top of page

Pjesa e shtatë (VII) e novelës "Perëndim apo...?!"



VII -Të faleminderit, i dashur që më çove në ato vite të pakthyeshme dhe të papërsëritshme të rinisë. Dashuria është një ndjenjë në të cilën bashkëjetojnë të kundërtat e kënaqësive dhe moskënaqësive, e arritjeve dhe mosarritjeve. Vetë karakteret e ndryshme njerëzore dhe kushtet e jetesës, diktojnë dhe udhëheqin marrëdhëniet në çift, të cilat janë rregullatorët më të përsosur për një dashuri të qëndrueshme e me afat të gjatë. Për këtë stabilitet vendimtar janë ndjenjat që dominojnë ose urdhërojnë gjithë shqisat që të lejojnë tolerancën dhe mirëkuptimin mes partnerëve, por asnjëherë interesin material. Në këtë rast, kur një lidhje mes dy të rinjve bëhet për përfitime të njërit apo tjetrit partner, mes tyre kurrë nuk mund të lindë një dashuri e pastër dhe e sinqertë. Kur nuk ekzistojnë ndjenjat në çift, askush nuk duhet të presë të shohë dy të rinj të lumtur dhe as që do të krijojnë familje, pasi një lidhje e tillë nuk zgjat shumë. Sa u plotësohen kushtet e paravendosura, madje të hipotekuara, hapet gjyqi i divorcit dhe i dashuruari pa asnjë interes material pyet:

Ku shkoi vallë dashuria jonë?”

-Eh, ne të dy që u dashuruam pa kushte, sikur në çdo çast ta dëgjonim zërin e zemrës të secilit apo edhe gjithë të dashuruarit e tjerë, kjo ndjenjë e veçantë do të ishte ideale dhe do të merrej si shembull, por... Ah ne! Unë, ti dhe të gjithë shqiptarët kemi gjak iliro-pellazg që nuk e durojmë dot padrejtësinë dhe vetëm nga një fjalë e nxituar, ose e papërshtatshme, qoftë edhe pa një qëllim të caktuar, fryhemi si kacek. Nuk duhet t’ia lejojmë vetes këto vogëlima që e zvordhin ndjenjën e bukur të dashurisë. Si thua..., a kam të drejtë, i dashur?

-E drejta, zemra ime, është me më të fortin. Kjo vlen jo vetëm për të rinjtë, por edhe për ne të moshuarit që nuk na lë hunda t’i hapim rrugën njëri -tjetrit. Nga përvoja e jetës kam parasysh një gjë, se edhe mjetet e punës që s’janë frymorë që as gjykojnë dhe as flasin, grinden me njëri -tjetrin; “Cinë unë e cinë tinë,/u zu poçja me sininë...

-Këto vargje gojore të mendjes së hollë njerëzore janë shembulli më i mirë. Gjithashtu dimë se edhe kafsha që nuk ka zhvillimin fizik dhe mendor të njeriut, në një farë mënuyre hakmerret.“Po nuk ia tërhoqe kapistrën apo frerin kalit të harbuar, të hedhë në greminë.” Këto dy raste tregojnë më së miri për marrëdhëniet në një dashuri të fortë. Që ajo të mos kriset, duhet që njëri prej tyre të ulë hundën dhe të kafshojë gjuhën për të mos e lënë gojën të flasë para mendjes. Unë mendoj se, “Goja çorap dhe hunda përpjetë, rrënon veten e vetë.” Apo,“Po u thye buka njëherë, nuk ngjitet më!” Për fat të keq gjithë këto shprehje frazeologjike, proverba apo aforizma me shumë nënkuptime, që na mësojnë dhe tregojnë rrugët se si t’i kapërcejmë pengesat, por ne nuk u japim rëndësinë e duhur, duke i anashkalur, përsërisim të njëjtat gabime.

-Hallet që na ranë herët mbi kokë dhe vështirësitë e papritura të uljes dhe ngritjes me egërsi të luftës së klasave që na torturonte dhe tmerronte sikur ishim kafshë, na tjetërsoi karakteret. Padrejtësia që ushtrohej ndaj nesh, ndikoi keq, duke na egërsuar temperamentin, u bëmë të papërmbajtur. Kundër vullnetit tonë, fare pa e kuptuar, zbuluam anën e errët dhe të padukshme të qënies sonë, egërsinë e palogjikuar. Trysnia klasore na bëri të ecnim në jetë pa folur dhe symbyllur, si somnambul. Megjithëse ne të dy, nuk duhet të binim preh e metodave vrastare e drakoniane të Meduzës aq më tepër për kushtet e martesës sonë nuk duhet të grindeshim kurrë. Por ja që shkaqe të tilla me qëllim shkatësrrues të njeriut, na detyruan që gjatë gjithë jetës jemi grindur. Nga të gjithë dihet se jeta nuk është vaj. Jo të gjitha gjërat shkojnë mbarë ashtu siç duam ne. Edhe ndjenja e dashurisë që të ngelet e pacënuar, ka nevojë për kushte të mira jetike dhe nivel ekonomik të mirë për të ecur mbarë dhe për të ndërtuar një jetë të gëzueshme dhe të lumtur. Për fat të keq dashuria jonë jetoi herë pas here në kohë, në kushte shumë të vështira, pa strehim, në vuajtje, nën stres psikologjik, në varfëri të skajshme dhe papunësi. Këtë gjendje ekonomike dhe shpirtërore që ngjet me një “aureolë fitoreje të ndritshme”, na i ka diktuar koha dhe na i ka dhuruar me“dashamirësi” sistemi politik që u ka siguruar shqiptarëve “begatinë”.

Nganjëherë për gjëra të vogla fare, pa rënëdsi, kemi bërë fjalë, madje kemi ngritur edhe zërin. Është e pafalshme që i kemi mbajtur kokën mënjanë dhe mëri njëri -tjetrit. Nëse sot me këto mend që kam, pyes, se kush ka qenë apo është fajtori? Përgjigja ime është:

-Të dy ne që lejojmë të gabojmë duke u grindur për hiç gjë, derisa lëndojmë njëri-tjetrin dhe sidomos kur kalojmë në mëri, bëjmë faj. Në këto raste mëria është paaftësi intelektuale për të zgjidhur problemet, është produkt dobësie karakteri, egoizmi dhe mungesë respekti.

Papritur në një çast analizojmë gjendjen e krijuar dhe arrijmë në një përfundim, se mëria nuk është e mirë dhe as e drejtë, pasi nuk ndihmon, por vetëm thellon zemërimin. Nëse këto etapa zemërate zgjasin, vihet në rrezik ndjenja e dashurisë për njëri-tjetrin. Nuk duhet të lëmë që tekat dhe egoizmi të dalin mbi ndërgjegjen tonë dhe të shkatërrojnë jo vetëm ndjenjat, por dhe familjen. Po ndalem pak, madje dhe ata që kanë një dashuri të thellë e të mirëfilltë, ndalen dhe i bëjnë apel vetes. Këtë e vëmë re, kur qetësohemi, atëherë shprehemi: “Kështu e ka jeta, me të përpjeta dhe të tatëpjeta.” Askush nuk duhet të mburret, duke gënjyer veten dhe të tjerët, se kanë kaluar një jetë të qetë, të gëzuar, të lumtur dhe me mirëkuptim.

Nëse nuk ekzistojnë kundërshtitë në mendime dhe në veprime, jeta kurrë nuk mund të eci përpara, madje shkon në regres drejt shkatërrimit.

Unë në këtë novelë do të përmend vetëm pikat më kulminante të jetës sonë, sepse të flasësh për një familje me jetëgjatësi prej afër 6 dekadash, duhen mijëra faqe. Gjithashtu nuk më pëlqejnë librat autobiografik sepse janë tregues të shterpësisë artistike të krijuesit. Që të flas me pikë e me presje për jetën mjerane, të përgjuar, të mohuar dhe të kushtëzuar, nuk ia vlen. Nëse nuk duam të sëmurim veten, duhet të mendojmë pozitivisht, se kjo kohë nuk ishte e egër dhe e pamëshirshme vetëm për ne të dy. Kjo ishte e përgjithshmja e shqiptarëve. Pavarësisht se edhe pjesa tjetër që kishte si mbrojtje nga stuhitë e kohës, ombrelën e Partisë Komuniste apo të Punës, e vuante papunësinë, urinë, varfërinë dhe mungesën e strehimit. Ne këto i vuanim shpirtërisht, moralisht, symbyllur, gojë kyçur dhe veshvlosur, nën peshën e rëndë të heshtjes së detyruar, trysnisë, mospërfilljes dhe urrejtjes klasore të tyre. Ndryshe nuk do të kishim mbijetuar asnjë çast, jo gjysmë shekulli. Mbijetesa jonë ishte një nga virtytet e fisnikërisë. Sepse edhe kur na varrosnin të gjallë apo na fundosnin në fund të detit, ne përsëri dilnim mbi sipërfaqe. Kurse “ATA” ndryshe nga ne, ishin të kënaqur me ato kushte të mjera jetike, se kështu donte Partia e cila “bënte siç thoshte populli varfanjak”. Ndaj masa e gjerë me dëshirë “bënte atë çfarë thoshte Partia”. Veç ndryshimit ideor mes të dy klasave të kundërta, ne, të harruarit e kohës apo të vdekurit e gjallë, veç mangësive të mësipërme, na ishte mohuar çdo e drejtë si e zgjedhësit dhe e të zgjedhurit, madje na ishte mohuar e dreja e votës, si dhe të drejtat e arsimimit, ushtrimit të profesionit dhe as na lejohej që të banonim në një pallat me“ATA”. Ne ishim të padëshirueshëm sikur na kishin nxjerrë jashtë ligjit. Madje dhe kur shkova në Këshillin e lagjes për punë, mora një përgjigje të prerë: “Për armiqtë e popullit nuk ka punë. Vegla pune për ju janë kazma dhe lopata, me të cilat shkoni të hapni varret tuaja.”. Faktorët e jashtëm si, politik, ekonomik dhe shoqëror, veçanërisht për familjen tonë në zanafillën e jetës bashkëshortore që ishin vendimtarë, na e kishin bërë jetën”ferr” shumë të vështirë. Çdo ditë e jetës sonë ishte si ajo kafshata që ngec në fyt, qëndron aty e zvargur duke na penguar frymëmarrjen.

Nuk i kishim menduar këto peripeci dhe vuajtje kur vendosëm për të krijuar familje. Mendimi dhe iniciativa ishte e bukur, por dashuria të jep vetëm kënaqësinë shpirtërore, morale dhe realizon ndjenjat, por nuk të dhuron asnjë mjet jetese. Kur e nis jetën familjare në kushtet e ne të dyve, hedh sytë përreth dhe kur sheh se gjendesh në një udhëkryq të madh, atëherë kupton se dashuria nuk është e mjaftueshme. Oshilacionet e jetës ngjasin me stinët. Viti ka jo vetëm pranverë, verë dhe vjeshtë, por ka edhe dimër.

-Eh, “sikur t’i dihej vlera kaut, nuk do t’i kishin vënë zgjedhën”. Edhe ne shqiptarët nëse do të dinim të vlerësonim sadopak veten, do të kishim qenë ndryshe. Kjo tregon se ne nuk duam vetëveten. Nëse nuk do dhe nuk respekton veten tënde, mos prit të të respektojnë të tjerët. Kjo është filozofia e jetës.

- Shpirt, të falënderoj që vlerëson të drejtat dhe gabimet tona. Unë së bashku me ty do të kujtojmë ditën e parë të martesës sonë, -më ndërpreu Timi. Ai puliti sytë me shikimin drejt qiellit paksa të errët sikur atje në hapësirën pa anë kërkonte të gjente e të mblidhte copëza jete.

-Ora 12 i drekës...dielli atë kohë ishte në zenith.

Unë të prisja me ankth në pikëtakimin e lënë. Të vura re që nga larg dhe zemra më gufoi sa dukej dikur do të më dilte nga kaharori. U lumturova jo vetëm se u tregove e përpiktë, por dhe e vendosur tek të shihja që vrapoje drejt së ardhmes së panjohur. Papritur përmes dihatjeve të vështira, fole:

-Erdha unë...

Me këtë fjali lakonike dhe domethënëse, filloi një epokë e re për ty, për ne të dy...dhe për kureshtjen e të tjerëve.

Fillimisht u strehuam në hotel, ku qëndruam tre muaj. Çmimi i hotelit ishte 360 lekë në muaj, kur unë merrja një pagë mujore prej 600 lekë. Me se do ta ndërtonim familjen tonë, për të cilën i premtuam njeri-tjetrit aq shumë? Por në kushte tilla nuk mund të bënim aspak jo më gjysmë shekulli. Veçse rruga e nisur nuk lihet në mes. Ajo vazhdon...

***

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page