush i ka përkthyer mbetesh i shtangur. Në një rast në një kafene në Elbasan, një shkrimtar që ka botuar disa libra më tha: „Ja këtë libër ia kam përkthyer unë në anglisht…“ Kur e pyeta a flet anglisht, a di anglisht…, ai u përgjigj: „ja ashtu copa-copa…“ Eh, tunda kokën, dhe në rastin konkret ndoqa dhjetra certifikata që i nxori për të mi treguar nga çanta…

Dua të saktësoj se nuk them të mos shkruhet. Madje le të shkruhet sa të mundet. Kështu ka qenë, është dhe do të mbetet. Shkrimet dhe të shkruarat nuk janë një gjë e re. As certifikatat nuk janë gjë e re. As… Edhe ishin, edhe janë, edhe do të jenë. Ajo që duhet theksuar është ndryshe. Kush është ai „vlerësuesi?“ Kush është ai ose ajo që vendos majën dhe nivelin e krijimtarisë? E të shkojmë pastaj tek të tjerat, tek vlerat, tek letrat…

Ndoshta disa krijues, disa lexues, disa mendimtar ndryshe, mund t'i shohin referencat shumë të zhdrejta. Disa, përfshirë ndoshta mjaft mund ta shohin këtë që ndodh si një ekspozitë fytyrash të njëjta. Dhe kështu ata të gjithë mund ta bëjnë këtë ekspozitën e pavendosur në muret e një institucioni me shumë gjasa mjaft të kënaqshme me mënyra konvencionale, alla "kostumi i Mbretit Lakuriq". Megjithatë, vetë rezonanca e ndodhive të lartcituara qëndron në mënyrën se si ende shkrimi dhe shkrimtari janë në një llum institucional që i reziston ofrimit të fondeve kulturore dhe letrare, ose propozimit të një pozicioni didaktik nga dikush që di të luaj mirë aktorin servil. Ky fenomen hera-herës ka tërhequr vëmendjen te mjaft shkrimtarë, puna e të cilëve është tërheqëse dhe mendimtare, por mjaft e arritshme për të tërhequr lexuesit që nuk priren të konsumojnë letërsi për lartë, por cilësi në letërsi të lartë.

Ndoshta në ditët në vazhdim do të vendoset një rregull, ndoshta do të mendohet se si duhet të funksionoj krijimtaria edhe në kushtet e sotme. Ndoshta sytë e institucionit do të shohin edhe në hapësirën që shkruan, boton dhe vlerësohet jashtë këtyre grupeve dhe mureve të dukshme e të padukshme. Deri atëherë le të bëjmë like qindra herë, për këto letra „vlerësuese“ pa vlerë.

14 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page