Prozë e mirë, e gjerë dhe e thellë...


    Vangjush Saro

    Fjalë për përmbledhjen me tregime “Demonët bëjnë sikur flenë”

    të shkrimtarit Thani Naqo


    “Demonët bëjnë sikur flenë” është libri më i ri i shkrimtarit Thani Naqo; një përmbledhje me tregime, disa prej tyre të njohura edhe më parë përmes publikimit në medie ose në rrjete. Duke shfletuar librin, tregim pas tregimi, si dhe duke pasur parasysh leximet e mëparshme nga i njëjti autor, vlerësimi im më i parë do të ishte: Prozë e mirë, e gjerë dhe e thellë, tekste ku spikat rrëfimi interesant, gjetjet tërheqëse, gërshetimi i gjendjeve dramatike me elemente grotesku, vizionet filmike, gjuha e pasur, vizatimi i karaktereve, cilësi me të cilat, krahas tematikës së veçantë dhe natyrshmërisë në lirikat më të bukura të tij, autori ka krijuar tashmë profilin e vet letrar.

    Thani Naqo ka publikuar disa romane, libra me tregime e poezi; ai është edhe autor i skenarit të filmit artistik “Përsëri pranverë”. Ajo që bie në sy menjëherë në shfletimin e librit të ri, është qasja serioze në këtë lëmë. Që në tregimet e para (“Lojë me dhjetë pasqyra”, “Hyjni dhe ashikë”, etj.) konstatojmë pasurinë tematike, sigurinë e frazës, koloritin gjuhësor, vizatimin e qartë të personazheve, humorin e hollë. Tregimi “Lajthitje në moshën e tretë”, i ndërtuar me humor dhe me lirizëm, është aq argëtues, sa që duke shijuar të shkruarën, mund të mbetet mënjanë çfarë ndodh realisht. Ndjesia e së vërtetës shkon përkitazi me qëmtimet realiste dhe sentencat e bukura; thënë gjithaq me humor e sinqeritet, ato i bëjnë tërheqëse pasazhet e tregimeve; fraza buron: “Atëherë kishte dëgjuar përplasjen e pëllëmbëve dhe zërin e hollë brisk të nuses së kushëririt.” Ose, në një konstatim sa të çiltër, aq edhe të trishtë: “Ai e kalonte kohën e lirë me vargëzime malli për vëndlindjen.” (Tregimi ‘Më mirë i vogël dhe i padukshëm’) Me raste, tregimet i pushton ironia therrëse, me të cilën shkrimtari sulmon ata që shëmtonin apo shëmtojnë kohën, për vete dhe për të tjerët. E tillë është, bie fjala, përqeshja e hidhur që shoqëron ‘vullnetarin’ e pacipë, që siç shkruan autori “me peshqirin e fytyrës fshinte këmbët, kërkonte më shumë ujë të nxehtë dhe thërriste sikur qe në shtëpinë e tij…” (Tregimi ‘Qentë nuk lehin kur bie tërmet’)


    Skenat që ‘vizaton’ autori janë jetësore dhe gjithnjë ofrojnë pamje që përfytyrohen lehtë: “U shfaq para tij në rroba banje dhe trupin e kishte ende të spërkatur me bulëza uji.” (Tregimi ‘Kafe amerikane’) Të qëndruarit pranë personazheve, është një cilësi e veçantë e autorit; ai e di mirë çfarë shkruan, çfarë do të ndajë me lexuesit e vet. Mendoj se proza e Thani Naqos vjen përherë e më bindëse. Siç kam nënvizuar edhe në një shënim letrar më të gjatë, shkrimtari ofron imazhe dhe ngjarje që kanë përditshmëri të skajshme, sa edhe thjeshtësi; një thjeshtësi që e bën lexuesin pjesë të rrëfimit dhe skenave. (Tregimi ‘Iluzione’) Njohja e jetës dhe prekja e dukurive, tëharja e ngjarjeve bindëse, po ashtu, e çojnë autorin në ‘relieve’ që premtojnë. Të gjitha këto, vijnë në një thurrje delikate te subjektit, ku janë të gërshetuara dukuritë e mëdha në dukje dhe vogëlsitë, rendet shoqërore dhe jeta e njerëzve, dashuritë dhe vdekjet, thënia e gjërave me modesti e çiltërsi dhe, nga ana tjetër, prirja për të filozofuar rreth gjithçkaje. (Tregimi ‘Edhe pastorët bien në dashuri’)

    Shumë i kujdesshëm në qëndisjen letrare të gjetjeve dhe fakteve, autori e ‘peshon’ mirë dhe, njëherësh, e ndjen ‘penelin’ gjatë aktit artistik. Siç thotë edhe vetë në një intervistë, “është tjetër gjë të renditësh detaje dhe tjetër gjë t’i kthesh ato në art.” Në një sërë tregime, autori i qëndron kësaj përvoje, kësaj mjeshtërie, duke kërkuar shumë nga çdo vogëlsi: “Por në errësirë nuk kishte çfarë të shikonte, përveç flakëzës së vogël të qiririt. Flakëza i qe dukur sa një kokër thekri, që shkëlqente nga vesa.” (Tregimi ‘Demonët bëjnë sikur flenë’)

    Botimet janë përherë një ngjarje, një kureshtje për publikun dhe për kolegët në veçanti; më në fund, edhe njëlloj inspirimi. “Demonët bëjnë sikur flenë” na flet për një prozë me vlera artistike e gjuhësore. Siç vura në dukje në krye të këtij shënimi letrar, libri vjen krahas vëllimeve poetike (me një lirizëm nga ai që ‘po humbet’) dhe romaneve të mirë e të vërtetë që autori ka përcjellë në publik; lidhja me ato romane ndihet edhe në këtë përmbledhje me tregime. Besoj që lexuesit dhe kolegët ta çmojnë dhe ta dallojnë këtë libër, edhe pse publikimi i krijimtarisë letrare është një lajm i përditshëm dhe koha e ka bërë të vështirë ‘vozitjen’ në këtë det, jo përherë tërheqës, të letrave…


    #Vangjush #Saro

    41 views

    Shkrimet e fundit