top of page

Prof. Dr. Eshref Ymeri: Struktura metaforike  e romanit “Hëna e Belshit”

  • 2 days ago
  • 6 min read

           

Para pak kohësh, enti botues SAGE në Britaninë e Madhe, nxori nga shtypi dhe hodhi në qarkullim romanin “Hëna e Belshit” të shkrimtarit Fatmir Terziu. Një roman ky tejet tërheqës me pasurinë e jashtëzakonshme të figuracionit artistik.

Që në faqet e para të këtij romani, Fatmir Terziu ndez fantazinë e lexuesit të vijë në përfundimin se letërsia artistike ndikon në formimin e vetëdijes historike dhe para tij hapet një tablo e qartë rreth ngjarjeve që kanë ndodhur në periudha të largëta, deri në lashtësi. Në qendër të romanit është qyteti i Belshit, që shtrihet në zonën e Dumresë, e cila shquhet nga numri i madh i liqeneve dhe me një peizazh tërheqës, ku mendimtari i madh i Rilindjes sonë kombëtare, Sami Frashëri, duke u nisur nga bukuria e mjedisit dhe karakteristikat e tjera të kësaj zone, mendonte të ngrihej aty kryeqendra e shtetit të ardhshëm shqiptar. 

Kësisoj, Terziu i lë lexuesit të kuptojë se letërsia artistike lidhet ndërsjelltazi me historinë. Sepse, ashtu si letërsia i drejtohet historisë, ruan brenda vetes kujtesën e saj, edhe historia gjen pasqyrim në veprat artistike. Domosdo, sepse një figurë artistike nga ngjarjet historike, të përshkruara mjeshtërisht me ndihmën e metaforave, krahasimeve, epiteteve etj., ndikon te lexuesit në mënyrë më të drejtpërdrejtë, më të kuptueshme dhe më të thjeshtë, sesa një punim shkencor.

Pra, në përmbajtjen e këtij romani trajtohet mundësia dhe domosdoshmëria e shfrytëzimit të letërsisë artistike, si një burim historik shtesë.

Kur lexuesi është duke ndjekur përmbajtjen e këtij romani faqe pas faqeje, ai e ndien veten si të përkundur në botën e pafundme të metaforave befasuese, si, fjala vjen, këto në vijim:

“... çdo gjë dukej sikur kishte dy jetë. Njëra ishte ajo që shihnin njerëzit, Tjetra ishte ajo që fshihej. Liqenet kishin dy pasqyra. Njëra reflektonte qiellin. Tjetra ruante thellësitë. Kodrat kishin dy histori. Njëra shkruhej në libra. Tjetra në legjenda. Edhe njerëzit kishin dy fytyra. Atë që tregonin. Dhe atë që prisnin të zbulonin”.

Dhe më tej:    

“… jetonte një vajzë që vinte çdo ditë pranë një liqeni të shenjtë. Ajo e donte aq shumë bukurinë e tij, sa dëshironte të bëhej si ai. Një ditë kërkoi sy blu. Dhe liqeni ia dha. Një ditë tjetër kërkoi flokë të artë. Dhe liqeni ia dha. Por vajza nuk falënderoi kurrë. Nuk e kuptoi kurrë, se dhuratat kanë kujtesë. Se bukuria ka çmim. Se natyra dëgjon”.

            Pra, kur shkrimtari Fatmir Terziu rrëfen me gjuhën e metaforave, kjo do të thotë se, në penën e tij, natyra  vjen e personifikohet, domethënë, përfton tiparet e qenieve të gjalla. Kësisoj rezulton se metaforat hasen gjithandej në faqet e këtij romani. Ato i kanë shërbyer autorit për të përcjellë me fjalë të thjeshta ide dhe ndjenja të caktuara, të cilat ravijëzohen mrekullisht në përfytyrimin e lexuesit, duke ngritur ura mes realitetit dhe fantazisë.

Metafora është njëra nga mjetet më të lashta dhe më të fuqishme të shprehjes së ideve dhe të emocioneve në letërsinë artistike. Ajo vendos lidhje midis dy gjërave, të cilat të krijojnë përshtypjen sikur janë gjoja të papajtueshme, duke ofruar një këndvështrim të ri ndaj diçkaje të zakonshme.  Le të kujtojmë për një çast një aforizëm të personalitetit politik amerikan, Benjamin Franklin (1706-1790). Nё librin e vet me titull “Kёshillё njё tregtari tё ri” (Advice to a Young Tradesman), të botuar në vitin 1748, ai  shkruan:  

“Mos harro se koha ёshtё para”. Në gjuhën shqipe fjala “para” është zëvendësuar me fjalën “flori”. Kur këtë  shprehje e përdorim në bisedë e sipër, ne nuk duam të pohojmë se koha është diçka që duhet ta futim në kuletë, por duam të shprehim mendimin për rëndësinë dhe vlerën e kohës, si një pasuri e përditshme. Kjo shërben si shembull, se si metaforat e ndihmojnë lexuesin gjatë perceptimit të realitetit.

            Në këtë roman, autori përdor metafora nga më të thjeshtat, deri tek ato që stolisin artistikisht paragrafe të tëra. Herë-herë nuk është e lehtë ta kapësh kuptimin e metaforës, por gjithsesi ajo mbart në vetvete një shtresë më tepër për zbërthimin e tij. Teoricieni i njohur i metaforave, profesori i linguistikës në Universitetin Berkli të Kalifornisë, Xhorxh Lakoff (George Lakoff - 1941), e përshkruan metaforën si themelin e të menduarit, duke pohuar se metafora e ka vendin jo vetëm në gjuhë, por edhe në mendimet dhe veprimet tona. Ai shkruan: “Metaforat nuk lidhen thjesht me retorikën, ato gërshetohen me mendimin dhe perceptimin tonë, duke na ndihmuar të zbulojmë thelbin  e përvojës sonë”.

Në veprat artistike metaforat përdoren gjerësisht. Shkrimtarët e shquar, si Uiliam Shekspiri (William Shakespeare - 1564-1616) ose Leon Tolstoj (Лев Толстой - 1828-1910) qenë shquar për mjeshtërinë e tyre në përdorimin e metaforave. Duke përdorur metaforat, Terziu, jo vetëm hijeshon artin e rrëfimtarisë, por e bën edhe lexuesin të bjerë në mendime dhe të reflektojë. Si një instrument, që i shërben lexuesit për të përjetuar kënaqësi estetike, metafora e Profesor Terziut i krijon mundësinë lexuesit të ëndërrojë. Ajo i ngjan një magjie të vogël, që realitetin  gri arrin ta shndërrojë në një tablo plot shkëlqim, e cila çel hapësira të paimagjinueshme për ndjenjat dhe mendimet e lexuesit. Të tilla shprehje metaforike shërbejnë jo vetëm për hijeshimin e rrëfimtarisë, por edhe për stolisjen e saj me forcë shprehëse, me forcë emocionuese, me synimin për ta ëmbëlsuar me më shumë nota frymëzuese.

Në këtë roman, shkrimtari Terziu përdor metafora të thjeshta, si njëra nga llojet më të njohura dhe më të përdorshme të mjeteve shprehëse në letërsinë artistike. Ato i kanë shërbyer autorit për të përcjellë me lehtësi dhe drejtpërsëdrejti ide të komplikuara nëpërmjet krahasimit të dy objekteve ose nocioneve. Le të shikojmë frazën në vijim, e cila pasohet me tri metafora-krahasime fort domethënëse: “… këtu dukej sikur Shqipëria fillonte dhe mbaronte njëkohësisht. Si një zemër. Si një qendër. Si një kujtesë”. Këto metafora të thjeshta të kujtojnë shprehjen metaforike të Shekspirit:

“Mbarë bota - një teatër”.

Këto fjalë vënë në lëvizje menjëherë imagjinatën e lexuesit për ta përfytyrur botën si një skenë, në të cilën njerëzit luajnë rolet e veta. Në këtë mënyrë, përmes metaforave të thjeshta, Profesor Terziu ka arritur t’i japë tekstit një joshë bukur mbresëlënëse, duke thelluar rezonancën emocionale të veprës, çka të kujton prozatorin, poetin dhe publicistin argjentinas, Jorge Luis Borges (1899-1986), i njohur, para së gjithash, për fantazitë e tij prozaike, të maskuara shpeshherë me arsyetime për probleme filozofike fundamentale, të cilat merrnin formën e historive aventurore ose detektive. Ai ka thënë: “Gjuha është caku ynë. Ne luajmë me kufizimet e saj, duke krijuar të vërteta të reja metaforike”.

Në penën e Profesor Terziut, përdorimi i metaforave të thjeshta shërben si një gjetje origjinale, e cila i jep tekstit thellësi dhe peshë emocionuese të theksuar. Pikërisht ashtu siç ka theksuar Edgar Po (Edgar Allan Poe - 1809-1849), shkrimtar, poet, eseist, kritik letrar, redaktor, përfaqësues i romantizmit amerikan, krijues i gjinisë së prozës psikologjike: “Arti i metaforës ka për synim ta bëjë lexuesin ta përjetojë, jo ta shpjegojë diçka”.

Pra, autori amerikan vjen në rezonancë me bashkëkombasin  e vet, Xhorxh Lakoff, të cilin e cituam më lartë: “Mënyra se si ne e kuptojmë identitetin, jetën dhe botën vetë, është rezultat i përdorimit të metaforave”.

Diçka tjetër që bie në sy në këtë roman, është dialogu i personazheve, i cili mbizotëron në mënyrë të theksuar mbi monologun. Problemet e dialogut gjithmonë kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të letërsisë dhe të gjuhëtarëve. Dialogun ata e kanë studiuar si një rrymë të re ndërdisiplinore, të emërtuar dialogologji, e cila studion shkencën e dialogut nga ana stilistikore, retorike, funksionale dhe shumë anë të tjera.  Profesor Terziu e ka përdorur dialogun për t’i përcjellë lexuesit këndvështrime nga më të larmishmet, që vërtiten brenda botës shpirtërore të personazheve në këtë roman dhe që zbulojnë interesat, prirjet dhe, përgjithësisht, formimin  e tyre psikologjik.

            Me këtë roman, profesor Terziu e ka nxitur lexuesin të shtegtojë me fantazinë e vet drejt lashtësisë sonë iliriane, kur Belshi, që asokohe, ka pasë shërbyer si një vatër banimi. Dihet që hapësirat iliriane kanë pasë qenë shtrirë në mbarë kontinentin europian. Prandaj, jo rastësisht, toponimi Belsh haset edhe në Gjermani, në trajtën Belsch. Kështu quhet komuna që shtrihet në rajonin e Meklenburgut (Mecklenburg), në veri të Gjermanisë. Pikërisht shtrirja e Ilirisë në krejt hapësirat europiane është edhe arsyeja kryesore që gjuha shqipe është në themel të gjuhëve europiane.

Kaliforni, 02 gusht 2026

8 Comments


Hekuran Dedej
15 hours ago

 Respekte Prof Dr Eshref Ymeri... Ju falenderoj.

Me dëshirë dhe shije tek Fatmir Tereziu kam lexuar disa prej titujve ne Poezi dhe në prozë.Në poezi ndjehen këndshëm ritmet e tonacioneve të vargut,të cilat ia lënë vëndin herëpas here ritmeve të rimave,së bashku formojnë bukur qëllimin e temës dhe ides nëpërmjet figurave letrare duke u shoqëruar me ndjenjë që ka ndjerë dhe ndjen realitetin trazueshëm.Kujtoj vargjet e tua për Nënën,dhe vargjet e vëndeve ku shpirti sopozohej se jetonte dhe jeton.Janë vargje plot ndjenjë që tregojnë lidhjen e njerëzve në mes tyre sipas ligjeve të përcaktuara familjare,dhe atyre shoqërore me pozitivitet dhe negativitet,lidhjen e njeriut me Natyrën e cila është gjithnjë pozitive për cdo krijesë.

Ndërsa tregimet e tua sipas meje zhvillohen…

Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
19 hours ago

        Shumë urime Prof. Dr. Fatmir Terziut  për realizimin e këtij monumenti më të ri të fjalës! 

Shumë urime Prof. Dr. Eshref Ymerit për këtë analizë elitare, që për nga mënyra e vështrimit dhe interpretimit të veprës, përbën një risi në kritikën tonë letrare. 

        Në roman ndërtohet Belshi me Dumrenë e liqeneve dhe pejsazhin mahnitës, por edhe ai i metaforave e legjendave iliriane, që ka krijuar fantazia olimpike e Fatmir Terziut. Vijnë ato nga lashtësia drejt nesh si mrekulli, si kujtesë, si urtësi e mesazhe dhe na emocionojnë e venë në mendime. Epokat i përcjellin njëra-tjetrës edhe zjarrin edhe shpirtin. 

  Gjithë të mirat të dyve këtyre personaliteteve të  shquara të kulturës, shkencës e  artit tonë! 

                                    Me respekt, K.Gjergji 

                                    Venecia, 4 gusht…

Like

Fatmir Terziu
2 days ago

Mirënjohja ime shkon gjithashtu për miqtë e nderuar Vladimir Muça, Shpend Topollaj, Kujtim Stana, Timo Merkuridhe Hekuran Dedej, të cilët, me fjalën e tyre dashamirëse, me vlerësimet e sinqerta dhe me kulturën e komunikimit, i dhanë këtij diskutimi një frymë të bukur miqësie dhe respekti të ndërsjellë. Komentet e tyre nuk janë vetëm shprehje inkurajimi, por edhe dëshmi e një komuniteti intelektual që di të lexojë, të vlerësojë dhe të ndajë mendimin me fisnikëri.

Ju falënderoj secilin prej jush për kohën, vëmendjen dhe bujarinë shpirtërore. Mbështetja e miqve të penës dhe e njerëzve të kulturës është një nga vlerat më të çmuara që mund të shoqërojë rrugëtimin e një autori. Uroj që kjo frymë mirëkuptimi, dialogu dhe respekti të vazhdojë të na…

Like

Fatmir Terziu
2 days ago

Prof. Dr. Eshref Ymeri, edhe një herë dëshmuat se kritika letrare e mirëfilltë nuk është thjesht interpretim, por një akt i lartë i përgjegjësisë shkencore ndaj veprës. Analiza juaj mbi strukturën metaforike të romanit Hëna e Belshit nuk ndalet te identifikimi i figurës stilistike, por depërton në arkitekturën konceptuale të tekstit, duke e vendosur metaforën si bosht epistemologjik të rrëfimit. Me një kulturë të admirueshme krahasimtare, ju e lidhni tekstin me teorinë moderne të metaforës, me traditën klasike të letërsisë botërore dhe me filozofinë e gjuhës, duke ndërtuar një lexim që rrallë haset në kritikën shqipe. Kjo është kritikë akademike në kuptimin më të plotë të fjalës: argumentuese, ndërdisiplinore, e mbështetur në referenca dhe njëherazi e ndjeshme ndaj frymës artistike të veprës.

Like

Shpendi Topollaj
2 days ago

Respekte pafund Profesorit Eshref Ymeri.

Urime Fatmirit dhe sa me shume suksese ne krijimtarine e tij plot talent dhe dashuri per vendin e tij!

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page