top of page

Prof Dr Eshref YmeriPas gjurmëve të një rastësietë paparashikuar

  • 2 hours ago
  • 10 min read

 

Mjeku dhe filozofi i lashtësisë pellazgjike, Hipokrati (460-370 p.e.r.), ka thënë:

            “Asnjëherë dhe në asgjësend nuk duhet përjashtuar rastësia”.

Prof.dr. Hajri Shehu, në Parathënien e Fjalorit tim frazeologjik anglisht-shqip, të botuar në vitin 2018, shkruan:

“Kushdo që dëshiron të njihet me histori frazeologjizmash, fjalësh të urta, fjalësh fluturake etj., mund ta lexojë me ëndje në këtë Fjalor... Te njësia frazeologjike në origjinë janë dy kuptime: kuptimi aktual dhe kuptimi etimologjik (forma e brendshme, motivimi).

Prof.dr. Rami Memushaj, në Pasthënien e këtij Fjalori, nënvizon:

“Hartimi nga një autor i vetëm i dy fjalorëve të fundit (fjalori frazeologjik rusisht-shqip dhe fjalori frazeologjik anglisht-shqip - E.Y.) në harkun e 12 vjetëve, ka qenë një punë e stërmundimshme, të cilën edhe një ekip leksikografësh do ta kishte të vështirë ta përballonte”.

Prof.dr. Tefë Topalli, në një analizë, me titull “Eshref Ymeri, një albanolog i njohur që vijon të punojë për gjuhën shqipe, edhe nga USA”, të botuar në internet më 25 gusht 2023, thekson:

            “Është një libër shkencor filologjik i fushës së leksikografisë, që do të ishte krenari ta hartonte një institut kërkimor gjuhësie” (është fjala  për Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe - E.Y.).

Në një tjetër analizë,  me titull Për Eshref Ymerin  dhe Fjalorin e tij frazeologjik” (botuar në  “ExLibris”, 09 shtator 2023), kushtuar po këtij Fjalori, Profesori ka theksuar: 

“Në shumë frazema, lexuesi do të gjejë njoftime diturake me vlerë enciklopedie: shoqërore e historike, politike dhe diplomatike, filozofike dhe psikologjike”.

Përkthyesja dhe shkrimtarja e njohur, Mira Meksi, në faqen e internetit “Drini” të datës 16 nëntor 2021, ka bërë vlerësimin në vijim për Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip:

“Në këtë Fjalor gjendet forma e brendshme e njësive frazeologjike, kuptimi i tyre etimologjik, si shpirti i gjuhës”,

Të katër këto personalitete të kulturës sonë mbarëkombëtare, me vlerësimet e tyre, më nxitën të shtegtoj shumë prapa në vite dhe të sjell në kujtesë vitin kur, për herë të parë, më pati lindur ideja për ta krahasuar pasurinë frazeologjike të Shqipes sonë Hyjnore me pasurinë frazeologjike të disa gjuhëve të tjera. Prandaj po ndalem në dy çështje:

Së-pari, më duhet të shpjegoj arsyen se, përveç kuptimit aktual, pse jam ndalur edhe në kuptimin etimologjik të shumë shprehjeve frazeologjike të fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh, duke i shoqëruar ato, siç vë në dukje Prof.dr. Tefë Toptalli, me “njoftime diturake me vlerë enciklopedie”.

Pë dijeninë e lexuesve të nderuar, pas përfundimit të Gjimnazit “Ali Demi” në Vlorë në fund të qershorit të vitit 1959, duke pasur parasysh rezultatet e larta në mësime, shteti më dha të drejtën për vazhdimin  e studimeve universitare në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad (tani Sankt Peterburg), për ku u nisa më 27 gusht. Në konviktin e studentëve, në dhomë kisha shokun e kursit të parë, Nikolla Nikitenko. Ishte nga qarku i Mogilovit të Bjellorusisë. Ishte 32 vjeç. Shumë i përzemërt në marrëdhëniet me mua. Kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak trevjeçar në Gjermaninë Lindore dhe mandej kishte punuar edhe disa vjet. Asokohe, në Bashkimin Sovjetik, me ligj, djemtë që mbaronin shkollën e mesme, duhej të kryenin paraprakisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe mandej u jepej e drejta të vazhdonin studimet universitare.

Në mesin e muajit maj të vitit 1960, ditë e diel, në kuadrin e kampionatit kombëtar të futbollit, në stadiumin “Kirov” të qytetit, do të zhvillohej ndeshja midis skuadrave “Zenit” të Leningradit dhe “Dinamo” të Moskës. Dy ditë më parë, Nikolla kishte prerë dy bileta për ta parë atë ndeshje në tribunë. Shkuam, u ulëm në vendet përkatëse dhe ishim duke ndjekur ndeshjen, gjatë së cilës u bë një lëmsh para portës së “Dinamos”. U krijua përshtypja sikur arbitri do të jepte penallti për “Zenitin”. Por arbitri i ra bilbilit dhe dha gjuajtje dënimi për “Dinamon”. Krejt sportdashësit u ngritën rrëmbimthi në këmbë me të bërtitura. Sportdashësi që qe ulur pranë meje, u gjend menjëherë në këmbë dhe bërtiti me sa i hëngri fyti: “Cyдью на мыло!”. Më befasoi kjo shprehje. Fjalëve судья dhe мыло ua dija kuptimin (arbitër dhe sapun), por kuptimin e shprehjes nuk e kisha të qartë. Kur mbaroi ndeshja, dolëm në bulevardin “Njeva”, bulevardi kryesor i qytetit, dhe u nisëm për në konvikt. Në ecje e sipër, e pyes Nikollën se cili ishte kuptimi i shprehjes. Ai më tha se shprehja përdorej në kuptimin “jashtë arbitri!”, “arbitri të dëbohet (të shporret) nga fusha!”, “arbitri sikter!”. Po mirë, i them, po ç’hyn në këtë mes fjala “sapun”? Ai mblodhi supet dhe ma ktheu: “kjo është shprehje e vjetër, por nuk e di se si ka hyrë në gjuhën popullore”.

Kjo shprehje, të cilën e dëgjova rastësisht nga goja e një sportdashësi në stadium, m’u ngulit në kujtesë dhe aty mbeti për vite me radhë. Në Shqipen tonë Hyjnore, me fjalën “rastësi” mund të krijohen togfjalësha me 71 mbiemra.

Rastësia është pjesë e pandarë e përvojës sonë jetësore dhe aftësia për ta përdorur për interesat e veta, gjithsekujt mund t’i krijojë mundësinë për të vënë në jetë diçka me vlerë.

            Pas zhvillimit në Moskë të Konferencës së 81 partive komuniste dhe punëtore në nëntor të vitit 1960, kur Enver Hoxha e pati kritikuar ashpër Hrushovin për qëndrimet e tij kundër Republikës së Shqipërisë, Hrushovi i ndërpreu menjëherë marrëdhëniet diplomatike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera me vendin tonë. Prandaj, në qershor të vitit 1961, si të gjithë studentët shqiptarë, edhe unë u ktheva në atdhe. Këtu mbarova studimet për gjuhë dhe letërsi ruse dhe pas përfundimit te tyre, në gusht të vitit 1966, më emëruan asistent-pedagog në katedrën e gjuhës dhe të letërsisë ruse të Fakultetit histori-filologji, vite më vonë Faulteti i gjuhëve të huaja. Sapo nisa të jepja mësim, filloi të më ngacmonte në kujtesë ajo shprehja e atij sportdashësit në tribunën e stadiumit “Kirov”. Por tani kisha të tjera probleme: më duhej të punoja për të fituar shprehitë pedagogjike të mësimdhënies në auditor dhe t’i thelloja shumë më tepër dijet në fushën e lëndëve mësimore përkatëse, në mënyrë që, shkallë-shkallë, të ngrihesha në nivelin e kolegeve dhe kolegëve, si profesoreshat Vitore Ballvora (Angoni), Shpresa Zenelaj (Kseno), profesor Jorgji Doksani (që i kishin përfunduar studimet e larta në Universitetin “Lomonosov” të Moskës), profesor Reshat Konçi etj., të cilët, deri dje, kishin qenë pedagogët e mi.  Kështu vazhdova deri në vitin 1972. Pikërisht në këtë vit nisi puna për hartimin e Fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh dhe të Fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe, për të cilin, në parathënien e tij, duke qenë edhe redaktor, Prof.dr. Rami Memushaj shkruan:

“Lëndën për këtë fjalor e ka nxjerrë nga korpusi vetjak i frazeologjizmave, i krijuar prej tij, duke  filluar gjysmë shekulli më parë, me vjeljen e frazemave nga rreth 500 vepra letrare, politike e publicistike; nga fjalorë dygjuhësh shqip - gjuhë e huaj ose gjuhë e huaj - shqip dhe nga fjalorë shpjegues e sinonimikë të shqipes. Veç këtyre, ka shfrytëzuar edhe korpusin e fjalëve të urta të shqipes, të nxjerrë nga botimi i Institutit të Kulturës Popullore “Fjalë të urta të popullit shqiptar” (1983). Në këtë mënyrë, ai ka arritur të krijojë një kartotekë shumë të pasur me shprehje frazeologjike, të cilën e ka pasuruar nga viti në vit, duke ndjekur me vëmendje ligjërimin e shkruar e të folur”.

Gjatë hartimit të Fjalorit frazeologjik rusisht-shqip, kur arrita te vatra kuptimore “судья” e shprehjes frazeologjike “судья на мыло”, domosdo që nuk mund të ndalesha vetëm në kuptimin e saj të lartpërmendur në gjuhën shqipe, as me atë shpjegimin e pamjaftueshëm që më pati dhënë shoku i klasës, Nikolla Nikitenko në Leningrad. Prandaj i hyra punës, duke kërkuar me këmbëngulje në internet për të gjetur etimologjinë e saj. Pas kërkimeve të gjata, ja çfarë rezultoi: kjo shprehje e njohur dhe shumë e përhapur në gjuhën ruse, ka ardhur e ka marrë forma materiale në saje të koleksionit të një arbitri futbolli nga Gjermania, që quhej Paul Shrahemyler. Gjatë shumë viteve të arbitrimit, ai pati grumbulluar një mori të tërë sendesh që i flaknin nga tribuna tifozët e xhindosur. Në koleksionin që ai pati grumbulluar në fushat e futbollit të mbarë botës, mes shumë sendeve, përfshiheshin çakmakë, syze, këpucë, shishka ilaçesh, kapëse rrobash, kapele grash dhe burrash. Kurse një tifoz me një temperament të papërmbajtur, i cili qe ndier i fyer, se arbitri e kishte ndëshkuar skuadrën e tij të zemrës me një gjuajtje nga pika e njëmbëdhjetëmetërshit, arriti madje të flakte kundër tij… protezën e dhëmbëve. Pra, shprehjen në fjalë e përdorin të gjithë ata tifozë që janë të pakënaqur nga gjykimi i ndeshjes prej arbitrit. Ajo pati hyrë në gjuhën ruse këtu e disa dhjetëvjeçarë të shkuar. Ç’është e vërteta, ajo mund të përdorej edhe në variantin “cудью́ в ути́ль!” (arbitri - në mbeturina!). Me fjalë të tjera, me këtë shprehje-thirrje nënkuptohej përpunimi i trupit të arbitrit (që s’hynte më në punë për asgjë) si lëndë e parë dytësore. Duhet theksuar se sapuni asokohe, kur teknologjia e prodhimit të këtij produkti nuk ndodhej dhe aq larg konsumatorit, të kujtonte një mit që kishte zënë vend mirë. Mendohej se sapuni (gjithsesi i cilësisë së ulët), përgatitej prej kërme. Asokohe, me që ra fjala, ekzistonte një profesion, ai i lëkurërrjepësit. Këta njerëz bënin një punë që nuk kishte asgjë të përbashkët me egërsinë shtazarake. Ata vetëm rripnin lëkurën e bagëtive të ngordhura. Dhe, për më gjerë, merreshin me grumbullimin e lëndës së parë teknike nga gjëja e gjallë. Dhe konkretisht, merreshin me grumbullimin e yndyrës që përdorej edhe për sapun, gjithashtu. Një mjeshtëri kjo për të mos e pasur zili dhe e rrezikshme nga ana epidemike, por me mjaft leverdi. Drejt vendit ku vriteshin bagëtitë dhe u rripej lëkura, zakonisht dërgoheshin ato që kishin ngordhur. Ose ato që ishin të sëmura, dhe që këto ishin të përshtatshme vetëm për sapun. Respektivisht, ka pasë ekzistuar edhe shprehja “отпра́вить на мы́ло” (e dërguan për sapun - thuhej zakonisht për kuajt). Arbitri i lig - për sapun! Për te lëkurërrjepësit! Kujt i hyka më në punë ai? Kjo shprehje është shumë e vjetër. Ata që kanë qenë dëshmitarë, thonë se ajo ka pasë qenë në përdorim në periudhën e hershme të futbollit sovjetik, në praktikën e prodhimit të sapunit në periudhën e revolucionit, të luftës civile dhe të NEP-it (të politikës së re ekonomike).

Kështu është vepruar edhe për ato shprehje frazeologjike të anglishtes, të frëngjishtes dhe të italishtes, të cilat, përveç gjetjes së barasvlerësit të tyre në gjuhën shqipe, ishte e domosdoshme që të jepej edhe prapavija e tyre etimologjike me vlera enciklopedike për lexuesin. Kështu, fjala vjen, për shprehjen fraeologjike të anglishtes Teddi boy (qejfli huqesh, rrebesh, trillesh), jepet shpjegimi e motivimi jashtëgjuhësor: Teddy është shkurtim i emrit Edward. Shprehja e ka prejardhjen nga emri i mbretit anglez Eduardi VII (Edward VII - 1841-1910), i cili dallohej për mënyrën origjinale të veshjes. Teddy boys kanë qenë imituesit e tij në radhët e rinisë së viteve ’50 të shekullit të kaluar. 

Shprehja frazeologjike e frëngjishtes “faute de pain on mange de la brioche (kur s’kanë bukë le të hanë franxholla), është kthyer në simbol të shkëputjes së skajshme të pushtetit suprem absolutist nga problemet konkrete të popullit të thjeshtë. Prejardhja e saj është e ngatërruar. Sipas një versioni më të përhapur, atë e ka përdorur Maria-Antuaneta (Marie-Antoinette 1755-1792), bashkëshortja e mbretit të Francës  Luigji XVI (Louis XVI - 1754-1793), megjithëse krahasimi i të dhënave biografike të mbretëreshës nuk përputhet as me kohën e krijimit të shprehjes, as me përmbajtjen e saj. Shprehja në fjalë përmendet për herë të parë në veprën e Zhan-Zhak Rusoit (Jean-Jacques Rousseau - 1712-1778) me titull Les Confessions (Rrëfimi) (1766-1770), por në një tjetër trajtë: Qu’ils mangent de la brioche (Ata le të   hanë franxholla). Sipas Rusoit, këtë shprehje e paska shqiptuar një princeshë e re franceze, të cilën fjalët e popullit, si edhe shumë historianë, e patën identifikuar paskëtaj me Maria-Antuanetën. Me sa duket, shprehjen e ka krijuar vetë Rusoi, meqenëse atij dhe shumë francezëve të tjerë ua kishte shumë ënda që atë ta kishte shqiptuar mbretëresha, e cila, në prag të revolucionit, qe kthyer në një figurë të urryer për të gjithë. Në disa burime të tjera thuhet se autore e kësaj shprehjeje ka qenë dukesha e parë e Austrisë, Maria Tereza ( Maria Theresia Walburga Amalia Christina - 1717-1780). Disa autorë kujtimesh (memuaresh) të shek. XVIII, mendojnë se këtë shprehje e kanë përdorur vajzat e Luigjit XV (Louis XV - 1710-1774), Sofia ose Viktoria.

Një shprehje frazeologjike e italishtes është krijuar mbi bazën e përmbajtjes së një filmi. Është fjala për filmin  “Viale del tramonto” (Rrugina e perëndimit)Billi Ualderit (Billy Wilder - 1906-2002), që u vu në qarkullim në vitet ’50 të shekullit të kaluar, në të cilin rrëfehet për historinë e një autoreje, tashmë në moshë jo të re, që parashikon afrimin e fundit të karrierës së saj. Pikërisht titulli i këtij filmi ka shërbyer si zanafillë e krijimit në gjuhën italiane të shprehjes frazeologjike “essere sul viale del tramonto” (jam në rrugën drejt perëndimit), domethënë, jam në perëndim e sipër, jam në të ngrysur të jetës.

Së-dyti, më lart citova Prof.dr. Rami Memushaj, i cili ka theksuar se puna për përgatitjen e këtyre fjalorëve frazeologjikë ka qenë një punë e stërmundimshme, të cilën edhe një ekip leksikografësh do ta kishte të vështirë ta përballonte”.

Për hir të së vërtetës, para se t’i hyja punës për hartimin e fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh, i jam drejtuar një pedagogu të gjuhës angleze për të bashkëpunuar për hartimin e Fjalorit frazeologjik anglisht-shqip, por ai nuk pranoi. Një pedagogeje të gjuhës franceze i propozova ta hartonim së bashku Fjalorin frazeologjik frëngjisht-shqip. Ajo pranoi dhe e nisëm bashkëpunimin. Por, me kalimin e kohës, ajo u tërhoq, se nuk ishte dakord që të jepeshin aq shumë baraslerës frazeologjikë sinonimikë të gjuhës shqipe për një shprehje frazeologjike të frëngjishtes, barasvlerës këta, të cilët, siç e ka vënë në dukje Prof.dr. Tefë Toplli, në disa raste, arrijnë deri në 40 të tillë. Veç kësaj, ajo nuk ishte dakord që shprehjet frazeologjike të shoqëroheshin me shpjegime etimologjike të natyrës enciklopedike. Mandej bashkëpunimin e vazhdova me specialistin e talentuar të frëngjishtes, Sefulla Kata, që përballoi edhe redaktimin e Fjalorit me 1508 faqe.

Fjalorin frazeologjik italisht-shqip, botimin e parë, të vitit 2002, e hartuam së bashku me pedagogun e italishtes në Universitetin Bujqësor, dr. Naim Balla, kurse botimin e dytë të vitit 2007 e pasuruam edhe me bashkëpunimin e Prof.dr. Irena Lama, pedagoge e letërsisë italiane në Departamentin e italishtes të Fakultetit të gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës.

 Në mbyllje dëshiroj të falënderoj përzemërsisht Profesorët e shquar Hajri Shehu, Tefë Topalli, Rami Memushaj, Fatmir Terziu. Dr. Jorgji Kote, shkrimtaren Mira Meksi dhe të gjithë lexuesit e nderuar të Portalit “Fjala e Lirë” dhe të portaleve të tjera, për vlerësimet që u kanë bërë Fjalorëve të mi frazeologjikë dygjuhësh dhe të Fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe.

            Shpenzimet për botimin e të gjithë këtyre fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh, me autorësi dhe bashkautorësi, i kam përballuar vetëm me kursimet e pensionit tim, sepse askush s’pati pranuar të sponsorizonte. Për botimin e Fjalorit frazeologjik rusisht-shqip, me 1204 faqe dhe me 25 154 shprehje frazeologjike, me një letër-kërkesë të datës 20 shkurt 2012, iu drejtova për sponsorizim ambasadorit rus në Tiranë, Leonid Abramov, i cili nuk denjoi të kthente kurrfarë përgjigjeje. Të njëjtin qëndrim shpërfillës mbajti edhe miku i Boris Jelcinit, milioneri Behgjet Pacolli, të cilit iu drejtova me një letër po asokohe, me ndërmjetësinë e mikut tim dardan, Profesor Flori Bruqit. Siç e kam theksuar edhe herë të tjera në internet, të njëjtin qëndrim  shpërfillës mbajti ndaj kërkesës sime për sponsorizimin e botimit të këtij fjalori, edhe ish-ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, me të cilën kemi qenë kolegë në katedrën e përkthimit të Fakultetit të gjuhëve të huaja.

Siç e theksova më sipër, ishte një rastësi e papritur ajo 66 vjet më parë në Leningrad, që pati shërbyer si shkak për nisjen e kësaj pune, rastësi që qe kthyer në një motiv “xixëllues” në trurin tim për vite me radhë, çka më bën të sjell kujtesë një aforizëm të shkëlqyer të shkrimtarit dhe kritikut francez, Anatol Frans (Anatole France  1844-1924): 

“Rastësia është pseudonim i Hyjnisë, kur ajo nuk dëshiron tа hedhë firmën me emrin e vet”.

Kaliforni, 25 prill 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page