POETI DHE DJALLI
Ti o djall, veç ti, do gjak, panik e tmerr
Ma mbushe vendin tim plot me varre djemsh…Autori.
Tregim poetiko - dramatik nga Myslim Maska ( I ripunuar)
Kush qan? Kush rënkon? Qan era nëpër pemë? Apo pemët turfullojnë nga era? Qajnë përrenjtë tek bien e bëhen shkumë, nëpër katarakte tek derdhen në lumë? Qajnë bukuroshet, që të dashurit ua vranë? Qajnë nënat për bijtë, që ua hoqën zvarrë?
Edhe një lepur, unë s’e vrava dot. Mallkova gjithë shpiksit e armëve në botë. Po miku im, ç’bëri që m’a vranë? Edhe milingonës, zonjë i thosh ai. Kalo e bukura, ku ka në botë si ti! Moj botë e çmendur, po më hardallon! Pse ma more mikun? E vrave pse të deshi? E vrave se kur u çmende, të tha troç kush je? Nuk bëri mirë? Në rregull! pa më thuaj ti: - Ti je me djallin apo me Perëndinë? Dhe m’u çfaq djalli, i bukur, margaritar: - Unë dhe vetëm unë, e bëj njeriun dritë. Unë dhe vetëm unë, bëj gjënë më të bukur, unë ngre të dëshpëruarin dhe e bëj të lumtur. Nga varri mund të ngre të vdekurin dhe di t’a bëjë më të fortë se të gjallin.
Dhe më thotë: - A e di ti? Jam më i fuqishmi se çdo Perëndi! S’ka në botë të mirë e të ligj, ka vetëm të lumtur dhe fatkeqë. Siç ka tiranë të tmerrshëm, cmirëzinj dhe skllevër të nënshtruar, të mjerë. Mos qesh, mos qesh, veç njeriu i lirë, ndrin e shpëton veten, ndrin, shpëton të tjerët. Ndoshta u bën nder. Mbase s’e meritojnë.
-Është e vërtetë; njeriu i lirë, ndrin zbukuron veten, ndrin, shpëton gjithë botën. - Do thuash një të vërtetë, që të mashtrosh njerëzit, dhe të besojnë ty.
- Pra, nuk më beson?
- Unë s’fola, por qesha.
- Nëse do të vrisja – më tha – më shumë do të desha. Kjo ka më shumë vlerë, sesa e vërteta! Kush tha, kush tha, se atje lart në qiell, është mbret’ i së mirës, është mbret’ i së keqes, parajsa dhe ferri? S’ka gjë të tillë, s’ka. As pati, as ka. E reja me të vjetrën, e mira dhe e keqja, kanë brenda njëra – tjetrën dhe rrojnë në harmoni. Dua a s’dua unë, do apo s’do ti…
-E di. Po të më vrisje, më shumë do më doje, ashtu si mikun tim, ashtu si qindra djem. Ti o errësirë prandaj u krijove. Por mos u nxito, se flluskat i merr era. Petaleçmendurat i nxjerr vetëm pranvera. Po. Mos u nxito, ti s’di se ç’është njeriu! Mushkonja, xixëllonja, petalja, rrezja, shiu. Se ç’është vetëtima, se ç’është dashuria, që shpirtin njeriut ia thur me rreze dielli. Sa hutohet dhe bëhet xheloz qielli. Dhe një spermatozoid ka më shumë vlerë se ty, sepse ai lind jetë, ndërsa ti vdekje lind. Nuk them se s’di, ti di ç’është errësira, të keqen, të ligën, tragjiken, të pistën, të pështirën. Por jo çfarë di unë, unë që vij nga jeta, ti di ç’është gënjeshtra, por s’di ç’është e vërteta! Nëse i di, më shumë i merr me mend, edhe gjysmë diell edhe gjysmë hënë! Por hëna është hënë dhe dielli është diell, unë njeriu mesazhin e Perëndisë përcjell: Isha lart në qiell, zbrita përsëri. U mbusha me diell dhe me mirësi. Mbyllmi sytë! Shoh DRITË. Mbyllmi veshët! DËGJOJ. Se Ëngjëlli i Perëndisë , brenda meje rron.
Ti o djall, veç ti, do gjak, panik e tmerr. Ma mbushe SHQIPËRINË, plot me varre djemsh…
Kush qan? Kush rënkon? Qan era nëpër pemë? Mos pemët u bënë zogj dhe furshullojnë në qiell? Të çojnë një mesazh, një mesazh të madh, dhimbjen njerëzore ta përcjellin lartë, ku besoj vërtetë, do ketë drejtësi?...
· Nga cikli me tregime për vitin absurd 1997.
Mendoj se cikli për katrahurën e 97-s e përmbushë preokupimin e shkrimtarit Myslim Maska për të na e përcjellë atë me tërë pamjet, tragjike, dramatike, komike…, dhe me mesazhet më të vlefshme. Duke iu dhënë teksteve dhe një frymë poetike i ka bërë të jenë më emocionues. Ripublikimi ndoshta vjen nga meraku i autorit për tiu rikujtuar të gjithëve që të mos e harrojnë dhe lejojnë përsëritjen e asaj zezane.
Urime dhe kurdoherë me befasira të reja letrare!