Shpifja, ashtu si edhe fyerja, janë vepra penale, pasi kanë të bëjnë me aspekte nga më delikatet e jetës së përditshme, siç janë nderi, dinjiteti dhe reputacioni si për persona të ndryshëm dhe për komunitetet e popujt, prandaj janë të aplikueshme edhe në përvojat juridike, në doktrinën botërore. Shteti grek, për të realizuar strategjinë e cituar më lart, kundër çamëve myslimanë, brenda kornizave të taktikave, ka përdorur me sukses shpifjen. Nga viti 1913 deri para kryerjes së gjenocidit, e gjithë propaganda greke i përmbahesh teorisë se çamët myslimanë nuk ishin autoktonë, por të ardhur gjatë periudhës së sundimit otoman, nuk kishin ndërgjegje kombëtare dhe se gjuhën shqipe ua mësuan bejlerët, spahinjtë, dhe u mbështetën në një komb alien në sekond etj. Ndërsa pas genocidit, po teoritë greke në shpifje marrin trajta të tjera, si çamët myslimanë ishin fise të lashta greke, por duke ndërruar besimin fetar, ata tradhëtuan kombin dhe, si jogrekë nuk mund të jetonin në vendin e grekëve, pra, në sekondë u trajtuan si komunitet i padëshiruar në Greqi. (Racizëm i pastërt fetar i pandëshkuar, sepse është brenda strategjive të ndarjeve të popujve në dy fronte sipas besimeve fetare). Dy qëndrimet e mësipërme greke ndaj çamëve myslimanë, tregojnë qartë synimet duke përdorur taktikat shpifëse të shkrimtarëve, shkencëtarëve, historianëve dhe shtetarëve grekë, por që mjerisht z. Manda nuk arriti t'i kuptojë kolegët e saj, sidomos ata të djeshmit, të cilët hodhën trasetë e vazhdimit të shumë shpifjeve dhe gënjeshtrave ndaj çamëve, por, për fat të mirë, çdo lexues i vëmëndshëm, me leximin e librit të E. Mandas arrin t'i kuptojë ato me lehtësi.
* Gënjeshtra dihet, është mashtrim në trajtën e një të pavërtete të shprehur me qëllim mashtrimin, ose ndryshe është shprehja e diçkaje kur njeriu e di se është e tilllë, por bëhet e qëllimtë që të tjerët ta pranojnë si të vërtetë. Gënjeshtra dhe mashtrimi, ku përfshihen maskimi, falsifikimi, fshehja e fshirja, janë veprime të qëllimta tek pala greke për të krijuar përfytyrim të gënjeshtërt për çamët myslimanë, gjithmonë me synim plotësimin e betimit të megalloideistëve. Në periudhat kur rajoni ishte nën sundimin italo-gjerman, pala greke i kallzonte çamët si mbështetës të partizanëve; ndërsa tek anglo-amerikanët si mbështetës të gjermanëve.
Një vend tepër të veçantë studimi i kushton periudhës së luftës italo-greke, ku përqëndrohet tek elementi çam, i cili nga ndonjëherë na paraqitet me një autoritet më të fuqishëm se ai i pushtuesve italianë dhe gjermanë. Por "harron" dhe rrëshqet nga ato mbivlerësime të forcës së imagjimuar ushtarake çame, me deklarimet se prefektura e Thesprotisë drejtohej nga prefektët, nënprefektët dhe gjithë nëpunësit e administratave të rajonit, vetëm me persona të kombësisë greke. Ndërsa pretendimi se në kohën e pushtimit italian dhe gjerman meshkujt çamë, nga mosha 14 vjeç e sipër, ishin veshur me uniformat e atyre ushtrive kundër palës greke, kemi të bëjmë vetëm me mashtrime dhe gënjeshtra. E vërteta është krejt ndryshe. Para ardhjes së dytë të ushtrisë italiane, autoritetet greke i grumbulluan 6.000 meshkujt çamë, nga mosha 16 vjeç e lart dhe i internoi në ishujt e Detit Egje. Kur ushtria gjermane hyri në Selanik dhe pushtoi Greqinë, meshkujt çamë i gjeti në kampet greke të përqëndrimit. Historiania nuk e trajton veprimin e shtetit grek, ku gjashtë mijë djem dhe burrat çamë qëndruan gjashtë muaj në ksori (internim), larg familjeve, pa asnjë arsye apo gjyq. As faktin që gjatë asaj periudhe, nëpër qytetet dhe fshatrat e Çamërisë, ku kishin mbetur vetëm gra dhe fëmijë, vërshuan vjedhësit, bandat vrasëse, kriminelët grekë të rajonit dhe kretezët duke plaçkitur dhe shkatërruar gjithçka.
Autorja trajton edhe çështje të tjera në studim. Në shtjellimin e shkollimit, ajo përpiqet me shumë vështirësi të justifikojë mos hapjen e shkollave shqipe. Lidhjet bëhen edhe me minoritetin grek në Shqipëri, i cili na u paska përdorur si kundërpeshë nga shteti shqiptar. Me pak mend ky shtjellim duhej evituar, për arsyen se shteti shqiptar i kohës nuk mund të trajtonte territorin ku banonte minoriteti grek, tokë shqiptare, për ta këmbyer me territorin e Çamërisë që ishte po tokë etnike shqiptare!. I dhimshëm dhe i sikletshëm është niveli i paaftësisë për mosdallimin e pasojës, të cilën e përdor në vend të shkakut. Në librin e saj popullsinë myslimane, e bazuar në përshkrimet e autoriteteve lokale të kohës, e cilëson se ishin njerëz të thjeshtë, me nivel të ulët kulturor, të pashkolluar (kur ajo e din fare mirë se shkollat shqipe nuk lejoheshin nga shteti grek), gjithashtu nuk shkruhet asgjë për mos hapjen e shkollave shqipe, për çamët ortodoksë (të cilët autorja nuk arrin t'i kuptojë që edhe ata janë të etnisë shqiptare) dhe akoma më shumë shteti grek ende nuk i njeh si pakicë kombëtare shqiptare, veprimet e moshapjes së shkollave shqipe, por vetëm shkolla greke në rajon, që shteti grek i përdorte për asimilimin e dhunshëm të tyre. Autorja vazhdon trajtimin e rasteve të veçanta si të përgjithshme, ku çamët dalin përherë protagonistë të së keqes, periudhën e luftës e paraqet shpresë dhënëse të çamëve. Aspekte të tjera krijojnë idenë sikur gjatë asaj periudhe çamët paskan shkuar në fshatrat e Greqisë, ku kanë vrarë, djegur fshatra, dëmtuar pronat e grekëve etj, kur dihet fare mirë se ishin banditët e Napoleon Zervën, që shkuan në Çamëri dhe kryen masakrat e tmerrshme.
Nëpërmjet zj. E. Manda, pretendimeve greke se çamët paskan qenë më të këqinjtë e asaj kohe dhe që i trashëgojnë edhe bijtë e tyre, sipas udhëheqësve të sotëm grekë, po i vë përballë thëniet e studiuesit grek të asaj kohe, z. Niko Zhangu: "Në zonën e Gumenicës dhe të Filatit ishte bërë rregull që asnjë grup i rezistencës greke nuk dilte në zonat e lira pa qenë i shoqëruar nga një shqiptar çam.
Pikërisht për këtë veprimtari e sakrificë, jo pak çamë dolën para gjykatave të pushtuesit dhe u burgosën". Më tej studiuesi grek, z. Niko Zhangu deklaron: "Sikur shqiptarët çamë të ishin kriminelë, do të zhdukeshin të gjitha fshatrat e krishterë të Thesprotisë rreth fshatrave shqiptaro-çamë".
Qarqet shoviniste greke për të nxitur përçarjen midis dy komuniteteve, ndihmuan në vrasjen e çamëve me influencë si: Tefik Qemalin, Jahja Kasemin, vrasjet e shqiptarëve të tjerë nga çeta e Koçnikollës. Të revoltuar nga këto akte, një grup çamësh shkuan për të djegur fshatin Rahul, por u doli përpara popullsia e Karbunarit, një fshat i madh i përbërë prej çamësh, dhe i ndaloi. Edhe pse Rahuli shpëtoi nga një katastrofë e sigurtë, "më pas bandat e Zervës therën edhe gratë dhe fëmijmët e atyre që shpëtuan Rahulin (Rackouli)", pra, vranë banorët e Karbunarit. Në këto rrethana, për mbrojtjen e banorëve të Çamërisë, u formua një batalion i cili kishte afro 300 veta. Në të vërtetë batalioni nuk veproi brënda kufirit shtetëror grek, por ai veproi brenda kufijve të shtetit shqiptar. Duhet theksuar se arsyeja që këto forca vepruan jashtë kufirit grek ishte, pasi gjermanët nuk donin të prishin marrëdhëniet me qeverinë kuislinge të Ralisit (Ralis, dihej ishte nazist, pro gjerman).Këto të vërteta, duheshin shkruar në librin "Çamët myslimanë të Epirit". Mirëpo, nëse do shkruheshin të vërtetat, do binin gënjeshtrat, do pohohej bashkëpunimi i qeverive greke me okupatorin, do rrëzoheshin shpifjet për bashkëpunim të çamëve myslimanë me okupatorin. Më shqip, rrëzohet strategjia 200 vjeçare e "Megalloidesë". Gënjeshtrat dhe mashtrimet e palës greke ndaj komunitetit çam, kanë qenë të pandërprera, janë evidente, të qarta, të shkruara dhe të njohura, edhe monizmi shqiptar përdori forma denigruese, si heshtjen, censurën e egër dhe nëpërkëmbjen. Nuk është vendi për t'i shtjelluar këto fakte të turpshme, pasi janë trajtuar me hollësi, sidomos në literaturat pas viteve dymijë nga autorë shqiptarë, grekë, dhe të huaj, si dhe nga bijtë e Çamërisë që janë rritur e shkolluar jashtë vendlindjes së prindërve, por me mbartjen në ndjenjat dhe zemrat e tyre dashurinë dhe dhimbjet e tyre.
* Narcizmi. Nuk mund të lihet mënjanë narcizmi i shtetit grek, i cili idealizon në mënyrë të tepruar besimin e tij fetar, e fetishizon atë, i thurr lëvdata të pa fund derisa kalohet në egocentrizëm dhe aspak ndjeshmëri (empatikë). Është e drejtë e tij, askush nuk ndërhyn, ndërsa diktati për ta shtrirë forcërisht tek popujt dhe shtetet e tjerë, është e papranueshme, agresive, acaruese, shkaktare e trazirave të pandërprera mes fqinjëve. Ky narcizëm, i lindur që prej shekullit XIX në Greqi, krijoi vendosjen e racizmit etnik dhe fetar, që u vërsul gjatë dy Luftërave Botërore dhe atyre Ballkanike ndaj popujve, komuniteteve etnike jogreke si brenda dhe jashtë teritorit të tij.
Në përfundim, arrim në konkluzionin se çështja për të cilën trajton autorja, do të ishte e plotë dhe do t'u jepte mundesi lexuesave për të gjykuar me drejtësi dhe paanësi po të ishte shtrirë në kohë dhe hapësirë, si dhe përfshirja në 'të e politikave social-kulturore, ekonomike dhe etnike të ndjekura nga shteti grek ndaj shtetasve të saj, çamëve ortodoksë me etni shqiptare dhe me banim në trojet e tyre autoktone. Në normalitet vlerësimi për një sipërmarrje arrihet kur gjithçka niset nga fillimi dhe çohet deri në fund, ndryshe duhet pranuar anësia në gjykimin e tyre, mungesa e dëshirës për pasqyrimin e të vërtetave të fshehura e të fshira nga propaganda shumëvjeçare të cilat nuk njiheshin dhe kur zbulohen gjatë hulumtimeve se nuk janë ato që priteshin, detyrojnë shkruesit të bëjnë spostime në kohë dhe në hapësirë, pa përjashtuar edhe censura të caktuara.
E ndodhur para këtyre fakteve historike, të cilat përgënjeshtrojnë shpifjet, gënjeshtrat dhe mashtrimet greke, autorja modestisht dhe me sinqeritet, pranon ekzistencën e gabimeve brenda në tekstin e librit dhe i gjykon si të paevitueshme me shpresë se me botimin e librit, do të kontribuohet për korigjimin e tyre.
Bazuar në këtë dëshirë-kërkesë të autores, u përpoqa të sjell disa prej të vërtetave që nuk thuhen në librin e z. Manda. Njëkohësisht për këtë ndjenjë përgjegjshmërie të autores, sinqerisht e falenderoj dhe i uroj punë të mbarë e të pavarur në jetën e saj studimore.
Fahri Dahri. Më 07/04/2021.-
Comments