
Zgjedhjet e reja
Daullet sinjalin dhanë,
Ranë boritë për beteja.
Ushtoi pylli anë më anë.
Do bëhen zgjedhje të reja.
Rroftë, rroftë demokracia !
Që të gjithë të barabartë.
Do garojnë luani, dhia,
Dreri me brirët e artë…
Një „kumbar“ në komision,
Numëron votat zuzari.
Heq dhjetë, njëqind shton
Që të dalë luani i pari.
Kryealeati
„Aleatët“ priti luani
Në takim, për pasfushatën.
Ndanë postet, u qep plani,
Hodhën firmat mbi kontratën.
“Ti ari do t’jesh ministër,
Prokuror, vetë çakalli.
Doganier me regjistër
Ujku, do të zbres nga mali.
Dhelpra do bëhet gjyqtare,
Sekretare zonja sorrë.
Grerëza për gazetare,
Kunadhja ambasador…”
Në fushatë plot energji
Aleatët u lëshuan.
Me flamuj, “me drejtësi”,
“Lodhje e madhe”… por fituan !
Vrapuan vulat të marin
Të qeshur e të gëzuar !
Kryealeati dredh zarin,
“Ca gjëra kan’ ndryshuar !...”
„Kryetari“
Yjet duke dalë, dita në të ngrysur,
Errësira e natës zbriste e kërrusur.
Po mendonte ujku “Pylli drurëshumë
Do një kryetar. Pse të mos jem unë ?“
Për të mbledhur vota e filloi fushatën.
Ditën buzqeshte, ulërinte natën.
Bisedoi me dhëntë, u premtoi dhive
“Kullotni pa frikë në mal e korie.
Verës në vapë, ujë të ftohtë pini
Jo më te përroi, zbrisni te burimi.
Do t’u shtroj rrugën, të mos ketë më baltë
Vathë do t’ju bëj te rrëkea, lartë...”
Urtas bagtitë ia kthyen “Ç’ke?
Ti do kryetar ? Do të bëjmë ne !”
Por kur hodhën votën atje, te kutia
Emrin ia qëndisën me kryqe e me vija.
Comments