top of page

Piro Ahmetaj: 25-vjet çlirim, e përjetshme mirënjohja kombëtare ndaj ShBA/NATO!


Gjeneral ® Piro Ahmetaj: 25-vjet çlirim, e përjetshme mirënjohja kombëtare ndaj ShBA/NATO!



Pikërisht si sot, 25-vjet ose plotë një çerek shekulli më parë, nisi zbarkimi i trupave tokësore të NATO-s në Kosovë. Prandaj 12 Qershori 1999 mbetet përjetësisht i skalitur në memorien e historisë sonë kombëtare, si data zyrtare e çlirimit të Rëpublikës së Kosovës nga ushtria barbare e Millosheviçit. 

Para së gjithash, si për çdo 12 qershor, dëshiroj t’ju përcjell mbarëshqiptareve, urimet më të përzemërta për 25 vjetorin e çlirimit nga pushtuesit sllav të gjysmës së kombit, Kosovës sonë martire.  

Me këtë rast, na duhet ta përsërisim edhe më fortë që12 Qershori 1999 është jo vetëm një datë e përuljes së mbarëshqiptareve ndaj të rënëve/Dëshmorëve të Atdheut, por mbetet edhe një datë e nderimit të merituar ndaj luftëtarëve si dhe sakrificat popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi në shekuj.

Por 25 vjet mbas çlirimit të Kosovës nga pushtimi Serb, shpresoj edhe më shumë që memorien Institucionale dhe kombëtare do të mbetet përjetësisht e kthjellët, që: “çlirimi i Kosovës dhe realiteti i ri gjeopolitik, nuk erdhën brenda një date të vetme (12 Qershor 1999)”, pasi ashtu si edhe njihet botërisht: “çlirimi nga pushtimi Serb në12 Qershor 1999, nuk u arrit vetëm nga luftrat, gjaku i derdhur, qëndresa si dhe sakrificat sublime në shekuj të popullit të Kosovës”!

Prandaj, për shkak të së vërtetave, shpresoj që Ne si Komb ta “pranojmë fisnikërisht” se kryesisht (sigurisht jo vetëm) falë ndërhyrjes së fuqisë ajrore të NATO-s, Millosheviçi u imponua të nënshkruaj kapitullimin dhe tërheqjen e forcave pushtuese (ushtarake dhe policore) deri në kufijtë e përcaktuar nga rezoluta 1244, kufij që u shenjtëruan edhe në Flamurin e Republikes se Kosovës nga Sh.T. Presidenti Ibrahim Rugova. 

Po ashtu, do të mbetet përjetësisht e mirënjohur se, që para datës 12 Qershor, pra nga 24 Marsi historik deri në 10 Qershor 1999 (kur Sekretari i Përgjithshëm z. Solana, urdhëroi ndalimin e bombardimeve ndaj Serbisë); SHBA/UK dhe NATO u angazhuan për herë të parë në një fushatë ajrore ose në luftë “jashtë artikullit 5” (pa miratimin e KS/OKB) por ndërsa gjykata e legjetimoi, historia e ri-konfirmoi NATO-n si: “Aleancën më të fuqishme ushtarake si dhe e besimit te liria, paqja dhe vlerat demkratike në mbarëbotën”.  

Së dyti, përtej definicioneve në doktrinat e luftës (mbi pushtimin dhe çlirimin), në vijim po paraqes fakte dhe konsiderate strategjike: “pse 12 Qershori 1999 është zyrtarizuar si data e çlirimit të Kosovës? 

Më 9 Qershor 1999 (pra 3 ditë para datës 12) në Kumanovë të MV ishte nënshkruar Marrëveshja Teknike Ushtarake ndërmjet palës fituese/NATO dhe palës humbëse/RFJ, marrëveshtje që hyri në, hyri në fuqi më 11 Qershor 1999 duke legjitimuar ndërhyrjen me trupa tokësore ditën tjetër, 12 Qershor 1999.  Me Marrëveshjen e Kumanovës, NATO ndaloi bombardimet ndërsa Serbia detyrohej të terhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga territori i Kosovës. Por, në Kumanovë përfaqësuesit e UÇK-së nuk ishin as palë nënëshkruese, as presente, ndërsa u vendos shndërrimin i UÇK-së në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Pra, më 12 Qershor 1999, NATO nisi zbarkimi i trupave të këmbësorisë në Kosovë, dy ditë më parë (10 Qershor) Këshilli i Sigurisë së OKB-Së, kishte miratuar Rezolutën e Anthisarit nr. 1244, sipas të cilës në Kosovë u legjitimua dërgimi i 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.  Thënë këto, ndërhyrja e NATO-s me trupa tokësore, konfirmoi vendosmërinë e perëndimit për të gjunjëzuar një kriminel lufte si Millosheviçi, si dhe megjithë përpëlitjet e Ariut të plagosur/Rusisë, kjo ngjarje ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të rajonit, në favor Aleancës Euroatlantike si dhe të kombit Shqiptar. 

Së treti, pa mëdyshje, që edhe 25 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 30 muajt e luftës neo-naziste të Rusise-Putiniste në Ukrainë: “qëndrimet dhe veprimet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sikronizuara me endrrat dhe interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Gjithësesi, Moska ka dështuar për të ndezur një front të ri lufte, duke frymëzuar dhe armatosur grupet kriminale në veri të Kosovës si dhe për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore/USA në rajon. 

Pavarësisht kësaj, ndër aktorëtrajonale në krye qëndron presidenti serb Vuçiç i cili pasi ka dështuar për të bërë viktimën apo për të pirë nga 4 nëna (Moskë, Washington, Bruksel, Pekin), së fundmi dalldisi se: "solidariteti i BE-së është një përrallë", si dhe bëri thirrje për "miqësi prej çeliku" me Kinën! Po ashtu ka keq-dështuar edhe trimërimi Tij mbas lufte mbi: “Kufijtë e rinj shtetëror në Ballkan apo (mos) njohjen e Kosovës”, të cilat vetëm minojnë dialogun dhe rrezikojnë axhendën e integrimit të Serbisë drejt BE. 

Ndërsa, 15 vitet e fundit: “shqetësimet strategjike mbi armatosjen deri në dhëmbë dhe (keq) shpërdorimin e Beogradit nga Kremlini”, i kam adresuar si pyetje të publike, ndaj z.Vuçiç: “përse shpenzon më shumë se 1 miliard € në vit për armatatosjen nga Rusia me Tanke; Mig-29, Helikopter luftimi, raketa Pantsir-S, etj ? Përse 3/4 e strukturave dhe fuqisë ushtarake ofensive i ka dislokuar në kufijtë shtetërorë të Kosovës (?); nga cili vend apo Aleancë rrezikohet tërësia territoriale e Serbisë (?); apo integritetin e cilit vend sovran, përveçse të Kosovës kërcënon Serbia”Thënë këto, më duhet ta përsëris qartë, përfshi për gjeneralet dhe mëndjet putiniste jo vetëm në Beograd: “përsa kohë të ketë prezencë të SHBA/NATO në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, përveçse nje aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur!

Së katërti, megjithë përpjekjet dhe progresin 25 vjeçar për tu larguar nga urrejtja dhe gjakëderdhja shekullore, paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euroatlantike për 6 vendet e ballanit perëndimor mbetet ende një sfide serioze. Edhe përgjatë çerek shekullit të fundit: “Ambicjet geopolitike të Rusisë – Putiniste; ushtarët e oshilacioneve të Millosheviçit në Beograd apo Dodikët e droguar nga Moska, jo vetëm kërcënojnë sovranitetin e Kosovës, por edhe stabilitetin dhe axhendën e integrimit të 6 vendeve te ballkanit perëndimor (përfshi Serbinë), si dhe sfidojnë vlerat demokratike, fuqinë ushtarake, kohezionin dhe interesat e Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE) në rajon.  

Gjithësesi, përkundër riciklimit të rrënjve të konfliktit besoj edhe më fort se paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të perceptohet dhe konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetareve edhe në vendet e ballkanit ende të pa integruara në BE.

Nga ana tjetër, historia e mbas-konflikteve na ka treguar, se marrëveshjet e Paqes dhe nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar themelet e mirëbesimit reciprok mes popujve. Krimea, është shëmbull i gjallë, ku arritjet nga Marrëveshja e Paqes-2014, po shpaguhen me gjakun e qytetarëve Ukrainas dhe Rus. 

Së pesti, fatëkëqesisht për 25 vjet, palët ende nuk po i zgjidhën dot mosmarreveshjet ndërshtetërore dhe ndërkufitare, ndërsa Serbia dhe Kosova do duhet të tregohen seriozë për të zhvilluar masat e mirëbesimit reciprok dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve. Në kapacitetin e ekspertit, në vijim gjeni përmbledhje me “5 rekomandime strategjike” për sigurinë afatgjatë dhe ardhmërinë Euroatlantike rajonit:

1. Beogradit zyrtar i duhet “t’i harrojë kërcënimet-neo-Staliniste” për valëvitjen e flamurit Serb në Kosovë si dhe riciklimin e fushatave të përgjakshme ndaj popullit Shqiptar. Për të mirën e Serbisë, të mos shpenzoj kot 1 miliard € në vit nga taksat/mundi i popullit serb, pasi ka ZERO, aftësi, ose këllqe të përballet me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s dhe aftesite e përmiresuara të FSK; të heqë dorë nga ëndrrat për “të pirë” nga 4 nëna (Moska, Brukseli,Washingtoni & Pekini). Ndërsa, z.Vuçiç të mos riciklojë oshilacionet e Millosheviçit dhe as të bejë trimin tërbuar duke kërcënuar perëndimin (ose me Serbinë ose me Kosovën..!); por as viktimën dhe as të irrituarin, pasi, siç është konfirmuar nga Pentagoni edhe 246 raketat Javelin të miratuara nga DASH/SHBA për FSK, nuk janë kapacitete sulmuese por për të ushtruar të drejtën sovrane të vetë-mbrojtjes territoriale të Kosovës nga çdo armik potencial, që në fakt mbetet vetëm Serbia, apo Jo?

3. Prishtina Zyrtare, pa u konsultuar me ShBA, kurrësesi nuk do duhej/t të marrë vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimitarët e vërtetë/USA/NATO, që prej 25 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë e Kosovës”. Për më shumë, do t’i këshilloja vllazërisht aktorët mëndjehapur të Prishtinës që: “riciklimin e kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj Kosovës”, të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatore në kontribuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

3. Ndërsa, parnerëve strategjik, aktorëve dhe Ekspertëve/kolegëve në rajon, Washington, Bruksel, etj do t’i ri-sugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e Rajonit, ta para-kushtëzojnë me rikthimin e vetëm dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi “të imponohet” se: (A) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin teritorial të Kosovës; (B) nuk do të vendos instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve, dy kushte që gjithësesi duhen të monitorohen nga USA/NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen në rajon. 

4. Faktorët institucional në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të lëne me mënjanë krenarinë primitivo-bollshevike, por të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një Patformë Strategjike: “2Shtete sovrane 1Komb i vetëm” si dhe konceptit “Smart/mënçur” mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Sigurisht që: “ky projekt nuk ka kurrësesi lidhje me dalldisjen bollshevike që buron nga fuqia elektorale e mbi-Pushtetit dhe as me pushtetarë kusarë që dridhen në SPAK; por as me pluralizmin fasadë dhe as me aguridhet 50 milioneshe € për FSK, të ish-Kryetarit vulëhumbur (nga dje) si dhe vetëm një grushti egocentrikësh të sëmurë rreth tij”.

5. Përkundër: “vendimarrjeve të pakonsultuara dhe kakofonisë internacionaliste”, Tirana dhe Prishtina zyrtare, e kanë përgjegjësi të lartë shtetërore të demostrojnë mirënjohje kombëtare ndaj ShBA/NATO/UK, ndërsa për projektin “2Shtete Sovrane, 1Komb i vetëm” duhe te garantojne SHBA/NATO/BE se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon por do të kontribuojë për paqen afatgjatë në 6 vendet e rajonit, përfshi Serbinë.   

Në vënd të përmbledhjes, përsëris që, 12 Qershori 1999 mbetet një datë për të na kujtuar Ne si Komb jo vetëm çlirimin e Kosovës nga pushtuesit Serb, si ngjarje që meriton të skalitet edhe si datë e mirënjohjes mbarë-Kombëtare ndaj USA/NATO-s por si dhe dita e falënderimeve ndaj 36 vendeve si dhe emër për emër mbi 500 mijë ushtarakëve të KFOR-it, që për 25 vjet vijojnë të mbrojnë paqen në Kosovë dhe Rajon.

Ndërsa, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakëderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se 12 Qershori 1999 do të mbetet një këmbanë për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të ballkanit perëndimor: “paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqënies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlatike të Shqiperisë, Kosovës, MV, Malit të Zi, Bonje-Hercegovinës dhe Serbisë”!

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj:Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,Zv/President i Këshillit Atlantikut; & ish:Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

3 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page