Pjesa e III
KËRKOHET DREJTËSI
TË SHPAGUHET GJAKU I
DERDHUR
III).- Që prej 77 vitesh, ata që kryen masakra, akuzojnë banorët e rajonit të Çamërisë se u bashkuan me gjermanët dhe luftuan kundër shtetit Grek.
Edhe sot, mbas 77 vitesh shteti Grek akuzon çamët se gjoja paskan vrarë dhe djegur fshatra greke.
Realiteti flet ndryshe dhe shumë qartë.
Banorët e Çamërisë asnjëherë nuk kanë patur ushtri, asnjëherë nuk e kanë administruar rajonin e tyre (flitet për kohën mbas vitit 1913, që rajoni kaloi brenda kufirit të shtetit Grek), por të gjithë drejtuesit dhe nëpunësit ishin grekë dhe vllehë (ortodoksë). Asnjëherë nuk janë organizuar për të vrarë dhe djegur fshatra greke, sepse okupatorët, si italianë dhe gjermanë u ulën “këmbëkryq” në territorin e rajonit të Çamërisë. Shteti Grek, asnjëherë nuk i mori në mbrojtje, përkundrazi ndërseu EDES-in e Zervës dhe u bëri më të zezën. I vrau, i dogji, i largoi nga vatani, të gjithë sa ishin. Shteti grek masakroi shtetasit e tij, që nuk u bindën për të mohuar etninë e tyre !?.
Nuk dëshiroj të ironizoj, por ja që e kërkon e vërteta. Kur shteti Grek akuzon se çamët kanë vrarë dhe djegur fshatrat greke, dihet që flitet për fshatrat e Çamërisë, të cilët nga viti 1913 quhen fshatra greke. Nëse ecim me këtë gjykim, është e drejtë, me ndryshimin jo çamët, por grekët me bandën e Zervës, vranë dhe dogjën fshatrat brenda territorit grek, të rajonit që banoheshin nga çamët.
* Është një fjalë e urtë "I rezikuari për mbytje, përpiqet të shpëtojë duke u mbajtur nga flokët e tij".
Pala Greke, duke mos disponuar fakte në mbrojtje të masakrave të kryera, përpiqet të gjej ndonjë fakt sado i parëndësishëm të jetë. Është bërë gurguleja se na qenka zbuluar një fotografi ku shfaqet dhe fytyra e Nuri Dinos me feste (qeleshe) tradicionale çame dhe me një xhaketë italiane me gradën kolonel. Nuk është mohur se vllezërit Dinej dhe disa dhjetra çamë, mbështetës të tyre, kanë qenë inkuadruar me forcat pushtuese italo-gjermane; sikundër edhe se ai grupim nuk pati asnjë mbështetje nga shumica e cilësuar (98,5 përqind) e banorëve të rajonit të Çamërisë.
Nuk është gojëdhënë, as për ç'fajsim, një fakt konkret, real, për të kuptuar se ç'farë mbështetje kishin nga popullsia çame vëllezërit "Dinej". Ishte një mbas dite shtatori, kur turma e të dëbuarve çamë, u mblodhën tek rrapi i madh në sheshin e Delvinës. Rugës kur po e çonin drejt litarit Mazar Dinon, turma u sul, duke e gjuajtur me çfarë mundnin, me gurë, domate, vezë të prishura (klluvje), e shoqëronin me mallkime, fyerje dhe sharje dhe thirrjet "Na morët në qafë", etj.
Të dy minigrupimet, si të majtët dhe të djathtët, nuk kishin arritur përfaqësimin tërësor të banorëve çamë. Faktor i rëndësishëm që ndikoi në "dështimin" e misioneve të tyre. Dështimet e tyre, rënduan së tepërmi në ecurinë e "Farë e fisit" çam. Pasoja të pariparuara edhe mbas 77 viteve. Dështimet e tyre ishin rrjedhojë e horizontit të ngushtë në njohjen gjeopolitike të rajonit nga të dy minigrupimet, por padyshim dhe zilia e veçorisë cilësore e banorëve çamë, mbartës të trashëgimësisë së lashtësisë. Personalisht i përkas përgjigjes. Po. Ishin dhe mbeten të dyja variantet.
Foto e një individi, duke e ditur se në luftë gjithëmonë ka mbështetës pro dhe kundra, nuk shërben si provë sepse nuk mundet të përfaqësojë pjesën dërrmuese të popullsisë (95,8%). Veçori tjetër është se ajo foto nuk është pozuar në territorin e Çamërisë, por brenda kufirit shqiptar.
E rëndësishme për tu konsideruar është numuri i pjesmarrësve në “pro” dhe “kundër”; si dhe raporti me masën e gjërë të banorëve të një fshati, qyteti, rajoni, shteti etj. Megjithatë edhe nëse do të kishte një raport ndryshe, siç kanë ndodhur në raste të tjera, me mbarimin e L2B (1944 - 45), nuk ka ndodhur që të vritet e gjithë popullsia e një rajoni apo shteti. Kjo çmenduri u vërtetua në karakterin antinjerëzor të shtetit ortodoks Grek. Çmenduri që u vërsul kundër besimeve fetare dhe etnive jo greke.
● Le të njihemi me një tjetër fakt historik. Krahas formacioneve të parregullta të vëllezërve Dino, të cilët ishin në anën e pushtuesve; në Çamëri ishte krijuar edhe Këshilli Nacionalçlirimtar i kryesuar nga Musa Demi. Ai Këshill u ngrit për të marrë pjesë në luftë kundër pushtuesve sëbashku me forcat partizane të EAM-ELLAS-it.
● Më 2 shkurt të vitit 1943, në kuadrin e FNÇL u formua në Konispol (jashtë kufirit Grek), nga një grup i vogël i rezistencës, çeta partizane me emrin “Çamëria”. Misioni mbrojtës luftarak i asaj çete do zhvillohej kryesisht në zonat e jugut të Shqipërisë dhe gjatë vijës kufitare. Njëkohësisht çeta mbante kontakte dhe bashkëpunonte edhe me forcat e ELLAS-it. Nuk vonoi shumë dhe në muajin mars po të vitit 1943, çeta “Çamëria” u dakortësua për të bashkëpunuar në fushën ushtarake me një prej grupeve të rezistencës së ELAS-it. Anëtarët e të dy grupimeve shkonin nëpër fshatrat e Shqipërisë së jugut (jashtë kufirit shtetëror grek), kryesisht në fshatrat e zonës së Theollogos, ku organizonin takime me përfaqësues të fshatrave për të bashkërenduar forcat luftarake kundër pushtuesit gjerman.
Historia na njeh edhe me një përpjekje të autoriteteve gjermane, ku rezulton se në fillim të vitit 1944 pushtuesit gjermanë krijuan strukturën e një batalioni çam me gjysmë efektivi prej 300 vetësh. Një e vërtetë tjetër kjo që flet dhe vërteton se 95,8% e popullsisë çame nuk ishte përfshirë në asnjë forcë luftarake. Kjo strukturë e një batalioni, nuk u ngrit në territorin e rajonit të Çamërisë, as brenda kufirit shtetëror Grek, ajo u dislokua në Konispol, brenda territorit të shtetit shqiptar. I qartë është dhe argumenti i përdorur për shkakun e ngritjes së kësaj strukture jashtë territorit grek. Argumenti që u përdor, ishte mbasi gjermanët nuk donin të krijonin ndërlikime politike me qeverinë mike greke të J. Rrallis. Është e vërtetë se pushtuesi gjerman ishte mik me qeverinë greke dhe nuk ka luftuar në rajonin e Çamërisë, por jashtë kufirit të shtetit Grek dhe kundër partizanëve, bijëve dhe bijave të popullit grek.!
…………...
Vështirësohet shumë arritja tek e vërteta, kur ato tjetërsohen qëllimisht dhe dhunshëm.
Korporata "Çamëria", e quajtur nga Karlo Rosi, drejtuesi ushtarak i Korporatës XXV-të, me mision në Epir, nuk ishte e përbërë me ushtarë nga bijtë e Çamërisë. Korporata "Çamëria", ishte emërtuar e tillë, për qëllime politike nga pushtuesit, e ngritur në territorin shqiptar. Në divizionet e saj ishin inkuadruar në batalione me shqiptarë, shtetas të Shqipërisë, e cila ishte e pushtuar nga Italia fashiste.
Dy batalione këmbësorësh "Gramos" dhe "Dait", artileria shqiptare "Drin"; batalionet e vullnetarëve "Tomori" dhe "Taraboshi", këta dy të fundit u përdorën në frontin e Korçës. Batalioni "Gramosi" dhe "Dajti" u përdorën në rajonin e Çamërisë. Historia e shkruan qartë se "trupat e shqiptarëve të Shqipërisë, u përdorën ekskluzivisht në fushën e Thesprotisë/Çamërisë".
Tjetërsimet e qëllimshme i gjejmë:
a) Tek emëri i Korporatës "Çamëria", ku anashkalohet qëllimi i pushtuesit, i cili i vendosi emrin "Çamëria", për joshjen e popullsisë gjoja me planin e bashkimit të trojeve shqiptare.
b) Korporata u ngrit nga pushtuesi në territorin shqiptar, me disa banorë shqiptarë të Shqipërisë, të rekrutuar prej pushtesit. Korporata si për emrin dhe pjesëtarët e saj, nuk lidhej me banorët e rajonit të Çamërisë.
Përfshirja e banorëve të Çamërisë kudo, vend e pa vend, nga pala greke, përdoret gjithëmonë qëllimisht për përbaltjen e çamëve por dhe si argument justifikimi për kryerjen e masakrave që u përfunduan me gjenocid etno-fetar. Bëmat keqbërëse të asaj periudhe, rëndojnë shumë në imazhin e shtetit ortodoks grek, prandaj përpara atij fakti, pala greke vazhdon të bëjë "të pafajshmin" duke akuzuar viktimën. Një dukuri të tillë mashtruese e gjejmë edhe tek "studimi shkencor" i ish ministrit të jashtëm grek Niko Koçi në artikullin "Normaliteti dhe jo normaliteti i shqiptarëve". Ai në atë shkrim përpëlitet të ndërsej shqiptarët e Shqipërisë kundër shqiptarëve të ardhur nga Çamëria, të cilët i klasifikon "jo normalë". Dhe me gjeste tepër triumfuese deklaron: "Me shqiptarët e Shqipërisë, nuk kemi probleme", etj. Tepër qesharake, shumë intriga, pa turpësi dhe tepër ordinere.
Nga informimet e mësipërme, të mbështetura në disa burime, rezulton se shteti Grek i kohës, i udhëhequr nga qeveritë kuislinge Çolakoglu, Logothetopulos dhe J. Rrallis, kishte krijuar çoroditje tek e gjithë popullsia. Në ato vite, Greqia ishte “tepër e çorientuar”. Vepronin disa qeveri që përfaqësonin forca të ndryshme të rezistencës. Situatë që krijoi përplasje reciproke mes tyre, largoi vëmëndjen kryesore nga lufta e përbashkët për çlirimin kombëtar të Greqisë nga pushtuesi.
Gjithkush le të përpiqet të gjykojë me llogjikë të ftohtë dhe të pavarur, të kuptojë të fshehtat, mashtrimet apo enigmat që vazhdojnë të trazojnë dinjitetin e atyre banorëve fatkeq, nëpërmjet leximit dhe “përtypjes” mirë edhe të këtyre ngjarjeve që tronditën shpirtërat e prindërve dhe gjyshërve tanë!
Gjithësisë (universit) i takon krijimi i gjithshkaje; ndërsa vazhdimësia e të gjitha gjallesave është individuale dhe jashtë mbikqyrjes universale.
Librat dhe shkrimet që kam botuar, le të jenë "qirinj" të ndezur, për ndriçimin e errësirë 77 vjeçare, sipas këshillës së filozofit kinez, Konfucit (Lindur: 28 shtator 551 pes. Vdiq:11 Prill 479 para Krishtit): “Është më mirë të ndezësh një qiri, se sa të mallkosh errësirën”?!
Nuk mungojnë thëniet edhe nga vetë pala vrasëse, se masakrat, gjenocidi grek ndaj çamëve, dëbimi tërësor i tyre, nuk ishin se ata bashëpunuan me okupatorët, por ishte misioni ortodoks për shtrirjen e helenizmit edhe në trojet e Çamërisë; ishte hakmarrja për ndërrimin e besimit fetar; ishte objektivi i shfarosjes prej rajonit i "Farës-çame", si elementë pengues të fuqishëm të ideologjisë ogurzezë "megalloideiste". Le ta lexojmë dhe ta dëgjojmë këtë konkluzion, nga goja e tyre, me "amanetin" që la gjenerali famëkeq Napoleon Zerva, masakruesi dhe dëbuesi i banorëve çamë, i cili në pragvdekjen e tij është shprehur:
"Vdes i qetë se bëra atė që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha; ulërima fëmijësh, nuse dhe gra të zhveshura, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë.... burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtërat helene".
Kjo deklaratë nga goja e N. Zervës, zbërthen misionin e vërtetë të shtetit ortodoks grek, për zhdukjen e farës së shqiptarëve të Çamërisë nga trojet më jugore të Shqipërisë natyrore.
Të nderuar lexues!
"Çështja Çame" dhe gjenocidi grek ndaj çamëve, tashmë janë të njohura, janë përgënjeshtruar të gjitha akuzat falso të fabrikuara pa rreshtur që nga koha e kryerjes e deri sot, 77 vjet me radhë. Të shumtët e shoqërive civile janë të bindur me fakte, prandaj të gjithë kërkojnë të funksionojë drejtësia. Por gjyqësia për fenomenin mungon. Mungesa e gjyqësisë, pa vështirësi, zbulohet tek fabula e poetit tonë Andon Zako Çajupit:
"UJKU DHE QENGJI".
M'i forti në këtë jetë, punon dhe bën si do vetë. Një qengj i majmë shumë pi ujë në lumë. Një ujk u lëshua dhe iu afërua: Uria e kish shtrënguar dhe kish dalë për të gjuar.
- Pse trumbullon ujë?,- thotë gjakëtori, se kur e pa gengji nga frika përmori.
- Zot' i math,- tha qengj' i ngratë,
- Ndëgjomë, jeta t'u ngjatë, mos u zemëro, të lutem shiko.
Zot, lumi shkon poshtë, ti pi përmi mua ujë të kulluar,
- Jo! U trumbullua. Pastaj kam ndëgjuar që më ke sharë, një vit më parë.
- Zot, s'kesha lerë.
- Yt vëlla. -Po s'kam. -Të tjerë, yt at, qentë dhe baritë, rrin' e më shajnë përditë, nukë kam dyshim, ndaj sot s'ke shpëtim, se për këtë shkak dua të marr gjak. - Dhe u hodh e zuri, ndë një pyll e shpuri, e mbyti, e çqeu, se kshtu i pëlqeu".
…………….
Së fundi: Kush e gjen të vërtetën?
Kur Krishtin e çuan përpara Pons Pilatit, ky i fundit e pyeti se kush qe.
Krishti i tha “Ego sum Veritas” (“Unë jam e Vërteta”).
Ahere Pons Pilati ja ktheu: “Po kush është e Vërteta?”
..........
"E Vërteta nuk është ajo, që unë them për veten time. Asnjë epokë, apo sistem, nuk gjykohen nga ato që kanë thënë për veten e tyre. Filozofi Niçe, duke e cituar dialogun e mësipërm biblik, ka shkruar se pyetjen më të madhe në historinë e njerëzimit e ka thënë pikërisht Pons Pilati".
……...
Itali, më, 24/Qershor/ 2021-.
Studjues: Fahri Dahri
Shënim(1): Dëshmitar i rrugëtimit 77 vjeçar i emigrantëve çamë, nënshtetas shqiptarë të pas vitit 1953.
Shënim*(2): "Është një testament që u mbetet brezave. SHPA Çamëria, nëse e sheh të arësyeshme, të ndërhyjë në tekst. Me përmirësimet e nevojshme, të vendoset botimi prej saj në çdo 27 qershor".
Shënim *(3): Në shtjellimin e këtij shkrimi jemi referuar, krahas burimeve personale edhe historianëve: Kristo Frashëri, Kastriot Dervishi, Arben Llalla, etj. të cilët i falënderojmë për kontributet e dhëna në nxjerrjen e të vërtetave historike të një ngjarjeje makabër. Akt mizor grek që vazhdon të rëndojë thellë në ndërgjegjen dhe qënien njerëzore.
Shënim*(4): Emigrantët çamë e kishin humbur besimin edhe ndaj forcave të majta greke. Siç është theksuar, deri para dëbimit ishin në krah të forcave të majta (është fjala për ata pak banorë që muarën pjesë në të dy formacionet luftarak. Shumica e atyre pakicave u përfshi me partizanët grekë). Ndryshimi i qendrimit të çamëve edhe ndaj forcave të majta greke, ishte i drejtë sepse mbas operacioneve të dhjetorit 1944, me çlirimin e Çamërisë nga pushtuesi zervistë, ai territor ishte nën kontrollin e luftëtarëve të forcave të majta, të ELLAS-it, por "hap e mbyll sytë" komanda që kishte e majta, i u dorëzua të djathtës greke. Një pjesë e popullatës çame, që ishin larguar matanë kufirit shtetëror, u rikthyen, mbasi besuan në marëveshjen e Varkizës, duke u vendosur në qytetin e Filatit dhe në fshatrat për rreth.
Ishte ai moment tradhëtie nga forcat e ELLAS-it të cilat u tërhoqën nga kontrolli i territotit të Çamërisë. Më 12 Mars 19445 forcat qeveritare të garnizonit të Korfuzit shkelën marrëveshjen e Varkizës të Shkurtit 1945, dhe në pabesi kryen masakrat çnjerëzore të Vanrës (vend në afërsi të qytetit të Filatit). Kjo ngjarje tregon edhe njëherë bindshëm planin për shfarosjen e banorëve të Thesprotisë. Ajo marëveshje krahas dëmit të rëndë të popullsinë çame, vërtetoi qëndrimet armiqësore të autoriteteve në terren dhe qeverisë greke ndaj banorëve myslimanë të rajonit autokton shqiptar të Çamërisë. Politikë që finalizoi shfarosjen e popullatës Shqiptare të Çamërisë nga vendbanimi i saj historik, që nga lashtësia.
Fund
Studjues: Fahri Dahri
Itali, më, 24/Qershor/ 2021
Comments