top of page

PYETA SYRIN E KALTËR




CIKËL ME POEZI

NGA PANAJOT BOLI


NUK ERDHE EDHE SOT...


Mes kaltërsisë të prisja edhe sot, herët në mëngjes

Ngela si statujë në det,si fener për ty, moj syzëzë.


Valët duan shok,kercejnë e gjoksin ma ledhatojnë

Unë si Statuja e Lirisë , sytë nga bregu kundrojnë


Heshti,u bertas kaltërosheve, mos më bëni zhurmë

Mos dëgjoj hapa në rerën e lagur, mos shoh gjurmë.


Kaltërsia u zbeh, e valët heshtën papritur për çudi

Një anije e bardhë po fanitet larg, indiferente si ti


Nesër do të vij në të gdhirë, ndofta je si neraida ti

Nuk do të të hutoj dielli, nuk do të të kundroj njeri.


Nesër do të vij në të gdhirë, do të ngre velat me erë

Aty do të më gjesh ti moj e dashur, i ndezur si fener


E di, patjetër do të vish,nesër do të fryjë erë e mbarë

Vetem unë e ti në anije, pastaj ..zhytemi si polumbarë



KUR MUNGON TI


Deti sot kishte nxjerrë thinja të bardha

Dridhje valësh kishte në shpirtin e tij

S’e ngacmuan fare as dhe pulëbardhat

Se i ngelej qejfi si i përkedheluri fëmijë


Në breg, edhe kumi ishte krejt i ftohtë

Nuk i buzëqeshi diellit, sikur ai kish faj

Në çadrën e vetmuar erdhi një gjinkallë

Dhe shoqeri po i bënte me këngën e saj


Edhe deti,edhe kumi po ndjejnë zbrazëti

Ta them unë:Merziten , kur u mungon ti



E PYETA SYRIN E KALTËR


E pyeta Syrin e Kaltër

Ishte në të çelur dita......

-Unë e linda legjendën


E pyeta legjendën

Ishte në të përenduar dielli

-Unë e linda Syrin e Kaltër


Atë kah moti, pasdite ishte

Deti i brengosur u kthye prapa

-Nuk e shuajta dot


Në Malin e Gjerë shtrirë gjinganti

Zjarrin përtypte në gojë

-Vdes duke lindur fëmijën


Fëmija ish e bukur, me sy të kaltër

Me qerpikë të argjendtë

Me fustan mendafshi jeshil


Mbretereshë hyjni e Gjelberimit

Me buzë blu të kristalta

E mira, Bistrica ime



PËR TY...


Me këmbët rakitike si një shtrigë kurrizdalë

Mbremja në shpirtin tend trokon

Sytë etu të ngurosur, tretur diku

Mes vetmisë që dremit

Si statujë gjallon


Befas një engjell të çon në një lendinë lulesh

Shkallë të ul përmbi të tuat qerpikë

Statuja behet zanë në bjeshkë

Shtambën mbush me dritë

Te burimi magjik


Në rrugën me dritë hëne shtamba të thyhet

Nata pelerinën e hirtë në sup të shtie

Sytë e tu ngulur te xhami i dritarës

Mos vizatohet befas në të

Një copë qiell.


Ndofta lindja e agut të nis një pëllumb të bardhë

Shpirtin të ta ledhatoj një melodi me fyell

Mbi vesën e luleve në oborr

Për ty,zemër, do të ul

Një copë diell



NË PLAZH


Ca hapa me tutje rri e shtrirë në kumin e ngrohtë

Me diellin e verës flerton , nën syze sytë memec

Një dorë po provokon tek lyen kofshët e gushën

Unë fshehurazi e ndjek duke luajtur me guralecë


Indiferente ngrihet dhe vetëm detit po i buzëqesh

Me xhentilesë futet mes dallgëve ngadalë, fillkat

Befas kthen kokën e saj rrembimthi nga çadra ime

Më zhbiron me ato sytë blu e shikimin ma kap mat



KU FLE GJYSHI IM..


Lugina ka mbeshtetur supin te fshati im

E lumtur,si një djep i gdhendur me lule

Përkund gjyshin tim


Gurgullima nxjerr nga shpirti me gaz

Dhe ligjeron në katarakte të bardha mbi gurë

Si ligjeronte gjyshi im


Ca fllade pranvere mbledh në grushta

Të përkedhel lulet qe gjoksin i zbukurojnë

Si buzëqeshja e gjyshit


Kur qielli nxihej e veriu si cub kapardisej

Nxehej e buçiste si e marrë kjo luginë e urtë

Si nxehej gjyshi im


Veshët i mbante ngrehur lart nga pllajat

Dhe iso i mbante me jehonë, ëmbël e shtruar

Këngës se gjyshit


Këmbët ka venë tek ajo edhe mali

Qe kokën e përpjek me qiellin e kaltër

Shtatlart si gjyshi im

34 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page