top of page

Prof Dr Eshref Ymeri: Studentët e talentuar janë krenaria e universiteteve

  • 2 hours ago
  • 4 min read

 

Në rrugët e jetës së Profesores, dr. Ledina Ferhati

           

Në kujtesën e kujtdo nga pedagogët e universiteteve, të jetës aktive apo në pension, mbeten përjetësisht të pashlyera vitet e mësimdhënies nëpër auditore, por sidomos puna me studentët e kurseve të para, para të cilëve hapet një mjedis i ri, një mënyrë e re jetese, vihen re të tjera ngarkesa dhe kërkesa, një mjedis i ri social, një nivel i ri marrëdhëniesh me njëri-tjetrin dhe me pedagogët, një qëndrim i ri ndaj vetvetes. Pra, ata ndodhen në një proces të ri përshtatjeje.

Kujtoj me shumë respekt studenten time mjaft të talentuar të kursit të parë në Fakultetin e gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës, zonjushën Ledina Ferhati, e cila i kreu studimet në vitin 2004. Ishte një studente me sjellje model, tepër serioze, mjaft e përqendruar në mësime dhe me një zell shembullor për të tjerët.

            Pas përfundimit të fakultetit, zonjusha Ledina ka kryer studimet master në fushën e gjuhësisë, me drejtim leksikologjinë. Ajo nisi punën në Konsullatën e Ukrainës, në Tiranë, si përkthyese e këtij institucioni. Mandej i është bashkuar fillimisht kompanisë Eagle dhe më vonë ALBtelekomit në vitin 2010, ku ka dhënë kontributin e saj në fushën e marrëdhënieve me median, publikun dhe institucionet. Në vitin 2016 ajo u bë pjesë e Departamentit të komunikimit me tregun në kompaninë ALBtelekom. Prej janarit të vitit 2023 mban pozicionin e menaxherit të marrëdhënieve me publikun dhe të komunikimit të brendshëm në kompaninë ONE Albania. Ajo ka disa përvoja akademike në universitete të ndryshme, si Universiteti i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Universiteti “Epoka”, Universiteti “Polis”. Aktualisht është lektore me kohë të plotë në Shkollën e Biznesit të Universitetit Polis. Që prej vitit 2017, Ledina është anëtare e bordit botues të revistës “Humanus” (revistë akademike, letrare dhe kulturore) dhe nga Janari 2022 është caktuar kordinatore e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Është njohëse e disa gjuhëve të huaja, si anglisht, rusisht, bullgarisht, italisht.

Interesat e saj kërkimore përfshijnë, por nuk kufizohen në sa vijon:

Dr Ledina Ferhati
Dr Ledina Ferhati

Politikat dhe institucionet e BE-së, politika e jashtme e Rusisë, demokratizimi, roli i kulturës politike dhe institucionet në nxitjen e demokracisë dhe shtetndërtimit. Gjithashtu, fushë e interesit dhe e punës së përditshme janë trendet e fundit të marketingut, marrëdhënieve me publikun, komunikimi, negocimi, planifikim biznesi, menaxhim eventesh.

Në veprimtarinë botimore të Dr. Ledina Ferhatit, bien në sy aktivitete shumë të larmishme, publikime të zgjedhura dhe përkthime të ndryshme. Këtu mund të përmendim:

▪ 2008. “Shqiptarët, pjesë e formimit të Odesës” (ese historiko-letrare). Përkthyer dhe botuar në gazetën “Shqip”.

▪ 2010-2017. Autore e shkrimeve në revistën “Eagle Mag” ( revistë e korporatës, me më shumë se 100 faqe).

▪ 2011. Vendi pa emër (roman). ISBN 978-99956-11-84-2. Autore: Cecilia Ahern. Shtëpia botuese “Bota Shqiptare”, 424 f.

▪ 2013. Bashkautore e artikullit “Politikat e emigrimit dhe identitetit: A është Europa e mbivlerësuar?”. Revista Ndërkombëtare “Analiza Sociologjike”. ISSN 1097-7147, Vol. 7, nr. 1.

▪ 2014. Bashkautore e artikullit “Utopia Post-Moderne: Lidershipi global i Europës në botën Post-Amerikane”. Revista Ndërkombëtare mbi studimet qytetare, politike dhe të komunitetit. Vol. 11, nr. 1, fq. 33-43.

▪ 2015. “Profecia e Romanovëve” (roman) ISBN: 978-9928-00-119-1, Autor: Steve Berry, Përkthyer nga Ledina Ferhati & Klodian Brici. Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”, 408 f.

▪ 2016. Bashkautore e artikullit “Politika e Jashtme e Rusisë: Nga Internacionalizmi liberal në Neorevizionizëm”. Outlook (2016), Vol. 1, nr. 2.

▪ 2018. Autore e artikullit “Rusia, shtet  dualist”, prezantuar në konferencën shkencore, të organizuar në Universitetin e Dunaújváros-it, në bashkëpunim me shoqatën shkencore për zhvillim hapësinor. Esztergom. Budapest.

▪ 2019. Bashkautore e artikullit “Perëndimi, Rusia dhe Ballkani”, prezantuar më 29-31 mars në Çeki, në konferencën ndërkombëtare mbi kërkimin e avancuar në shkenca sociale dhe humanitete.

Prej vitit 2019, Ledina Ferhati mban gradën Doktor i Shkencave në Shkenca Politike dhe Humanitete, me fokus Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Universiteti “New York”, Tiranë. Në vitin 2020 ka përfunduar kursin “Successful Negotiation” në Universitetin e Miçiganit dhe po atë vit ka përfunduar edicionin 2020 të Akademisë Verore Euro-Atlantike në Natolin, Poloni, fokusuar në tema si: ndarja digjitale transatlantike, moderimi i mediave sociale, gazetaria hulumtuese, teknologjia Big Data (njoftim i shifruar për biznesin; shifrimi i tij jep orientues të saktë, të cilët mundësojnë përcaktimin e rrugës së duhur të zhvillimit).

Jetëshkrimi tejet i pasur me veprimtari pedagogjiko-shkencore i Dr. Ledina Ferhatit, një veprimtari kjo e nivelit akademik, e bën krenar çdo pedagog të saj të Fakultetit të gjuhëve të huaja, sepse jeta pasqyron logjikën e gjërave: studentët e talentuar e çojnë edhe tej më tej dhe e pasurojnë edhe më shumë përvojën akademike të pedagogëve të vet.

Karriera mjaft e pasur pedagogjiko shkencore e Dr. Ledina Ferhatit, ka në themel punën e saj të palodhur, çka përbën çelësin e arritjeve të saj. Sukseset e saj të sjellin në kujtesë dy figura të shquara të kulturës botërore.

Shkencëtari erudit italian, Leonardo Da Vinçi (1452-1519), ka thënë:

“Sa më shumë me zell punoj, aq më shumë suksese kam”.

Shpikësi i shquar amerikan, Tomas Edison (1847-1931) ka theksuar:

“Gjenia është 1% frymëzim dhe 99% djersë”.

 

Kaliforni, 26 maj 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page