Kadri Tarelli shkruan:
PORTRETI I STUDIUESIT ISAK AHMETI, GDHENDUR NË NJË LIBËR.
E besoj plotësisht thënien popullore: “Rastësia mbreti i jetes”, sepse më ka ndodhur shpesh, siç mund t’i ketë ndodhur gjithkujt.
U njoha vonë me Isak Ahmetin, më konkretisht në ditët e para të shtatorit 2020. Madje duhet thënë se, shkak u bë miku ynë i nderuar, poeti Delo Isufi, studiuesi Viron Kona, shkrimtari Bashkim Saliasi dhe poete Marina Prenga (studente), që bashkuan mes tyre edhe shqiptarin e Kosovës, profesorin e nderuar Isak Ahmeti. Ata së toku, u trimëruan ndaj kërcënimit të “kovid 19”, s’pyeten për të, e mësynë Durrësin për një takim me krijues durrsak, në një lokal në bregdet të Currilave, ku mikpritësit ishim: Kadri Tarelli, Shpendi Topollaj dhe Merita Kuçi-Thartori.
Kuvendi (jo në odën e burrave si qëmoti), ishte i ngrohtë dhe me shumë shaka, recitime, foto dhe shkëmbim librash. Fjalët që thashë më sipër nuk e thonë të tërën, karshi gjallërisë që u krijua në ato dy orë që ndenjëm bashkë. Çaste të paharruara mes poetësh dhe botues librash, të “çliruar” nga kushtet e karantinës, ku lëvizja dhe takimet janë të kufizuara.
Që nga ajo ditë, nuk kanë reshtur bisedat telefonike, shkëmbime shkrimesh dhe takimet mes nesh, kur miku ynë është ndodhur në Durrës. Në një nga takimet e ditëve të fundit, më dhuroi librin: “Shtigjet jetësore të profesorit, shkrimtarit, studiuesit dhe politikanit Isak Ahmeti”, punuar mjeshtërisht dhe letrarisht nga Marjan S. Sopi.
Libri në vetvete është një lloj jetëshkrimi për profesor Isakun, si krijues, shkrimtar e pet, njohës dhe përkthyes i disa gjuhëve të huaja, studiues, drejtues vendor dhe politikan. E bukur gjetja artistike e ndërtimit të librit, sepse e gjitha shtrihet jo në formën klasike, ku përmbajtja ruan disa struktura e forma të ngurta. Në tërësi mbizotëron një intervistë, por më së shumti janë plot personazhe të tjerë që flasin për Isakun, i ndodhur në kohë dhe ngjarje të ndryshme, madje edhe mbajnë qëndrim ndaj burrërisë, zgjuarsisë, veprimeve të matura e të pjekura, guximit në çastin e duhur në mbështetje e kauzës së çlirimit, përballimi i pushimit nga puna, nxjerrja nga shtëpia e familjes, deri edhe kërcënim të jetës.
Vallë çfarë duhet të bëjë më shumë një njeri, një drejtues shkolle, një mësues e misionar i dijes, një punëtor i palodhur i letrave shqipe, një atdhetar, një intelektual dhe veprimtar politik, që të adhurohet nga lexuesit, e ca më shumë nga ata që e njohin personalisht, apo që kanë qenë në krah të tij në zërin e protestës dhe të luftës për liri. Pikërisht këtë na e tregon ky libër i vogël në përmasa, por i rëndë në përmbajtje.
Mjaftojnë vetëm këto pak fjalë, për të rrëfyer gjithçka rreth figurës së Isak Ahmetit: “Prof. Ahmeti ka ndihmuar në përgatitjen dhe lekturimin e teksteve për botim të librave tona, atëherë kur njerëzit “Strukeshin” nën petkun e ideologjisë dhe politikës…”. Don Lush Gjergji. Recensa. Faqe 9.
Siç thashë pak më sipër jam takuar disa herë, por të them të drejtën dija shumë pak gjë nga krijimtaria e tij e shumanshme dhe aq më pak për veprimtarinë publike e politike, në shërbim të bashkësisë dhe qytetarëve të vet. U mrekullova për mikun tonë Isak Ahmeti, jo thjesht për listën e librave, përkthimet dhe studimet letrare, gjuhësore, disa kushtuar edhe figurave të kulturës tonë kombëtare të cilat janë vlerësuar edhe me çmime.
Ja si shprehet Don Viktor Sopi: “Profesori ynë, pa pritje përfitimi, pa etje lakmitare, arriti të krijojë emër si profesor e pedagog i shumë gjeneratave, duke i profilizuar në binarin e atdhedashurisë. I tillë ishte edhe si politolog”. Duke vazhduar më tej: “Të rrallë janë sot politikanët tanë, që mund t’i përngjajnë Prof. Isakut tonë të dashur”. Hyrje. Faqe 6-7.
Se ç’peshë ka figura e prof. Isakut në qëndrimin parimor dhe të vendosur në mbrojtje të çështjes kombëtare, do të mjaftonin vetëm disa dokumenta të kohës, të shprehura e të botuara nga zyrtarët serb dhe gazetat serbe. Po përmend shkurt:
“Vendimi i Serbisë, dt. 11. 04. 1989, nr. 06 233, për largimin e Isak Ahmetit nga funksionet shoqërore-politike, thuhet: “Isak Ahmeti mban përgjegjësi, sepse në mënyrë të drejtpërdrejtë, publikisht dhe energjikisht iu ka kundërvënë politikës së Serbisë, organeve të komunës, krahinës, republikës dhe LKJ……..”. Faqe. 15. Qëndrimi i tjj parimor në mbështeteje të çështjes shqiptare, detyron shtypin e Beogradit që të merret më të dhe me shumë tët tjerë, siç është gazeta “Novosti”. Besoj se nuk është pak….!
Nuk dua të hallakatem në shumatoren e librave dhe shkrimeve të profesorit të nderuar, pas lexuesit e shumtë në Dardani dhe tash edhe në Shqipëri i kanë nëpër duar dhe në bibliotekat e tyre. Po mjaftohem të përmend vetëm katër studime monografike, si: “Kosova” (viti 1996), “Bibla në letërsinë shqiptare” (Viti 1999), “Letërsia kishtare dhe filozofia e saj” (viti 2000), “Kur’ani në lëtërsinë shqiptare” (viti 2006).
Të them të drejtën, më tërhoqën këta tituj studimesh, pse ta mohoj, nuk i kam ndeshur me parë. Në këtë rast po citoj pak fjalë nga intervista e tij: “Janë studime monografike, ku kam prekur ato fusha të artit, të letërsisë dhe kulturës sonë, ku kishte mungesë studimesh të mirëfillta…. Aty kam trajtuar tema fare të pa prekura në studimet tona historiko-letrare”. Jo më kot i theksova fjalët e një interviste, sepse më dhemb trishtimi e më vret mendimi: Ç’bëhet me lidhjen dhe bashkëveprimin e krijimeve dhe studimeve në të dy anët e gardhit, Dardani-Shqipëri? Ç’ka në këtë mes që na ndan: mosnjohja, (S’ma merr mendja), cmira dhe xhelozia, (mund të jetë, por me durim e mençuri kapërcehen), mosdashja, (këtu duhet ndalur dhe gjykuar me qetësi, sepse këtu është çelësi i të keqes që na lidh duart, këmbët dhe na shkurton gjuhën).
Me këtë rast po më kujton një intervistë të dhënë TV. Mitrovica në gusht 2017, ku me disa shokë nga Tirana dhe Durrësi, ishim për një vizitë, të ftuar nga Hysen Ibrahimi dhe Bajram S. Muharremi, përkatësisht Kryetar dhe n/kryetar i shoqatës letrare-artistike “Papa Klementi. XI. Albani”, që vepron në Suedi.
Gazetari, Fazli Muharremi-Tali: - Si janë sot raportet Shqipëri-Kosovë, po mendoj në aspektin e botimit të librave?
- Kadri Tarelli: - “Raportet Kosovë-Shqipëri janë të mira, por jo aty ku duhen të jenë. Përshembull vijnë libra nga Shqipëria në Kosovë, vijnë libra nga Kosova në Shqipëri, por lexuesit nuk janë fort të gatshëm për t’i përthithur këto libra….”. Kështu u shpreha atë mot, kur kisha parasysh lexuesin e thjeshtë. Kërkoj ndjes, se nuk u kujtova për lexuesin e kënduar, që lexon, por edhe është në poste vendimarrëse. Janë ata që duhet të kujtohen, të gjejnë shtigjet, e të veprojnëë në të mirë të përbashkët në mbarë trojet shqiptare.
Po detyrohem të shprehem kështu, ngase Prof. Dr. Shyqri Galica, shkruan: “Tashmë vepra kërkimore-shkencore e poetit përkthyesit dhe studiuesit Isak Ahmeti, shfrytëzohet si literaturë e detyrueshme në universitetin e Prishtinës dhe është futur në programet e letërsisë….”.
Gjithsesi, ajo që i ve kapakun këtij shkrim vlerësues për librin dhe “Heroin” e tij, janë fjalët që dalin nga shpirti idealist i Isak Ahmetit: “Vepra ime letrare në përgjithësi është motivuar kryesisht nga dashuria dhe pasioni për artin, për artin e mirëfilltë, për shkencën e mirëfilltë, jashtë kufizimeve ideologjike….. Kam ecur dhe vazhdoj të eci kryesisht në tre shtigje krijuese, që janë: Poezia, përkthimi dhe shkenca…..”.
Shpreh mirënjohje për autorin Marjan S. Sopi, që përgatiti këtë libër me vlera njohëse e përgjithësuese për Prof Isakun, sepse ka bërë një punë të dobishme për ne dhe brezat që vijnë, duke i ngritur një përmendore në fushën e letrave shqipe, si intelektual i përmasave përtej tokave shqiptare.
Duke shfletuar këtë libër, ndjej admirim për Prof. Isakun, si krijues, shkrimtar, poet, studiues, përkthyes, publicist dhe politikan i thekur i atdhetarizmit.
Urime në libra të tjerë po kaq të arrirë artistikisht she letrarisht!
Kadri Tarelli
Durrës. Dhjetor 2020.
Comments