Petrit Malushi: Hallet e përditmërisë qytetare
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 10 hours ago
- 3 min read

“Në “kilometrin” 70”, të Thoma Gogës, hallet e përditmërisë qytetare
Nga Petrit Malushi
Shkrimtari Thoma Goga gjatë vitit 2025 botoi librin “Në “kilometrin” 70. Edhe këtë herë e vazhdoi ecjen në rrugën e letërsisë humoristike. Vëllimi i ri është i mbushur me fejtone e skica të kësaj gjinie. Në 174 faqe të tij janë sistemuar 86 të tillë. Botimin e ka mundësuar në shtëpinë botuese EMAL, në Tiranë, ndërkohë redaktore është Vjollca Goga e karikaturat i ka realizuar Kosta Raka. Në vitet e mëparshëm autori ka botuar: “Rebelimi i Lek Albanezit”, “Peshku i madh”, “Unë...ministër?!..., “Me bodec në dorë”, “Ka Çeçua biçak”, “Unë dhe Çeçua jemi një…”, “Ditari një “krimineli”. Ka botuar edhe për fëmijë librat: “Zogu dhe Ylberi”, “Vallëzimi i shkronjave”, “Sot në kopshtin zoologjik". Pas ndryshimit të sistemit letërsia humoristike pësoi një shterim të ndjeshëm. Thomai i ka qëndruar besnik. Po të lexosh fejtonet dhe skicat e tij bindesh se ai e njeh shumë mirë atë. Për shumë vite ky autor ka qenë gazetar dhe kryeredaktor në gazetën “Drapër e Çekan” të qytetit të Fierit. Menjëherë pas vitit 1990 guxoi dhe nxori gazetën e pavarur “Fjala jonë” në atë qytet. Ka bashkëpunuar thuajse me të gjitha gazetat qendrore dhe ato elektronike. Prej vitesh banon familjarisht në Tiranë. Thomai, ashtu si në librat e tjerë edhe te “Në “kilometrin” 70”, përdor një humor të hollë, thumbi i të cilit ngulet thellë tek “të sëmurët” dhe “të infektuarit”. Në çdo fejton apo skicë veç problemit kryesor ka nënprobleme që janë elemente mbështetës të tij dhe të lidhur ngushtë me të. Qytetarët me to ndeshen përditë, kur u duhet një shkresë zyrtare, kur kanë një shef të paaftë, një injorant, një partiak, kur sorollaten për zgjidhjen edhe të një problemi fare të vogël, kur u kryhen shërbime gjysmake apo nuk kryhen fare, në pallatin ku banojnë, në lagje, në supermarket, në rrugë ku kalojnë, kur shtetarët dhe politikanët bëjnë shou mediatik, premtojnë, mashtrojnë etj, etj. Fejtonet janë të shkurtër, një deri në tre faqe, por të ngjeshura fort me tematika. Thuajse çdo fjali dhe fjalë mbart nënkuptime që të bëjnë të qeshësh hidhur. Te lexuesi Thomai, në të shumtën e rasteve fabulat i përcjell me tre personazhe tipikë Çeçon, Selimin dhe Çomen. Çeçua, që kuptohet është vetë autori, ka rolin e vulëvënësve, të vendimarrësve, të kompetentëve. Bën plane, ndreq, prish, ngre zërin, pranon, kundështon, shpërthen, shan, merr në punë, pushon, ndan shpërblime, harton buxhete etj. ”Nashti do merremi me një letër, që ju paskeni bërë për mua në "qiverinë” e fshatit dhe për dijeni asaj të ”qitetit”, - foli Çeçua urtë e butë…Ju nuk e dini që “krieplak” në fshat jam unë?...ju ankoheni tek Çeçua për Çeçon. Ja keni futur vetes” (Çeçua i bën “çeço” kafsharët). “Pasi morën të dy pensionin, dolën në rrugën kryesore. Ec e ec panë një që në xham kishte ngjitur këtë tabelë: “NË LOQALIN TON MUT TË HANI SA TË DONI, ÇDO GJË DHE ME ÇMIMIN MË TË MIR E MË TË LIR…Le ta hajë vetë, zuzari,- ulëriti plaka. – Ç”është këtu hale apo lokal?) (Doni “ta vë” me porosi…?!) Me Selimin është shok dhe mik. Të dy, Çomja që përsëri është vetë Autori, dhe Selimi simbolizojnë qytetarët e thjeshtë, janë bashkëvuajtës. Të dy i zbrazin barkun njëri-tjetrit dhe qajnë hallet për ç’vuajnë mbi shpinat e tyre, ç’shikojnë e ç’dëgjojnë. “Si gjithmonë kafen e mëngjesit e pi me mikun tim “opozitar” Selim. Llafi vete nga vete e shkon te ushqimet, çmimet, pensioni,tensioni…” (Turistët e byrekut). “Kisha ditë pa e takuar mikun tim Selim…-Po hë mo ç’u bëre?- ngrita zërin…-A lëre, lëre mos e nga…jam në spital…këtu të vijë miu thyen kokën. Asgjë s’ka…mba shënim ca ilaçe…të zuri kusuri t’mi sjellësh…Ai fliste unë shkruaja: termometër, paracetamol, fasho, shiringa me agie, alkool, vitamina…-Kur të dal ta kthej borxhin. Po nuk dola, shko merr pensionin e fundit…, foli me zë të mekur”(Ku publiciteti, ku realiteti…). ”Një ditë në institucionin shtetëror, na mblodhën për t’u njohur me një udhëzim… Udhëzimi kishte 10 rreshta. Në pesë rreshtat e parë e kishin përdorur gërmën “ë”, në të tjerat jo. Edhe ne kështu duhej t’i bënim? Jo, jo. Vetëm injorantët i bëjnë punët përgjysmë…”(Shtet me zyrtarë injorantë?!). “Po afronte provimi i biologjisë dhe Shpëtimi gjeti si shpëtim një metodë origjinale. Zgjodhi të mësojë vetëm kapitullin e mizës…- E ç’të them, o profesor…gomari ngordhi nga punët e rënda…aty menjëherë erdhi miza…”(Me një mizë hodhi lumin). Në disa raste i lihet vetë lexuesit nxjerrja e përfundimit dhe moralit. Thomai ia arrin të vendosë në sinkron të plotë të gjithë elementet: problemin, mjedisin, personazhet, gjuhën, veprimet, veshjet, mjetet, orenditë rrethuese…Në fejtonet e Thoma Gogës gjen “ngjarje” që nga vitet e luftës, në periudhën e socializmit e në të pambarimtin tranzicion të sotëm. Urime dhe suksese Thoma Goga, për këtë vëllim me fejtone,skica dhe “spica”.









Comments