top of page

POEZIA E DRITËS


Adem Gashi

(Në observim vëllimi poetik ”Andrra e gjethe” i Drita Ademi Beqirit, Botimet TOENA, Tiranë 2018)

Paraqitja ime këtu, sot, zhvillohet në dy plane, për librin dhe për poezinë. Në mënyrë krejt të parëndomtë për raste të këtilla promocionale nis me vërejtje për librin që s’e ka adresë autoren po botuesin, dhe në mënyrë të rëndomtë, për artin poetik, që e ka në shënjestër pikërisht krijimtarinë letrare të autores. Për të parën më motivon studimi i ilirologut të famshëm arbëresh, Aleksandër Stipçeviqit. Ka ndonja pesëdhjetë vjet që ai kishte bërë një studim në nivel libri pikërisht për Rëndësinë, kulturën dhe kujdesin e përgatitjes së librit. Pra libër për librin. Këtë librin “Andrra e gjethe” të Dritës e mora para disa ditëve në variantin elektronik PDF. Them se kështu duhet të jetë edhe kopja fizike, edituar nga botuesi i famshëm TOENA. Lexoj në frontespic: Botues: Irena Toçi, Kryeredaktore: Sonila Kapo. Redaktorë: Primo Shllaku - Anrila Spahija, Korrektore letrare: Majlinda Bami, Përkujdesja grafike: Elsa Hajderaj. A justifikohet prania e gjithë kësaj armate në këtë libër? Duke i njohur një për një them se jo. Libri ka dy linja paralele, 49 poezi (në gegnisht) dhe 52 (në standardin letrar) e që janë po ato. I bie se janë 101 poezi. Në variantin gegnisht gjej jo pak trajta të rrëshqitshme të standardit dhe formulime të diskutueshme të dialektit. Hove-hove edhe thyerje vargu dhe pasaktësi interpunksioni. Këtu qëndron vërejtja për botuesin. Për poezinë e Dritës T’ju them që në fillim se di shumë pak nga biografia e Dritës, po di relativisht shumë nga bibliografia e saj. Jemi miq qëkur në rrjetet sociale, aty ku së pari kam lexuar poezitë e saja, dhe kur e kur i kam shoqëruar edhe me komente. Di për botimin e saj “Placebo” në anglisht, për botimet në gjermanisht e frëngjisht, për çmimet letrare në gjermanisht e të tjera. Nga e gjithë kjo ju them se Drita, bashkë me tri poetesha të tjera, krijuese në botën e mërgimit (nuk më duket i saktë termini disaporë) përbëjnë kuartetin e madh në fushën e poezisë. Kam parasysh, Reshida Çobën në Amerikë, Entela Tabakun në Suedi dhe Ardita Jatru-në në Greqi. Ju mund të thoni se ç’konstatim i guximshëm! Mund të thoni edhe se ç’konstatim i çmendur! Unë nuk po i vë pikë. Mund të shtoni e mund të hiqni, të pajtoheni e të mos pajtoheni me mua. Ky është gjykimi im për aq sa përthekon dija ime dhe mbresat e mia. Me të parën Dritën e lidh haiku; me të dytën lirika meditative, me të tretën botëpërjetimi i vuajtshëm deri në fatalitet, që i bie filozofia e poezisë. Të gjitha së bashku janë përfaqësimi më i denjë i poezisë moderne shqipe, përkatësisht niveli më i lartë i realizimit estetiko-letrar. Që të katërtat kanë veçantinë e kursimit të tekstit ose, siç thuhet, të ekonomizimit të gjuhës, mënjanë retorikës koti. Nuk gjeni tek asnjëra qoftë edhe një fjalë të vetme të tepërt. Haiku i Dritës, ndërkaq, është më i lirshëm dhe nuk i rri besnik variantit klasik japonez në planin e ritmit dhe të metrikës. Ndoshta këtij tipi poezie i rri më saktë emërtimi shkurtima (sipas Xhevahir Spahiut), të cilit dikur i thoshim miniatura. Kur ma lavdëronin dikur miqtë e mi poezinë time dhe më thoshin është antologjike, unë përgjigjesha: Nëse në jetën time bëj një të tillë ndihem i përmbushur. Në librin e Dritës gjej nja dhjetë a njëmbëdhjetë të tilla, antologjike pra. E veçoj poezinë Dialog me Azem Shkrelin, Flokët nuk po më thinjën, A e njihni nanën time, Ulqin, Toka e diellit, Era e dhimbjes, Vdekja me za t’naltë, Iku baba, Eja të vdesim nga dashunia, Ora 10.43’ dhe Dimën. Në këto dhe në shumë lirika të tjera them se figura qendrore janë oksimoroni dhe kontrasti që i japin bukuri forme e thellësi mendimi frazës së poeteshës. Në poezinë A e njihni nanën time gjeni konstatimin goditës Ajo është vrasëse. Dhe ju stepeni, ngrini, akulloheni për një çast. Pastaj vjen grafiku qetësues: ajo gjashtë herë vrau vdekjen që t’u japë jetë gjashtë krijesave të saja: Gjashtë herë vdekjen e ka vra egërsisht, vetëm e vetëm t’u falte copëza dielli syve të mi e syve të motrës time e katër vllazënve të mi... …Ju nuk mund ta njihni Nanën time. Oh, ç’besim për ne ajo gatoi dhe ende gatuen

Është shkruar e folur shumë për mallin vrasës të mërgimit. Na kanë bombarduar me patetizëm e vuajtje e nostalgji e vaj e lot. O Zot! Shihni ç’bën Drita! E shkarkon gjithë atë dramë me tri a katër fjalë në poezinë Ulqini: Në pasqyrën e pasme zhdukej atdheu. U tremba. E pranoj, nuk kam lexuar trishtim më të fundbotshëm. Ose te Vdekja me za t’naltë: ...Nis e sos njeriu, lufton për t’u bërë vdekje me zë të lartë. E vdekja veç hesht… Nuk është në natyrën time të merrem kaq shumë e kaq gjatë me referenca e citime dhe sidomos jo në shënime të këtilla promovuese. Disa nga poezitë edhe i dëgjuat, po nuk më bën zëmra punë të shmang edhe dy poezi. Të dytën e këtij libri, Ti ike: unë po rri jemi dy vjeshta me shi. Dhe Dialog me Azem Shkrelin: Kur lirika vonohet me u kthye n`atdhe a e din kujt i ngjaj? Zogut i ngjaj. Zogut që e pat vra gjuetari në fëmijëninë time. Zogu pat ra në tokë pa frymë, e fshihte kryet nën shi. I lëshonte krahët përdhe dhe e përzinte shpirtin... Më vjen si zbulim edhe një fakt duke lexuar poezinë e Dritës. Lirikat e këtilla në njëfarë dore ta mbyllin gojën. Nuk të lënë të kullandrisësh nëpër retorikë boshe. Ato janë botë me vete. Mund t’i lexosh dhe t’i përjetosh së brendshmi, së thelli, tronditshim, përvdekshëm, kaq. A nuk janë të tilla mrekullitë! A nuk janë të tilla Orët e Zanat e mitologjisë shqiptare që të lënë pa gojë? Një gjë të fundit për Dritën, një gjë që bie në kategorinë e akseologjisë letrare: Vargjet e tua na bëjnë ta duam edhe vdekjen. ____________________ Prishtinë, 13 mars 2021

105 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page