Po ti?


Po ti?

Nga Fatmir Terziu


Në këto muaj, javë dhe ditë të ndjeshme shpirtërore të ikjes së dy prindërve të mi, natyrisht jam ndjerë ndryshe. Falenderues për Zotin që më dha mundësitë në kohë pandemie të nderojë Përjetësinë e prindërve të mi të dashur, Baba dhe Nënë. Falenderues për Familjen dhe fëmijët. Falenderues për vëllezërit dhe motrat, nipërit e mbesat, kushërrinjtë, miqtë dhe të Tjerët, kolegët. Dhe në këto kohëra të ndërlikura nga „Ikja“ ndjeva urdhëresën e falenderimeve dhe urimeve, ndjeva më së shumti kuptimin e mikut dhe shokut, ndjeva arsyen e vetë termit që stacionohet tek Respekti. E në pritje e përcjellje miqsh të shumtë e të nderuar, ndjeva dhe mësova mjaft… Ndjeva dashuri, dhimbje, shqetësime, probleme, zgjidhje e zgjedhje … dhe mjaft të padëgjuara.

Një person kishte nevojë për guxim për t'u përballuar me të kaluarën. Një tjetër kishte nevojë për përpjekje për të bërë një ëndërr të vërtetë. Megjithatë, një personi tjetër i duhej pak kohë dhe disa miq. Po ty?

E di të të them se mes të gjithave shfaqej pandjeshëm e padukshëm ëmbëlsia e hidhur e jetës. E në këtë kaos gjërrash natyrshëm disa mund të mos zgjohen. Disa nuk mund ta shohin më mëngjesin. Nuk mund të dëgjojnë natyrën. Nuk e ndjejnë dot ngrohtësinë. Nuk mund të nuhasin ajrin e pastër. Dhe natyrshëm nuk mund ta shijojnë ëmbëlsinë, madje as edhe atë që nënkuptohet tek vetë ëmbëlsia e hidhur e jetës. Po Ti?

Ti duhet …, dhe Ty të duhet një jetë tjetër?! Duhet të rilindësh?! Çfarë do të thotë të rilindësh? Kjo nuk është jeta që kishe. Jeta është jeta e dikujt tjetër. Të gjithë mund ta jetojnë Jetën vetëm një herë, dhe është këtu. E marrin vetëm një herë. Kjo është jeta. Nuk mund t'ia besojnë dikujt, nuk mund t'ia vjedhin një të riu, nuk mund t'ua imponojnë të tjerëve, nuk mund ta harrojnë, ose ta fshijnë. Nuk mund ta shkelin, ta qeshin ose ta zbukurojnë! Nuk munden të bëjnë asgjë! Do të duhej ta pranonin jetën e tyre, pa marrë parasysh sa mizore, e pamëshirshme, ose e padrejtë do të mendonin se do të ishte! Po Ti? Nuk e kupton? Kjo është arsyeja pse duhet të luftoni. Ju duhet të vazhdoni të luftoni! Sepse ... sepse nuk mund ta pranoni kurrë atë lloj jete!

Nëse të duhet një ndriçues i vogël, kërkoje, ndryshe ti je si një fondacion i pikturuar në gënjeshtra. Ekzistenca shembet pa energji. Dhe kështu koha kalon. Një rrëshqitje e dheut sa hap e mbyll sytë. Dua të të shmang çdo rrugë neutrale. Një fazë të përndritshme.Duhet të lahesh në dritën e atij vendi. A është kjo shumë për të dëshiruar? Vorbulli i xhelozisë së kobshme mbivendoset në emocionin tënd. Nuk e do të vërtetën kështu që humbe pa defektime përbindëshin e lojës. I vetmi që mund të ta qetësojë atë mendje të dëshpëruar je ti. Po, po ti. Kufiri tashmë është thyer… Dhe po del nga kapaciteti im … Identiteti i dhimbjes që më pushtoi është tashmë shiu i dëshpërimit, që ende shqyen heshtjen. Vë bast se nata e gjatë … dhe e gjatë do të kalojë një ditë. Po ti? ... pak më i ndritshëm!

Kam mësuar tashmë, që kur gjërat janë të dhimbshme, Bota do të mbulonte veshët me kufje dhe do të ikte, do të ishte thellë në botën e muzikës. Por unë e kisha të pamundur në ditë zie. Në brendësi e tejkalova. Edhe unë e provova. Ishte sikur gjithçka ishte hedhur në erë. Vokali bërtiste vetëm për mua?! Dhe aty ishin Ata. Ata u brengosën për mua. Ata që vunë veprën e arsyes së shëndoshë ishin të gabuar?! Ata që qanë … kishin të drejtë?! Ne, të vetmit, ishim më njerëzorë. Ata bërtisnin në absurd, e rrahën dhe e shkatërruan vetminë, zbrazëtinë. Ata më shpëtuan. Po Ti? Ti do të vazhdosh të mbetesh një pyetje. Thjesht një e tillë me shenjën përkatëse të forcës dhe formës gramatike …“?“. Pra një pikëpyetje!

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif