top of page

POEZIA SI KËPUJË E LIDHJES ME TOKËN



Analizë libri


Prend BUZHALA:




POEZIA SI KËPUJË E LIDHJES ME TOKËN,

QYTETIN, NJERËZIT, HAPËSIRAT DHE KOHËT

(Sejdi BERISHA: “Peja, dhembja dhe krenaria ime...“ - poemë të cilën kurrë

nuk e përfundova, 2023)


Ky libër, këto poezi janë një himn për tokën arbërore, për përjetësinë dhe rëndësinë e saj në zemrat dhe mendjet e njerëzve.

Thuhet se një qytet duhet ta ketë veprën letrare që e monumentalizon. Pra, Peja tashmë e ka këtë vepër të Sejdi BERISHËS, me rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzit, kujtesën dhe kulturën e këtij qyteti. Ajo poetikisht përfaqëson historinë, kulturën dhe karakteristikat e veçanta të këtij qyteti dhe shpalos emocionet dhe përjetimet që e bëjnë atë qytet unik. Është vepër inspiruese, motivuese dhe frymëzuese që reflekton këtë identitet qytetar. Vepra përmban referenca të shumta historike e legjendare që lidhen me qytetin dhe ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive.


        *



Sejdi Berisha është një poet me përvojë, me vetëdije të ndjeshme për veçoritë e krijimit dhe frymëzimit. Është krijues me parime të përpikta ndaj vetes, në shprehje dhe stil poetik, i dashuruar pafundësisht me Pejën, vendlindjen, i do me zemër njerëzit e mjedisit të tij, historinë dhe mitet, trashëgiminë dhe shpirtin e gjeografisë shqiptare. sado që këto gjakime të tij krijuese i ka shfaqur në veprat e përparshme, megjithatë, te ky vëllim po ashtu vjen me rishqyrtime lirike të reja. Zërat e brendshëm që e grishin në frymëzime, sigurisht që kërkojnë edhe një qasje tekstuale të re. Së këndejmi, kjo krijimtari poetike perceptohet edhe tani si lexim me përhapje të reja kushtimesh e thirrjesh lirike, me gjëmime të jehonës së ngjarjeve e përjetimeve. Individualizmi i tij lirik është i ndërthurur me ngjyrat dhe aromën e mjedisit shqiptar, me peizazhin epik e romantik që e rrethon, me shqisat e qytetit të Pejës. Dhe, posa t'i biem në fund leximit të këtij vëllimi, do të vërehet që përkatësia e kësaj hapësire shpirtërore gjallimi e përcakton, në thelb, edhe poezinë e tij. Mbetet pazgjidhshëm në kontakt me tokën e qytetin e tij, me kujtesën për njerëzit e tij, me peizazhin dhe lumenjtë, me plagët dhe jetën e kujtimeve, me hartën elegjiake të atdheut. Të gjitha këto pikëtakime inspirimesh, e formësojnë filozofinë e këtij rrugëtimi poetik. Këto përvoja poetike të së kaluarës si trashëgimi e moçme antike, janë shtylla kariatidesh e monumente tempujsh të metaforës së tij të lirisë dhe gjuhës, gjakut dhe qenies. 

Kohët që më s'kthehen, kohët që ruhen në kujtesë, tashmë zënë këndin e tyre nostalgjik nëpër vargje, duke u zhytur thellë në qenien e kësaj hapësire, duke krijuar, kësisoj, një botë të veçantë artistike dhe duke e ngritur atë paradigmën e glorifikimit të Tokës amë dhe të qytetit të tij. Letërsia e tillë, përgjithësisht, ndër ne, e krijon në poezi një identitet të posaçëm kulturor, artistik, ligjërimor po edhe nacional.


1. Ode poetike për tokën 





Vëllimi nis me poemën “Kudo të gjeta, ty Toka ime që nëpër shekuj tentuan ta shëmtojnë madhështinë”, me referencën tekstuale: “Poemë kushtuar Tokës Arbërore, të cilës, as plagët që ia shkaktuan ndër shekuj, as ndrydhjet dhe as shtypjet, kurrë nuk e ligështuan, por e kalitën, e bënë fanar lirie, krenarie dhe njerëzie...”. E ndarë në dyzetepesë pjesë, poema merr trajtën e një ode kushtuar tokës Arbërore, e cila përjetoi shumëçka nëpër shekuj, por nuk u dobësua asnjëherë. Poeti fillon me një shprehje të thellë të dashurisë dhe kërkimit për tokën e vet, duke ligjëruar se ajo e kërkon atë kudo që shkon, por nëpër shekuj pamja e saj është ndryshuar. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për ta shkatërruar, tokën e tij, ai e gjen ende të qëndrueshme dhe të fortë, si një shenjë lirie dhe krenarie. Më tutje vazhdon ta përshkruajë rrugën e kërkimit për tokën e njerëzit e saj nëpër vende të ndryshme, si Shqipëri, Anadoll, Shkup, Greqi, duke pasur një histori të ndryshme në secilën prej tyre, por gjithmonë të ngjashme në ndjenjën e mallit dhe dashurisë për atdheun. Shpreh admirim për forcën dhe rezistencën e tokës së tij, qëndrueshmërinë e saj nëpër kohë të vështira dhe me ngjarje të dhimbshme, siç janë luftërat dhe konfliktet. Edhe pse ka pësuar shumë, kjo tokë nuk e ka humbur shpresën dhe vazhdon të përpiqet për ta gjetur lirinë plotë gjeografike dhe lirinë e plotë për polemin e tij. Kah fundi, poeti përshkruan një çast të vetërefleksionit, ku ndjenë se tokën e tij e ka gjetur gjithkund, në çdo cep të botës, se ajo është e përkujdesur dhe e respektuar nga shumë persona të shquar dhe ngjarje historike. Kjo poezi është një himn për tokën arbërore, për përjetësinë dhe rëndësinë e saj në zemrat dhe mendjet e njerëzve.

Poeti vazhdon ta shprehë udhëtimin e tij shpirtëror për ta gjetur tokën kudo që janë njerëzit e saj nëpër botë. Ky shtegtim për tokën e vet, nuk është vetëm një kërkim gjeografik, por një kërkim i identitetit, i rrënjëve dhe i lidhjeve emocionale e shpirtërore. Nëpërmjet përmendjes së vendeve të ndryshme si Shqipëria, Anadolli, Shkupi dhe Greqia, poeti përshkruan një kapitull historie poetike, veç e veç, por e tëra qëndron nën një temë të përbashkët të mallit dhe dashurisë për atdheun. E përshkruan me një tronditje të thellë ndaj tokës dhe identifikimin e tij me forcën dhe rezistencën nëpër kohë të vështira. Kjo poemë sugjeron ndjenjën e përbashkësisë për identitetin dhe historinë e përbashkët që kanë shqiptarët, pavarësisht prej dallimeve gjeografike, fetare dhe historike që mund të ekzistojnë. Edhe pse kjo Tokë ka përjetuar shumë vuajtje, duke përfshirë luftërat dhe eksodet e përgjakshme, poeti reflekton për shpresën që vazhdon të ekzistojë, duke shprehur besimin e thellë në aftësinë e popullit për t’i përballuar sfidat dhe për ta gjetur lirinë e plotë në të ardhmen. Në pjesën e fundit të poemës, poeti bën një reflektim të thellë mbi udhëtimin e vet për ta gjetur tokën e vet dhe ndjenjën e bashkërendimit me të. Na e shqipton ndjesinë e arratisjes nëpër çdo cep të botës, duke e gjetur tokën e vet si një shenjë e ndjekjes së saj të pandërprerë.

Përshkrimi i respektit dhe i admirimit të shumë personaliteteve të shquara dhe ngjarjeve historike për tokën, e thekson mesazhin e qartë se Toka Arbërore e ka një vend të rëndësishëm në zemrat dhe mendjet e njerëzve, se ajo është një simbol i përjetësisë dhe identitetit të përjetshëm për popullin e saj. Kjo poezi është një hyrje emocionuese dhe thellësisht e ndjeshme për tokën dhe për rëndësinë që ajo ka për të dhe për të gjithë ata që e ndjejnë atë si atdhe.


Gjithkah të kërkova toka ime

Kudo u përcëllova 

Duke ta përkëdhelur ballin

Por shekujt ta ndërruan pamjen

Tentuan të ta shëmtojnë bukurinë

Edhe madhështinë 

U përpoqën të ta rrënojnë

Gjithnjë të ndrydhen e të tkurrën


Janë vargje që shprehin kërkimin e pafund për tokën, si një udhëtim i përsëritur dhe i padiskutueshëm për ta gjetur vendin e vet të përjetshëm. Megjithatë, ky kërkim nuk është pa sfida. Shekujt, me ndryshimet dhe shkatërrimet e tyre, kanë bërë që pamja e tokës arbërore të ndryshojë. Tentativa për ta shëmtuar, për ta rrënuar, për ta ndrydhur dhe për ta tkurrë gjithmonë ka qenë një sfidë e madhe në këtë rrugë kërkimi për identitetin dhe vendin e saj në botë. Përshkruan një kërkim të vazhdueshëm për të qëndruar në lidhje me tokën e vet.


Dhe tash në këto vende

Frymon shpirti i ndrydhur i njeriut tënd


Këto vargje përshkruajnë një moment ku poeti reflekton mbi frymën dhe shpirtin e popullit të vet në vendet ku ka shkuar. "Shpirti i ndrydhur" sugjeron një shpirt të prekur, të tronditur ose të shqetësuar, që mund të jetë rezultat i vuajtjeve, luftërave apo sfidave që kanë përjetuar. Pavarësisht nga kjo gjendje e ndrydhur, shpirti i popullit vazhdon të frymojë dhe të jetë i pranishëm në këto vende. Kjo është një rezistencë dhe qëndrueshmëri e shpirtit human në ballafaqim me sfidat dhe vuajtjet. Në këtë kontekst, poeti dëshiron ta shprehë solidarësinë dhe lidhjen e plotë me shpirtin e popullit, duke shqiptuar një ndjenjë të përbashkëtësisë dhe njohjes së vuajtjeve dhe përballjeve të tyre.


Kudo të hasa toka ime

Edhe atje në Greqi

Atje ku e ke një tjetër histori  

Të kërkova në Çamërinë e përmalluar shekujsh


Shqiptarë ka kudo. Qenia e tyre është dëshmi e këtyre tragjedive historike. Folësi lirik e gjen veten duke udhëtuar nëpër Greqi, ku edhe në këtë vend gjen lidhje të thella historike. Për të, Çamëria është një vend i veçantë, një tokë që ka qenë e ndërtuar mbi historinë dhe trashëgiminë e saj të pasur, që përballuar sfida dhe përplasje të shumta nëpër shekuj. Përmendja e Çamërisë si një vend i "përmalluar shekujsh", sugjeron një histori të pasur por të ndërlikuar, të përshkruar me emocion dhe admirim për kulturën dhe traditat e këtij vendi. Kjo pjesë e poemës reflekton një lidhje të thellë emocionale dhe historike me këtë tokë të veçantë, e cila vazhdon të jetë një qendër e rëndësishme e identitetit dhe kujtesës së saj.


Kudo të kërkova e asnjëherë nuk të gjeta

Kudo të kërkova e kudo të takova

Nëpër plagë të Preshevës 

Në ato të Bujanocit dhe Medvegjës

Aty u përpoqa ta gjej çlirimin tënd


Këto vargje shfaqin përpjekjen e vazhdueshme të poetit për ta gjetur tërësinë etnike. Përpos kërkimit në vende të ndryshme, të hartës së copëtuar të Atdheut, poeti ndjen një lidhje të veçantë emocionale edhe me Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, vende që kanë përjetuar vuajtje dhe konflikte të mëdha në historinë e tyre.

Përmendja e "plagëve të Preshevës" ndihmon të përshkruhet dhimbja dhe shqetësimi i popullit të saj në këto zona. Poeti është i përfshirë emocionalisht dhe përpjekjet e tij për ta gjetur "çlirimin tënd" (të Preshevës), liri dhe pavarësi për këtë popull, janë të qarta, duke shfaqur një ndjenjë të thellë solidariteti dhe përkushtimi poetik ndaj çështjeve të drejtësisë dhe lirisë.


Ti toka ime sa e madhe je

Ndër vite mote dhe shekuj 

E ke ruajtur dashurinë dhe ngrohtësinë

Në dërrasat e zeza e në klasat e shkollave

Të rrezbitura e të brejtura minjsh e gjarpinjsh

I hasa do shkronja të shkruara

Me ëndrrat e nxënësve

Atëherë të stërgjyshërve tanë

Që i kishin lënë pa u mbushur me dituri

Dhe i kishin përzënë me dashuri në gjinj 

Me shkrumb për të lexuar ndonjë libër 

Për dritën dhe lumturinë


Poeti e përshkruan tokën si një entitet të madh që ka ruajtur trashëgiminë kulturore dhe arsimimin nëpër shekuj. Përmendja e "dërrasave të zeza" dhe "klasave të shkollave" sugjeron historinë e sakrificave për dije e shkrim. Vargjet reflektojnë edhe sfidat dhe pengesat që kanë hasur nxënësit dhe njerëzit në përgjithësi në kërkimin e dijes dhe arsimit. Përmendja e nxënësve që u përzunë nga shkolla "me dashuri në gjinj" dhe i "shkrumbit për të lexuar ndonjë libër", tregon se edukimi ka qenë një sfidë e viteve të rënda të dekadës së fundit të shekullit XX. 

Edhe ylberin e shiut dhe diellin tënd 

Kudo e kërkova 

Nëpër ato bukuritë e lumenjve 

Por edhe ata ishin plagosur

Ishin shndërruar në pika uji apo loti


Ky pasazh poetik përshkruan një kërkim të vazhdueshëm për shpirtin e tokës, të shprehur në simbolet e natyrës si ylberi, shiu dhe dielli, për të gjetur frymën dhe shpresën në bukuritë e atdheut, por edhe ata janë shfaqur të plagosur, për shkak të lëndimit të kohëve dhe ngjarjeve të dhimbshme.

Përkundër kësaj, toka mbetet e përjetshme dhe e pandryshueshme, dhe përmes saj, shprehet përjetësia dhe trashëgimia e popullit. Përmendja e këngëve dhe lumturisë që lindin nga kjo përjetësi e thekson rëndësinë dhe vlerën e kërkimit për liri dhe pavarësi. Çerdhja e zogjve dhe e shqiponjave simbolizon lirinë dhe lavdinë e tokës, e cila mbetet e pandikuar edhe nëpërmjet vuajtjeve dhe sfidave.


Sa herë të takova

Të pashë ngulur në heshtat e Bizantit 

Edhe në shpatat e romakëve 

Por kurrë nuk u dëshpërove 

As nuk u dorëzove 

Për plagët e rënda dhe helmuese

Gjithmonë e pate ilaçin e zemrës 

Me të cilin u shërove nëpër beteja...


Nëpërmjet referencave të heshtjes së Bizantit dhe shpateve të romakëve, poeti e bën të qartë lidhjen e thellë të tokës me historinë dhe trashëgiminë e lashtë të kulturës. Pavarësisht vuajtjeve dhe sfidave të shumta, populli dhe toka e tij kanë mbijetuar dhe kanë shëruar plagët e rënda dhe helmuese, duke e ruajtur një ilaç të fortë në zemrat e tyre që i ka lejuar atyre të vazhdojnë përpara nëpër beteja dhe vështirësi të ndryshme. Është vullneti i fortë i popullit për të përballuar dhe triumfuar.


Toka ime

E di pse në ty janë lisat e gjatë

Që i prekin yjet e qiellin 

Sepse gjithmonë janë ujitur 

Me gjakun e bijave dhe bijve tu

Kurse degët e tyre bashkë me gjethe

Janë krenaria e lotëve të nënave


Me këto vargje shpreh një lidhje të thellë dhe simbolike midis tokës dhe qiellit, duke përdorur imazhe të bukura dhe të ngrohta. Lisat e gjatë që prekin yjet në qiell (asociacion vargjesh naimiane), simbolizojnë forcën dhe rëndësinë e tokës, ndërsa ujitja e tyre me gjakun e bijave dhe bijve, tregon për lidhjen e ngushtë midis tokës dhe gjeneratave që kanë lindur dhe janë rritur në të. Degët e gjetheve të pemëve janë përdorur për të përforcuar këtë lidhje, duke i krahasuar ato me krenarinë dhe dhimbjen e nënave që kanë vuajtur për tokën e tyre. Ky pasazh paraqet një respekt të thellë dhe dashuri ndaj tokës së saj dhe trashëgimisë që ajo përfaqëson.

Në këtë poemë folësi lirik, i cili përfaqëson poetin, i drejtohet drejtpërdrejtë tokës si një qenie e gjallë, duke i referuar vetes si "ti" në vend të "unë". Ky tip ligjërimi shfaq një ndjenjë të thellë të identitetit dhe lidhjes së ngushtë me tokën, duke e trajtuar atë si një qenie të gjallë me karakteristika dhe vlera njerëzore. 


Eh moj toka ime 

Më kujtohet Tivari e Goli Otoku

Edhe shumë ngjarje të tjera

E së voni edhe Reçaku e Meja 

Edhe Lybeniqi-histori në vete

Edhe shumë masakra të tjera

E ti prapë dukesh si zorra në prush 

Dhe hiq nuk më hiqet mendjes

As nuk më largohet qafet 

Pse disa dëshmorë më bëhet

Sikur shpesh qohen nga varret

Dhe gjithkah shkojnë 

Gjakun e tyre për ta prekur 

Ecin sertshëm vështrojnë e qortojnë...


Pra, janë historitë e dhimbshme të Tivarit, Goli Otokut, Reçakut, Mejës, Lybeniqit dhe të tjera janë shënim memorial i vuajtjeve dhe tragjedisë që populli yt ka përjetuar nëpër kohë. Këto ngjarje të trishta e dëshmorët e tyre tregojnë për forcën dhe rezistencën e tyre për lirinë dhe drejtësinë. Edhe nën hijen e vuajtjeve dhe humbjeve, toka përfaqëson një shpresë, një krenari dhe një vullnet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm. Dhe përjetësia e tyre në kujtesën dhe zemrat e njerëzve do të jetë një dritare e hapur për të mos harruar kurrë dëshmorët dhe sakrificën e tyre për lirinë dhe drejtësinë.


Në përfundim vijnë vargjet:


E moj toka ime

Po gjithkund të kërkova

Gjithkund të takova

Gjithkund të përqafova

Dhe në gjirin tim të përjetësova...


Përfundimi i kësaj poezie është një shprehje e thellë e dashurisë dhe lidhjes së thellë mes poetit dhe tokës së tij. Pavarësisht vuajtjeve, konflikteve dhe humbjeve të përjetuara nëpër kohë, poeti vazhdon të kërkojë, të takojë dhe ta përqafojë tokën e vet. Në këtë lidhje të përjetshme, ai gjen forcën dhe frymën për të vazhduar përpara. Toka  është më shumë se vetëm një hapësirë gjeografike - ajo është një simbol i historisë, trashëgimisë dhe identitetit të saj. 

Përgjithësisht, poeti i thur një memorial monumental poetik Tokës arbërore. Poezia dhe memoria historike dhe shpirtërore janë dy dimensione të ndërlidhura në përjetimin dhe shprehjen e përvojës etnike. Poezia është vetëm një këpujë për ta ruajtur dhe për ta përshkruar memorien historike dhe shpirtërore. 

Përtej tragjedisë dhe dhimbjes, poeti shpreh admirimin dhe respektin për krenarinë dhe qëndresën e tokës. Kjo tokë është simbol i shpirtit të zgjuar dhe të palodhshëm për të qëndruar në këmbë, edhe përkundër sfidave më të rënda dhe shkatërrimeve të pashmangshme. Ruajtja e krenarisë dhe qëndresës, është si një flakë që nuk shuhet kurrë, një shpirt i fortë dhe i pandalshëm që vazhdon të përballet me sfidat dhe ta mbrojë identitetin dhe vlerat e veta me guxim dhe dinjitet. Kjo poemë ndërton një rrëfim të vazhdueshëm të kërkimit të poetit për tokën. Toka është personifikuar si një entitet i gjallë që ndjen, vuan dhe shfaq karakteristika të ndryshme nëpër kohë dhe vende të ndryshme. Poema përmban imazhe të forta emocionale që përshkruajnë ndjenjat e mallit, dashurisë, vuajtjes dhe përkushtimit. 



Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA


Poema merr trajtën e një dialogu poetik me tokën e që shfaqet nëpërmjet vargjeve dhe imazheve poetike të poezisë. Ky dialog shpreh ndjenjat, mendimet dhe refleksionet e poetit për tokën në mënyrë të hollësishme dhe emocionuese. Nëpërmjet këtij dialogu, poeti shpreh lidhjen e thellë emocionale dhe kulturore që ka me tokën dhe me përjetimet gjatë kërkimit vetjak nëpër vende të ndryshme. Kjo poemë përmban një varg emrash vendesh, shtetesh dhe qytetesh nëpër botë, duke shpalosur një udhëtim shpirtëror-gjeografik dhe historik të kërkimit për tokën e vet. Këta emra vendesh dhe qytetesh shërbejnë si pamje panoramike e rrugëtimit. Ky dimension i gjerë i poezisë, e fuqizon ndjesinë e kohës së kaluar dhe rëndësinë e historisë për folësin lirik, duke e ndihmuar atë të shprehë marrëdhënien e tij të thellë me tokën dhe trashëgiminë e saj kulturore. Ky udhëtim shpirtëror sjell një ndjenjë të përbashkët të lidhjes me identitetin dhe kulturën nacionale, duke i bërë ata ta ndiejnë njëri-tjetrin afër, edhe pse ndodhen larg fizikisht. Nëpërmjet poezisë, ata përjetojnë një unifikim të ndjenjave dhe përjetimeve, duke e bërë këtë udhëtim një përvojë të përbashkët për të gjithë ata që e ndjejnë tërheqjen e tokës dhe trashëgimisë së tyre kulturore.

Poeti ka besim në forcën e popullit që e ndiejmë në çdo varg të poezisë, në çdo ndjesi të përjetuar dhe në çdo shpalosje të identitetit të kulturës dhe historisë së tyre. Autori përshkruan ngjarje të vështira dhe momente tragjike të historisë, por gjithashtu dëshmon për rezistencën dhe guximin për të përballuar ato dhe për t’i përmbushur synimet e tyre.


2. Identiteti poetik i qytetit të Pejës 


E kësaj rëndësie dhe thellësie të rrëfimit poetik, është edhe poema “Peja, dhembja dhe krenaria ime...(Poemë të cilën kurrë nuk e përfundova)”. Poeti nuk i jep vetes të drejtë ta përfundojë këtë poemë, sepse nuk kanë si përfundojnë as dashuria e as historia. 

Poema është e ndjeshme dhe e mbushulluar me nostalgji për qytetin e Pejës dhe përjetimet e poetit në këtë qytet. Poezia shpreh dashurinë, dhembjen, krenarinë dhe historinë e këtij qyteti të vogël, por të thellësisë së madhe. Nëpërmjet vargjeve të ndjeshme, ai përshkruan ngjarjet historike, personalitetet, si dhe bukuritë natyrore dhe kulturore të qytetit. Kujtohen njerëzit e ndryshëm që kanë lënë gjurmë në këtë qytet, si dhe ngjarjet e rëndësishme të kaluara dhe të sotme. Nëpërmjet kujtimeve të tij, ai bën një thirrje për ta mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore dhe për të përjetuar e ndërtuar mbi të kaluarën e qytetit.

Përshkrimi i karaktereve të veçanta vendase, si Rexhep Gjyka, Ademi, Moni, Shaban Arusha, Pala dhe Haxhi Mevlaja, shton një element të ngrohtësisë së kësaj poezie, duke e bërë atë më afër lexuesit. Poema përmbledh ndjenjat e poetit për qytetin e tij dhe dëshirën për ta ruajtur dhe përjetuar trashëgiminë e këtij qyteti të veçantë në zemrën e tij dhe në zemrat e të gjithë atyre që e kanë njohur atë.

Në ty u rrita

Në ty fëmijërinë e kalova

Në ty me rininë u mashtrova

Në ty krijova familje

Në ty Zoti jetën ma stolisi

Me gjashtë fëmijët engjëj


Këto vargje evokojnë një përvojë personale në qytetin e tij të lindjes, Pejën. Ai flet për një udhëtim të plotnisë njerëzore, duke filluar nga fëmijëria deri te krijimi i një familjeje dhe e bekuar me gjashtë fëmijë. Frazat "Në ty u rrita", "Në ty fëmijërinë e kalova" dhe "Në ty me rininë u mashtrova", sugjerojnë një lidhje thelbësore midis individit dhe qytetit. Poeti përshkruan Pejën si ambientin ku ai ka kaluar momentet më të rëndësishme të jetës së tij, ku ka përjetuar rritjen, gëzimin dhe sfidat. Frazema "Zoti jetën ma stolisi", sugjeron harmoninë dhe begatinë që ka përjetuar në qytetin e tij. Gjashtë fëmijët janë përshkruar si "engjëj", një simbol i pafajësisë dhe pastërtisë, që përforcojnë idenë e lumturisë dhe begatisë që ai e ka gjetur në Pejë. 

Në ty djersa e babait

La gjurmë të përjetshme

Në ty nëna fshihte 

Dhembjen për rriten time

Në ty tash babai pushon

Në tokën e trembur

Aty tash edhe nëna sipër ka

Gjelbërimin që përcëllon 


Janë evokime për ngjarjet dhe emocionet që ka përjetuar poeti në lidhje me prindërit e tij në qytetin e Pejës. Përshkruan punën e vazhdueshme dhe përkushtimin e babait në këtë qytet, ku kanë lënë gjurmët e tyre në kujtesën e poetit. Është trashëgimia që poeti e ndjen, pasi kujtimet e babait dhe puna e tij kanë mbetur pjesë e përjetësisë së qytetit. 


Me ty rashë dhe u zgjova

Me ëndrrat e ndrydhura

Me ty kudo që shkova

Në zemër të mora


Kështu përshkruan qytetin si një pjesë të pandarë të identitetit të poetit, ku ai ka kaluar momentet më të rëndësishme të jetës së tij dhe ka përjetuar shumë emocione. Kjo gjendje e lidhjes thellë me qytetin përshkruhet edhe në vargjet e tjera, ku poeti thotë se është zgjuar "me ëndrrat e ndrydhura" dhe ka marrë qytetin "në zemër". Frazema "ëndrrat e ndrydhura" sugjeron një përvojë të ndryshme dhe të pasur emocionale që ka përjetuar krijuesi. 


Pejë

Çfarë të bëjmë tash

Shumë letra kemi shpalosur e shfletuar

Shumë defterë të vjetër e të rinj

Dhe prapë sikur jemi aty në fillim

Aty ku dikur jemi zgjuar të përqafuar


Vargje që përshkruajnë një gamë të gjerë emocionesh që autori ka përjetuar në qytetin e tij. Kjo gamë përfshin gëzimin dhe hidhërimin, të cilat janë pjesë e jetës së tij në Pejë. Vargjet në fund të këtij citimi, tregojnë për një reflektim dhe rishikim të lidhjes së poetit me qytetin. "Çfarë të bëjmë tash", sugjeron një pyetje ose mosmarrëveshje mbi rrugën e ardhshme të kësaj lidhjeje. "Shumë letra kemi shpalosur e shfletuar / Shumë defterë të vjetër e të rinj" përshkruan një histori të gjatë dhe të pasur të përvojës së poetit në qytetin e tij. "Dhe prapë sikur jemi aty në fillim / Aty ku dikur jemi zgjuar të përqafuar". Kështu  tregon për një lloj rikthimi në origjinën e kësaj lidhjeje, duke e ndjerë veten si një fëmijë që kthehet në shtëpi. Gjithçka mbetet e përjetshme, e papërfunduar. 

Vargjet e mëtejshme shprehin një dëshirë për të shpallur dhe për të ndarë historinë e qytetit, si një mënyrë për të ruajtur dhe për të vlerësuar trashëgiminë e tij kulturore dhe historike. "Kush ka fuqi të na ndajë ne të dyve", përshkruan një dëshirë për të ruajtur lidhjen e thellë dhe të ndarë me qytetin, duke e ndjerë atë si një pjesë të pashkëputshme të identitetit të tij.

Pejë

Ti dhembja dhe krenaria e jetës sime

Ndoshta ndër vite të kam bezdisur

Me këto shkrimet e mia

Edhe me vargjet e serta 

Por nuk bën të mos shkruhet

Për Dudin Plak në Patrikanë

Për Tabjet e përgjakura e të heshtura 

Ku bari ndryshe rritët nga eshtrat e djemve tu 


Poeti pranon se ndoshta me shkrimet e tij ka pasur ndikim në mënyrën se si është parë nga të tjerët, por nuk e ndalon atë nga detyra e tij për të shkruar dhe për të rrëfyer për ngjarjet dhe personazhet e rëndësishëm në qytetin e tij. "Për Dudin Plak në Patrikanë / Për Tabjet e përgjakura e të heshtura / Ku bari ndryshe rritët nga eshtrat e djemve tu" me këtë përshkruan një pjesë të thellë dhe të trishtuar të historisë së qytetit, duke përmendur emra dhe ngjarje të caktuara që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të komunitetit. 

Këto dy vargje, "Pejë / Ti dhembja dhe krenaria e jetës sime", përshkruajnë qytetin e Pejës si një pjesë të thellë dhe të ndryshme të identitetit të poetit. Fjala "dhembja" sugjeron një ndjenje të thellë të lidhur me qytetin, për shkak të sfidave, vuajtjeve, ose humbjeve që ka përjetuar aty. Ndërkaq, fjala "krenari" përshkruan ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë për origjinën e tij. Më tutje, ai bën thirrje për të kënduar për historinë e qytetit të tij, edhe pse kjo histori ka pak gjurmë sipër tokës. Ai thekson se, megjithëse historitë mund të jenë harruar ose të fshehura, eshtrat e përjetuarve flasin dhe kujtojnë për të kaluarën. Me fjalët "Për ty Pejë / Që Bjeshkët e Nemuna të rrethojnë / Flasin e kuvendojnë për Kosovën / Për atdheun e shkapërderdhur," poeti shpreh rëndësinë e Pejës në kontekstin më të gjerë të Kosovës dhe atdheut, duke e bërë atë një pjesë thelbësore të historisë dhe identitetit kombëtar. Përmenden Karagaqi, Dardania, me peshën e tragjedive. Përmendja e tragjedisë së lagjes Dardania, që u djeg dhe u shkrumbua, dhe banorët e saj që u vranë nga armiku dhe u dëbuan nga trojet e tyre, dëshmon për vuajtjet dhe përballjet e rënda që banorët e kësaj lagjeje kanë përjetuar.

Poeti sjell në vëmendje një aspekt të rëndësishëm të kulturës dhe traditës së qytetit të Pejës. "Netët e Dukagjinit" janë përmendur si një kohë e veçantë kur kënga dhe zëri i vashave dhe i djemve të qytetit shërbenin si element që jehonte në qytet. Kjo referencë tregon për një traditë muzikore dhe kulturore të pasur në këtë qytet, ku këngët dhe vallet e Dukagjinit shërbenin si mënyrë për të shprehur emocione, histori dhe tradita të ndryshme. Me përmendjen e "Netëve të Dukagjinit", poeti bën thirrje për ta mbajtur gjallë këtë trashëgimi kulturore dhe për t’i kujtuar kohët kur muzika dhe kënga ishin pjesë thelbësore e jetës së qytetit. Kjo pjesë e poezisë thekson rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe historike, duke e bërë atë një element të rëndësishëm të identitetit të qytetit të Pejës.

Pejë

E për teatër

Nuk ka letër as defterë 

Historinë për t’ia shkruar


Poeti s’mund ta mendojë Pejën pa teatrin e tij. Këto vargje interpretohen si një thirrje për të investuar në kulturën dhe artin dramatik në Pejë dhe për të ndërtuar një sallë teatri apo një strukturë të përshtatshme për të promovuar dhe për të mbështetur shfaqjet teatrale. Për poetin, teatri është një aspekt i rëndësishëm i jetës kulturore të një qyteti, dhe mungesa e një salle të përshtatshëm teatore, shënon një humbje. 

Pejë

Nata në ty është e gjatë

E dita shumë e shkurtër

Se ti nuk e duron gjumin e parehatshëm

Por nuk e duron as heshtjen

Kurrë nuk ke qenë memece


Në këto vargje, poeti përshkruan dy anë të ndryshme të qytetit të Pejës: natën dhe ditën. Nata përshkruhet si e gjatë, e cila shënjohet si një kohë misterioze dhe e përshtatshme për reflektim dhe kontemplacion. Në anën tjetër, dita përshkruhet si e shkurtër, e cila kuptohet si një kohë që kalon shpejt dhe nuk jep shumë kohë për të bërë gjëra. Në vargun e dytë, poeti përshkruan karakterin e qytetit duke iu referuar atij si një qytet që nuk e duron gjumin e parehatshëm dhe as heshtjen. Ky përshkrim kundrohet si një përfaqësim i energjisë dhe aktivitetit të qytetit, duke e bërë atë një vend që gjithmonë është në lëvizje dhe në zhurmë. Fjala "memece" në fund tregon për një karakter të fortë dhe të vendosur të qytetit të Pejës, që nuk pranon të jetë i qetë ose i pazëvendësueshëm, por që është gjithmonë në lëvizje dhe në aktivitet.

Pejë

Ka edhe shumë gjëra të tjera

Që ty të madhështojnë

Por duke i lexuar këto vargje

Edhe juve shumë thesare të tretura 

Rrëfimin e heshtur ua përkujtojnë


Në këtë formë, poeti përfundon poezinë duke bërë një thirrje për ta përjetuar thellësinë dhe pasurinë e qytetit të Pejës përtej atyre që janë përmendur në poezinë e tij. Përmendja e "shumë gjërave të tjera" që e "madhështojnë" Pejën, tregon për një thellësi të pasur shpirtërore mbase edhe filozofike dhe për një shumëllojshmëri të trashëgimisë kulturore, historike dhe natyrore të qytetit. Poeti bën thirrje për lexuesit e poezisë së tij që të qëmtojnë më tej dhe ta zbulojnë këtë pasuri të fshehur. Me frazën lirike "rrëfimin e heshtur", ai sugjeron se ka një histori të thellë që poezia e tij nuk ka arritur ta zbulojë në tërësi, se lexuesit mund të gjejnë "thesare" të reja duke zbuluar këtë rrëfim të fshehur të qytetit të Pejës.

Pejë

A i mbanë mend të gjitha këto fjalë

Që ndoshta duken pa vlerë e fantazi

Por kjo nuk është me rëndësi

Peshë ka ajo 

Që duhemi e përqafohemi unë e ti

Ti Pejë dhembja dhe krenaria ime...


Kjo pjesë përmbyll poemën me një reflektim mbi vlerën e fjalëve të shkruara për qytetin e Pejës. Autori bën thirrje për të reflektuar nëse lexuesit do të mbajnë mend dhe do të vlerësojnë fjalët dhe vargjet e tij që i ka përdorur për të përshkruar qytetin e tyre. Edhe pse fjalët mund të duket si thjesht vargje pa rëndësi apo fantazi, poeti thekson se përvoja dhe ndjenjat që shprehin ato janë shumë më të rëndësishme. 

Poeti parapëlqen shpesh përdorimin e fjalës “peshë”, që, në këtë rast, tregon për ndikimin dhe rëndësinë që ajo ka për të përfaqësuar emocionet dhe lidhjen e thellë të poetit me qytetin e tij. Në fund, ai e përshkruan Pejën si "dhembja dhe krenaria ime," duke rikonfirmuar lidhjen e tij të thellë dhe të ndjeshme me qytetin e tij. 

Në esencë, identiteti poetik i këtij motivi, përbën një portret emocional dhe shpirtëror të qytetit, i shprehur nëpërmjet vargjesh. Përshkrimi i peizazhit natyror dhe urban, duke përfshirë lumenjtë, kodrat, rrugët, arkitekturën dhe parqet, shprehin lidhjen e tyre me mjedisin fizik të qytetit dhe ndjenjat e frymëzimit që vjen nga ajo. Identiteti poetik i qytetit përfshin edhe historinë dhe trashëgiminë kulturore të tij, me ngjarje historike, ngjarje kulturore dhe figura të rëndësishme që kanë formuar identitetin e qytetit. Përshkrimi i simboleve dhe ikonave të njohura të qytetit, përfaqësojnë identitetin dhe karakteristikat e tij unike. Nëpërmjet poezisë, qyteti bëhet subjekt dhe objekt i shprehjes së emocioneve dhe mendimeve të autorit, duke krijuar një portret të thellë dhe të pasur të identitetit të qytetit në një nivel emocional dhe shpirtëror. Në poemë ai veçon shpirtin e një qyteti, duke e personifikuar atë dhe duke e lidhur me trashëgiminë materiale dhe shpirtërore.

Poema e përshkruan qytetin si simbol të trashëgimisë dhe identitetit të një populli. Përmes personifikimit, qyteti bëhet një personazh i gjallë që mbart historinë dhe trashëgiminë e banorëve të tij. Nëpërmjet metaforave dhe imazheve të fuqishme, kjo poemë përshkruan forcën dhe rezistencën e shpirtit të qytetit, i cili paraqitet si një burim frymëzimi dhe shprese për banorët e tij, gjë që e bën atë të jetë i përjetshëm dhe i dashur për ta. Po ashtu shpreh krenari dhe respekt për trashëgiminë e lashtë dhe të pasur të qytetit. Banorët e tij përshkruhen si mbajtësit e kësaj trashëgimie, duke e kuptuar rëndësinë e saj për identitetin dhe vetëdijen e tyre kombëtare.

Në të tridhjetë pjesët e poemës së mësipërme, ky shpirt trashëgimie paraqitet në shumë aspekte: 

a) Qyteti përshkruhet si vendi ku poeti u rrit dhe kaloi fëmijërinë e tij. Ky është fillimi i lidhjes së tij të ngushtë me qytetin dhe trashëgiminë e tij; 

b) Qyteti përshkruhet si vendi ku poeti ka përjetuar gëzimin e hidhërimin, dhe është pajtuar me shumë aspekte të jetës së tij. Ky është një aspekt i trashëgimisë emocionale dhe personale që ai ka përjetuar aty;

c) Trashëgimia historike e qytetit përshkruhet si një histori e pasur dhe e përjetshme që nuk mund të harrohet. Bjeshkët e Nemuna dhe historia e Kosovës janë simbole të kësaj trashëgimie historike dhe kombëtare; 

ç) Trashëgimia kulturore dhe fetare e qytetit përmendet në këtë pjesë. Varrezat dhe xhamitë janë simbole të rëndësishme të kësaj trashëgimie që përfaqësojnë identitetin kulturor dhe fetar të qytetit. 

d) Natyra dhe mjedisi natyror i qytetit përshkruhen si pjesë e trashëgimisë së tij në këtë pjesë. Liqeni i Karagaqit dhe ulëset valë nga dashnorët, janë simbole të bukurisë natyrore dhe lidhjes së qytetarëve me mjedisin e tyre natyror. 

dh) Trashëgimia artistike dhe kulturore e qytetit përshkruhet nëpërmjet referencave të këngëve dhe zërit të vashave dhe djemve të qytetit, që përfaqësojnë një aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë artistike dhe kulturore të qytetit.

Dikush e ka thënë: "Qyteti është përherë një udhëtim i pasionuar dhe i përjetshëm në kujtesën tonë... Trashëgimia e një qyteti është e pashlyeshme, ajo është e përjetshme, ajo është e padiskutueshme. Trashëgimia është ajo që bën qytetin të jetë më shumë se vetëm gurë dhe beton." Qyteti është një libër i hapur poetik, ku secila faqe përmban një histori, një emocion, një ëndërr. Pra, ai është më shumë se një vend ku jetojmë. Nëpër vargje sikur i shohim të gjitha rrugët që kanë secila një histori të pazbuluar, një kujtim a një emocion të ngujuar. Është një bukuri e pashpjegueshme, një mister i padukshëm.

Kur poeti e shqipton vargun "Pejë, Dhembja dhe Krenaria ime", nuk është vetëm një shprehje e nostalgjisë për qytetin e tij. Përmes vargjeve, ai shpreh ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë për vendin ku u rrit dhe formoi kujtimet e tij. Ai përfaqëson një pjesë të trashëgimisë dhe historisë së Kosovës, duke e bërë atë një simbol të fortë të identitetit kombëtar. 

Dialogu i poetit me qytetin shërben si një trajtë poetike që përfaqëson lidhjen dhe marrëdhënien e ngushtë mes krijuesit dhe mjedisit të tij. Në këtë rast, qyteti nuk është vetëm një sfond për poezinë, por bëhet subjekt i vetëm, një personazh që përfshihet në një bashkëbisedim të thellë me poetin. Kjo trajtë poetike shpreh po ashtu një spektër të gjerë emocionesh dhe mendimesh. Nëpërmjet dialogut poetik, qyteti bëhet një entitet i gjallë që përgjigjet, kujton, dhe ndikon në mendimet dhe ndjenjat e poetit. 

Dialogu i poetit me qytetin gjithashtu shërben si procedim poetik për të shprehur kujdesin dhe përkujdesjen ndaj mjedisit dhe trashëgimisë kulturore të qytetit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit të tij dhe të përballjes me sfidat dhe dëshirat për përparim. Në fund të fundit, kjo trajtë poetike përforcohet nga ndjenja e lidhjes intime dhe e pashmangshme mes krijuesit dhe mjedisit të tij, duke krijuar një portret të thellë dhe të pasur të raportit midis njeriut dhe qytetit të tij.




Përmes këtyre marrëdhënieve të thella, dialogu midis poetit dhe qytetit, i jep lexuesit një pamje të brendshme dhe të detajuar të ndjenjave dhe mendimeve personale për qytetin e tij, si një personazh që ka historinë, trashëgiminë, dëshirat, dhe ëndrrat e veta, dhe ky dialog lejon shprehjen e tyre nëpërmjet vargjeve të poetit.

3. Pesha e artit dhe e tematikës së këndimit 


Edhe krijimet tjera të këtij vëllimi poetik e kanë këtë peshë arti, tematike e këndimi. Te poezia “Kam pas thënë...“, autori shpreh përjetimet për një humbje të ndjesive dhe stinëve të shkuara me "Litarin e mallit" që sugjeron një lidhje të ngushtë me kujtimet dhe ndjenjat e humbura. 

Përgjithësisht, poezitë përmbajnë elemente të lirizmit në stilin e tyre. Lirizmi është një stil poetik që përdor imazhe të bukura dhe emocionale për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e autorit. Përdorimi i imazheve të tillë si "lotin ma lidhni", "shiu e çmend vjeshtën", dhe "lulet e lagin shtratin", sjellin pamje vizuale të fuqishme dhe emocionale që përforcojnë ndjenjat dhe temën e poezisë.

Te poema “Kapeshnica” (Lagjja Kapeshnica e Pejës, edhe si legjendë edhe si dashuri), poeti përshkruan nostalgjinë dhe krenarinë për këtë lagje të Pejës. Ajo sjell në vëmendje kohën e kaluar, kur lagja ishte e mbushur me jetë dhe ngjarje që kujtohen në vazhdimësi. Shkrimi poetik është një përpjekje për t’i rikrijuar kujtimet dhe atmosferën e asaj kohe të largët. Në vargun e parë, përshkruhet një lagje e humbur në kohë, por ende e kujtuar për vetëm disa elemente të mbetur. Përshkrimi i një rruge të ngushtë që nuk ka ndryshuar, përcakton pamjen e vjetër të lagjes. Vendet e kujtimeve dhe ngjarjeve të shënuara me gurë rrezatojnë një atmosferë të lumturive dhe traditave të vjetra, ndërsa arrihet të ndihet harmonia dhe përjetimi i tyre. Pjesa e tretë përshkruan kohën e mbrëmjes dhe ëndrrat e dashurisë që përhapeshin nëpër rrugët e lagjes. Festat dhe ngjarjet e rëndësishme të lagjes, si Bajrami, janë pjesë e trashëgimisë dhe bujarisë së saj. Referimi te "kapixhikët" përshkruan mënyrën sesi shtëpitë janë lidhur në lagje, ndërsa oborret janë gjithmonë të hapura për miqësi dhe bashkëpunim. Detajet si "Xhamia e Kuqe" dhe kroi me tre gurë, përshkruajnë më tej jetën sociale dhe kulturore të lagjes. Në vargjet e mëtejshme, përshkruhet ndryshimi i lagjes sot, por ende ruhet thellë historikisht. Kapeshnica ruhet si një thesar i historisë dhe kulturës së Pejës, duke kujtuar ngjarjet dhe personalitetet e shquara që e kanë njohur atë. Poeti fton lexuesit të kthehen në Kapeshnicë për ta kujtuar dhe për ta përjetuar sërish të kaluarën e shkëlqyer të lagjes. Në fund, përmenden krenaria dhe madhështia e Kapeshnicës, e cila ende qëndron si një simbol i rëndësishëm për bashkësinë dhe historinë e Pejës. Poema paraqet një peizazh të humbur në kohë, por ende të rëndësishëm për identitetin dhe trashëgiminë e qytetit.

Në trajtën e një poeme është krijuar edhe “Elegji apo poemë kujtimi (Ose, a të kujtohet o Babëloku im...!)”. Ky tekst është një poemë kujtimi, një përkujtim për personin e dashur, babain e tij, që ka ndërruar jetë. Poezia përshkruan një sërë kujtimesh dhe përvojash personale me prindin. Fillon me një kujtim të përbashkët të pirjes së ujit në një burim dhe bisedave për historinë.


A të kujtohet o Babëloku im

Ai burimi ku pinim ujë

E ai fliste me ne për historinë


A të kujtohen o Babëloku im

Ato majat e bjeshkëve

Prej nga panorama e Dukagjinit

Na madhështonte shikimin


Nga pamja e majave të bjeshkëve dhe Dukagjinit, përshkruhet një panoramë përrallore  e natyrës së kësaj zone. Përshkruhen momentet e rëndësishme të jetës së prindit, si mbajtja e deleve dhe varrimi i të dashurve. Përkujtohet koha e rinisë dhe ëndrrat që kishin atëherë. Paraqiten pamje të natyrës dhe dëshirës për ta shijuar jetën, me kujtimet nga puna në fshat dhe këndimi i këngëve nën hijen e pemëve. Jepen betejat për liri dhe për çlirimin e atdheut. Kujtohen bisedat me personin e dashur nën hijen e pemëve. Është koha kur lumenjtë i matnin me kutin e shpirtit. Bëhet një përshkrim i jetës së përditshme dhe vlerësimi i thjeshtësisë së saj. Jepen kujtime nga tregtia. Jepen skena poetike për punën e mundimshme dhe krenarinë për punën. Prindi i përkujtuar shpreh dëshirën për të qëndruar në tokën e tij pranë të dashurve të tij. Pra, jepet një reflektim mbi historinë dhe kujtimet e humbura. 

Poema në vazhdim „Kthim në shtëpinë që nuk ekziston (Poemë, elegji, simfoni apo trembje shpirti...)“, po ashtu është një poemë kujtimi ose elegji për shtëpinë e babait që tani nuk ekziston më. Autori përshkruan dëshirën dhe përpjekjet e tij për t’u kthyer në shtëpinë e tij të hershme, por gjen vetëm kujtime dhe ndjesi të munguara. Në fillim gjen vetëm shenja të humbura. Është një shtëpi e lënë me pak mure që e trondit me lidhjet me të kaluarën e tij: me imazhet e brendshme të shtëpisë së babait me dritaret e vogla dhe me pamjet që përcaktojnë lashtësinë; me detaje të shtëpisë së mëparshme, duke shtuar nostalgjinë për kohën e kaluar. Detaje tjera poetike paraqesin pamje nga jeta e mëparshme. Autori nuk gjen shenja të mëparshme të familjes në shtëpinë që tani nuk ekziston më. Janë këndime për një kërkim të përjetshëm për atë që nuk mund ta gjejë më. Poeti përfundon me pyetjen, se ku tani duhet ta mbajë kujtimin e shtëpisë së babait të tij, duke shprehur dhimbje dhe shqetësimin për humbjen e shtëpisë së tij dhe përvojat jetësore në të. Në vazhdim, te poezia „Lumëbardhi im i dashur...“, lumi shfaqet si një qenie e gjallë me të cilin bashkëbisedon me qetësi e dashuri. Në fund të poezisë autori rikthehet te dashuria dhe admirimi për Lumëbardhin, duke e përshkruar atë si një burim i përjetshëm i frymëzimit, me vlerësimin e thellë për bukurinë dhe fuqinë e tij.


4. Semantika e plagës 


Ja një tekst tjetër ku shprehet një ndjesi tjetër e përjetuar e vetmisë dhe e gjakimeve të poetit. Është poezia “Janë do plagë...” me intonime lirike intime: 


Shëtita tërë dynjanë

Ty të të gjeja 

Bile diku në cep të botës

E në prezencën tënde 

Vetvetes t’i tregoj diçka

Se kurrë nuk pate thënë gjë

As për shkrumbin e shkrumbit

As për dhembjet 

As për etjen e shikimeve


Mos harro

Janë do plagë 

Që sërish mund të hapen...

Se lehtë është të vdesësh 

Por vështirë të jetosh...!


Është rikujtimi për personin për të cilin këto fjalë i janë adresuar, duke e nxitur atë të mos harrojë që ka plagë që ende mund të hapen, që mund të shkaktojnë dhimbje edhe në të ardhmen. Kjo pjesë e tekstit përfaqëson një ngjarje që ka lënë gjurmë. Përfundon me një reflektim mbi jetën dhe vdekjen, duke e përshkruar vdekjen si diçka të lehtë, ndërsa jetën si diçka më të vështirë për t'u përballur. Shpreh një kuptim të thellë të jetës dhe sfidave që ajo sjell. Titulli "Janë do plagë" përmbledh thelbin e tekstit duke e paraqitur një ide kryesore të dhimbjes, vuajtjes dhe sfidave që vijnë me jetën; një realitet i dhimbshëm dhe i vështirë i ekzistencës, duke theksuar rëndësinë e sfidave dhe vuajtjeve që ndikojnë në jetën tonë. 

Plaga është një temë e zakonshme në poezi dhe ka një gamë të gjerë kuptimesh dhe përdorimesh semantike. Kjo plagë në poezi shpesh përfaqësohet si një burim i dhimbjes dhe vuajtjes. Ajo mund të jetë një metaforë për gjendjen emocionale të personazheve ose të autorit vetë, duke përshkruar dhimbjen dhe vuajtjen e thellë që ata ndjejnë. Ajo gjithashtu përfaqëson një humbjeje ose një mungesë, si humbja e dashurisë, e të afërmve, e shpresës, e pavarësisë, etj. Në disa raste, plaga shihet si përvojë transformuese, që lë një ndikim të thellë dhe ndryshon njeriun për të mirë. 

Përdorimi tematizues i plagës në poezi është një mënyrë e fuqishme për poetin që të shprehë dhe komunikojë ndjenjat e thella të vuajtjes dhe dhimbjes. Linda Poindexte, një autore amerikane, do të thoshte: "Plaga është një shenjë se keni qenë prezent në luftën e jetës.". Plagët janë dritaret në shpirtin tonë të mbyllur. Por autori nuk pranon të bjerë në dëshpërim; por e ndien se plagët na bëjnë të ndiejmë se ne jemi gjallë, se ne jemi të lidhur me tjetrin, se ne jemi njerëz të pasur me histori dhe me emocione. Janë shenja se njeriu është i fortë për ta kapërcyer dhimbjen; se përjetimi i saj e bën njeriun më të fuqishëm. Por më shumë therin plagët e atdheut që reflektojnë mbi përvojën njerëzore të vuajtjes, forcën dhe rezidencën:


Sa histori të dhembshme shtresuar

Por këto plagë t’i lë të hapura

Se do të shërohen

Kur detet dalldisen 

E anijet do t’i bashkojnë largësitë

E do t’i nxjerrin të gjitha fshehtësitë 

Edhe dëshmitë që dikur i kapërdinë

Duke kërkuar lirinë


Ndërsa te poema “Letra e nënës”, po ashtu lexojmë plagët dhe biografemat lirike autoriale: 


Ti 

Ndoshta nuk e din se për çfarë 

Por sot do t’i radhisë disa

Nga ato plagët e mia për të rritur të lumtur

Se tek daja yt nuk ishte çerdhja jote

Sepse shtëpinë na kishin grabitur hienat


Nëpërmjet kësaj letre, nëna tregon përvojën e saj dhe historinë e familjes së saj, duke ndarë kujtime, dhimbje dhe lumturi. Edhe pse nëna është larguar fizikisht, ajo mbetet gjallë në kujtesën dhe shpirtin e autorit, duke lënë një gjurmë të përjetshme në jetën e tij. Nëpërmjet kësaj letre, autori shpreh mirënjohje dhe respekt për gjithë sakrificat dhe shërbimet që nëna ka bërë për të, duke e ndjerë se është privilegj të ketë një prind të tillë. Letra përjeton procesin e humbjes së nënës dhe kujtimet e përbashkëta... 

Poeti përshkruan figurën e një nëne të vuajtur e cila përfaqëson forcën dhe rezistencën ndaj sfidave të jetës, duke përballur edhe vuajtjen më të thellë me guxim dhe dashuri. Ajo është një simbol i forcës së brendshme dhe simbol i mbështetjes së pafund, që shfaqet edhe në momentet më të vështira të jetës. Përvoja e plagës është një shenjë e forcës dhe rezistencës për të vazhduar përpara në jetë, edhe nën kushte të vështira. Plagët na mësojnë mënyra të reja të shikimit, rritin vetëdijen tonë dhe na ndihmojnë të zhvillojmë më tej si individë, duke na bërë më të fortë dhe më të përparuar.

Me këso ndjesish janë shkruar edhe krijimet poetike “Njëqind herë e putha pragun e derës...(Ose, ecje Iliriane...)”, “Sonte mbi urën e kujtimeve... “, “Vetëm kaq...“ etj. Në to shqiptohet një udhëtim shpirtëror dhe emocional i autorit nëpër kujtime dhe emocione të shumta, duke përshkruar një përvojë të plotë jetësore dhe një kërkim për identitet dhe kuptim në botën e gjerë. Është një rrugëtim i thellë brenda vetvetes dhe një lidhje e ngushtë me vendlindjen dhe trashëgiminë kulturore. Janë edhe çaste reflektimi mbi kujtimet dhe vlerat e jetës, duke theksuar rëndësinë e përjetshme të kujtimeve dhe dashurisë për të kaluarën dhe vendlindjen deri te ndjesia e mungesës dhe reflektimit mbi çastin dhe rëndësinë e jetës. “Mbi varr të nënës“ me tone elegjiake shpreh ndjenjën e thellë të humbjes dhe vetmisë pas largimit të nënës. Fjala e nënës së ndjerë është e kërkuar, por heshtja dhe mungesa e saj e bëjnë të ndjehet edhe më i vetmuar. 

Edhe te poema “Në krahët e fluturës së bardhë...(Ose, baladë për pelegrinazhin e zemrës time)” hasim po atë shtegtim të brendshëm shpirtëror të zemrës së autorit nëpër kujtime, emocione dhe histori personale dhe kolektive. Përmes vargjesh të ndërliqshme dhe të përmbushura me detaje, autori udhëton nëpër vende të ndryshme të kujtesës dhe emocioneve. Këto vende shënojnë momente dhe ngjarje të rëndësishme, si lindja, dashuria, përballja me vdekjen, udhëtimet e jetës dhe ngjarje historike. Përmes një ngjashmërie simbolike me fluturën e bardhë, autori shpreh aspiratat dhe shpresat e tij për liri; një udhëtim për të gjetur lumturinë. Flutura e bardhë përfaqëson lirinë përgjithësisht dhe lirinë e shpirtit, në veçanti, ndërsa zemra që rri në krahët e saj simbolizon udhëtimin shpirtëror dhe rënien në ndjenjat e thella. Një poezi vërtet e realizuar.

Gjithë plagë kujtese, evokimi e përjetimi është edhe poezia “Golgotë apo takim... (Kushtuar motrës sime, Hysës)”, "Vonë më ke Lindur...", "Muze i traditës, thanë..." dhe "Amaneti i Mësuesit”. Këto poezi shfaqin një përvojë shpirtërore dhe emocionale, duke shprehur përballjen me vuajtjen, humbjen, dhe rrugëtimin në jetë. Te "Amaneti i Mësuesit", një mësues lë një amanet për nxënësit e tij për të dashur dhe për t’u kujdesur për atdheun. Kjo poezi shfaq rëndësinë e arsimtarëve dhe të edukimit në formimin e gjeneratave të reja, duke sjellë një mesazh për të dashurinë ndaj vendit dhe për kujdesin për trashëgiminë kulturore dhe historike.

Te poezia “Ka ardhur koha” ka një thirrje për ndryshime thelbësore dhe përmirësim të vendit dhe shoqërisë. Autori përshkruan një vizion për një atdhe të përmirësuar dhe të lumtur. Poezia fillon me një thirrje për shkundjen e vlerave të vjetra dhe pastrimin nga situatat e mëparshme negative, me kërkesën për të folur hapur për historinë dhe ngjarjet e kaluara, duke theksuar nevojën për të kuptuar dhe përballuar sfidat e kohërave të kaluara. Poezia përfundon me një vizion optimist për të ardhmen e vendit, duke përshkruar një atdhe të lidhur me virtytet dhe vlerat e tij të vërteta. 

Ky proces reflektimi shfaqet si një udhëtim i brendshëm për ta kuptuar më mirë veten dhe botën rreth tij. Në këtë rrugëtim, shfaqen mësime dhe kuptime të thella, të cilat shpesh lidhen me humbje, dështime dhe zhvillim personal. Trajtimi i kësaj teme në poezi e bën atë të përshtatshme për të shprehur një përpjekje për reflektim të thellë dhe për të gjetur një kuptim më dinjitoz në përvojat e jetës. 


5. Në fund ose në dalje nga libri 


Vëllimi poetik “Peja, dhembja dhe krenaria ime... (poemë të cilën kurrë nuk e përfundova)”, vjen si libri më i realizuar, më gjithëpërfshirës e më sintetik për nga vlerat artistike të deritashme të poetit Sejdi Berisha. Ky libër shquhet për cilësi artistike, për përkushtim të thellë ndaj temës, ideve e motiveve, për shkëlqimin e gjuhës, për trajtimet komplekse të temave e motiveve njerëzore, personale e nacionale, të cilat shpalosin dimensione të ndryshme, duke ngritur pyetje dhe bën lexuesin të reflektojë. Është një referencë e rëndësishme për krijimtarinë e autorit e më gjerë. Thuhet se një qytet duhet ta ketë veprën letrare që e monumentalizon. Pra, Peja tashmë e ka këtë vepër të Sejdi BERISHËS, me rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzit, kujtesën dhe kulturën e këtij qyteti. Ajo poetikisht përfaqëson historinë, kulturën dhe karakteristikat e veçanta të këtij qyteti dhe shpalos emocionet dhe përjetimet që e bëjnë atë qytet unik. Është vepër inspiruese, motivuese dhe frymëzuese që reflekton këtë identitet qytetar. Vepra përmban referenca të shumta historike e legjendare që lidhen me qytetin dhe ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive. 


Shkurt 2024


32 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page