Stres
Pandalshëm,
Në gazeta e televizione
Vrapojnë lajmet,
Garojnë kronikat.
Pengmarrje, dhunime,
Papunësi,
Brenda familjes krim,
Zhvlerësim leku...
Pafalshëm,
Në zyra, parti e seksione
Nga më të skajmet
S’rreshtin replikat,
Akuza, përgënjeshtrime,
Hipokrizi...
“Jetoni pa stres ?!”
Këshillon mjeku !!
“Heshtje” ?!
Të tonat heshtje për tuajat bëma
Gëzime u sjellin sa nuk rrëfehen.
Nuk ka tërmet, as u vjen gjëma,
Të fshehtat plane më fort mbërthehen.
S’ju shpon, s’ju hyn as gjemb, as tel !
Përpara ecni pa shtrirje dore,
Dhjamoni qafë, prapanicë e bel
„Nderoni“ miq, mikesha, dashnore...
Veç punët tuaja t‘ju venë mbarë
E jetë luksi të shijoni, në ballë !
Dërrmoni ashpër shokë, kundërshtarë...
Ne të heshtim ?! Po pse vallë ?!
“Bukurim !”
Për „bashkëjetuesen“, më t‘shtrenjtin kostum
Porosit te rrobaqepësi i qytetit.
Blen krem, llak, shishe me parfum…
Dhe bojë e furçë tek ustai i parketit.
Ngjyrën e flokëve, te parukieri
E kërkon të ndezur si thekra.
Këpucët, lidhur në formë freri…
E tij “bashkëjetuese” është… gënjeshtra !
Anonimi
Eh ç’gëzim, erdhe në jetë !
Me emër të pagëzuan.
Të përkundën lehtë-lehtë,
Këngë djepi të kënduan.
Nga shokët e miqësia
Urimet vërshuan lumë.
U tundën muret, shtëpia
Netëve nuk pati gjumë.
Por ti si mallkim ferrë
Shkruan pa emër, letra mbush.
Për të tjerë tjerr e tjerr,
Tym lëshon e „djeg në prush“ !
Kommentare