top of page

Bernard Zotaj: Misioni historik i divizioneve …




Misioni historik i divizioneve shqiptare dhe dëshmorët e rënë përtej kufijëve shtetëror


Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj


UNÇSH, emblem e ndritshme e kombit shqiptar


Në pragun e çlirimit të Shqipërisë DVS dhe DVIS, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH Enver Hoxha, kaluan kufijtë shtetërorë, për të vazhduar luftën kundër trupave naziste deri në përzënien e tyre nga Ballkani. DVIS (BrVIS, BrVIIS, BrVIIIS, BrXXIIS) e kaloi kufirin në zonën e Malit te Zi, ndërsa DVS (BrIIIS, BrVS, BrXXVS) së bashku me brigadat e luftëtarëve të Kosovës, luftuan për çlirimin e saj dhe, më pas, vazhduan luftimet në veri të Sanxhakut e në zona të tjera. Të dy divizionet sulmuese, në kushtet e një dimri shumë të ashpër, të veshur keq, me mungesa të jashtëzakonshme ushqimore, në kufijtë ekstrem të mbijetesës, duke marshuar ditë e natë në këmbë nëpër male të larta të mbuluara me borë e akull, zhvilluan luftime e beteja heroike në frontet më të vështira.

DVIS çliroi me radhë Tuzin, kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricën, Bioçen, Bjellopoljen, Vishegradin etj. DVS çliroi gjithë zonën e Sanxhakut dhe që të dy divizionet, duke ndjekur e luftuar armikun, u bashkuan në Bosnje-Hercegovinë. Këtu përfundoi misioni i tyre historik, në ndihmë të vëllezërve në Kosovë e në trevat e tjera shqiptare jashtë kufirit shtetëror, si dhe në kuadrin e Aleancës së Madhe Antifashiste: Anglo-Sovjeto-Amerikane.

Në luftimet e zhvilluara në Kosovë e Jugosllavi ranë dëshmorë mbi 600 partizanë e partizane. Një e vërtetë e madhe historike është se Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare, për herë të parë në histori, çliroi me armët dhe forcat e veta gjithë trojet etnike nga Saranda në Vishegrad dhe nga Durrësi në Preshevë. Por ende një monument i tillë nuk është ngritur si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë.

Duan apo s’duan forca të caktuara politike, duan apo s’duan serbo-sllavët, ky akt i UNÇSH, ka mbetur në histori, si një nga emblemat më të ndritshme të kombit shqiptar. Kjo luftë, veçanërisht lufta përtej kufijve shtetërorë, e radhiti kombin shqiptar përkrah Koalicionit Antifashist me dinjitet. Një ushtri e një populli të vogël, dha kontribute kaq të mëdha, duke çliruar nga nazifashizmi Shqipërinë dhe trojet etnike me forcat e veta e duke ndihmuar popujt e ish Jugosllavisë. Udhëheqja shqiptare e luftës, me kohë kishte menduar, si për çlirimin e territorit të shtetit shqiptar, ashtu dhe për vëllezërit Kosovarë e në vise të tjera në trojet e veta nën Jugosllavi.

Duke mbështetur me vepra, vendimet e Konferencës së Bujanit, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, forca të UNÇSH, morën pjesë në çlirimin e Dibrës, të Strugës e të vendeve të tjera në Luginën e Vardarit. Brigadat e UNÇSH, BrIIIS dhe BrVS, kaluan në Kosovë në vjeshtën e vitit 1944, rreth tre muaj para çlirimit të Shqipërisë. Me veprimtari luftarake dhe politike, forcat partizane ndihmuan në çlirimin e trojeve etnike nga nazistët e bashkëpunëtorët e tyre dhe e bindën popullin se e vetmja rrugë shpëtimi ishte pjesëmarrja në luftë kundër pushtuesve nazistë, bashkë me popujt e tjerë të Jugosllvisë.


Brigadat sulmuese bënë që lufta antifashiste e popullit të Kosovës të marrë hov


Kujtojmë se situata në këtë kohë në Kosovë ishte tepër komplekse. Mllefi i akumuluar ndaj popullsisë shqiptare nga serbët, maqedonët dhe malazezët, gjatë kohës së pushtimit fashist ka qenë i papërmbajtshëm. Ata ishin betuar se, kur të largoheshin gjermanët, do t’u ktheheshin shqiptarëve me tërë egërsinë e tyre antinjerëzore, për të mos lënë shqiptar të gjallë, veç tradhëtarëve që u shërbenin. Që atëherë ishte parashikuar të ndodhte ajo që ndodhi në pranverën e vitit 1999. Dhe po të ndodhte atëherë kjo, shqiptarët kurrë nuk do të ishin kthyer në trojet e tyre, me sa janë kthyer ata që janë dëbuar në vitet 1870-1880 nga zonat e Nishit, Vranjës, Prokupjes, Leskocit etj. E kemi të gjallë shembullin e vëllezërve çamë, se ç’ka ndodhur e ç’po ndodh dhe sot me ta…

Planet për larje hesapesh me shqiptarët kanë qenë tepër ogurzeza. Ideatori i platformës makabre, ishte Vasa Jubriloviçi. Ky arkitetkti i mendimit shovinist serb akuzonte se “shqiptarët e Kosovës u bashkuan me italianët e gjermanët, u armatosën prej tyre dhe filluan me tërbim të shkretonin në fshatrat serbe, dogjën me mijëra shtëpi, populli serb u sulmua pa asnjë arsye… dhe vazhdonte se “luftërat, janë momenti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve”. Jubriloviçi shpreh bindjen se “aleatët tanë do të na kuptojnë dhe do të plotësojnë dëshirat tona. Veçanërisht një shpresë të madhe kemi te Bashkimi Sovjetik vëlla”. Dhe, jepte direktivën ushtarake: “Ushtria, gjatë operacioneve luftarake, duhet të spastrojë në mënyrë të planifikuar e pa mëshire pakicat kombëtare shqiptare”. Kosova e sfidoi duke ngritur në luftë 55 mijë djem të saj.

Konferenca e Posdamit (Çurçill-Stalin-Rusvelt), u jepte të drejtë shteteve të Europës Lindore e Qendrore, fituese në Luftën e Dytë Botërore, për depërtimin e pakicave kombëtare, që ishin bashkuar me bllokun fashist. Nuk u prekën nga shpërnguljet shqiptarët dhe bullgaro-maqedonet e Jugosllavisë, falë pjesëmarrjes së tyre në luftë kundër fashizmit. Pjesëmarrja e brigadave tona në çlirimin e Kosovës, bëri që lufta antifashiste e popullit të Kosovës, të marrë një hov më të madh, ndërgjegja kombëtare të ngrihej në një nivel më të lartë, në mënyrë që ai të dilte ballëhapur përpara fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Në kohën që brigadat sulmuese ndodheshin në Kosovë, ato bënë që të ndalohet dora kriminale e shovinistëve serb. Në qoftë se populli i Kosovës nuk do të rrëmbente armët kundër nazizmit dhe nëse brigadat sulmuese nuk do të ndodheshin në Kosovë, në atë periudhë të shkurtër disa mujore, masakrat serbe ndaj popullit shqiptar të Kosovës do të merrnin përmasa shfarosëse masive, të papara kurrë dhe Kosova qysh atëherë do të ishte shpopulluar krejt nga shqiptarët. Në kushtet e luftës së ashpër, pa mjete informacioni dhe Aleatët e Mëdhenj të angazhuar në Frontin Perëndimor e Lindor, kur mashtrimet nuk ishte vështirë të mbuloheshin, terrori shfarosës ishte më i lehtë.

Prania e brigadave sulmuese bëri që kjo të mos ndodhte në atë shkallë fatale, që e donin serbët. Ngjarjet e mëvonëshme, pas largimit të brigadave sulmuese, provuan shumë gjëra. Pas çlirimit të Kosovës nga forcat gjermane, dhe largimit të brigadave sulmuese në ndjekje të armikut në dhjetor 1944-shkurt 1945, filloi të vihej në zbatim platforma serbe. Ushtria serbosllave dhe sidomos forcat çetnike filluan një operacion të egër në Kosovë, ndërkohë divizionet sulmuese kishin kaluar në ndjekje të ushtrisë gjermane në Sanxhak e në Bosnjen Jugore. Në vetëmbrojtje për jetë a vdekje, populli shqiptar i Kosovës, me komandantin Shaban Polluzha, bëri qëndresë të armatosur të fortë, operacionit ndëshkimor serbo-malazes e maqedon.

Dokumente të kohës dhe dëshmitarë vërtetojnë se humbjet kanë qenë të mëdha. Këto ndodhën pas shpine të divizioneve sulmuese, por kur shovinistët morën vesh se po ktheheshin, masakrat ndaluan. Ngritja masivisht e popullit shqiptar të Kosovës në luftë kundër fashizmit, përkrah vëllezërve nga Shqipëria dhe prania e dy divizioneve të Ushtrise Nacionalçlirimtare Shqiptare, ka qenë faktori vendimtar, që e ka ndalur masakrën masive asgjësuese për popullin shqiptar të Kosovës. Vite kanë kaluar por ende mendje të turbullta të njerëzve, nuk u kanë lënë vendin mendjeve të ndritura, që të gjykohet me gjakftohtësi dhe shqiptarët e Kosovës ta kuptojnë politikën e drejtë e largpamëse të ndjekur nga udhëheqësit e LANÇ në Shqipërisë, lidhur me çështjen e Kosovës. Pa këtë ndihmë nga Shqipëria Mëmë, Kosova nuk do të kishte arritur kurrë në këtë pikë, ku ndodhet.

Sot ka zëra që thonë, “përse divizionet tona nuk qëndruan në Kosovë, por vazhduan ndjekjen e ushtrisë gjermane në thellësi të tokave të Jugosllavisë”? Po të veprohej kështu, UNÇSH, që nga ky moment jo vetëm do të ishte përjashtuar nga Koalicioni Antifashist, por menjëherë asaj do t’i duhej të përballej me të. Ushtria sovjetike kishte arritur në Beograd. Askush nuk do ta mbronte Shqipërinë. Ajo do të merrte ndëshkimin më të rëndë, deri në copëtimin e plotë saj. Planet kanë qenë gati. Parrulla “për Shqipërinë etnike”, e hedhur në atë kohë ka qenë në kundrështim të plotë me angazhimet e Shqipërisë në Aleancën Antifashiste, e cila nuk njihte ndryshimet e kufinjve, që kishte bërë nazifashizmi.


Populli shqiptar u radhit me dinjitet përkrah fitimtarëve


Sot ka zëra që thonë se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, nuk ishte nacionalçlirimtare, por luftë civile. Kalimi i divizioneve të UNÇSH përtej kufijve shtetërore në ndjekje të ushtrisë gjermane me luftime e beteja të përgjakshme deri në Vishegrad, është argumenti më i pakundërshtueshëm se ajo ishte një luftë e pastër nacionalçlirimtare, siç ishte për të gjitha vendet e pushtuara nga nazifashizmi. Me këtë akt populli shqiptar do të radhitej me dinjitet përkrah fitimtarëve, për herë të parë në histori. Kjo rrugë e nisur nga Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore po ndiqet edhe sot në kuadrin e alencës së re botërore kundër terrorizmit, me SHBA në krye. Forcat tona të Armatosura, anëtare të NATO-s, janë sot të pranishme në zonat më të nxehta të globit. Ato kanë ngritur flamurin tonë kombëtar në Bosnje, në Afganistan dhe në Irak, përkrah SHBA.

Lufta për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi do të ngelen në gjerdanin e artë të sukseseve të UNÇSH. Hyrja e forcave partizane të UNÇ në territorin Jugosllav u bë në marrëveshje me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇJ. Për të organizuar këtë bashkëpunim punonte dhe misioni ushtarak jugosllav pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ. Rreth 20.000 luftëtarë të rreshtuar në dy divizione të përbërë në 7 brigada u angazhuan në luftën për çlirimin në tokat Jugosllave duke kryer tre operacione mësymëse të rëndësishme në Mal të Zi, Sanxhak e në Bosnjen Jugore.

Duke patur parasysh objektivat e përcaktuara, si dhe largësinë e madhe nga bazat e furnizimit të territorit shqiptar, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ kërkonte bashkëpunim e bashkëveprim me UNÇJ veçanërisht për furnizimin me ushqim, veshmbathje e municion, por ato u ndeshën shpesh me indiferentizmin e Shtabit të Përgjithshëm te UNÇJ. Në të njëjtën situatë ato u ndodhën edhe gjatë kryerjes së operacioneve luftarake. Në shumë raste edhe pse ishte biseduar dhe koordinuar për bashkëveprim, forcat partizane shqiptare ndodheshin përballë të papriturave serioze, por që shtabet e tyre ditën t’i zgjidhnin me sukses ato.


Dëshmorët dëshmi e kësaj lufte


Pavarësisht nga pengesat Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare plotësoi detyrat me kontributin e saj edhe në ndihmë të popujve të Jugosllavisë duke dhënë gjakun e 600 dëshmorëve të saj. Historiografia jugosllave është përpjekur të zvogëlojë vlerat e kontributit që kryen UNÇSH në ish Jugosllavi gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se mjaft drejtues të divizioneve u dekoruan me urdhërin e lartë të Trimërisë nga Tito. Në librin “Historia e Jugosllavisë 1918-1970” është lënë qëllimisht në harresë kontributi dhe lufta heroike e bërë nga DVS dhe DVIS të cilët zhvilluan beteja të përgjakshme me nazistët gjermanë për çlirimin e Malit të Zi dhe Bosnjes Jugore duke hyrë fitimtarë në Vishegrad. Dokumentat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇJ kundërshtojnë këto thënie duke deklaruar se: “Në Mal të Zi repartet tona dhe ato shqiptare vazhdojnë pandërprerë sulmet mbi grupimet gjermane në zonën malore të Tarit, luftimet më të ashpra janë zhvilluar pranë Matoshevos”. Në Luftën e Dytë Botërore u rreshtuan në llogore çlirimtarë dhe pushtues. Mënçuria e popullit tonë dhe fati na rreshtuan në një llogore me çlirimtarë antifashistë.

Dëshmorët e rënë në luftime përtej kufijve shtetëror janë të brigadave të DVS dhe DVIS, që ishin pjesë e armatës së madhe të dëshmorëve të UNÇSH. Në vitin 1946 eshtrat e dëshmorëve u vendosën në varrezat e dëshmorëve të çdo rrethi. Në vitin 1975 erdhën një pjesë e eshtrave të dëshmorëve të rënë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Dëshmorët e rënë nga DVS sipas brigadave janë: BrIIIS ka dhënë 155 dëshmorë, ku nga këta 103 shqiptarë, 2 maqedonas, 45 kosovarë, 3 jugosllavë dhe 3 armen; BrVS ka dhënë 149 ku 105 shqiptar, 39 kosovar dhe 5 italian; nga BrXXVS ranë 56 dëshmorëve, ku 28 nga Tropoja, 14 Hasi dhe 14 Kosova.

Nga DVIS sipas brigadave ranë: BrVIS dha nga gjiri i saj 62 dëshmorë, ku në vitin 1944 ranë 20 luftëtarë dhe në vitin 1945, 42 partizanë; nga BrVIIS ranë 107 luftëtarë, 27 në vitin 1944 dhe 80 në vitin 1945; nga BrVIIIS ranë 60, ku 17 në vitin 1944 dhe 43 në vitin 1945; nga BrXXIIS ranë 77, ku 31 në vitin 1944 dhe 46 në vitin 1945.

Dëshmorë të rënë nga të dy divizionet shqiptare shkon në 666 luftëtarë.

Ndërsa të plagosur nga DVIS 223, nga DVS pati 307 të plagosur, gjithashtu kanë vdekur nga sëmundja e tifos 260.

Mirënjohje në shekuj të gjithë djemeve e vajzave që derdhën gjakun dhe kontribuan për ngritjen e Kosovës në luftë kundër fashizmit, në kuadrin e Aleancës Antifashiste Botërore.

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page