top of page

POETI, STUDIUESI DHE FOLKLORISTI I SHQUAR


SHPENDI TOPOLLAJ


MUMIN SHUTAJ, POETI, STUDIUESI DHE FOLKLORISTI I SHQUAR

ATDHETAR


Me shqiptarët m`atë anë kufirit politik që na ndau në përgjithësi dhe intelektualët e asaj treve në veçanti, miqësohesh shumë shpejt. Mjaft t`i takosh një herë dhe të bëhen aq të afërt, sa të duket se i njeh prej një kohe të gjatë. Lirshëm të vinë në shtëpi kur i fton dhe lumturohen kur u shkon për vizitë në familjet e tyre. Të presin me gjithë të mirat, të mbajnë për drekë a darkë dhe kuptohet që janë të dëshëruar të shkëmbejnë dy fjalë zemre me të ardhurin nga Shqipëria nënë. Kanë për të një mall të pashuar. Përsa u takon njerëzve të letrave, ata e ndiejnë si detyrë të japin kontributin e tyre në forcimin e kësaj dashurie, në evidentimin e vlerave tona kulturore apo për problemet e pazgjidhura kombëtare. Kjo shihet sidomos te librat që ata shkruajnë dhe t`i dhurojnë me gjithë zemër, sikur duan një mendim prej teje: a kanë bërë sa dhe si duhet për atdheun dhe popullin e tyre. I tillë është edhe miku që e kam takuar vetëm një herë në Prishtinë, Mumin Zeqiri Shutaj, kur isha për vizitë atje së bashku me miqtë e mij shkrimtarë Fatmir Minguli, Pol Milo dhe botuesin Aristark Osmani. Nuk patëm kohë të rrinim gjatë, por vetëm aq sa shkëmbyem mes nesh disa nga librat tanë. Njëri libër i Muminit ishte me poezi, “Vals kohësh me shi”, kurse dy të tjerët “Shtegtari iu flet kohëve” dhe “Gjurmë nga trashëgimia. Fjalë të urta popullore shqiptare”, që sikurse kuptohet nga titujt, janë studime, hulumtime e grumbullime të thelluara nga mençuria popullore. I lindur në rrethinat e Kumanovës, ku ruhet gjithçka e vyer nga folklori ynë, Mumini pas shkollës së mesme në gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë, ka kryer studimet e larta dhe ato pas universitare në Prishtinë, për gjuhë dhe letërsi shqipe. Ka punuar me fëmijët dhe të rinjtë për një kohë të gjatë dhe aktualisht është etnolog në Muzeun e Kosovës. Etnologjia, e cila ka qenë prirja e tij, si shkenca historike që studion mënyrën e jetesës së popujve dhe kulturën e tyre; si atë materiale, ashtu dhe atë shpirtërore, i dha mundësinë jo vetëm të njihet gjerësisht me thesaret që ne kemi, jo vetëm e bëri krenar për këtë pasuri, por dhe qe shtysa për ta mbledhur e ruajtur, për ta disiplinuar, për ta pasuruar, por edhe për t`ua bërë të njohur edhe të huajve. Nuk u lodh asnjëherë nga kjo punë e nderuar dhe janë me mijra e mijra si sentencat e krijuara prej tij, duke u mbështetur te sjellja njerëzore, te ndeshja e përhershme midis të mirës dhe të keqes, të moralshmes dhe të pamoralshmes, të bukurës dhe të shëmtuarës, virtytit dhe vesit, si dhe fjalët e urta të njerëzve të thjeshtë, ku mençuria popullore ngrihet në nivel filozofik. Për më tepër, këtë filozofi, ai nuk e ndan as në krijimtarinë e tij artistike, pra në poezitë që shkruan. Nga ana formale, pra nga rregullat metrike, në to, vërtetë ka devijime, por bukuria e fjalës, dhe e mendimit, futja e tyre në qerfullin filozofik, jo vetëm i jep vlerë atyre, por dhe e anashkalon mungesën e rimave. Për këtë autor, rëndësi ka ajo që i thotë lexuesit. Ai operon edhe në poezi me sentenca dhe kjo do të qe e cunguar sikur ai të vriste mendjen për të kërkuar muzikalitet e rreptësi rimash. Kryesisht ai përdor strofën me katër vargje, të cilat sipas rastit i ka tetë, dhe më së shumti dymbëdhjetë e deri gjashtëmbëdhjetë rrokëshe. Janë pak a shumë ato që i quajmë varg i lirë dhe që e kemi ndeshur ndër të tjerë, edhe te belgu E. Verharen aty nga fundi i shek. të 19 - të dhe A. Blloku në Rusi. Ja një shembull: “Beftas na përshkojnë ethe adresëhumbur, / unë i ledhatoj lotin kitarës ajo mua plagët, / duke përshkuar stuhira e moçale kohërash, / n`bredhje e kërkojmë njeriun diku në vargje”. (Me kitarën). Kurse për atë që përmenda rreth futjes së sentencave në poezitë e tij, mjafton të citoj: “Përherë miqtë e mirë palakmueshëm, / pa lajka ta përplasin të vërtetën n`sy, / e në rast gremisje të nxjerrin nga balta. / Me sinqeritet ta përgëdhelin plagën, / ndajnë hidhësi nga dhimbja yte, / njeriu i nderit s`ven krushqi me t`përdalë, / i bie këmbanës, të zhbëhet hipokritgogoli”. (Miqtë e mirë). E kuptojmë se në poezitë e tij ka moralizim, por autori ka ditur ta maskojë atë, duke e fshehur me forcën e gjykimit. Ashtu sikurse e mbulon me metafora dhe figura mjaft të goditura letrare si p.sh. te poezia “Kur vdes dashuria” ku ai shprehet se: Kur vdes dashuria, letargjiset qielli, shpirti s`e njeh hijen e tij, kujtimi bredh si hijenë stepash, pi trishtësi, mërdhijnë agime pentagramesh idhullsie, zhbëhen muzgjet, syri zhvishet nga kaltërsia, netët palosen dhe konvertohen në arkiv memorie, vdes dhe vdekja, sikurse kambanat e humbin melodinë, etj. Pra, ky autor luan lirshëm me fjalët, pasi i njeh me rrënjë ato. Por ai duke u marrë me jetën, e di dhe fundin e saj e cila gjithashtu është pjesë e qenësishme e vetë jetës. Ja si thotë: “I falem teatrit të vobegësisë që na rrethon, / ku çfaqet aktrimi lojë jete ca hejbe injorance, / do ikim mik me vallen e ndërgjegjes ndërsjetull, / pa damkosur t`i biem përmes balte pagatuar hiçi”. (Do ikim miku im). A nuk ngjet kështu me filozofinë e Platonit ai? Por këtë filozofi, ashtu sikurse thamë qysh në fillim, ai e manifeston mësë miri në mbledhjen e asaj që europianisti Rëne Dekarti (Rene Descartes), e quan urtësi popullore. Ai i ka ndarë ato në disa kapituj, sipas përdorimit te libri “Gjurmë nga trashëgimia”. Ka në të, shprehje, mallkime, urime, përshëndetje, të cilat shoqërohen edhe me shpjegimet përkatëse. Fjalët e urta i ka dhënë në dialekt, kurse shpejgimi, në gjuhën zyrtare. Ja një shembull: “Pi drosë arushës uki e dhija flenë shpinë për shpine! Në raste kur njerëzit shohin rrezikun nga një palë e tretë, atëherë për të shpëtuar u duhet të bashkojnë forcat…” Dhe këtë e bën me një hijeshi të këndshme që shpesh edhe të bën të qeshësh. Por janë pjesë përbëse e marrëdhënieve mes njerëzve. Mbi të gjitha janë aq të goditura sa nuk ka sesi të mos ndiesh respekt për zgjuarsinë e lashtë të banorëve, sidomos të asaj krahine të dëgjuar, veç të tjerash edhe për patriotizëm. Prof. dr. Halit Halimi duke ndjekur ecurinë e punës vigane të Mumin Shutajt ka thënë: “Kjo vepër e autorit me tëban e me rrjedhë nga gurra e popullit, do të jetë edhe një gur përmbajtësor i cili në kështjellën e kulturës popullore shqiptare të traditës do të jetë përforcim dhe zgjerim i këtyre vlerave, ndaj e vlerësojmë si kontribut të mirëseardhur që të bëhet pjesë e pandashme e fondeve të kësaj natyre thesaresh të trashëgimisë sonë kulturore”. Dhe i nderuari Mumin Shutaj me punën e tij hulumtuese dhe krijuese, së pari atdhetare dhe intelektuale, është më shumë se një gur i zakonshëm në kështjellën e identitetit tonë kulturor; ai është gur i latuar bukur qysh në hyrje të kësaj kështjelle, ndaj dhe meriton nderim të veçantë, si një akademik aktiv dhe si shqiptar që i thotë botës: shihni se çfarë populli jemi ne, që me gjithçka sjellim nga shekujt, meritojmë vendin që na takon në familjen e madhe evropiane. Më shumë se shkollat që ka kryer, Muminin, shkencëtar të fjalës e ka bërë puna, pasi është plotësisht ashtu sikurse thoshin romakët dikur: “Experienca est optima rerum magistro”, pra “Përvoja është mësuesja më e mirë”.

66 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page