Pol Milo: TE ROMANI RIKTHIMI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 11
- 7 min read

GJEOMETRIA EMOCIONALE DHE TRANSFORMIZMI IDENTITAR
TE ROMANI RIKTHIMI I SHKRIMTARIT BASHKIM HOXHA
Nga Pol Milo
“Çfarë është një qytet nëse jo njerëzit e tij?
Dhe çfarë janë njerëzit, nëse jo kujtimet që i lidhin me njëri-tjetrin?”-Italo Calvino
“Vdiq Askush. Të gjithë vdesim, në një mënyrë apo një tjetër.”
-Bashkim Hoxha
Edhe pse emri i shkrimtarit Bashkim Hoxha është i lidhur ngushtë me qytetin e Durrësit, ai tashmë është konfirmuar si një shkrimtar botëror, me përmasa universale pa vend, pa kohë, pa strehë, i aftë të ndërtojë botë letrare që flasin për fatin njerëzor përtej koordinatave kombëtare apo historike. Këtë e dëshmon më së miri edhe romani i tij më i ri, Rikthimi ku koha historike shndërrohet në një kohë ekzistenciale, e turbullt dhe e shprishur, që i flet lexuesit në çdo cep të botës. Si lexues i viteve të fundit të veprës së këtij autori, kam ndjekur me interes rrugëtimin letrar të romaneve të botuara. Romani Rikthimi, botuar me estetikë të spikatur nga shtëpia botuese Jozef Durres, 2025, i paraqitur me një grafikë të pastër dhe të menduar deri në detaj, me kopertinë të realizuar nga mjeshti i grafikës moderne, Indrit Domi, ngjall që në prekje të parë ndjesinë e një përvoje të rafinuar dhe të mbarsur me simbolikë.
Në këtë roman, ashtu si edhe në të mëparshmit, gjeta atë që gjithmonë më ka tërhequr në prozën e Hoxhës, një strukturë mjeshtërore e ndërtimit të rrëfimit, ku çdo kthesë narrative është e kontrolluar me kujdes. Një libër që nuk lexohet vetëm si një histori për një njeri që “rikthehet”, por si një analizë shumëplanëshe mbi kujtesën, zhgënjimin, manipulimin dhe vdekjen e dytë, atë simboliken dhe sociale. Këtu transformizmi nuk është thjesht një element tematik apo rrëfimor, ai vjen si gjendje qenësore e botës së rrëfyer dhe e vetë mënyrës sesi kjo botë ndërtohet.

Historia e rikthimit të një personazhi që dikur shpallet hero dhe që më pas kthehet si “Askushi” për t’u përballur me versionin e ri të realitetit që e ka harruar, është metaforë e kthjellët për tranzicionin shqiptar dhe për identitetin e njeriut që nuk i përket më as së kaluarës dhe as së tashmes.
Në qendër të romanit qëndron figura e Uliksit modern, një ish-luftëtar i zhdukur, i cili kthehet pas shtatë vitesh me emrin Askushi, pa kujtesë, pa të shkuar, por me një prani që i përmbys heshturazi rregullat e një qyteti që ishte ndërtuar mbi mitin e mungesës së tij. Rikthimi nuk është veç një kthim fizik, është një rrënim i strukturës shoqërore dhe emocionale të gjithë personazheve që kishin ndërtuar jetët e tyre mbi një boshllëk të stolisur si heroizëm. Në këtë strategji, identiteti nuk ka më një qendër statike, por zhvendoset sipas kontekstit, Uliksi bëhet Askushi, Kalipso bëhet kujdestarja e tij, Penelopa rikthehet në dashurinë e vjetër, ndërsa Antinoi dhe Eurimaku transformohen nga miq në kundërshtarë. Ky është një transformizëm identitar që përbën boshtin dramatik, ku çdo ndërrim krijon një ngarkesë të re emocionale për lexuesin.
Kapitujt e romanit (“Duhet një vrasje të fillojmë tregimin”, “Vrasje nuk kishte” etj.) janë një trajektore narrative që fillon me premtimin për një akt të dhunshëm dhe përfundon në një boshllëk tragjik. Ky model ngjan me një spirale, ku tensioni nuk zgjidhet kurrë plotësisht, por grumbullohet dhe qarkullon si një emocion i pazgjidhur. Ky qarkullim është në vetvete një formë gjeometrike jo lineare, jo ciklike por gjeometri e tensionit emocional.
Vrasja kërkohet që në fillim, por që nuk kurrë në mënyrë të dukshme, vetëm sa thekson boshësinë themelore mbi të cilën është ndërtuar e gjithë shpresa për zgjidhjen e konfliktit. Vrasja ndodh, por lexuesi nuk e di se cili ishte vrasësi dhe pse ndodhi? Kjo krijon zhvendosje emocionale, lexuesi nuk çlirohet, por mbetet pezull, një strategji e përdorur me mjeshtëri gjeometrike, kapitull pas kapitulli përpihet nga emocioni me tërhqje magnetike.
Në mënyrë të qëllimshme, struktura narrative e romanit nuk ndjek një vijë lineare por thyen pritshmëritë klasike të rrëfimit, duke krijuar ndjesinë e një labirinti emocional ku personazhet, ngjarjet dhe kujtimet përzihen në një univers të dyzuar dhe shpesh të paqëndrueshëm. Siç vëren edhe kritiku Fatmir Minguli: “Narrativa e romanit ‘Rikthimi’ është shumë më ndryshe nga ato të romaneve para ‘Postscriptum’, është një narrativë e shtjelluar ndryshe ku ndihet auto psikanaliza e vetë autorit...” Ky vëzhgim thekson se rrëfimi shkon përtej fakteve dhe zhytet në territore të brendshme, ndonjëherë të mjegullta, të vetëdijes dhe kujtesës, duke ndërtuar përmes fjalës një arkitekturë shpirtërore që sfidon vetë nocionin e “realitetit” në prozë.
Shprehje të tilla si: “Kujtesa është burgu ku është dënuar njerëzimi/ Luftën e fituam çfarë do bëjmë me paqen/ Në luftë armikun e ke perballë, por paqe armikun e ke nga të gjitha anët, edhe pas shpine/ Vrasësi më i tmerrshëm është ai që vret kujtimet/ Deshëm ta quanim i paemri, por kjo na u duk e ngatërruar. Nuk mbahej mend sesi atë e quajtëm Askushi/ etj...” janë thellësisht të ngarkuara me simbolikë, filozofi ekzistenciale dhe ironi mbi identitetin në krizë.
Në këtë roman, autori Bashkim Hoxha nuk e ndjek thjesht vijën e ngjarjes, ai ngre një linjë rrëfimi me kthesa, reflektime, ndërrime këndvështrimesh dhe mbivendosje kohësh, që i jep lexuesit përvojën e një udhëtimi emocional të ngatërruar e të thellë. Kjo strukturë rrëfimore e shndërruar në një lloj labirinti krijon gjeometrinë emocionale të romanit, një model ndërtimi që ndikon drejtpërdrejt në përjetimin e lexuesit.
I rrëfyer nga këndvështrimi i rojës së kafazit të tigrit, një figurë e papritur por njëkohësisht edhe e dyfishtë mes dëshmitarit të heshtur dhe komentuesit fatalist , krijon një distancë poetike dhe një ironi të nënkuptuar që përforcon ndjeshmërinë tragjike të ngjarjeve. Vdekja e Askushit vjen si një zgjidhje tragjike e një ekuacioni pa rrugë dalje, ku dashuria, lavdia, miqësia dhe identiteti shkrihen në një skenë të vetme me sendukun e djegur.
Përdorimi i figurave nga mitologjia homerike është element postmodern që Hoxha e përthith dhe e transformon. Antinoi nuk është thjesht një rival në dashuri, ai është antiheroi, modeli i ri i njeriut që përfiton nga boshllëku i kujtesës kolektive. Eurimaku është një dëshmitar i trembur i së vërtetës që jetonte në heshtjen e tij. Kalipso që dashuron në mënyrë posesive përfundon në mjegullën e cirkut të ndjenjave ku gjithçka është spektakël dhe e pasigurtë.
Kalipso dhe cirku janë elementë thelbësorë të kësaj gjeometrie. Cirku, si hapësirë e përkohshme dhe magjike, përfaqëson botën e jashtme të rendit shoqëror, aty ku gjithçka është e bukur, por e rreme. Kalipso, që e shëron Uliksin me dashuri dhe përkushtim, përfaqëson një emocion të brishtë, që zhduket sapo përballet me realitetin dhe kujtesën. Ajo nuk mund të konkurrojë me mitin e Penelopës, një mit që ekziston vetëm sepse mungoi për vite me radhë.
Në këtë pikë, romani sillet rreth një binariteti emocional, Penelopa përfaqëson ndjenjën mitike të humbur që nuk u prek kurrë, ndërsa Kalipso përfaqëson ndjenjën reale që u jetua por mbeti jashtë strukturës së mitit. Këtu gjeometria emocionale bëhet konflikt hapësinor midis dy dashurive, njëra reale, tjetra ideale, që nuk mund të bashkëekzistojnë.
Askushi është një njeri që kërkon të zbulojë kush është, dhe ne nuk jemi të sigurt nëse ai ka qenë ndonjëherë dikush. Kjo zhvendosje e qendrës së identitetit është një element kyç në gjeometrinë emocionale postmoderne. Në roman çdo shenjë (busti i Uliksit, emrat mitologjikë, cirku) mbart një ambiguitet të përhershëm që prodhon emocione të kundërta, ndërmjet nderimit dhe zhgënjimit, midis harresës dhe rikthimit.
Pas zhdukjes së Uliksit në luftë, Antinoi e merr statusin e “heroit të dytë” dhe më pas bëhet figura publike më e rëndësishme në qytet. Ky “promovim” i tij nuk vjen nga merita e tij e vërtetë, por nga mungesa e Uliksit dhe nga manipulimi i kujtesës kolektive. Ai bëhet hero në mungesë të heroit. Antinoi nuk është një personazh thjesht negativ. Ai është i ndërtuar me ambiguitet moral, ai mund të besojë se vepron drejt për hir të rendit të ri dhe stabilitetit personal dhe shoqëror. Kjo e bën atë një antihero tragjik, sepse për të ruajtur veten, ai shkatërron atë që e ka bërë dikur njeri, miqësinë, dashurinë, të vërtetën. Ai është një antihero i kohës sonë, jo sepse është thjesht “i keq”, por sepse përfaqëson konformizmin, suksesin pa meritë, dhe zëvendësimin e kujtesës së vërtetë me narrativën e dobishme. Ai nuk përballet me fati, por me rikthimin e së vërtetës që është Uliks-Askushi, që ai përpiqet ta përjashtojë. Në këtë kuptim, ai është një nga figurat më komplekse të romanit dhe një shembull i qartë i mënyrës si letërsia transformiste dekonstrukton figurat tradicionale të heroit.
Letërsia nuk është vetëm narrativë, por një ndërtim i ndjesisë në kohë dhe hapësirë. Në këtë dritë, romani “Rikthimi” i Bashkim Hoxhës na ofron idenë se struktura e veprës është hartë e padukshme e emocioneve që përjeton lexuesi. Në “Rikthimi”, çdo kthesë narrative, çdo tension i ndalur apo i shtyrë, çdo zbrazëti apo shpërthim ngjarjesh, prodhon jo vetëm kuptim, por mbi të gjitha përjetim emocional të kurorëzuar në një fund tragjik surreal ku “Askushi”, vetë njeriu, digjet në një senduk. Romani është një cirk që nga jashtë duket zbavitës, por në të vërtetë fsheh brenda vetes dramën e thellë të të jetuarit. Ai është një thirrje për të kuptuar se kthimi ndonjëherë nuk do të thotë rikthim, por përballje me atë që nuk je më. Dhe se të gjithë jemi, në një mënyrë ose tjetër, Askush.
“Rikthimi” duhet lexuar sepse është një roman që flet për ne, për të shkuarat tona të ndërtuara mbi mite të paqarta, për dashuritë e humbura që na përndjekin, për identitetet që na ndryshojnë për shkak të kohës dhe pushtetit. Ai është i shkruar me një mjeshtëri të rrallë narrative me një metaforikë që nuk e lodh lexuesin, por e thërret ta lexojë edhe një herë, e pastaj edhe një herë tjetër.
Kjo vepër na vendos përballë pyetjes më të vështirë, a mund të jemi sërish vetja, kur bota përreth nuk na njeh më? Ky nuk është vetëm një roman për një kthim. Është një roman për mungesën e mundësisë për t’u kthyer, dhe mbi të gjitha, është një roman që na rikthen te vetë ideja e letërsisë si akt rikujtese, sfide dhe shndërrimi të vazhdueshëm estetik dhe emocional. Ky është transformizmi i vërtetë që e bën romanin e Bashkim Hoxhës një gur themeli në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Pol Milo
Dyrrah 2025
Comentarios