Ese rome
. “Jetoni jetën!…” ishte tema e esesë që u sugjerova maturantëve atë vit për ta shtjelluar, në klasat ku zhvilloja mësim. Jepja lëndën e letërsisë. Midis maturantëve ishin edhe tre nxënës nga komuniteti rom. Ja si e kishte trajtuar njëri prej tyre këtë temë : . „Jetoni jetën !...“ Ç’temë ?! Sfidë ! Mundësi. Joshje. Ç’të shkruaj? Ta jetojmë jetën ?! Ne vetëm jetojmë në jetë. Fletët nuk do të mjaftonin për t’u zbrazuar. Në të vërtetë, e jetojmë jetën apo vetëm jetojmë ?! Nga njëra te tjetra, hendek. . Qeniet njerëzore, në jetë vijnë njëlloj. Por si e jetojnë atë ? Për Zotin ashtu siç vijnë, njëlloj. Për njeriun, jo. Ndryshe nga të tjerët. Edhe ne. Përse ?! Pyetje që nuk e di me saktësi i sajti është brezi im që e lë pa përgjigje. Ç’ dëshirojmë ? Fare pak. Të barazjetojmë. Tema e parë e kësaj fjale të përbërë s’është për ne. Paraardhësve, prindërve të mi dhe mua na përket vetëm pjesa e dytë. A mund të shkruhen në një ese, jetët e brezave dhe e imja, që nuk ndryshon aspak prej tyre ? E pamundur! Ashtu si ata unë vazhdoj ta flas por të mos e shkruaj të rregullt gjuhën time, të jetoj në shtëpi-gardhishte, me kallama të mbushur me baltë, në periferi të metropolit. Rreth ka plot të tilla. Pa sistem, të vendosura shformuar. Ndërtesa, pallate na lodhin shikimin, na lejojnë të mbështesim shpinën kur shplodhemi, por jo më tepër. . Ditët? Rrëmujshëm. Trasta, thasë të mbushur me ç’duhet e ç’nuk duhet, objekte e sende, rroba e këpucë, të të gjitha masave e prodhimeve, të mbledhura, të pasistemuara, si të nxjerra nga magazina vjetërsirash shekullore, shkopinj, thupra, rafte që hidhen në krahë a tërhiqen zvarrë deri në vendshitjet spontane, mbi trotuare, buzë rrugëve, nëpër rrugica, përfund pallateve, zëra të çjerrë burrash e grash, që u çajnë daullet e veshëve me të bërtitura-oferta falas kalimtarëve apo frekuentuesve të këtyre tregjeve. Kthime pranë vatrave-kasolle, numërim monedhash të mbledhura një nga një, të përpjestuara katër-pesë herë për të blerë bukë e ushqime për familjet, gjizë, djath, sallam, domate, tranguj, speca, për të pirë burrat darkave ndonjë gotë raki te klubi më i lirë e më i afërt, jo për libra, lapsa e fletore. Mbrëmjet ? Gjysmëerrësirë ose errësirë. Ndriçimit i mungon dëshira për të ardhur i plotë. Strukje nën pirgje rrobash. Stinët ? Pranverën dhe verën i kemi miket më të mira. Vjeshta, eh dhe dimri oh, oh! . Komoditetet ? Dollapë e rafte të vjetër, të shtrembër, gjysmëtavolina, dyshekë, batanije e jastëkë të zbardhëllyer, rroba të zhubrosura. Arsimimi ? Fjalë që nuk dihet se në ç’shekull jemi shkëputur prej saj dhe nuk po lidhemi dot më. Ndonjë, ndër të paktët edhe unë, ka mundur të hedhë hapat e parë si foshnjet që luftojnë të ngrihen në këmbë. Shërbimet ? Sëmundjet vijnë kur duan dhe ikin kur mërziten, pa u trembur prej trajtimeve mjekësore që mungojnë. Mjedisi, pastruar e përshtatur vetën nga duart tona, pranë papastërtive. Shkollat? Gjithçka do të falnim për to. Kjo, kryedëshirë që na ndjek sa jemi gjallë e s’e realizojmë dot. Përfaqësimi në organet e pushtetit. Për ne kolltuqe dhe karrige nuk kanë tepëruar asnjëherë. Punësimi ? Vetpunësim,vetshpunësim. . Ta jetojmë jetën që të gëzojmë të drejtat ?! Ne, vetëm jetojmë ! Dëshirat tona janë shumë më ndryshe nga të të tjerëve. Sa jemi ? Kush e di me saktësi numrin tonë ? Ka të lindur të pa regjistruar, po ka edhe të vdekur të paçregjistruar. Shumë rrallë i bie ndërmend ndokujt. Nuk dihet se për ç’qëllim na vizitojnë. Cilët janë ? Politikanë, pushtetarë, përfaqësues shoqatash që… na thonë se gëzojmë të gjitha të drejtat që gëzojnë edhe të tjerët !!
Commenti