top of page

Prof. Dr. Eshref Ymeri: Faktet janë themeli i të vërtetave historike



 

Në numrin e djeshëm (05 shtator) të këtij Portali, ishte botuar analiza e zotërisë Kristo Zharkalliu, me titull: “Ukraina… sa i do shqiptarët?”.

Për presidentin  ukrainas Vladimir Zelenski (1978), autori i kësaj analize shkruan “... se po krijon një tragjedi ukrainase. Ky kujtoi se i kishte duart të zgjidhura dhe vendosi të bëjë vendin e tij, Ukrainën, pjestare e aleancës perëndimore (NATO) i nxitur patjetër nga perëndimi...”.

Autori duhet ta njohë më mirë historinë e marrëdhënieve Ukrainë-Rusi. Presidenti Zelenski është zgjedhur në krye të vendit më 20 maj 2019. Në Ukrainë situata qe bërë shpërthyese pesë vjet para zgjedhjes së Zelenskit president. Ajo situatë filloi me aksionet e protestave të fuqishme të popullit ukrainas, të cilat nisën në nëntor të vitit 2013 dhe vazhduan deri në shkurt të vitit 2014, kur ish-presidenti Janukoviç, agjent i Putinit, u rrëzua nga pushteti dhe ia mbathi për në Rusi, si tradhtar i popullit ukrainas.

Njëra nga arsyet kryesore të përmbysjes së Janukoviçit, ishte vendimi i tij për të mos pranuar nënshkrimin në Vilnus në vjeshtën e vitit 2013 të Marrëveshjes për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Ky qëndrim i tij nxiti protesta të fuqishme në mbarë Ukrainën, sepse popullit ukrainas iu mohua e drejta për t’iu afruar standardeve evropiane të jetesës dhe të zhvillimit të vendit.

            Presidenti Zelenski është president i një vendi të pavarur dhe sovran dhe prandaj është e çuditshme deklarata e Kristo Zharkalliut, sipas të cilit ai ”i paska pasur të lidhura duart”!!! Po nuk sqaron se kush ”ia mbante të lidhura duart” Presidentit Zelenski?!

            Në vijim autori shkruan: “... duke dashur të mbrojë veten - Rusia pretendoi të bënte një marrëveshje me ish- “republikat e saja’’- ndër të cilat dhe Ukraina, republika më e madhe dhe e pasur që po shkëputej për herë të parë nga Rusia - që të mos bënin aleanca  kundër  Rusisë - duke dashur të mbrohet nga Perendimi që jo një herë Rusia është sulmuar - që të kujtojmë Napoleonin dhe Hitlerin”.

            Së pari, autori nuk e sqaron lexuesin se nga kush trembej Rusia, e cila “donte të mbronte veten”. Rusinë s’e ka pasë kërcënuar asnjë shtet, qoftë para, qoftë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

            Së dyti, është Rusia ajo që e ka konsideruar Ukrainën pjesë të territorit të saj, kurse Ukraina nuk e ka quajtur asnjëherë veten pjesë të territorit rus. Ukraina, gjatë shekujve, rusët i ka pasë konsideruar të huaj. Këtë fakt e vërteton më së miri poeti i shquar kombëtar, kryesimboli i kulturës ukrainase, Taras Shevçenko (1814-1861) në katërvargëshin në vijim të poemës së famshme “Katerina”, të cilën e pati shkruar në vitin 1838:

            Vetullzeza, argëtohi,

            Por jo me moskalë,

            Se moskalët janë të huaj,

            Kanë për t’ju tallë.

            Fjala moskal është nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.

            Së treti, Rusia vërtet është sulmuar dy herë nga Perëndimi - nga Franca dhe Gjermania. Por, në të dyja rastet, ato sulme qenë ndërmarrë për faj të Rusisë, si një kështjellë shumëshekullore e mashtrimit dhe e pabesisë. Më 25 qershor të vitit 1807, Napoleon Bonaparti (1769-1821) dhe cari rus Aleksandri I (1777-1825), patën nënshkruar një marrëveshje, të quajtur Paqja e Tilzitit (qytet gjerman në Prusinë Lindore). Marrëveshja përmbante shtatë pika. Në pikën e dytë të saj thuhej:

            ”Rusia duhej t’i bashkohej bllokadës kontinentale kundër Anglisë. Në thelb, kjo do të thoshte që Aleksandri I ndërpriste të gjitha marrëdhëniet tregtare me Anglinë. Të gjitha anijeve angleze u ndalohej hyrja në portet ruse”.

            Me kalimin e kohës, Rusia e preu në besë Napoleonin, e shkeli marrëveshjen. Për hakmarrje, Napoleoni filloi sulmin kundër Rusisë në periudhën qershor-dhjetor 1812. Lufta, që zgjati dy vjet (1812-1814), domosdo që do të përfundonte me disfatën e rëndë të Napoleonit, si pushtues i një territori të huaj, por pabesia ndaj tij do t’i kushtonte Rusisë më shumë se 430 mijë të vrarë.

            Edhe Hitleri ra pre e pabesisë së Stalinit me nënshkrimin më 23 gusht të vitit 1939 të paktit të mossulmimit Molotov-Ribentrop. Me atë pakt, Stalini kishte për qëllim ta vinte në gjumë Hitlerin, “ta siguronte” se nga krahu lindor “nuk e kërcënonte asnjë rrezik”, me qëllim që Gjermania t’i vinte nën këmbë vendet e Evropës Perëndimore. Paskëtaj, kur ta quante të arsyeshme, Stalini do ta sulmonte Gjermaninë, me pikësynim arritjen deri në Gjibraltar.

Në dhjetorin e vitit 1940, agjentët e shërbimit sekret gjerman arritën të zbulojnë planin e fshehtë të Stalinit për sulmin që do të ndërmerrte kundër Gjermanisë. Deri në fillimin e muajit qershor 1941,  edhe korparmatat e ushtrisë sovjetike të Lindjes së Largët, Stalini i pati zhvendosur drejt kufijve perëndimorë.

            Për sulmin që Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte kundër Gjermanisë, dëshmon ish-oficeri i zbulimit sovjetik Viktor Suvorov. Ai deklaron:

“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara”” (Citohet sipas:Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën II Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskva 1993, f. 333).

Pabesia e Stalinit ndaj Hitlerit, i kushtoi Bashkimit Sovjetik 27 milionë të vrarë, ushtarakë dhe civilë.

            Po dale se ka dava Janina. Më 05 dhjetor 1994 qe nënshkruar një Memorandum në Budapest për garancitë e sigurisë lidhur me aderimin e Ukrainës në Paktin  e mospërhapjes së armëve bërthamore. Memorandumi qe nënshkruar nga Ukraina, Rusia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas atij Memorandumi, Rusia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i jepnin granci të plotë Ukrainës për sigurinë e tërësisë territoriale pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por në vitin 2014, Rusia, duke ndjekur traditën e saj të pabesisë dhe të mashtrimit ndaj vendeve të tjera, pushtoi gadishullin e Krimesë, qarkun e Donjeckut dhe të Luganskut, të cilat i aneksoi në një mënyrë agresive. Por Kremlini nuk u mjaftua me kaq. Më 24 shkurt 2022, Rusia nisi agresionin fashist për pushtimin e krejt Ukrainës. Dhe Kremlinit, ashtu edhe shumicës dërrmuese të delepopullit rus, deri tani nuk u ka bërë përshtypje absolutisht që pabesia ndaj Ukrainës, deri më 05 shtator, është shpaguar me më shumë se 620 mijë të vrarë në radhët e ushtrisë fashiste ruse.

            Kaliforni, 06 shtator 2024

42 views2 comments

2 Comments


Guest
Sep 06

Respekt dhe mirënjohje ndaj Jush, i nderuar Bardhyl. Uroj shëndet dhe mbarësi për Ju dhe Familjen Tuaj.

Eshref Ymeri

Like

Falemnderit prof, Eshrefit për këto argumenta që sjell dhe që unë i marr vesh kaq vonë.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page