Piro Ahmetaj: “Pse meriton duartrokitje, Buxheti Mbrojtjes - 2026”?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 15 minutes ago
- 5 min read

Para një muaji, bashkë me paketën në tërësi u miratua edhe Buxheti i Mbrojtjes- 2026. Në statusin e ekspertit për çështjet e reformës mbrojtjes dhe NATO-s, përfshi planifikimin strategjik, në vijim gjeni “5 gjetje/arsye strategjike pse meriton të duartrokitet ky buxhet” (?):
Së pari, përtej paragjykimeve politike por për peshën strategjike që mbart, këtë buxhet e gjej jo vetëm më të madhin në 35 vitet e fundit, por dhe si histori suksesi, për të cilin meritojnë duartrokitje Ministri si dhe stafi i MM. Shifrat flasin më fortë se dhjetra fjalime dhe mijra fjalë, kështu: “58,9 miliardë lekë ose mbi 600 Milion €; rreth 2.12% të PBB, 12% +plus se 2025; pesë fishin e 2015 si dhe 10 herë më shumë se 2001” !
Përtej shifrave historike në vetëvete, buxhet meriton po ashtu të duartokitet pasi i gjej të shumë mirë integruara dhe mbështetura me buxhet: “Vizionin, Objektivat, Projektet, Përkushtimin si dhe Domosdoshmërinë kritike që ka Transformimi/Modernizimi i Sistemitm (fuqisë ushtarake) të Mbrojtjes Kombëtare”!
Së dyti, buxheti mbrojtjes 2026 meriton të përshëndetet, pasi çmoj se mirë-adreson kërcënimet dhe ndryshimet radikale që ka pësuar mjedisi i sigurisë 4 vitet e fundit, si pasojë e: “e luftës së përgjakshme të Rusisë-Putiniste, kundër sovranitetit të Ukrainë, njëherësh ndaj rendit global si dhe fuqisë ushtarake të Aleancës (USA/NATO/BE)”; përballjen me shtetet dhe organizatat terroriste, rikthimin e frikshëm te gara e armatimeve; si dhe ri-konfirmimin e qasjes së Presidentit Trump-2: “paqe nëpërmjet forcës”, deri te mirënjohja për nënëshkrimn e ligjit të mbrojtjes kombëtare (NDAA) ku specifikisht: “konfirmohet mbështetja e ShBA për integrimin e Kosovës në NATO/BE si dhe në dialogun me Serbinë bazuar në njohje reciproke, pa ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh”!
Ndërsa dekadën e fundit janë përshkallëzuar përpjekjet dëshpëruese të Kremlinit për interesa gjeopolitike (përfshi hapjen e një front të ri lufte) në Ballkan, të cilat mbeten ndër rreziqet për paqen si dhe ardhmërinë Euroatlantike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjithësesi kërcënimi Nr.1 për Rajonin përfshi RSh dhe Kosovën, mbeten demokracia fasadë dhe rikthimi i frikshëm te gara e armatimeve, të cilën e kryeson Serbia me mbi 3 miliard € shpenzime vjetore për armatime, Avion, Raketa, Dronë të gjeneratës se fundit, duke kërcënuar tërësinë territoriale të Kosovës, njëherësh interesat jetike të RSh, prezencën ushtarake të KFOR-it si dhe interesat gjeopolitike të USA/NATO në Rajon!
Së treti: rritja e shpenzimeve të mbrojtjes për 2026, meriton të duartrokutet pasi prioriteti thelbësor i tij, janë “modernizimi kapaciteteve te FA dhe rritja e fuqisë ushtarake të RSh”. Kështu për herë të parë në 35 vite, 29 miliardë lekë (ose 50 % e buxhetit vjetor) janë shpenzime për: “programet e modernizimit të armatimeve, mbrojtjes kibernetike dhe dixhitalizimin e njësive të luftimit; industrisë dhe infrastrukturave ushtarake; për helikopterët, anijet, stërvitjen si dhe projektet e përbashkëta me partnerët strategjikë”.
Po ashtu edhe projekti/ambicja “Made in Albania”, pra prodhim municionesh, dronë e sisteme anti-dron, pajime personale, mjete të blinduara, etj zënë peshë të arsyetuar në këtë buxhet: “4,3 miliardë lekë janë parashikuar për emergjencat civile në mbrojtje të jetës se qytetarëve, pronës se çdo familje dhe në çdo skaj të RSh, ngritja e dy qëndravve rajonale për menaxhimin e emergjencave, dy avionë zjarrfikës për përballimin e zjarreve si dhe investime në parandalim dhe reagim të shpejtë”.
Së katërti, edhe pse paketa e negociatave të anëtarësimit të RSh në BE nuk ka një kapitull të posaçëm për fuqinë ushtarake, në buxhetin 2026, konsiderohet zhvillimi i kapaciteteve operacionale për reagimin ndaj emergjencave civile, menaxhimin e krizave, sigurinë e infrastrukturave kritike dhe energjisë; sundimi i ligjit dhe monitorimin e kufijve, duke e shndërruar dhe integruar RSh në kontribues aktiv për sigurinë, stabilitetin demokratik si dhe mbrojtjen e përbashkët Europiane.
Së pesti, ndër prioritetet e buxhetit 2026 janë planizuar edhe masat shtetërore për përmirësimin e besimit e shqiptarëve te Institucionet, Strukturat dhe Agjensite shtetërore të sigurisë. “Në zemër të këtij buxheti janë njerëzit me uniformë” theksoi Ministri Pirro Vengu. Konkretisht, 13 miliardë (25%, shifër dinjitoze me standartet e NATO-s) do të shkojnë për paga më të larta, kushte më të mira jetese, standartet moderne të rekrutimit, karierës dhe menazhimit te burimeve njerëzore pra për më shumë dinjitet për personelin e FA.
Në vijim gjeni 5 gjetje dhe këshilla strategjike për Reformën, përshfshi Buxhetin e Mbrojtjes
1) Fillimisht, nga ekperienca (dijeni zyrtare nga kolegët), konfirmoj se në 31 vendet e tjera NATO-s, strategjia, buxheti mbrojtjes, programet t e modernizimit, etj janë produkt i diskutimeve dhe miratimit me konsensus në kuvend (Kongres & Senat në USA), çka i jep jo vetëm peshë vendimarrëse balancave demokratike të pushteteve por edhe legjitimitet sistemit të prokurimeve/shpenzimeve për rritjen e fuqisë së mbrojtjes Kombëtare.
Kështu, përtej fatëkeqësisht këtij udhëkryqi hibrid: “shtetit të kapur nga korrupsioni endemik si dhe opozita e refuzuar/diskretituar nga riciklimi i listave të neveritura në 4 zgjedhje radhas”, rikthimin e besimit te vlerat e demokracisë funksionale si dhe harmonia e balancave të pushtetetit në çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare (përfshi diskutimet dhe miratimin në seanca të posaçme parlamentare të buxhetit, projekteve të modernizimit, investi(met)torët strategjike, etj), etj e çmoj dhe e sugjeroj ndër sfidat dhe misionin jetike të mbarë-shqiparëve.
2) Duke parë buxhetin 2026 në kontekstin e Strategjisë Trump - 2025, më duhet ta përseris se “Epoka e garancive strategjike nga ShBA ka përfunduar”. Për më konkretisht: “në një Rend të Ri, ku interesat “mbeten të vetmet karta”, nuk mjafton të kesh Aleatë, por duhet të zhvillojmë kapacitetet të afta për të ushtruar përgjegjësitë në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave mbarë-Kombëtare.
3) Gjithëses, duke “përsëritur duartrokitjet e merituara për rritjen e buxhetit të mbrojtjes - 2026”, objektivin drejt 5 % të GDP-së (mbi 1.2 miliard €) përveçse presion/kërkesë të Presidentit Trump e gjej edhe si legjitimitet ndërkombëtar (ShBA/NATO/BE) por edhe oportunitet historik për të zhvilluar dhe ekspozuar fuqinë ushtarake, perfshi kapacitete deterrence (pra shkurajuese, ose shpaguese) ndaj çdo vendi ose aleance sllave që kërcënon sovranitetin territorial dhe interesat gjeopolitike të RSh dhe Kosovës.
4) E çmoj po ashtu emergjencë fisnike si dhe këshilloj ngritjen e një “Grupi të mënçurish/Wise Group”, me personalitete/elita të gjerësisht pranuara, që përtej tallavase dhe pazareve part-iake përulen para flamurit, interesave Kombëtare dhe përgjegjësive shtetërore për ta jetësuar Platformën: “2-Shtete sovrane 1-Komb i vetëm”, e cila kontribuon edhe si balancë racionale për bashkëjetesën paqësore si dhe integrimin Euroatlantik të Rajonit.
5) Duke përsëritur mirënjohjen dhe respektin ndaj komunitetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëatare, do të sugjeroja por dhe mbetem shpresëplotë që: “sakrificat sublime, përkushtimi dalluar, Integriteti spikatur si dhe përulësia fisnike e ushtarakëve, Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile, inteligjencës, shëndetësisë, etj, do të trajtohen me dinjitetin që ato/ata meritojnë”!
*Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Senior Ekspert për Reformën e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.









Comments