top of page

Pertef Xhiku: Një vizionar i harruar i filatelisë shqiptare

            

Roli i individit në procesin evolutiv të filatelisë në Shqipëri ka qenë, që nga fillimet e saj, shumë i theksuar. Natyrisht, përparësinë për këtë ndikim e kishin të mundur personat që ushtronin detyrën brenda autoritetit të Postës Shqiptare. Janë të njohur në historinë e filatelisë sonë kontributet e Lef Nosit, Sadik Tiranës etj. Por, sigurisht, në një periudhë tashmë 110-vjeçare, do të duhet të ketë dhe emra të tjerë që kanë lënë gjurmë pozitive të dukshme, të cilat do të kenë pasqyrim në dokumentacionet arkivore.Gjatë kërkimit për gjetjen e këtyre kontributeve filatelike interesante, shfaqet figura e Përtef Xhikut. Ai lindi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1913, në një familje me dëshmi të shquara patriotike përgjatë viteve të trazuara para dhe gjatë dy luftërave botërore. Në moshën 14-vjeçare filloi punën në Postë-Telegrafinë e qytetit dhe, pasi mësoi të përdorte aparatin Morse, nisi të ushtrojë zanatin e telegrafistit. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ai kreu edhe detyrën e rëndësishme të shifrantit pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL-së. Pas luftës, nga viti 1945 deri në daljen në pension (1968), ai nuk iu shkëput institucionit të PTT-së. Gjatë periudhës 1948–1968, e gjithë puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i këtij institucioni përkon me impulse zhvillimi në shërbimet e Postë–Telegraf–Telefonave dhe posaçërisht në filatelinë shqiptare. Krijimi i klubeve filatelike në disa qytete, të cilat përfaqësonin organizma serioze me statute, programe e plane pune, nëpërmjet të cilave u realizuan aktivitete të shumta si konferenca, ekspozita, veprimtari në shkolla etj., bëri të mundur të masivizohej dëshira për koleksionimin e pullës. Emetimet e pullës në këto vite u shoqëruan me risi të papara më parë: që nga prodhimi i pullës në vend, denduria e lartë në emetimin e serive, nxjerrja e tematikave të reja, rritja e cilësisë së prodhimit të pullës, emetimi sistematik i variacioneve të ndryshme (FDC, blloqe, forma gjeometrike të reja – trekëndore, rombike, me dhe pa dhëmbëzim), fletë publicitare, si dhe marrëdhënie të rregullta me të huajt përmes pjesëmarrjes nga shteti në ekspozita, panaire dhe kongrese filatelike. Krahas zhvillimeve pozitive, shfaqen njëkohësisht edhe të meta serioze: përdorimi i pullës si ikonë politike e propagandistike, mungesa për arsye ideologjike e disa tematikave me ngjarje dhe personazhe të rëndësishëm të vendit apo botërorë, problemet me tirazhet dhe sursharzhimet e pullave, mospjesëmarrja në konkurime individuale filatelike ndërkombëtare, pengesa dhe kufizime në korrespondencën me jashtë vendit etj. Në një mjedis të tillë me frymë interesimi dhe zhvillimi në rritje të filatelisë, është nisma personale e Përtef Xhikut që Drejtoria e Përgjithshme e PTT-së të botojë librin “Pulla postare shqiptare 1913–1959”, duke qenë edhe një nga autorët kryesorë të tij. Ky libër me tematikë filatelinë shqiptare është i pari i këtij lloji i botuar brenda vendit. Ai jep të dhëna kronologjike përgjithësisht të sakta. Me ilustrime me ngjyra dhe duke u shtypur në disa gjuhë të huaja, pati jehonë brenda dhe jashtë vendit, duke arritur të përmbushë disi kërkesat e filatelistëve për njohjen e pullës shqiptare. Disa të meta të vogla të konstatuara në faqet e librit nuk ia ulin vlerat. Libri ishte shkëndija e parë, por mbeti i vetmi deri në vitet pas ’90-ës, kur u bë e mundur të dilnin në dritë botime të tjera me trajtesa të filatelisë shqiptare.

Dashamirësia e Përtef Xhikut për filatelinë, dëshira e tij për prosperitetin e kësaj fushe të bukur të koleksionimit, mësohet nga shqyrtimi i çdo dokumenti të firmosur prej tij. Si një njeri vizionar, njohës i zhvillimeve europiane dhe mendjehapur për progres, ai e kishte kuptuar rëndësinë që kishte zhvillimi i filatelisë në vendin tonë, si një mundësi e mirë për edukim, njohje dhe emancipim, së pari të moshave të reja.                                                                                         

Citojmë fragmente të një raporti tepër interesant drejtuar organeve eprore, i cili do të na japë një mendim të saktë për atmosferën filatelike në Shqipëri.                          

Ai shkruan:“...Numri i amatorëve që koleksionojnë pullat tona është rritur shumë. Kështu, numri i atyre që janë regjistruar pranë 15 degëve dhe zyrave të PTT-së arrin në 533 amatorë të rritur dhe 77 të rinj, me përjashtim të mijëra e mijëra pionierëve dhe të rinjve që merren me koleksionimin e pullave të të gjithë shteteve të botës...”(1)    


                                                                                                                 

Më tej, Përtef Xhiku raporton për punën e mirë të shoqatave në Shkodër dhe Korçë, të cilat kishin çelur ekspozita me pulla me rastin e festave kombëtare, por vë në dukje edhe pasivitetin e shoqatave të Tiranës dhe Vlorës. Ndërkohë, ai këshillon që në punën e Ministrisë së Arsimit të merren masat si më poshtë:           “1. Të gjallërohen me ndihmën e seksioneve të arsimit dhe kulturës, rrethet dhe shoqatat filatelike të qyteteve Tiranë, Vlorë, Shkodër e Korçë.  2. Të krijohen shoqata të reja në qendrat kryesore të vendit si në Durrës, Elbasan, Lushnjë, Berat, Fier, Gjirokastër, Sarandë etj.  3. Në të gjitha shkollat e mesme dhe 7-vjeçare të krijohen rrethe filatelike.  4. Seksioneve të arsimit dhe drejtorive të shkollave t’u vihet detyrë që të ndjekin    këtë aktivitet, që ka të bëjë me zhvillimin e të rinjve, sidomos me njohjen e historisë dhe gjeografisë së vendeve të ndryshme nëpërmjet pullës...”(2)          Përveç sugjerimeve për institucionet e tjera, Përtef Xhiku, si Drejtor i Përgjithshëm, merr përsipër që institucioni i PTT-së, që ai drejtonte, të kontribuojë në nxitjen e dëshirës së nxënësve për të blerë pullat e postës, duke ua shitur: “...si seri të vulosura, të shkurtëra, me çmime të ulëta – me 50% të vlerës”,dhe premton të bëjë “korrespondencë me firma të huaja, me qëllim që të shkëmbejë me pullat tona pulla nga vende të ndryshme, për t’i vënë këto pastaj në shitje pranë dyqaneve të filatelisë për nxënësit dhe të rinjtë”.(3)                              Në përfundim të raportit, ai shfaqet mjaft optimist për të ardhmen, dhe sot me të drejtë, idetë e shprehura në të ngjasojnë me një parashikim profetik, duke pasur parasysh që vetëm pas më shumë se 30 vitesh, u bë e mundur që filatelia shqiptare të ketë pjesëmarrje në organizatat ndërkombëtare.                                                      Ai shkruan: “...do të çelet rruga për themelimin e Federatës Kombëtare të Filatelisë me qendër në Tiranë, në të cilën do të bëjnë pjesë të gjitha shoqatat e filatelistëve të vendit dhe, më pas, do të kërkohet që Federata jonë të bëhet anëtare në Federatën Ndërkombëtare të Filatelisë (F.I.P), që është me qendër në Paris (Francë). Pjesëmarrja jonë në këtë Federatë do të krijojë mundësinë që të marrim pjesë në të gjitha panairet dhe ekspozitat që organizohen herë pas here nën patronazhin e saj”.(4)                                                                                                         (Në të vërtetë, qendra zyrtare e F.I.P është në Zyrih, Zvicër. – Shënimi im)           Dokumentacioni arkivor për rolin e Përtef Xhikut gjatë punës së tij si Drejtor i Përgjithshëm i PTT-së është mjaft i gjerë, sepse dhe reformat e shndërrimet në këtë institucion kanë qenë jo të vogla. Por interesi ynë është të veçojmë disa nga ato që lidhen posaçërisht me çështjet e pullës postare.                                           Përtef Xhiku nuk qëndron indiferent ndaj shkeljeve që u vunë re, konkretisht me procedurat e ndjekura në prodhimin dhe tregtimin e saj në botën e jashtme, procese këto që nuk vareshin drejtpërdrejt nga PTT-ja, meqenëse ishin struktura të tjera si Ministria e Tregtisë dhe institucioni i “Albeksportit”.                                   Drejtuesit më të lartë politikë të shtetit, duke mos përfillur pasojat negative, bënin gabimin e madh duke i dhënë përparësi interesit financiar, veprime këto që dëmtuan dukshëm imazhin e pullës sonë postare. Më 12/02/1960, vetë Ministri i Tregtisë (K.N.), për prodhimin e pullës postare shprehet jashtë çdo llogjike financiare e jo vetëm: “...Duke parë se ky artikull ka leverdishmëri të madhe, mbasi ne sigurojmë valutën nëpërmjet shitjes së letrës... lutemi të shpejtoni mbylljen e kontratave me firmat e huaja.”(5)                                                                               Prestigji i pullës sonë në arenën ndërkombëtare u cënua edhe nga shkelje të tjera. Përulja përballë presioneve të disa firmave të huaja grosiste, duke pranuar çmime shitjeje shumë të ulëta (deri në 1/5 e çmimit nominal), dhe në disa raste të tjera shkelje të shumë pikave të kontratave  si në rastin e sursharzhimit të serisë së njohur të “Gagarinit” nga kompania “Centrofilia” u bënë pengesë serioze.

Në protestën e kompanisë amerikane “Tribune Stamp Co”, të datës 18 qershor 1962, drejtuar kreut të shtetit shqiptar, denoncohen shkeljet e rënda si pasojë e ekskluziviteteve të dhëna disa firmave të huaja:

“...Pullat u shiten pak njerëzve, të cilët po i shesin me çmime dhjetëfish. P.sh. emisioni i fundit i malaries... Në qoftë se kjo do të vazhdojë, në një kohë të shkurtër do të ketë rënie, në dëm tuajin, dhe do të sjellë keqësim e emër të keq për vendin tuaj...”(6)                                                                                                     Studiuesi Thimi Nika për këtë periudhë shkruan: “Ankesa të tilla bënë firmat: Mundus – Milano; Herman – Kleinestinhagen – Gjermani; Rolf Gumesson – Stokholm; Jon Bianchi – Cyrih; Mad. Degeyter – Bruksel; George Wertheimer – Madrid etj. Një ankesë të ngjashme bëri dhe firma e Pashko Prendushit, që vepronte në Trieste të Italisë. Është për t’u përmendur se këto ankesa nuk ranë në vesh të shurdhër. Administrata postare mori masa për të mos u përsëritur më raste të tilla.”(7)                                                                                                             Përtef Xhiku ka meritën që, duke njohur koniunkturat në tregun ndërkombëtar të pullave postare, sinjalizon, ballafaqohet dhe polemizon me guxim me organet eprore për të gjitha shkeljet financiare në pikat e kontratave me kompanitë e huaja. Ai shfaqet si mbrojtës i mirë i autoritetit të pullës sonë dhe njëherësh i financave të shtetit shqiptar.                                                                                            Në një relacion të datës 15/01/1962, ai i paraqet të gjitha vërejtjet e tij të argumentuara, dhe në fund shprehet qartë: “...Nëse ‘Centrofilia’ merr ekskluzivitetin e këtyre pullave, mund t’i shesë si të dojë, domethënë edhe dy-trefish, dhe veç kësaj, as eksporti dhe as Administrata Postare nuk do të jenë në gjendje jo vetëm të plotësojnë kërkesat e klientëve të tjerë për këto pulla, por mund të mos përmbushet as dërgesa me pulla për UPU (Bashkimi Postar i Përbotshëm), gjë për të cilën jemi të detyruar.”(8)                                                Analiza e dokumentacionit arkivor për vitet e referuara më sipër nxjerr në dukje se dukuritë negative në filatelinë shqiptare nuk ishte e mundur të shmangeshin tërësisht. Fatmirësisht, qënia në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të PTT-së e Përtef Xhikut, me cilësitë e tij, bëri të mundur minimizimin e tyre.                                Në përfundim, mund të themi që ai do të mbetet në rrugëtimin e filatelisë shqiptare si një model pozitiv dhe vizionar, që mbrojti dhe lartësoi vlerat e dinjitetin e filatelisë sonë brenda dhe jashtë vendit.                                                                                                                                           P.S. Sipas dëshmive të marra së fundmi nga familjarë të Përtef Xhikut, në bibliotekën familjare ndodhen disa albume me koleksione filatelike – dhe jo vetëm shqiptare. Është plotësisht e kuptueshme, dhe nuk mund të ishte ndryshe. Një inspirues kaq i madh i kulturës së filatelisë, natyrisht që do ta ketë përjetuar personalisht kënaqësinë e pasionit të koleksionimit.

Citime:                                                                                                                                                                (1)  AQSH,Fondi Drejtoria e PTT,viti 1963,D 43,fleta 31 ;                                                                                (2) po aty ;                                                                                                                                                        (3) po aty ;                                                                                                                                                        (4) po aty                                                                                                                                                                        (5) AQSH,Fondi Ministria Tregtise,viti 1960,D 32,fleta 5                                                                                                                                      (6) AQSH,Fondi 490,viti 1962,Dosja 1058,fleta 23                                                                                                                                                                                                                  (7) Thimi Nika; “Historia Filatelis Shqiptare” fq 324                                                                                     (8) AQSH,Fondi 490,viti 1962,Dosja 105,fleta 2

 

Besnik Idris Fishta,Filatelist

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page