top of page

Pylli intelektual


Pylli intelektual

Nga Fatmir Terziu


Secili është një druvar më vete,

pret me gjuhë e me mendje!


Jeton brenda një pylli ku s'del dot,

mbjell filiza e formon korije në çdo gjëndje,

se atje mban lepurin që fle,

laraskën që gëlltiti lotin dje,

bilbilin që këndon me nge,

pret nimfën Dafna të kthehet në dafinë,

ti shpëtojë Apollonit në një qiell me re,

derisa ti vijë ora të kuptoj se nga vijnë,

minutat e bekuara të merakut,

ku Lotis, të bëhet kopja e zambakut.


Jeton e pret dru në një pyll mitik

aty ku mbahen Bauci dhe Filemoni të paharruar,

që u kthyen në një lis dhe një bli tipik,

kur ishin një çift i moshuar.


Brenda këtij pylli është edhe hija

në këtë rast e pagojë,

herë zgjatet sikurse bëhet vija,

herë një pikë si drojë.


Mes të dy palëve ka një mirëkuptim,

kur bëhet fjalë për ikjen,

e miratojnë si të mos kishin një fillim,

vetë si druvarë të sprovuar e presin fijen.


Sëpata e gjuhës dhe mendjes,

ka hyrë me kohë në këtë urdhërim,

si pasojë e formave intelektuale të mbjelljes,

së një fjalori pyllor pa kuptim.


Kjo sëpatë ka rënë mbi vetë gjuhën,

natyrisht e ka shukatur edhe mendjen,

tani ajo vetë po shpërndan kujën,

si një metaforë për vëmendjen.


Secili është një druvar më vete,

fundja pret me gjuhën dhe mendjen e tij,

ndez stiva drush që digjen pa derte,

pa e kuptuar zjarrin që përvëlon në sy.


E sot për këtë nuk ka më teknik pyjesh,

mjafton që mbetet për drurët ndonjë fjalë,

se të gjithë janë me një lumë dijesh,

druvarë të vetë pyllit intelektual.

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page