top of page

Prof Dr Eshref Ymeri: Shkallët e mashtrimit për humbjet e Bashkimit Sovjetik në Luftën II Botërore

  • 3 hours ago
  • 6 min read

           

Që prej 9 majit të vitit 1945, siç dihet, në Moskë zhvillohet Parada, festa e fitores mbi nazizmin  gjerman. Çdo vit, kjo paradë është shoqëruar me parakalimin e forcave më të zgjedhura ushtarake para tribunës së ngritur pranë Mauzoleut “Lenin” në Sheshin e Kuq.

            Gjatë një periudhe 72-vjeçare (1945-2017), humbjet e vërteta në njerëz gjatë asaj lufte, janë mbajtur rreptësisht sekrete, në mënyrë që, sipas këndvështrimit të elitës shtetopartiake sovjetiko-ruse, të mos cenohej autoriteti i Bashkimit Sovjetik para opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

            Le t’i ndjekim shkallët e këtij mashtrimi njërën pas tjetrës, sipas viteve përkatëse. Ato janë renditur në analizën e botuar në rusisht me titull “Они не вернулись из боя: рассекречено число погибших в Великой Отечественной войне” (Ata nuk u kthyen nga lufta: është çsekretuar numri i të vrarëve në Luftën e Madhe Patriotike”. Faqja e internetit “V raznoje vremja” (Në kohë të ndryshme). 15 mars 2017).

            Së-pari, në mars të vitit 1946, në një intervistë për gazetën “Pravda”, Josif Stalini pati deklaruar:

            “Si rezultat i sulmit gjerman, Bashkimi Sovjetik pati humbur... rreth 7 milionë njerëz”.

            Së-dyti, Nikita Hrushovi, në një letër që i pati dërguar kryeministrit të Suedisë, shkruante:

            “Militaristët gjermanë patën shpërthyer luftën kundër Bashkimit Sovjetik, e cila u pati marrë jetën 20 milionë qytetarëve sovjetikë”.

            Së-treti, në mbledhjen e Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik, të organizuar për nder të 45-vjetorit të fitores në Luftën e Madhe Patriotike, qe shpallur numri përfundimtar i humbjes në njerëz: “pothuajse 27 milionë njerëz””.

            Së-katërti, në vitin 1993, një kolektiv historianësh ushtarakë, nën drejtimin e gjeneralkolonelit Grigor Krivoshejev, pati botuar studimin statistikor, me titull “Shkaba e fshehtësisë është hequr, Humbjet e forcave të armatosura të Bashkimit Sovjetik në beteja, aksione luftarake dhe konflikte të armatosura”. Në këtë studim jepet shifra 26,6 milionë njerëz, midis të cilëve 8 668 400 ushtarë dhe oficerë.

            Së-pesti, në vitin 2001 qe ribotuar libri me titull “Rusia dhe Bashkimi Sovjetik në luftërat e shek XX. Humbjet e forcave të armatosura: studim statistikor”, nën redaktimin e Grigor Krivoshejevit. Në njërën nga tabelat e atij libri thuhej se humbjet në njerëz vetëm në radhët e ushtrisë dhe të flotës sovjetike në vitet e Luftës së Madhe Patriotike, kapnin shifrën prej 11 285 057 ushtarë dhe oficerë.

            Së-gjashti, në vitin 2010, në ribotimin e radhës të librit “Lufta e Madhe Patriotike pa shkabën e fshehtësisë. Libri i humbjeve në njerëz”, përsëri nën redaktimin e Grigor Krivoshejevit, janë saktësuar të dhënat për humbjet në njerëz në radhët e ushtrisë gjatë viteve 1941-1945. Humbjet demografike qenë ulur deri në 8 744 500 ushtarakë.

Së shtati, më 14 shkurt 2017, qe publikuar një shifër e re: më shumë se 19 milionë ushtarë dhe oficerë të vrarë.

            Së-teti, më në fund, Mihail Çerepanov, drejtor i Muzeut-memorial të Luftës së Madhe Patriotike, kryetar i bashkësisë “Klubi i lavdisë ushtarake”, sipas faqes së mësipërme të internetit, ka theksuar se në parlamentin rus janë dhënë shifra të reja të humbjeve në njerëz në vitet e luftës: 42 milionë të vrarë, nga të cilët 23 milionë në radhët e popullsisë civile dhe 19 milionë ushtarë dhe oficerë. Ai ka theksuar:

            “Më në fund, doli në dritë shifra konkrete e humbjes së jetës së njerëzve gjatë luftës, pavarësisht nga sabotimi shumëvjeçar dhe i paguar mirë dhe nga përpjekjet e shumëfishta të gjeneralëve dhe të politikanëve për t’i vënë kapak së vërtetës se sa shtrenjtë na pati kushtuar ajo fitore mbi fashizmin. Ia vlen të sjellim ndër mend se pikërisht në librin ”Rusia dhe Bashkimi Sovjetik në luftërat e shek XX”, na u lejua, më në fund, në vitin 2001, të mësojmë se sa bashkatdhetarë qenë mobilizuar në radhët e ushtrisë sovjetike gjatë viteve të Luftës II Botërore: 34 476 700 njerëz”.

            Si gjithmonë, në çdo paradë në Sheshin e Kuq, kreu i shtetit sulmon Hitlerin për sulmin e pabesë të 22 qershorit të vitit 1941 kundër Bashkimit Sovjetik. Në analizën me titull “Tetëdhjetëvjetori i “fitores së madhe””, të botuar në internet më 9 maj 2025, kam cituar librin e një studiuesi të njohur rus, në të cilin theksohet se i pabesë ka qenë jo Hitleri, por Stalini, i cili, me Paktin Molotov-Ribentrop, të nënshkruar më 23 gusht 1939, kishte për qëllim ta vinte në gjumë Hitlerin për sulmin që do të ndërmerrte kundë Gjermanisë dy vjet më vonë. Aty ai shkruan:

“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara” (Citohet sipas: Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën II Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskva 1993, f. 333).

Në paradat në Sheshin e Kuq, kreu i shtetit asnjëherë nuk e thotë shifrën e vërtetë të të vrarëve gjatë luftës me trupat gjermane. Madje thekson gjithmonë se Rusia përherë “ka dalë fitimtare”.

Kjo mendjemadhësi, e edukuar për dhjetëvjeçarë me radhë në psikologjinë e mbarë popullit rus nëpërmjet letërsisë, shtypit, kinematografisë, televizionit, teatrit, shkollës dhe mjeteve të informimit masiv, pati sjellë pasoja shumë tragjike pas 22 qershorit të vitit 1941.

Kreu i shtetit, në ato parada,  nuk thotë as edhe një fjalë të vetme se cila ishte arsyeja që, prej mëngjesit të 22 qershorit, fill pas sulmit të ushtrisë gjermane, ushtria e sovjetike filloi të tërhiqej me shpejtësinë e lopëve kur u turren ujqit. Madje ajo tërheqje (kur miliona ushtarë patën rënë robër) prej kufijve perëndimorë të Bashkimit Sovjetik, vazhdoi gjatë 1100 kilometrave, deri në periferi të Moskës të datës 02 dhjetor, kur në ndihmë të saj erdhi “gjenerali i shquar” me emrin “dimri rus”.

Kreu i shtetit, në ato parada, nuk thotë as edhe një fjalë të vetme se cila ishte arsyeja që bllokada e Leningradit nga trupat gjermane pati filluar më 8 shtator të vitit 1941 dhe pati vazhduar për 872 ditë, deri më 27 janar 1944.

Kreu i shtetit, në ato parada, nuk thotë as edhe një fjalë të vetme se cila ishte arsyeja, që, trupat gjermane anashkaluan Moskën nga jugu dhe e vazhduan sulmin drejt lindjes, duke përshkuar 1802 km, prej kufijve perëndimor të Bashkimit Sovjetik deri në Stalingrad. Ku ishin kapacitetet mbrojtëse të ushtrisë sovjetike? Prandaj ka shumë të drejtë shkrimtarja dhe gazetarja e njohur ruse Julia Llatёjnina (1966), e cila ka deklaruar:

“Më 22 qershor (të vitit 1941 - E.Y.) populli rus u shndërrua në turma frikacake… Si ta shpjegojmë atë burracakëri të pashembullt të popullit rus, i cili, duke zotëruar një armatim që ua kalonte gjermanëve edhe për nga sasia, edhe për nga cilësia, e pati braktisur armatimin dhe qe hedhur në anën e gjermanëve?” (Faqja e internetit “Novaja Gazeta”. 08 maj 2010).

Më 09 shtator 2017 ajo pati njoftuar në efirin e radiostacionit “Jehona e Moskës” se ishte larguar nga Rusia, pasi disa të panjohur i patën djegur makinën. Ajo qe shfaqur në efir me skaip (skype) dhe pati rrëfyer se ndodhej jashtë vendit, së bashku me prindërit. Që në gushtin e vitit 2016, gazetaren e pati sulmuar një i panjohur jo larg zyrës së radiostacionit të lartpërmendur dhe i hodhi përsipër fekale. Asokohe ajo pati menduar se shkak i atij incidenti të turpshëm ishin artikujt e saj analitikë, të botuar në organin “Novaja Gazeta”:

Kreu i shtetit nuk e tha as edhe një fjalë të vetme për kontributin e madh të aleatëve perëndimorë dhe kryesisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat, siç theksohet me fakte konkrete në analizën e përmendur më lart “Tetëdhjetëvjetori i “fitores së madhe””, i patën dhënë një ndihmë kolosale Bashkimit Sovjetik me armatime, municione, mjete transporti dhe produkte ushqimore. Sigurisht që s’mund ta thoshte një fjalë të mirë, se dihet që Rusia ka qenë dhe mbetet kështjella e mosmirënjohjes dhe e mashtrimit shembullor.

Kreu i shtetit, në paradën e sotme në Sheshin e Kuq, nuk e tha as edhe një fjalë të vetme për numrin e ushtarakëve rusë, të vrarë në Ukrainë, pas sulmit fashistë që Moska ndërmori më 24 shkurt 2022 kundër këtij vendi fqinj, si shtet i pavarur dhe sovran. Sipas të dhënave shifrore të faqes së internetit të televizionit “24tv” të datës 9 maj 2026, në Ukrainë janë vrarë 1 341 297 ushtarë dhe oficerë rusë. Sulmi fashist kundër Ukrainës dëshmoi faqe botës se Rusia, e cila kishte planifikuar, që, me Ukrainën, t’i lante hesapet brenda tri ditëve, duke e pushtuar përfundimisht, rezultoi se qenka një gërmadhë e kalbur, ose, siç e pati karakterizuar Presidenti Tramp, një “tigër prej letre” (Сitohet sipas: “Trampi, përkundër premtimeve, përsëriti shprehjen “tigër prej letre””. Faqja e internetit “Tass’. 30 shtator 2025).

Kaliforni, 9 maj 2026

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page