Prof Dr Eshref Ymeri: Fjalët frymëzuese – stoli e edukatës dhe e kulturës
- Apr 20
- 3 min read

Në Portalin “Fjala e Lirë” të ditës së djeshme (19 prill), lexova me shumë emocion Esenë me titull: “O shtet, kur do të vish në kthjelltësi”. Autor i kësaj Eseje është Prof. Dr. Fatmir Terziu, “Mjeshtër i Madh”, i njohur në kulturën tonë mbarëkombëtare si kryemjeshtër i kritikës letrare dhe i fjalës artistike. Në këtë Ese, Profesor Fatmiri thekson:
“Pak ditë më parë u mbyll Samiti i Diasporës në Tiranë, një ngjarje që solli sërish në vëmendje marrëdhënien mes shtetit dhe bijve të tij, të shpërndarë nëpër botë, por edhe njëherazi la pas hijen e zakonshme të reflektimit: sa reale është kjo vëmendje dhe sa e qëndrueshme është ajo përtej skenave, fjalimeve dhe premtimeve? Sepse, ndërsa diaspora përmendet shpesh si një pasuri kombëtare, një tjetër pasuri, më e heshtur, më e thellë dhe më pak e dukshme, vijon të mbetet në harresë: ata njerëz që një jetë të tërë ia kanë kushtuar këtij vendi dhe që sot, në moshën e tyre të thyer, duket sikur nuk ekzistojnë më për institucionet që dikur u shërbyen”.
Me këtë rast, Profesori i nderuar përmend edhe emrin tim, duke pasur parasysh faktin, që, megjithëse larg atdheut prej gati më shumë se 20 vjetësh, kam botuar në Tiranë disa vepra nga fusha të ndryshme të dijes, si leksikografia, kritika letrare dhe politika. Dr. Jorgji Kote, ambasador i nderuar i karrierës, pasi kishte lexuar librin tim me titull “Përkthimi, një histori pasioni” (515 f.), të botuar në vitin 2015, më 24 shtator 2018 më shkruante nga Brukseli:
“Më duket shumë e çuditshme dhe indinjuese se si Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe katedrat kanë qëndruar ftohtë ose indiferentë ndaj këtij botimi të një kolegu dhe personaliteti që ka dalë prej tyre. Aq më tepër që këto botime mund të shërbejnë fare mirë edhe si tekste mësimore, shoqëruese dhe alternative. Në një shoqëri europiane, autoritete të tilla kalibri, si prof.dr. Eshref Ymeri, mbahen pranë, nderohen, vlerësohen dhe shpërblehen për punime dhe botime të tilla”,
I falëndroj nga zemra dhe u shpreh mirënjohjen time të thellë këtyre dy personaliteteve të shquara të Diasporës sonë. Fjalët e tyre janë stoli e edukatës dhe e kulturës së tyre shembullore. Me punën e tyre me pasion të jashtëzakonshëm për dijen, ata i kanë vënë emër vetes dhe shërbejnë si model i përfaqësuesve të Diasporës sonë në Perëndimin europian. E kuptoj shumë mirë shqetësimin e tyre për shpërfilljen e institucioneve përkatëse në Tiranë ndaj atyre që i shërbejnë Atdheut në Diasporë. Por në ato institucione punojnë jo njerëz me dinjitet të lartë kombëtar, por bujkrobër të kryeçifligarit Rama. Dhe këta bujkrobër janë neokomunistë-socialistë të kulluar, të cilët bëjnë be e rrufe për Ramën.
Të gjitha këtyre turmave, në pronësi të kryçifligarit Rama, nuk u bën absolutisht përshtypje se ku është katandisur niveli i jetesës së mbarë popullit shqiptar. Sipas Eurostatit. produktet më të shtrenjta ushqimore për familjet shqiptare, në raport me BE-në, janë vezët, djathi dhe qumështi, që kanë kërcyer në 131% të mesatares së BE-së. Sot në Shqipëri, TVSH-ja për produktet bujqësore, blegtorale dhe ushqimet është 20%, ndërkohë që mesatarja në BE është rreth 9%. Në vendet fqinje aplikohen norma shumë më të ulëta të TVSH-së, nga 5-10%.
Çmimet e larta të produkteve ushqimore varfërojnë jo vetëm nivelin e jetesës së opozitarëve, por edhe të bujkrobërve socialistë. Por në protesta kundër kryeçifligarit Rama marrin pjesë vetëm opozitarët, jo socialstët. Prandaj a mund të përfytyrohet që institucionet e bujkrobërve socialistë të kujtohen ndonjëherë për të respektuar punën e ndokujt nga përfaqësuesit e Diasporës?
Ato institucionet dhe ato katedrat që përmendin këta dy intelektualë të nderuar, le të ngrenë zërin për të organizuar punonjësit dhe rininë studentore, që t’i bashkohen opozitës për ta shpëtuar mbarë popullin nga laku i varfërisë që i ka hedhur në qafë kryeçifligari Rama, nën sundimin e të cilit vuajnë edhe demokratët, edhe socialistët.
Në nderim dhe në respekt të thellë të Prof. Fatmir Terziut dhe të Dr. Jorgji Kotes, dëshiroj të theksoj se dikur iu pata drejtuar një institucioni shtetëror për të më ndihmuar për botimin e Fjalorit frazeologjik rusisht-shqip, me 1204 faqe dhe me mbi 25 mijë shprehje frazeologjike. Është fjala për Ministrinë e Kulturës, me ish-ministre Mirela Kumbaron, me të cilën kemi qenë kolegë në katedrën e përkthimit të Fakultetit të gjuhëve të huaja. Më 05 Nëntor 2014, asaj iu drejtova me një kërkesë për të më sponsorizuar me 200 mijë lekë (2000 dollarë) botimin e atij fjalori. Ajo as që denjoi të më kthente përgjigje. Sigurisht, si mund të më kthente përgjigje një ministre-bujkrobe e Ramës, madje një kryeservile kaq e pështirë e tij, saqë gjatë një fushate zgjedhore në Tepelenë, i servilosej Ramës në mënyrën më të neveritshme.
Ashtu si të gjithë Fjalorët frazeologjikë dygjuhësh dhe librat e tjerë, i botova në pak kopje me kursimet e pensionit tim.
Kaliforni, 20 prill 2026








Comments