top of page

Prof Dr Gëzim Alpion: Shtëpia botuese Routledge në Oksford njofton botimin e librit të ri

3 hours ago
3 min read

Shtëpia botuese Routledge në Oksford njofton botimin e librit të ri të Gëzim Alpion

 

Saint Teresa of Calcutta’s Fame Capital

 

 

 

Ky vëllim përfshin studime të zgjedhura akademike dhe shkrime të tjera të Gëzim Alpion, të cilat shqyrtojnë jetën, veprën dhe trashëgiminë e Shën Terezës së Kalkutës, e njohur më gjerësisht si Nënë Tereza.

Në këtë libër, Alpion shqyrton statusin e ndërlikuar dhe polisemik të Terezës, duke mos e parë atë thjesht si objekt adhurimi. Duke u mbështetur në karizmën Weberiane, studimet mbi figurat e famshme (celebrity studies) dhe shkrimet biografike (life writing), Alpion shtjellon se si Tereza i përdori me zgjuarsi mediat për të rritur dukshmërinë dhe qasjen te të varfrit. Ajo shfaqet njëherësh si një figurë e mrekullueshme dhe paradoksale, e cila e promovoi në mënyrë aktive imazhin e saj, ndërkohë që ndikohej nga fama globale.

 Analizat kryesore shqyrtojnë përkatësinë e saj etnike të kontestuar si një mjet për krenari gjeopolitike, si dhe konceptin e ‘kapitalit të famës’ te zhvilluar nga Alpion. Në rastin e Nënë Terezës, argumenton Alpion, ky koncept vazhdon të shërbejë si aset marketimi dhe alibi morale për elitat globale.

 Autori hulumton se si kultura e famës ndikoi në marrëdhënien parasociale të Terezës me Jezusin, duke rikonfiguruar shenjtërimin publik për të krijuar ura lidhëse mes botës laike dhe asaj shpirtërore. Libri analizon gjithashtu edhe krizën e saj të thellë fetare.

 Ky vëllim ofron një rivlerësim bindës të trashëgimisë së Nënë Terezës; duke ndërlidhur botën e shenjtërisë me atë të famës.

 Me studimet e tij, Alpioni po kontribuon në zhvillimin e sociologjisë së famës, hagiografisë moderne, si dhe studimeve kulturore dhe fetare.

 E shkruar si për studiuesit ashtu edhe për publikun e gjerë, kjo vepër gërsheton në mënyrë të natyrshme kërkimin rigoroz shkencor me ligjërimin publik, duke i bërë të kapshme temat e ndërlikuara shpirtërore në jetë përmes një stili të qartë dhe tërheqës.

 Parathënia e librit është shkruar nga Profesor Sean Redmond, redaktori themelues i revistës shkencore Celebrity Studies (Routledge) dhe një studiues me reputacion ndërkombëtar në fushën e personazheve të famshëm.

 Libri është vlerësuar para botimit nga disa studiues të shquar nga vende të ndryshme, si dhe nga figura me ndikim në industrinë e medias në Mretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Australi.

 

 

Gëzim Alpion, një akademik i nderuar me disa çmime ndërkombëtare, dhe i vlerësuar si themeluesi i studimeve për Nënë Terezën, është Profesor i Asociuar i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit (Mbretëria e Bashkuar), si dhe Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka një BA nga Universiteti i Kajros dhe PhD nga Universiteti i Durhamit. Alpion është gjithashtu një dramaturg i shquar, ligjërues global dhe aktivist me ndikim në shoqërinë civile. Ndër botimet kryesore të Alpion përfshihen: Mother Teresa: Saint or Celebrity? (Routledge 2007), Madre Teresa: Santa o Celebrità? (Salerno Editrice 2008), If Only the Dead Could Listen (Globic Press 2008), Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa (Routledge 2017), Mother Teresa: The Saint and Her Nation (Bloomsbury 2020) – fitues në SHBA i Çmimit të Ekselencës në Botime të Shoqatës së Botuesve Katolikë (ACP) vitin 2023 në kategorinë e biografisë – dhe Saint Teresa of Calcutta’s Fame Capital (Routledge 2027). Ai është gjithashtu anëtar i bordeve editoriale të disa revistave shkencore, përfshirë Celebrity Studies. Aktualisht, Alpion po shkruan një libër mbi figurën e artistit në veprën e D. H. Lawrence.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page