top of page

Pëlhura e ëndrrës


Gladiola Jorbus


E mërkurë. Moti ishte i pastër. Ajri i freskët mbushte zemrën me ndjesi të qashtra e të epërme. Krimea ngriti kokën dhe hapi krahët, a thua se donte të pushtonte horizontin. Një avion po ngrihej gjithnjë e më lart në qiellin e kthjellët. Dielli po përkëdhelte siujdhesën. Veri, Jug, Lindje, Perëndim - shkriheshin në një përqafim të vetëm. Gjithçka shëmbëllente kaq e paqtë, e përkorë, e bekuar, si të qe fletë e shkëputur nga ditari i engjëjve.

Krejt papritur, në fragmentin e një sekondi, një mjegull e errët që lëshonte vezullime të gjelbra, u duk sikur mbështolli gjithësinë.

Ajo u shfaq nga ujërat e qeta të atij deti të trazuar duke zhurmuar me dashakeqësi; zezane dhe misterioze. Nisi të gëlltiste me babëzi plima zogjsh detarë, copëza ishujsh, varka, avionë dhe në fund, anijen e bardhë të zbukuruar me pesë kryqe bojëgjake, në të cilën po udhëtonte krejtësisht e vetme Krimea. Jetë të tëra që shugateshin në unison, midis detit dhe qiellit. Kaos dhe heshtje përtej Asgjësë...

Krimea hapi sytë dhe u ngrit nxitimthi nga shtrati. Ndiente një shtrëngim në kraharor. Dhoma po mbytej nga dihatja e saj e rëndë. Kishte parë sërish të njëjtin makth që shoqërohej me të gjitha emocionet e mundshme disforike: frikë, zemërim, llahtari, shqetësim i pandalshëm. E kujtonte plotësisht përmbajtjen e ëndrrës dhe çdo detaj që e kishte trembur aq shumë.

Mbrëmjen e kaluar kishte folur deri në mesnatë me shokun e saj të zemrës Elirdin, për një lundrim në Detin e Zi. Kjo kishte qenë ëndrra e jetës së saj, e kultivuar nga gjyshja, Marisola.

Fatkeqësia dhe lumturia më e madhe e asaj gruaje ishte dashuria e çmendur për një kapiten anijesh gjeorgjian. Frymëmarrjet e saj griseshin prej një gjysmëshekulli si të ishin copëza letrash të parëndësishme dhe strukeshin poshtë nënkresës së bashku me lotët, puthjet dhe buzëqeshjet e ngrira. Jeta e saj orbitohej rreth një qëllimi të papërmbushur - të mbulonte me një tapet krizantemash detin ku ishte përmbytur ëndrra e saj e brishtë, dashuria e humbur e jetës së saj.

Kultura e Gjeorgjisë e ngjizur me veçori evropiane, persiane, arabe, osmane dhe të Lindjes së Largët e kishin ndikuar thellësisht identitetin e atij djaloshi të mençur e krenar, i cili nuk linte rast pa përmendur pretendimin se vera (pija) kishte lindur në atdheun e tij, 6000 vjet p.K. Gjeorgjianët e hershëm zbuluan se lëngu i rrushit mund të shndërrohej në verë nëse ruhej nëntokë gjatë stinës së dimrit.

Në kujtimet e gjeorgjianit, Krimea kishte lexuar për tunele me përmasa kilometrike të cilat datonin që nga lashtësia dhe lidhnin vendet që lageshin nga Deti i Zi. Ato struktura të stërmëdha nënujore ku mbretëronte heshtja, dikur gëlonin nga britmat e panikut apo gjëmimi i artilerive.

"Deti i Zi ishte një lloj fantazme në imagjinatën e evropianëve, pavarësisht se shkenca e ka shpjeguar natyrën e tij intriguese. Lënda drusore e anijeve mesjetare që shtrihej në fund të Detit të Zi, kishte mbetur e patrazuar në errësirë për shekuj me radhë. Mungesa e oksigjenit në thellësitë e akullta, origjina anoksike e ujërave të tij, kripësia e ulët ngadalësonin procesin e dekompozimit. Kjo vlente dhe për trupat e të mbyturve ndaj vargu i thashethemnajës dhe bestytnive endej nga brezi në brez", - përmbyllte tregimin e radhës, i dashuri i përjetshëm i Marisolit.

Nga detarët e vjetër, Deti i Zi konsiderohej sfidues, kurse lundrimi në ujërat e tij tejet i vështirë, kryesisht në periudhën kur brigjet e detit famëkeq populloheshin nga tribu të paqytetëruara.

Ky det i vrazhdë, me erëra të forta që i ngrinin dallgët e tij shumë metra lart nuk bënte shaka. Sa herë që rilexonte ditarin e Nikolozit, Krimea shihte të njëjtën ëndërr kur flinte. Në fillim mbështillej nga pëlhura magjepsëse e fantazisë, derisa ajo krejt papritur çirrej nga klithmat, lotët, ankthi, frika e vdekjes.

"Dallgët që ledhatojnë tokën butësisht, fshehin qindra histori dashurie dhe jetësh të humbura në këtë det aspak mikpritës", - citonte ajo fraza nga ditari i tij. Sigurisht që një pjesë e konsiderueshme e ditarit ishte e padeshifrueshme, pasi ishte shkruar në gjuhën gjeorgjiane, por gjyshja kishte përcjellë eksperiencat dhe thëniet e të dashurit të humbur. Ajo kishte qenë ndër dekada, një mikeshë dhe interlokutore e shkëlqyer, ndaj pavarësisht se nuk jetonte më, aureola e kujtimit të saj endej si një pëshpëritje e ngrohtë, në shpirtrat e familjarëve që vazhdonin rrugëtimin e tyre tokësor.

Nikolozi, lundërtari ekspert, sovrani i deteve, të cilin Krimea në përfytyrimet e saj, herë e përafronte me Uliksin mitologjik, e herë me Jasonin trim që u nis të rrëmbente Bashkën e Artë, ruante kaq shumë sekrete në atë ditar të vjetër kujtimesh.

Marinari profesionist, detarinë e kishte pasur vokacion dhe kënaqësi. Bashkëpunonte me gjithë shpirt në menaxhimin e anijes, merrte pjesë në të gjitha manovrat e lundrimit, uljes dhe ankorimit. Nikolozi (mbiemri i të cilit nuk dihej) kontribuonte në mirëmbajtjen e anijes dhe ishte gjithnjë i gatshëm në bord. Duke qenë se më shumë kishte jetuar në det, se sa në tokë, ai gëzonte aftësinë për të punuar në kontakt të ngushtë dhe në mjedise shtrënguese, me njerëz me prejardhje të ndryshme kulturore. E kishte pasqyruar gjithçka me aq vërtetësi në ditarin e tij, saqë Krimeas i dukej se po rravgonte vërtet në ato histori.

Në rrëfimet e tij evidentoje marinarin dhe kapitenin që kishte dhuntinë të përballonte me kurajo, situatat stresuese që lidheshin me kushtet klimatike, lëvizjet e shpeshta, orët e panumërta të pagjumësisë, punës së kryer në rrethana nga më ekstremet.

Ai ndante detyrat dhe organizonte punën me përsosmëri. I pëlqente historia, gjuhët e huaja dhe shkruante vazhdimisht përjetimet e tij, pa e ditur se ato do të mbeteshin i vetmi dokument që do të dëshmonte ekzistencën e tij. Ato tregime të njëpasnjëshme, ai lundrim i gjatë epistolar do të ishin kujtimi unikal që do t’i mbetej vajzës sykaltër, të cilën e dashuronte aq shumë sa detin.

Herën e fundit që ishin takuar, ai e kishte harruar atë ditar apo e kishte lënë me kast për të dashurën e tij. Ndoshta kishte parandjerë një fund të hidhur?! Nuk kishte shkruar vetëm në gjuhën gjeorgjianenë faqet e tij, por edhe në gjuhën që njihnin të dy dhe i referoheshin për të shkëmbyer mendimet e për të shprehur ndjenjat. Sa fjalë të pathëna, sa puthje e ledhatime të mohuara endeshin në simfoninë e dhembjes! Tashmë lidhja e tyre ishte shndërruar në murmurima ekosh të harruara…pa përgjigje, pa të nesërme...

Krimea ndihej e prekur nga ajo histori e shkurtër, por e madhe dashurie; sa fatale aq dhe e paharrueshme, ndaj kishte marrë një vendim. I dukej se kishte ardhur momenti që të kryente një udhëtim të veçantë. Për herë të parë në jetë do të lundronte dhe do të prekte nga afër Detin e Zi: Stamboll, Odesa, Samsun, Varna, Sevastopoli, Sochi, Trabzon, Konstanca, Novorosijsk, Burgas, Batum. Një shëtitje që ringjallte një pasion që s’kishte mundur të kurorëzohej, që ishte prerë në mes pa ia dalë dot mbanë të mbijetonte.

Legjendat rreth Detit të Zi endeshin ndër mijëvjeçarë, si ajo e Atlantidës së mbytur që konsiderohej nga disa syresh si një përrallë alegorike e Platonit për të ilustruar ndërlikimet e politikës.

"Tokat përreth Detit të Zi gëlojnë nga një e kaluar e përbashkët, e gjallë dhe vibruese. Ato kanë përjetuar për dekada me radhë konfliktin etnik, kolapsin ekonomik, rivalitetin ndërshtetëror, përpos trashëgimisë dhe interesave kolektive. Si një rajon ku pikëtakohen Ballkani, Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme, Deti i Zi shfaqet më i rëndësishëm se kurrë, derisa me lidhjet e tij të panumërta ka shërbyer si një urë lidhëse mes bashkësive fetare, grupeve gjuhësore, perandorive, kombeve dhe shteteve. Ndër mijëvjeçarë, rajoni përreth Detit të Zi ishte kryqëzimi ku evropianët ndesheshin me fiset nomade të stepës aziatike. Rëndom spikaste dallimi midis "qytetërimit" dhe "barbarizmit" apo shqetësimi nëse popuj të ndryshëm do t’ia dilnin të bashkëjetonin në paqe, meqenëse jehona e konflikteve i përballte vazhdimisht me njëri-tjetrin. ". Nikolozi i ri në moshë kishte qëmtuar këto mendime me artikulimin e një politikani apo historiani bashkëkohor.

Krimea i bluante vazhdimisht idetë e tij në kokë dhe ankthi i shëtitjes në kroçierë i shtohej edhe më. Pavarësisht nga i gjithë misteri që lidhej me Detin e Zi, kjo hapësirë gjigante me ujë të kripur, rezultonte të ishte një destinacion tejet interesant për turistët, rrethuar me male të larta dhe brigje të bukura, me kulturë antike dhe mrekulli arkitektonike, me rëndësi historike dhe arkeologjike, me qytete kozmopolite, me peizazhe mahnitëse e plazhe të bukura.

Detit të Zi i asocioheshin legjenda që kishin zanafillë në arkën e Noes dhe përmbytjen universale të ndodhur rreth 5000 vjet para Krishtit, për shkak të fosileve të peshqve të gjetura në male. Krimean e joshte ideja e të përjetuarit një aventurë drithëruese, edhe pse udhëtimi ishte i parashikuar e i organizuar në detaje.

Sa herë që e pyesnin për domethënien e emrit, ajo përsëriste me entuziazëm se kishte qenë përzgjedhja arbitrare e gjyshe Marisolës, por nuk jepte detaje të tjera. Pikërisht aty ishte mbytur anija e Nikolozit. Eshtrat e tij endeshin në atë gadishull të pozicionuar në bregdetin verior të Detit të Zi në Evropën Lindore. Çuditërisht dhe ëndrra e Krimeas, mjegulla zezane, elementet e tjera onirike kishin lidhje me atë ujdhesë.

Edhe pse qe martuar dhe kishte vazhduar jetën, gjyshe Marisola nuk kishte reshtur së qeni alter ego e vetvetes, duke bashkëjetuar me dhembjen e pashmangshme të dashurisë së humbur.

Vetëm me të mbesën, Krimean, kishte mundur të ndante çastet mbresëlënëse të idilit të saj, marrisë së adoleshencës dhe adhurimit për kapitenin e pashëm gjeorgjian. Ajo kishte zënë rolin e një mikeshe të besuar, e cila tashmë ishte në dijeni të një ndjenje të tejskajshme, të një pasioni të zjarrtë rinor dhe të një melankolie shenjuese – që ngjyente me trishtim ditët e të moshuarës sykaltër.

Imazhi i të dashurit të mbytur i përkiste gjysmerrësirave surreale, shndriste në altarin e nostalgjisë, ku lutjet e përshpirtshme dhe flaka e purpurt e qirinjve vallëzonin me ëndrrat.

Pas vdekjes së gjyshes, intensiteti i këtyre bisedave ishte shuar disi, por kureshtja dhe ëndja e madhe për të ditur më shumë mbeteshin motive bindëse që e nxisnin drejt atij udhëtimi. Jeta i kishte borxh një varr a një përkujtimore Nikolozit, ndonëse Krimea pohonte me krenari, se të paktën emri i saj ishte trashëgimia e sendërtuar në qenie njerëzore.

Që kur kishte ardhur në jetë, gadishulli i Krimeas nuk konsiderohej më mallkim, por emri i fëmijës që mbarte kujtimin e ujkut të detit gjeorgjian. Ky emër trumbetonte se duhej të përmbushej amaneti që priste shëlbim. Mjerisht, Marisola nuk e kishte realizuar dot zotimin për të kryer një homazh të thjeshtë, në nderim të të ndjerit të saj të shtrenjtë, të mbytur në ujërat e Detit të Zi.

Ndonjëherë e quante të panevojshëm këtë rit. Nuk kishte mundur kurrë t’i thoshte lamtumirë. Aq shumë lotë kishte derdhur për të, sa i dukej se kishte rivalizuar me vetë siujdhesën ogurzezë.

Ëndrra trokiste herë pas here dhe rizgjonte kujtimin e marinarit guximtar. Ajo ndryhej brenda guackës së sedeftë, strukej dhe fshihej nga hijet e natës. Atëherë ofshamat dëshpëruese të zanoreve, rebeloheshin ndaj heshtjes kumbuese. Marisola kishte vuajtur, por atë sekret nuk kishte guxuar ta merrte në varr. Ai shtillej dhe tirrej ndërmjet jetës dhe ëndrrës, tokës dhe detit, realiteti dhe imagjinatës duke lënguar nën zgjedhën e pamëshirshme të fatit të shkruar. Nuk kishte qenë e thënë që ata të mbeteshin së bashku.

Krimea shpresonte që ai udhëtim në Detin e Zi do të shlyente sadopak brengën, pengun, lotët, dhembjen e pashpresë së një gruaje fisnike për humbjen e dashurisë së jetës.

Pas dekadash të tëra mungese, pritjeje, heshtjeje, dhembjeje, Krimea do të mbulonte me duzina krizantemash të bardha e të kuqe (si ngjyrat e flamurit gjeorgjian) sipërfaqen e atyre ujërave të shumëpërfolura; si homazh për të panjohurin e dashur që i ngjante një heroi mitik e të mbinatyrshëm. Krizantemat e kuqe përfaqësonin dashurinë e madhe midis Nikolozit dhe Marisolës, ndërsa të bardhat dhembjen e thellë për ndarjen e të dashuruarve.

Më në fund, shpirti i kapitenit që rikthehej në jetë duke shqetësuar gjumin dhe netët e të gjallëve, sikur të donte t’i risillte ndër mend amanetin që prej vitesh dergjej në fund të Detit të Zi, do të gjente paqe.

A thua vallë dashuria e pavdekshme midis Marisolës dhe Nikolozit, do të shndërrohej në valë çuçuritëse që gjurmonin njëra-tjetrën në përjetësi?!

"Marisol: მიყვარხარ - miq’varkhar - Unë të dua! მენატრები - menat’rebi - Më mungon". Sa herë i kishte lexuar këto fraza në thesarin e shenjtë të Marisolës?! Ato kishin qenë melhemi i saj, jeta përtej kufijve të ëndrrës.

Krimea mbështeti kokën në supin e Elirdit. Ai e puthi mbi flokë. Pëlhura e frikshme, e cila i shfaqej natën duke i prerë udhën qetësisë shpirtërore do të tretej si vesa e mëngjesit. Kurse Deti i Zi do të stolisej, me ëndërritje të bardha e shpresëdhënëse. Në duar shtrëngonte fort ditarin e vjetër të kapitenit. Ç’do të bënte me të?!

41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page