
Pulat i njohin pa fjalor...
Nga Fatmir Terziu
Të parët dhe të fundit që pyetën për shenjën e tij zodiale ishin donatorët. Pasi rrudhën ballin dhe ngritën vetullat e tyre, ata lanë pas vetëm fjollën e zërit ledhator në atë sallë ku vetëm pak minuta më parë çahej patriotizmi. E shenja zodiale diç ngatërrohej.
“Ia kërciti fort, fort e fort, ia kërciti!”, - folën ata.
Folën ata dhe kaq. Pastaj, bënë nga dera ku duhej të fshinin edhe bulën e fundit të djersës që u dukej në ballë. Miku i tyre, siç e dini ka lindur në shenjë tjetër, por ata habiteshin pse e kishin klasifikuar nën shenjën e Peshqve. Habiteshin se e qara e tij e ndjerë në atë periudhë peshqish, duhet të kishte diçka të ngjashme. Hiç s’ngjante zërri i tij me ndonjë kafshë apo specie ujore. Pastaj u menduan gjatë dhe qeshën, duke parë vetëtimthi njeri-tjetrin në sy.
“Po, kjo ishte lojë more!”, -mërmëritën ata dhe vazhduan mes të gajasurave “a nuk zhytet edhe bretkoca në ujë?”.
Më tej shtuan se duhet të kishin kujdes nga shprehja e parë, se ishte e këputur nga një film shqiptar. Më së shumti duhej të kishin kujdes dhe të mbahej sekret, pasi afiqari i shkelësit, kishte gjasa mund t’i hakmerrehej për shqiptarizmin e tij të thekur. Edhe pse e dinin, se ishte larg shenjës së gjuetarit, kacidhja e torba e vogël e varur në qafë e mënjanonin një fenomen të tillë. E gjitha ngjan me fenomenin e tij, apo aftësinë e tij rrëshqitëse në ujë e nën ujë, mbi ujë e jashtë ujit. Dhe të gjithë habiteshin se si një Peshk i tillë, kryesonjës, qafirej me një marifet të tillë. Falë aftësi(së)ve!
Po pesha e tij binte në sy. Medet sa i përmend peshën! Edhe ajo hyn në garimin e hapur. Pak kohë më parë ai kishte konkuruar gjithandej. Edhe në restorantin ku çaheshin peshqit më dysh, por e kishin parë nga koka tek këmbët dhe ia kishin dhënë një racion me vete të qetësohej diku ku kishte lënë takimin e fundit me jallaneshën e tij të re. E qafoi ndërsa era e peshkut i ishte katranosur keq dhe ajo u ndie mjaft ngushtë.
“Ë si ndodhi?”, - e pyeti ajo.
“Hiç, padashje dua të them se ata ishin...”, - ia ktheu ai.
“Domethënë të shpëtoi ndonjë gjë padashje?”,- shtoi ajo.
“Jo!”, - ishte dita më e keqe e peshqve.
“Aha, e kuptova, ... për pak kujtova se duhej të nxitoje të ndëroheshe”.
Qeshi nën buzë dhe iu kujtua ajo meseleja ditën që organizonte mitingun e radhës për patriotizëm.
Ishte ulur në një klub dhe iu afrua një kasap. Kasap mishi. I tha se kafenë ia kishte paguar dhe madje i kishte urdhëruar edhe një shishe verë. I tha se kishte respekt për versionin e tij patriotik. Dhe nisi të tregonte një thashethem.
“S’paske dëgjuar? Ajo atje, e sheh u përmirka në gjumë. Gjë e vogël të duket?”
Ai mbajti shënim. Dhe shënoi me kujdes se kjo e dëmtonte misionin e tij. Njerëzit duhej të kishin kujdes. Dysheqet, çarçafët, jorganët, krevatet duhen mbajtur pastër.
„Këtu fillon misioni im i edukimit.“ Hapi sytë sa të mundej.
Kishte gjasa që kishte folur më gjatë, por pronari i restorantit kishte ngritur zërin e televizorit se fliste dikush më i Madh.
“E dreq o punë, nuk vihet më këtu, në këtë restorant. Nuk qenkam unë më i Madhi?”
Por koha bënte të vetën. Një mesele e treguar larg atij restoranti e bëri të lirohej paksa. U qetësua. I dha dhe një gëlltimë filxhanit, pastaj bëri me shenjë për shishen e dorovitur. Gllëngëzoi pak dhe gota u mavijos. Verë e mirë. Ndërsa shishja po merte frymë lirshëm, edhe ai dihati dhe nisi të tregonte atë histori të lehtë të dëgjuar disa herë...
Ata ishin disa shokë e shoqe. Kola ishte njëri mes tyre. Rriteshin bashkë, luanin bashkë dhe shakatonin bashkë. Një ditë prej ditësh ata provuan se Kola ishte paksa i mangët. Nuk e besonin, se si disa pjesë të trupit të tij po merrnin dimensione të tmershme. Pantallonat nuk e mbanin dot. Dhe nisën ta tallnin. Tall sot e tall nesër, Kola u dashurua me njërën prej vajzave. Më të bukurën. Edhe ajo e donte marëzisht. Asaj nuk guxonin t’i thoshin asgjë e më lehtë e gjetën me Kolën.
“Kol, po ku do ta shpiesh atë, ajo do shumë para t'a dëfresh?”
“E shpie, e shpie Kola, e shpie e shpie Kola, gjithandej.”
“Po ku do ti gjesh aq para?”
“I gjen, i gjen Kola, i gjen, i gjen.”
“Po ajo do mjaft veshje të shtrenjta, ku do ti gjesh?”
“I blen, i blen Kola, i blen, i blen.”
“Kolë, po ti ke problem edhe me atë poshtë pantallonave. Si do t’ja bësh, ajo është e vogël?”
“E copëton, e copëton Kola, e copëton, e copëton...”
I mjeri Kolë, kishte mbaruar aty. Priti të qeshnin të gjithë, por askush nuk ia kishte ngenë. “Një gallatë e tillë e fortë dhe nuk qeshet këtu?” – foli dhe iu skuqën sytë.
Edhe Fjalori Shqip i Oksfordit e ka qartësuar qeshjen. Madje ka disa versione. Po këtu qenka vallahi, medet. Mos e pyet. Kasapi që ishte pranë e pyeti a i pëlqente vera. Ai tundi kokën dhe si i zënë ngushtë, i tha se donte, madje ishte i detyruar ta pyeste për diçka.
“Po, more.“- ia preu kasapi. Fol e pyet në qejfin tënd.”
“Pse nuk qeshi asnjë këtu me shakanë time?”
“Më fal, por nuk e kanë kuptuar...”
“Si, nuk e kanë kuptuar unë fola qartë dhe në dialektin e tyre.”
“Jo, po më fal se ...”
“Se çfarë?”
“Këta të gjithë flasin në gjuhë të huaj..., askush nuk flet shqip këtu”.
“Pra qenkam lodhur kot unë me arsmimin...amtar”.
“Jo, jo por këta janë të huaj, të tjerët e qajnë gjuhën shqipe..., madje edhe në gjumë flasin shqip...”
“E mban mend atë thënien në Fjalorin Shqip të Oksfordit”, - filloi ti përmendej hamendësisht, - ‘kur s’ka pula do hajmë sorra’.
“Nuk ju kuptova?”
“Pula ka sa të duash në supermarkete!”, - folën si në korr, ata që ishin në atë restorant. Ai fshiu sytë dhe ktheu kokën nga kasapi dhe donte të fliste. Kasapi ndërhyri menjëherë: “Kaq dinë ata. Pulat i njohin pa fjalor...”
„Po, unë …unë pse qenkam mes pulave?! Unë jam i shenjës së peshqve“ Pastaj vërtet aty s'kishte asnjë fjalor për atë superqeshje…
Kommentarer