top of page

Pol Milo: MES VELAVE TË PERFORMIZMIT DHE SPIRALEVE TË EKZUBERIZMIT ESTETIK

3 minutes ago
3 min read

 

Një reflektim mbi lirikat e prof. Durim Çaçës

 

Më pëlqejnë lirikat e prof. Durim Çaçës. Ato luhaten si vela anijesh mbi valët e deteve, duke përshkuar hapësira poetike ku imazhi nuk qëndron në një formë të vetme, por transformohet vazhdimisht. Në këtë lëvizje estetike, poezia e tij lundron mes performizmit dhe ekzuberizmit estetik, duke krijuar një marrëdhënie interesante midis veprimit poetik dhe shpërthimit të figuracionit.

Kam në dorë librin e tij poetik me minuete lirike “Elozhe hënore”, botim i Shtëpisë Botuese 2M, një vepër tërësisht estetike, e kurkuar me detaje, ku ndërthuren kompozime poetike me piktura dhe lirika që, në guximin e tyre metaforik, shkojnë deri në kufijtë e së pazakontës, madje të asaj që mund ta quajmë poezi gati të çmendur. Por është një çmenduri estetike, në kuptimin e çlirimit të imagjinatës nga kufijtë e zakonshëm të shprehjes.

Doja të ndalesha pak te koncepti  hënës, e cila nuk është thjesht një objekt qiellor që ndriçon natën. Ajo shndërrohet në një hapësirë simbolike ku takohen kujtesa, fëmijëria, dashuria, vendlindja dhe dhimbja. Përmes saj, poeti ndërton një lloj navigimi emocional, ku një imazh lind nga një tjetër, transformohet dhe merr kuptime të reja, pa humbur lidhjen me përjetimin fillestar. Hëna bëhet një pikë referimi për udhëtimin e ndërgjegjes, një prani që ndryshon formë sipas gjendjes shpirtërore dhe përvojës njerëzore.

Kjo duket sidomos në poezinë e tij me titull “Barka e hënës ikën thellësive blu të territ...” ku hëna vargëzohet:

“barka e hënës ikën thellësive blu të territ

natës së prillit kallafatuar n'varak të ndritshëm

përmes suvalesh të heshtjes”


Në këtë imazh, poeti përmbys raportin e zakonshëm midis qiellit dhe detit. Hëna nuk pasqyrohet më në ujë, por bëhet vetë barkë, një mjet lundrimi drejt thellësive të panjohura. Përdorimi i fjalës detare “kallafatuar” sjell në hapësirën kozmike mjeshtërinë njerëzore të ndërtimit të anijeve, ndërsa “varaku i ndritshëm” i jep figurës një shkëlqim material. Në fund, “suvalet e heshtjes” bashkojnë lëvizjen me qetësinë, valën me mungesën e zërit. Këtu qëndron një nga veçoritë e poezisë së Çaçës: aftësia për ta kthyer një pamje astronomike në përvojë detare dhe përvojën detare në gjendje shpirtërore.

Performizmi është si vela në momentin e lundrimit, ku Hëna bëhet barkë dhe përshkon hapësirën poetike. Ndërsa ekzuberizmi estetik shfaqet si spirale në kapërcimin e kufijve të zakonshëm të metaforës, ku hëna, deti, varaku dhe heshtja bashkohen në një imazh të vetëm. Ky është një interpretim kritik, një mënyrë për ta vendosur poezinë e autorit në dialog me dy koncepte estetike, jo domosdoshmërisht një përcaktim i qëllimshëm i vetë poetit.

Një tjetër dimension i kësaj lirike shfaqet në vargjet:

“e sotmja le të jet' e qetë, pa të djeshme, pa të nesërme,

si natën vonë, hijet e dy gjetheve pjergulle

mbi xhamin avulluar me hënë vere”

Këtu poeti largohet nga lëvizja e barkës dhe hyn në filozofinë e tij të çastit. Një ide abstrakte për kohën shndërrohet në një pamje konkrete, por edhe intime. Dëshira për një të sotme pa të djeshme dhe pa të nesërme shpreh nevojën njerëzore për t'u çliruar nga pesha e kujtesës dhe pasiguria e së ardhmes. Dy gjethet e pjergullës, hija e tyre mbi xhamin e avulluar dhe drita e Hënës së verës krijojnë një atmosferë ku gjithçka duket se ka ndaluar.

Nëse i shohim këto dy fragmente në raport me njëri-tjetrin, dallojmë dy mënyra të ndryshme të organizimit të përvojës poetike. Në të parin, imazhi lundron, ndryshon dhe përshkon hapësirën. Kurse në të dytin, ai ndalet, përqendrohet dhe krijon një çast meditimi. Megjithatë, të dyja lëvizjet i përkasin të njëjtit univers estetik, ku metafora nuk shërben vetëm për të zbukuruar mendimin, por për ta transformuar atë në përjetim, ku fillon të hyjë në dialog performizmi me ekzuberizmin estetik.

Performizmi shfaqet në mënyrën se si imazhet marrin jetë, lëvizin dhe ndërtojnë skena poetike, ndërsa ekzuberizmi estetik lexohet në dendësinë metaforike, në kapërcimin e formave të zakonshme të shprehjes dhe në guximin për të bashkuar realitete që, në përfytyrimin e zakonshëm, qëndrojnë larg njëri-tjetrit.

Ne tashmë kemi një ftesë në xhep,  jo thjesht të shohim Hënën, por të lundrojmë përmes saj, të zbulojmë në dritën e saj fytyrat e njerëzve, gjurmët e kohës dhe hapësirat e humbura të kujtesës. Ky këndvështrimi im, tërësisht konceptualist ndoshta edhe pak i dehur nga Elozhet Hënore, më bën të mendpj se performizmi i jep poezisë lëvizjen, ndërsa ekzuberizmi i jep zgjerimin e saj estetik. Mes tyre, lirika e Durim Çaçës gjen një hapësirë medituese për të lundruar me rremat e metaforës në valet e përjetimit, dhe atje ku vetë drita është Elozhi i saj.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page