top of page

Poezia Baladë e Fatmir Terziut


Poezia Baladë e Fatmir Terziut

Nga Dr Shpresa Gjergji


HYRJE


"Lemza e gurit" nga poeti i mirënjohur, Fatmir Terziu, është një poezi "baladë", të cilën do ta quaja, sepse brenda saj ka një jetë..., por më së shumti, sepse gjithçka e shkruar është e thellë në përmbajtje, e veçantë në strukturë, tejet filozofike në simbolizmin e përdorur, një perlë në thesarin e krijimeve të sotme poetike, dhe e munguar në tekstet shkollore shqiptare.

Kjo poezi "baladë" vjen kaq lehtas tek lexuesi, sepse poeti ynë është i afirmuar tashmë me stilin dhe sensin filozofik të të shkruarit, por me kontekstin simbolik të "gurit", sjell një dimension të ri filozofik, që flet për rrënjën, ekzistencën, mbijetesën, kulturën, traditën dhe forcën që mbart lidhja filozofike e gurit me njeriun. Qysh në fillim të poezisë vemë re:


"E ndjej fort trokitjen e sendit të medaltë,

djepi përkundet,

pa fjalë,

shëtisim vite larg bashkë"


Një rrugëtim i gjatë që s'do bujë, një jetë e tërë sakrificash, mundimesh, sfidash e arritjesh, që me gjuhën e syve komunikon në sinkron. Gjuha e syve është gjuha e zemrës, e mendjes, është gjuha e mirëkuptimit që i jep vlera marrëdhënies. Një gjuhë e thellë që "gdhend gurin në paqe", pra ngadalë e me urtësi me kohën, me jetën, duke shprehur ndryshimin nëpërmjet vazhdimësisë...


SIMBOLIKA


a.- Guri

Një simbol që dëshmon qëndresë, guri një suport ideal në jetë, guri që dhimbjen e kthen në heshtje, guri që "lemzën e tij e kthen në këngë", në këtë poezi është një spikatje e fortë, e jashtëzakonshme për të shprehur botën e autorit. Nëse do ta krahasoja me "gurin" e Ali Podrimjes, do të shtoja se ky "gur" në mënyrë absolute ka peshën e jetës, ka zërin e poetit, ka brengat, qëndresën ndaj sfidave dhe bukurinë e këngës së shpirtit. Aq më tepër që në këtë poezi, simbolika e gurit ndërthuret bukur me atë të "çekiçit", i cili e gdhend gurin, duket si sfidë, por që merr një kuptim të veçantë. Jeta pa sfida ska kuptim, ashtu edhe guri pa çekiçin nuk do të gdhendej...


"...i shtrenjti çekiç,

kërkon të më këndoj ninullë nga thesaret e tij,

pesha një hiç"


b.- Çekiçi


Një tjetër simbolizim në këte poezi, nuk ështe i çuditshëm, madje për autorin "pesha e tij hiç"...

Ka një metaforikë të rallë, ka një përfundim implicit, i cili te nxjerr në një shteg ku lexuesit i vjen për zemër të ndjej paqen dhe këngën, jetën dhe ëndrrën, të kuptojë Librin e Shenjtë dhe murin krenar (qendresa), të dëgjojë djepin dhe ninullën, lemzën e gurit (kujtimet) dhe të kërkojë kohën e vjetër...

Eh sa shumë ka për të thënë..., prandaj jo me kot, e quajta "poezia baladë"!

"Çekiçi" si një simbolikë unike, duket se personifikon sfidat. Pa sfida jeta do të ishte monotone, me sfidat ëndrrat marrin kuptim, por kur ato kapërcehen, pesha e çekiçit s'merr vlerë. Kjo nënkupton se poeti është i fortë si "guri i qoshes", mban në themele gjithçka që ka ngritur vetë. Forca e qëndresës dhe krahasimet e figurshme të përdorura i japin poezisë shpirtin e paepur dhe burrëror.


LEMZA E GURIT


Ky është dhe titulli i spikatur i poezisë, por jo me kot e lashë për më pas simboliken e "lemzës së gurit", kjo për faktin se doja të ndalesha më gjatë.

"Lemza" në trajtesën popullore nënkupton "të kujtuarin nga dikush", sa herë të zë lemza, themi që patjeter dikush të kujton. A thua se gurin e qoshes e zinte lemza dhe ky dikush ishte çekiçi, se ky dikush ishte "gdhendja", apo vetë sfidat e jetës nuk e kanë lënë të qetë poetin?!

E pra, metaforika është më e thellë... Aty ka një botë explicite, gjithë detaje të nënshprehura, brenda kontekstit në këtë rrugëtim, të cilat padyshim përbëjnë "qëndresën", i japin vitalitet poezisë, sjellin vlera kuptimore, simbolike e filozofike në këtë poezi brilante unike të prof. Fatmir Terziut.


UNË (uni poetik)

"Uni poetik" vjen si një simbolikë e shtuar: "...edhe Unë patjetër", poeti është vetëvetja kundrejt përjetimeve, është personaliteti i tij individualist i dallueshëm, që e sheh botën me "dhembë" kur ka "dhimbje", sepse për të, ky rrugëtim është jetë, ëndërr, mendime, luftë, sfidë, "gur themeli që i gdhendur në paqe, qëndron pa fjalë në qoshen e murit"...

Madje këtu, ai vjen si një paralelizëm me murin, për të shprehur qëndresën, forcën e pashterrshme në atë çka e karakterizon atë (poetin).


FIGURATIVIZMI SI NJË SHPREHJE E NIVELIT TË LARTË POETIK


Së pari, do të thërrisja fort, për të thënë se kjo poezi mishëron beteja, sprova, fitore pa diskutim, arritje dhe mbi të gjitha një botë optimiste plot forcë të poetit, për ta kënduar atë "këngë", të cilën "me dhimbje e mban me dhëmbë"..., për ta jetuar e gëzuar atë ç'ka Universi i ka dhënë mundësi.

Ka diçka që më shpie në një "çesmë plot ujë të kulluar", jane pikërisht, sytë e shpirtit, gjuha e brendshme e tyre në këtë rrugëtim:


"...bashkë,

lexojmë,

Librin e Shenjtë të shkruar duke ëndërruar,

mbi themelin ku ngrihet muri që mbahet krenar..."


Vëmë re se poeti ynë është besimtar dhe këtë rrugetim e ndjek me besim tek "Bibla" (Libri i Shenjtë) si një udhërrefyese e pandarë...madje nënkupton që ka një mike të mirë në krah me të cilën i kalon "sfidat" dhe "betejat" kur thotë: "sa mote që qenkemi pranë"; "shëtisim vite larg bashkë".


Si figura letrare, jo pak të lëvruara më këte poezi (poeti ynë është shumë "fin", ka aftësinë profesionale dhe një intuitë jashtëzakonisht të zhvilluar letrare) do të veçoja krahasimet "si një shpirt", si në letër, si një lëmsh, si një dhimbje; metaforikën e shprehur nëpërmjet simbolikës, paralelizmin e shprehur në vargjet:

"Motet bëhen njësh,

kuptueshëm si në letër,

e vargu hyn në poezi si një lëmsh...", ku vitet janë vendosur në një paralelizëm poetik me vargjet e poezisë, një domethënie e madhe, ashtu si vargjet edhe "motet" (vitet, ky rrugëtim), janë shprehje e një jete të jetuar shumë e me shumë bëma, arritje, realizime, sfida etj.

Nëpërmjet antitezës së përdorur:

"...mbledh lemzën e gurit nga koha e vjetër,

e tashmë e kthen në një këngë..."

Dy gjëra të kundërta, lemza dhe kënga, ku spikat së tepërmi një frymë pozitiviteti, për të ndriçuar shpirtin poetik optimist të poetit, ku me shumë finesë di ta drejtojë vargun poetik me detaje, ku nuk mungon edhe nënteksti.


NËNTEKSTI


Nëntekstin doja ta shikoja në dy këndvështrime:


Së pari në aspektin metaforik dhe atë të perdorimit të njësisë frazeologjike. Në të dyja këto aspekte, do të theksoja se sa më e thellë ana filozofike e komunikimit me lexuesin, aq më e thellë metaforika e përdorur.

Së dyti, simbolika, që sidomos i jep kuptim metaforik të shprehurit. P.sh. që në titull me "Lemza e gurit" (kujtimet, përjetimet) metaforizmi i jep një unikalitet krijimit, ose "guri i qoshes" kemi nënkuptuar në mënyrë metaforike "qëndresën, aftësinë, forcën"; ose kur "djepi përkundet" shpreh padyshim që vitet janë plot bereqet, familja ndër vite është rritur në numër; ose "e ndjej fort trokitjen e sendit të medaltë", duket qartë se poeti ka plot arritje; ose "shkul merimanga nga dërrasat e mbyllura mes tyre" kur i kapërcen sfidat që i dalin, etj.

Së treti, gjithashtu e shoh të përdorur vrullshëm e me stil dhe aftësi poetike e oratorie të një gjuhëtari të sprovuar, edhe njësinë frazeologjike, ku do ta lidhja edhe njëherë me atë që shpreha me sipër, që e quajta poezinë "Lemza e gurit", poezi baladë. Këtu dua të them se poeti shpreh aq shumë brenda një poezie, sa që të duket se brenda vargjeve ekziston një prozë e padukshme, një roman më vete, dhe se elememtet explicit-ës dhe implicit-ës ndërthuren për ta sjellë atë në stilin "fatmirjan", pra e lexuar sikurse në një baladë.

Spikatin më së shumti frazeologji të tipit me bazë metafore të tilla si:

1. "shëtisim vite larg bashkë",

2. "i shtrenjti çekiç,

3. kërkon të më këndoj ninullë nga thesaret e tij",

4. "shkul merimanga",

5. "pëshpërit me gjuhën e syve",

6. "gjuha e syve rrëmon në themele",

7. "unë dhe çekiçi me një mendje",

8. "lemza e gurit kërkon në vigjilje

9. moshën e strukur aty brenda",

10. "udhëtojmë në mendime",

11. "vargu hyn në poezi si një lëmsh,

12. mbledh lemzën e gurit nga koha e vjetër", etj., etj., frazeologji këto, që i japin brum të mirë poezisë dhe e bëjnë atë të thellë e kuptimplote.


SI PËRFUNDIM


Poezia "Lemza e gurit" e poetit akademik, Fatmir Terziut, vjen me vlera të shumëfishta poetike, simbolike, filozofike, metaforike ku frazeologjia e përdorur i jep vargut poetik vlera dhe dimensione të një krijuesi me atësi unike, dhe se mendimi e shpirti i tij krijues qendron shume lart në shprehjen e këtij vargu.

Stili dhe fjala në funksion të së tërës kanë një kornizë të konsoliduar, poezia vjen e kompletuar, gjithçka është produkt i një vetëdije dhe intuite që në thelb ka vulën e Fatmir Terziut! Të tilla poezi e ngren lart stekën për të arritur të tilla maja dhe e thërrasin kastën e poetëve të analizojë e studiojë formën e përmbajtjen e saj për tu përballur, akumuluar dhe reflektuar tek vetja, për të qënë të artikuluar e udhëzuar në produktin poetik të tyre.

Falenderime për këtë poezi të munguar, oeti ynë Fatmir Terziu, që rikthehsh në mesin tonë pas „Penës së Artë“ të fituar së funi në Festivalin Ndërkombëtar të Borås, Suedi!

Kënaqësi dhe detyrë për t'ju lexuar! Urime të përzemerta! (Dr. Shpresa Gjergji)


Poezia „Lemza e gurit“

Autori: Fatmir Terziu


E ndjej fort trokitjen e sendit të medaltë,

djepi përkundet,

pa fjalë,

shëtisim vite larg bashkë,

i shtrenjti çekiç,

kërkon të më këndoj ninullë nga thesari i tij,

pesha një hiç,

shkul merimanga nga dërrasat e mbyllura mes tyre,

e fotografia si një shpirt i dalë në dritë,

pëshpërit me gjuhën e syve.


Gjuha e syve rrëmon në themele

gdhend gurin në paqe të qoshes

unë dhe çekiçi me një mendje

i pikojmë pak ujë mbi ballin e tij të lëmuar, teksa

lemza e gurit kërkon në vigjilje

moshën e strukur aty brenda.


Brenda udhëtojmë në mendime,

Unë, çekiçi dhe Guri i Qoshes bashkë,

lexojmë,

Librin e Shenjtë të shkruar duke ëndërruar,

mbi themelin ku ngrihet muri që mbahet krenar,

e në sofër bekojnë petanikun e shtruar,

sa mote që qenkemi pranë.


Motet bëhen njësh,

kuptueshëm si në letër,

e vargu hyn në poezi si një lëmsh,

mbledh lemzën e gurit nga koha e vjetër,

e tashmë e kthen në një këngë,

ku guri, çekiçi dhe Unë patjetër,

e këndojmë si një dhimbje që mbahet me dhëmbë.

233 views1 comment

1 Comment


Diamanta Zalta

Nje Analize e perkryer e poezise LEMZA E GURIT e shkrimtarit Fatmir Terziu , nga ana e Dr Shpresa Gjergji , ne te cilen kushdo poet apo krijues , mund te kerkoje fizionomine e nje poezie te Eperme , moderne , dhe te vecante ne te gjitha drejtimet , tematikes , fabules , figurave te zgjedhura letrare , stilin e te shkruarit , qasjen finecato te ndjesive te personazhit ne raport me Unin personal te autorit , pedagogjine dhe mesazhin qe percjell kjo poezi KALIBER . Sic thote dhe analistja , kjo eshte nje poezi BALADE dhjetra skena jetike ne varg , dhjetra te verteta qe vetem nepermjet poezish te tilla lexuesi mundet ti spikase , te tilla…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page