top of page

Poezi e kristaltë si shkumëbardhët valë të Drinit


Agim Spahiu

Poezi e kristaltë si shkumëbardhët valë të Drinit

(Rreth vëllimit poetik “Njeriu mbi pikëllimë”, të Agim Spahiut)


Dr Fatmir Terziu


Teksa lexon ribotimin e vëllimit poetik të poetit Agim Spahiu, “Njeriu mbi pikëllimë”, mpleksja artistike e enumeracionit dhe shkallëzimit me inversionin dhe anaforën krijojnë një qetësi të lexuari deri në ndjenjë. Një ndjenjë që vjen në disa mënyra. E para vjen nga vargu që ka pushtet të mirëfilltë poetik nën simpatinë e figurave stilistike, e dyta nga moria e figurave të kuptimit dhe një tjetër nga figurat e fjalës. “Njeriu mbi pikëllimë”, në fakt është një metaforë më vete. Një metaforë që me gjithë forcën e saj titulluese, si mbretëreshë e figurave letrare, ajo ka edhe simpatinë e retorikës, që në gjithë poezitë e tij e ka pranuar si figurë qendrore prej së cilës dalin figurat e tjera. Në këtë mënyrë poeti ka shprehur personalitetin e tij në mënyrë më të plotë se sa në jetën e përditshme të tij e cila 15 vjet më parë u shua mes gërmave që ai i ndriçoi me nektarin poetik në vite. Poeti Spahiu, shumë modele poetike i gjen vërtet të përpunuara me kohë, të kryera nga shumë breza paraardhësish, por në tërësinë e poezisë së tij është veçoria që bie në sy. Autori i ka rezervuar mjeshtërisht rezervat e poetikës, duke i organizuar ato dhe përdorur në mënyrë funksionale e tepër sitematike.

Marrëdhëniet midis poezisë dhe mesazhit

Marrëdhëniet midis poezisë dhe mesazhit që përcjell ajo tek “Njeriu mbi pikëllimë”, janë marëdhënie të sinqerta dhe tepër frymëzuese, poetike të mirëfillta, të lëvruara dhe fuqizuara mbi dhe me norma të ndjeshme dhe natyrshëm të konfigurueshme. Këto marëdhënie e bëjnë poezinë “Njeriu mbi pikëllimë”, një frut përditësie dhe me një jetëgjatësi të shëndetshme për lexuesit e saj të të gjithë moshave, sidomos për ato që e ndjejnë me ëndje dashurinë, sinqeritetin, moralin dhe gjithë postulatet që mirësohen nën siglën njerëzore. Këtu poezia e Spahiut është një ushqyese e mirë dhe e moralshme ku përfshihen format normale të ligjërimit, duke rrëmuar natyrshëm në diapozone të shumta e komplekse e kaluar nëpër shtigje të ngushta e krenare.

Si një organizim i mirëfilltë poetik kjo poezi e renditur si një kujtim poeti është një simbolikë poetike që vjen nën titullin “Njeriu mbi pikëllimë”, si një ndjenjë dhimbjeje e malli të pashtërshëm për njeriun që vuajti nën peshën e shpirtit të tij dhe rrahjet e zemrës për më shumë hapësirë e prosperitet. Ja se si shkruan një vit më parë për të Hamit Alia:

“Agim Spahiu, miku i poetëve e i poezisë, ka 14 vjet që ka vdekur. Shpirti i tij s’ka nevojë të trokasë netëve në dyert e poezisë as të kujtesës së miqve. Ato dyer i ka të hapura përgjithnjë sepse i ka çelur vetë. Ai mbetet poeti më i spikatur i derisotëm në nënqiellinë e Lumës e të Hasit. Një valë e pavdekshme e dy drinave të moçëm të Shqiptarëve.”

(Hamit Alia Tiranë, prill 2007)

Por ajo që e bën jetësinë poetike të Spahiut të ngurtësuar në traditë dhe mbrusur në melosin poetik është funksioni i saj bashkues mbi të cilën bëhet afrimi i gjithë sintezës dhe marëveshjes së heshtur të poetit për të përcjedhur mesazhin. Këtë funksion në poezinë e Spahiut e kryen hapësira, koha dhe vendi në të cilën përjetohet ideja. Poeti përdor një gjuhë me ngjyrim emocinues dhe sugjestionues që përcakton në mjaft poezi llojin e tyre në tërësinë poetike. Kënaqësia që del nga leximi i “Njeriu mbi pikëllimë”, është natyrshëm një arsye më shumë që duhet shtuar për të vlerësuar si një aritje e poetit. Në këtë vëzhgim detajues të poezisë së Spahiut natyrshëm ne ndeshim edhe anën tjetër që lidhet me strukturën poetike. Në tërë strukturën poetike shihet fuqishëm ajo që lidhet me krijimtarinë poetike si art i fjalës. Dhe këtu natyrshëm funksioni estetik luan rolin parësor dhe të pazëvendësueshëm.

Ajo që S. Hamiti e ka quajtur ‘përqëndrim’ është një urë lidhëse në analizën tonë për të kuptuar tiparin e poezisë së Spahiut, por edhe ndikuar arsyeshëm tek ajo që lidhet me frymëzimin në poezinë e tij. Një shembull i mirë në këtë aspekt është poezia “Fara e qëndresës”:

Farën e grurit nga gruroret e kështjellave e kemi

dhe gurët themelet e muret e shtëpive tona

nga të kështjellave i kanë.

Fëmijët në kështjella na kanë lindur,

emrat e mbrojtësve u kemi vënë.

Në këmisha të përgjakura luftëtarësh

prej barkut të lehonave i kemi pritur

e me gërshërë mprehur te gurët

kërthinjve kërthizat u premë…

Në bedena luftonim me dy armë -

zëri i të lindurve na bëhej shpatë.

Pemëtoret me të kështjellave i kemi shartuar

dhe bari, lulet e llojet e drurëve

nga të kështjellave janë.

Urtësinë e trimërinë në kështjella e kemi fituar

dhe me erën e barutit më fort se me erën e bukës

jemi mësuar.

Beden kështjelle është çdo gur i shtëpive tona,

bile edhe kokrra e grurit bedenin ka brenda.

Në këtë poezi shihet qartë se frymëzimi i autorit është tipik dhe përshkohet nga nuanca të fuqishme sintetike që prodhohen nga situata të cilat sipas Platonit gjenden në situata të përhumbura, ose është një gjendje e përhumbur, e hapur ndaj ndjenjave e në dëm të arsyes. Për këtë arsye në këtë poezi ndjehet arsyeja logjike, që lajmëron e siglon arsyen e lidhur në këtë rast me materialen “farë e gurit”.

Konkluzion

Fakti që poezia në përgjithësi nuk e shpreh drejtpërdrejt kërkesën e ditës, ashtu siç ndodh edhe me poezinë e Spahiut, nuk shihet se lidhjet e autorit janë të shkëputura dhe se ai nuk e fikson përditësinë apo nuk e bën atë të jetojë gjatë si një kujtesë e mirëfilltë në mendjen e lexuesit. Poezia e tij në shumë raste e kryen këtë me një ndjeshmëri të lartë. Në poezitë e tij “Prizreni – Kryevendi”, “Sytë e zez qysh i mbylle?!...”, “Nënë Lemja për mëngjesin e luftës”, “Peizazh i ngrirë”,“Në kohën e dashurisë”, “Për partizanin që ra i fundit”, “Lirika e zogjve të pasdrekes”, “Fytyra e grave” kjo ndjeshmëri është një manifestim i çiltër ndjenjash dhe njeshmërish që burojnë nga shkumëbardhësia e Drinit dhe mbesin në tërë kuptimin e tyre, poezi të kristalta.


56 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page