top of page

Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha: Mbi shqiptaret gjurmime dhe mendime

ree

 

MANIFESTIM I IDENTITETIT KULTUROR DHE KOMBETAR TE SHQIPTAREVE

  “Su gli albanesi Ricerche e Pensieri”                                                  

 

(Mbi shqiptaret gjurmime dhe mendime, 1847 Napoli eVincens Dorses) 

Në rrjedhën historike të mendimit shqiptar ka patur vepra që kanë lënë gjurmë dhe janë bërë pika referimi për ngjarje dhe periudha të shënuara. Shumë prej këtyre veprave u botuan jashtë trojeve amtare, ku shqiptarët i përplasën tallazet politike dhe ekonomike të kohës. Dokumentohet ky mendim me veprimtarinë e humanisteve shqiptarë, qe me dinjitet e krenari afirmuam personalitetin e veçantë të shqiptarëve, historinë e shpirtin e pamposhtur të tyre në mbrojtje të së drejtës më të parë njerëzore për të jetuar të lirë në trojet e veta. Veprat e tyre të botuara kryesisht në Gadishullin Apenin do të tërhiqnin vëmendjen dhe opinionin e kohës. Është interesant fakti se ky mendim sado që në kushte tejet të vështira nuk u shua as ne trojet tona edhe pse u pengua mizorisht nga pushtuesi aziatik. Veprat e Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit janë deshmi vazhdimsie e atij mendimi në trojet shqiptare, shfaqje e orientimit dhe integrimit te hershem shqiptar  ne zhvillimet e kontinentit. Eshtë po kaq i rendesishem fakti se edhe ne ngulimet shqiptare qe sherbyen si ura lidhese te vendeve dhe popujve me te qyteteruar te kontinentit me trojet shqiptare, gjejmë vazhdimësi mendimesh dhe jo shkëputjeje. Kjo vijimësi e pandërprerë, kjo lidhje i ka rrënjët në arsyet e forta politike dhe ekonomike që i shkulen shqiptarët nga vendlindja si dhe në lidhjet e fuqishme dhe të shumëfishta që ata ruajtën me atdheun e origjinës. Në këtë kuadër duhet çmuar në tërësi roli i diasporës shqiptare por në veçanti i ngulmimeve shqiptare në Itali, vend në të cilin ishte shkruar në italisht që më 1473 libri i parë për Shqipërinë për të ndjekur rrugën e gjatë të shumë veprave që flasin drejtpërdrejtë ose tërthorazi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por nuk është vetëm kjo klimë interesimesh humane e romantike që ka pushtuar Evropën e qytetëruar për të kthyer vëmendjen tek popujt nga më të lashtë të saj por që vuajnë zgjedhën e robërisë osmane, nuk është distanca kronologjike e përafërt shpirtërore që lidh banorët e dy brigjeve të Adriatikut, të vetmet arsye që vënë në lëvizje mendimin arbëresh në shekujt më të vonë në Itali. Mbi të gjitha, është shpirti i tyre që dëshmon dashurinë e pashuar për vendin e zanafillës së afërt apo të largët, eshte vetedija e qartë e të qenit shqiptar që aq thekshëm do ta shprehte vargu i poetit “se ne të huaj po jemi tek ky dhe”. Fale ketij shpirti,kesaj vetedije te kristalte ata arriten te ruajne tiparet origjinale te kombesise të shpërfaqura në gjuhën amtare, në vlerat materiale e shpirtërore që ata ruajtën të paprekura me një ndjenjë të habitshme krenarie dhe besimi në të ardhmen e idealit të tyre atdhetar. Në këtë klimë mund të shpjegohet krijimi i veprave të Lekë Matrëngës, Jul Varibobës, Nikollë Ketës, Zef Krispit, Engjëll Mashit, Mikel Skutarit në ngulimet arbëreshe të Italisë, që nga shumë ane jane integruar ne zhvillimet kulturore ne atdhe ne shek XVIII dhe fillimet e shekullit XIX dhe ndonjë anë çelin edhe shtigje të reja siç ndodh me veprën e Nikollë Ketës “Thesar shënimesh mbi maqedonët” dhe veprën e Jul Varibobës “Jeta e Shën Merisë virgjër” si vepra e pare artistike në letërsinë shqipe. Si vijim i natyrshëm i lidhjeve të gjera kulturore në mjedisin arbëresh shfaqet vepra e studiuesit, dijetarit arbëresh Vinçens Dorsa “Mbi shqiptarët,gjurmime dhe mendime” botuar në Napoli. Vepra e Vinçens Dorsës u botua në një moment kyç. Do të mjaftonte të kujtonim vitin 1847. Duke rilexuar në të gjithë rrafshet veprën e Dorsës bindesh për dimensionet se është ne hapat e parë epoka e re e lëvizjes kombëtare, që grish duke ngritur më lart vetëdijen e shqiptarëve kudo që ndodhen, qendresen e pashembullt të tyre në histori. Shqiptarët po kapërcenin pragun e madh të vetëdijesimit dhe organizimit kombëtar si asnjëherë tjetër, në përmasa të panjohura më parë. Dhjetë vjetë të shkuara De Rada më veprën e tij të parë të shkruar arbërisht “Këngët e Milosaos” do të paralajmëronte agun e kësaj epoke të ndritur. Një vit më parë i dituri Naum Veqilharxhi që e kishte përflakur në shpirt zgjimi i popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik do të hidhte idenë e mësimit, shkollimit dhe kulturimit të popullit të vet, sepse sic arsyetonte rilindesi vizionar “popujt e pakulturuar u ngjajnë skllevërve”. Në pragun e Epokës së madhe të Rilindjes po konturohej një strategji e re, më së pari shpirtërore që do të sillte patjetër edhe ripertritjen lendore të shqiptarëve. Për këtë duhej përbuzur dhe luftuar tirania osmane.

Vepra e Vinçens Dorsës e shkruar dhe e botuar në italisht vjen në kohën e vet. E shkruar nga një arbëresh në italisht ajo do të kishte një horizont më të gjerë pritjeje dhe do të realizonte synimet më themelore  të kohës, sensibilizimin e qëndrimit evropian ndaj çështjes shqiptare. Vinçens Dorsa (1823–1885) bashkëkohës i De Radës, Santorit, kishte lindur në Frashineto të Kalabrisë, kishte qenë nxënës në kolegjin e Shën Adrianit dhe më pas student i kolegjit të Propagandës në Romë. Kur e boton veprën, që edhe pse më e rëndësishmja, nuk është publikimi i vetëm i tij, ai nuk është më shumë se 24 vjeç. Që dijetarin e nxit të shkruajë këtë vepër shkencore, historike e kulturore një ndjenjë e flaktë patriotike që nuk shmang kërkesat e tregon titulli i vepres mjaft kuptimplote si dhe fjalët e cituara “i lumtur është ai shkrimtar që i ngre monument vendit të tij”, si dhe kushtimi: “Kombit tim të përçarë të shpërndarë por nje i vetem”. Me veprën e vet ai kërkon të hedhe drite thelle ne rrënjët e origjinës së shqiptarëve, në historine mijevjecare te tyre si dhe te japë mendime mbi aktualitetin dhe të ardhmen e tyre. Këtë barrë të rëndë që merr përsipër, si e parashton në titull,qe ka për qëllim të realizojë permes gjurmimit të ngjarjeve, fakteve, te dhenave nepermjet mendimit dhe persiatjeve qe rrjedhin nga shqyrtimi tyre. Dhe mund të thuhet me plot gojën që ia ka arritur te përmbushë qëllimin e vet, dhe të na japë një vepër nga më të plotat e llojit të saj. E kaluara shqiptare nga fillimet deri në kohën kur shkruan dijetari është vështruar në një kronologji të saktë. Vështrimi në të kaluarën dhe aktualitetin shqiptar në tiparet më qenësore të kombit parë në rrjedhe historike i kanë lejuar autorit të shohë dhe të projektojë sadopak jo drejtpërdrejtë udhën drejt lirisë dhe emancipimit kombëtar.

Argumentet shkencore të veprës së vet dijetari do t’i paraqesë në një strukturë tepër organike. Synimet e tij, bazën nga është nisur për të shkruar atë vepër e shtjellon në parathënie (fq. 5–9). Në kapitujt e parë ai jep njoftime mbi pozitën gjeografike të trojeve shqiptare. Merret në mënyrë të veçantë me etnonimet mbi shqiptarët në lashtësi dhe në kohët moderne si dhe mbron me argumente lashtësinë, autoktoninë e kombit si një popull jo grek nga më të vjetrit e gadishullit ballkanik. Për të provuar identitetin e lashtë të shqiptarëve ai mbron tezën pellazgjike, tezë kjo e përqafuar përgjithësisht nga rilindësit. Në kapitujt më pas ai i kushton një vend më vehte problemit të formimit të gjuhës shqipe si dhe vendit të formimit të saj. Në përgjithësi ai i jep një zgjidhje të pranueshme duke e kërkuar dhe gjetur origjinën e shqipes në fillimet thrako-ilire. Historinë e shqiptarëve ai e gjurmon nga fillimet, gjatë sundimit romak, bizantin, sllav e turk. Në kapitullin 6 ai ka për argument atë për të cilën ndjehet më krenar, qëndresën e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe famën e epokës së tij. Në disa kapituj më radhe (kap. 7, kap. 14), ai flet për situatën e krijuar në Shqipëri pas vdekjes së Skënderbeut, për rënien e vendit në robërinë osmane, që i detyroi shqiptarët të marrin rrugën e dhimbshme të mërgimit. Si përfaqesues të këtij mërgimi të trasheguar, Vinçens Dorsa me objektivitet vështron historinë e ngulimeve shqiptare në Siçili dhe Kalabri, për veshtersite dhe mundësitë që ju krijuan arbëreshëve për të ruajtur gjuhën, doket, zakonet e tyre karakteristike, besimin e tyre në  nje mjedis te huaj. Kontributin e arbëreshëve ai e sheh të konkretizuar në ngritjen e seminarit në Palermo dhe të Kolegjit në Shën Benedeto Ulano si dhe ne një lëvizje të gjerë kulturore që nxori e afirmoi personalitete te shquar si Guxeta, Rodota, Mashi, Sqiroi, Krispi, De Rada, Santori etj. Në kapitujt që vijojnë (vepra ka gjithsej 20 kapituj) autori flet për aktualietin dhe vitalitetin historik të shqiptarëve. Për dijetarin arbëresh shqiptaret qe kane tradita te shkelqyera luftarake ne te kaluaren e larget, cfare arsyeton edhe ndonjë vonesë në jetën kulturore të vendit, kanë dhënë pa u kursyer kontributin e tyre në luftrat për liri te popujve te tjere duke luftuar si për Turqinë, Egjiptin, Greqinë, Italinë etj. Ai përmend heronj shqiptarë që u shquan në lëvizjen kombëtare greke si Foto Zhavella,Kosntandin,Kristo e Marko Bocari,Bubulina etj, Tiparet e vecanta te paperseritshme shpirterore te shqiptareve, dijetari i sheh te shprehura sidomos ne gjuhe,poezine popullore, ne letersine e kultivuar,ne zakonet,ne menyren e jeteses, ne ritet tradicionale dhe ne kostumet kombetare. Duke njohur dhe pranuar me argumente lashtesine e gjuhes shqipe ai do ti kushtoje vemendje dhe gjendjes aktuale te saj. Ne kapitullen per gjuhen ai flet për karakterin dhe tiparet gramatikore të saj. Gjuha shqipe, sipas tij, shkruhet me një alfabet prej 28 germash, 23 prej të cilave janë latine dhe 5 shkronja origjinale. Në mënyrë të veçantë ai merret me fizionominë e poezisë popullore, vlerat estetike ai i sheh ne shpirtezimin e jofrymorve ne frymore. Puhuri i nje varri kthehet ne njeri, rrasa e tij në kalë e kështu ai heton një nga dukuritë më të vjetra të poezisë popullore. Ai bën dallimin e poezisë së vjetër me atë të krijuar më vonë. Tek e vjetra ai vëren vargun e bardhe dhe mungesën e rimës. Vëndin e rëndësishëm që zë poezia popullore, ai e lidh me faktin se shqiptarët nuk kanë mundur të kenë një histori të shkruar. Gjuha shqipe është e thjeshtë, shprehëse dhe imitative poetike, por nuk arriti të kultivohej sepse kombi gjendej kurdohere nën armë. Në këto rrethana ai vlerëson rolin e ngulimeve shqiptare të cilët në mes të kulturës së huaj krijuan një letërsi të veçantë dhe ruajtën qytetërimin e tyre të hershëm. Përmes poezisë popullore, vlerave të saj, Vinçens Dorsa shpalos romantikën e tabllove të tokës shqiptare te populluar me personazhet simbolike si thëllëza, pellumbi, skifteri etj. Por në vargjet e poezisë popullore nuk mungojnë edhe tropet befasuese që te habisnin me dritën e bukurinë e mendimit dhe të shprehjes poetike. Vajza e poezisë popullore është e bardhë dhe e bukur si një re, e embel si kumbull, e ndritshme si hëna e netëve të bukura të dimrit, ndërsa djali si dielli kur lind. Veç elementëve mitologjikë, në poezinë popullore Dorsa veren se kanë ndikuar edhe elementë të artit të Lindjes. Në kapitullin e veçantë që i kushton letërsisë shqipe të kultivuar ai cmon autorët e shek. XVI–XVII dhe sidomos autorët arbëreshë V. Bariboba dhe bashkëkohësit e vet, J. De Rada dhe Anton Santori. Eshte me interes te theksohet se vepra e J.De Rades ndonese u be objekt studimi  më M. Markianoi, A. Stratikoi, Gualtieri, Vinçens Dorsa është ndër të parët që artikuloi fjalët që do të profetizonin vlerat poetike të J. De Radës. Në kapitullin e fundit që ka për objekt gjendjen aktuale dhe të ardhmen e Shqipërisë si edhe te ngulimeve arbereshe, fatin e të cilave Dorsa nuk mund ta shkëpusë nga fati dhe ardhmja e gjithë vendit, i tronditur nga zgjedha e egër e një regjimi despotik që rëndon mbi Shqipërinë, ai shtron problemin në se vendi do të vazhdojë të jetë akoma pa industri, pa kulturë, pa ligje, pa mjetet e nevojshme për zhvillim. A do ta durojnë shqiptarët gjendjen e tyre te rende e të shtypur? Si të gjithë vizionarët e mendimit rilindës, Vinçens Dorsa e sheh mundësinë e shpëtimit në karakterin luftetar dhe të panënshtrueshëm të shqiptarëve nje e pesta e te cileve jane te gatshem për t’u thirrur nën armë. Shqipëria ka shumë pasuri dhe burime natyrore,ajo ka pasur tradita të njohura në fushën e ekonomisë dhe të diplomacisë, në marrëdhëniet me vendet e popujt e tjerë. Dijetari arberesh zbulon në këtë kapitull shqetesimin e tij nese shqiptaret do te pajtohen me gjendjen e shtypur nen thundren e nje shteti mizor aotokratik sic eshte perandoria osmane. Që ai e njeh mirë gjendjen e Shqipërisë në atë kohë, qofte edhe permes shtypit, e tregon fakti,se ai  përmend në veper njerin nga heronjte e qendreses antiosmane, ne vitet 30 te atij shekulli dhe konkretisht Tafil Bej Buzin. Shqipëria patjeter duhet të ndjeke shembullin e Greqisë që ka fituar pavarësinë e saj. Dijetari është plot besim. Duke mbajtur lart flamurin e shpresës dhe te besimit që ngrohu gjithë rilindësit, paralajmeron fortunen qe do të flake barbarinë më të rënde të despotizmit në historisë së njerzimit. Kjo do të jetë shenimi i mbarimit te luftes dhe fillimi i diteve te bardha te lirise per Shqiperine. V.Dorsa permes tere vepres i ben jehone idealeve te Rilindjes Kombetare qe perjetonin trojet shqiptare ne ate kohe. Ai me vepren e vet “Mbi shqiptaret,kerkime dhe mendime”,ka arritur te permbushe qellimin e tij fisnik dhe patriotik “te ringjalle ne opinionin publik te drejtat e nje populli te ndritur,por te panjohur” dhe me shpirtin e tij profetik te parashohe agimin e diteve te lumtura qe do vijne per shqiptaret dhe Shqiperine. Sado që një trajtese historike kutlturore, ajo mori vlerën e një manifesti të fuqishëm kombëtar që edhe pse e shkrua në gjuhë të huaj për një publik jo shqiptar, me karakterin e saj polivalent u bë një enciklopedi shqiptare për kohën që ndikoi në publikimin e çështjes shqiptare në Evropë. Si e tillë veprat e Vincens Dorsës iu priu në kohë veprave të kësaj natyre që do të botojnë në shqip dhe në gjuhë të huaj: Zef Jubani, Pashko Vasa, Sami Frashëri dhe të tjerë mendimtare të Rilindjes që do të shërbenin si ura komunikimi të shqiptarëve me botën.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page