Viron KONA
Pedagogji “moderne”
-Bubulino pse s`i ke bërë detyrat?
-Harrova, mësuese!
-Po librin e leximit pse s`e ke marrë?
-Edhe atë e harrova, mësuese!
-Po kokën, e harrove?
-Jo mësuese, kokën nuk e harrova, e kam me vete.
-Kokën e paske me vete, por mendtë nuk i ke, kështu që, sa të të vijnë mendtë, po të dënoj të qëndrosh me një këmbë prapa dërrasës së zezë.
Duke shkuar të zbatoj dënimin, vogëlushi pyeti:
-Me cilën këmbë të qëndroj, mësuese?
-Me të djathtën dhe, mos më tërhiq më vëmendjen nga mësimi!
Bubulinoja nisi të qëndrojë me një këmbë. Pas pak ai po ndjente një lodhje që sa vinte e bëhej më e madhe. Sforcohej, shtrembëronte fytyrën, përpiqej ta ulte këmbën tjetër, por vështrimi i rreptë i mësueses e bënte që të vijonte të qëndronte me një këmbë. Pas rreth dhjetë minutash u dëgjua zëri si në të qarë i vogëlushit:
-Mësuese, mua m`u lodh shumë këmba, të qëndroj me të dy këmbët?
-Jo, tani fillo të qëndrosh me këmbën e majtë, - i bërtiti mësuesja.
Bubulinoja u bind dhe nisi të qëndronte me këmbën e majtë, por pas pak po ndjente përsëri lodhje, ndërkohë që çdo lëvizje e fshehtë e tij për të qëndruar me të dy këmbët nuk i shpëtonte vështrimit të mësueses.
-Bubulino! - i thërriste ajo dhe vazhdonte mësimin.
Kur mësimi mbaroi, mësuesja iu kthye vogëlushit:
-Tani, qetësohu dhe më thuaj:-Nxore mësime nga dënimi?
-Po mësuese, nxora shumë mësime.
-Çfarë mësimesh nxore?
-Nuk do të vij më pa detyra.
-Tjetër?
-Nuk do ta harroj më librin e leximit.
-Tjetër?
-Mësova edhe sesi të qëndroj me një këmbë prapa dërrasës së zezë, një herë me këmbën e djathtë dhe një herë me këmbën e majtë!
E ndërsa klasa qeshi, mësuesja foli e nervozuar si të fliste me vete:
-Edhe unë, ç`merrem me Bubulinon! Këto ditë do të më vijnë ata të kontrollit dhe kam për të dalë për faqe të zezë, e fundit e shkollës kam për të dalë!
U vendos një heshtje shkurtër, pastaj u dëgjua përsëri zëri pyetës i Bubulinos:
-Mësuese, sikur unë të vij përsëri pa detyra, edhe ata të kontrollit do më lënë prapa dërrasës së zezë me një këmbë?
-Ata, o Bubulino, më lënë edhe mua me një këmbë, jo vetëm ty!
-Pse, do rrimë të dy me nga një këmbë prapa dërrasës së zezë, mësuese?
Mësuesja qeshi pa dashur. Qeshi dhe klasa. Atëherë mësuesja shpjegoi:
-Kur thashë se ata të kontrollit “më lënë edhe mua me një këmbë”, doja që ju të kuptoni se ata janë të rreptë edhe me ne mësuesit. Unë nderohem dhe dalë mirë përpara kontrollit vetëm nëse ju mësoni...
-Po me drejtorin e shkollës, me rreptësi sillen ata? - vijoi me pyetje Bubulinoja.
-Po, Bubulino, ata po gjetën një gabim nuk të falin, të ndëshkojnë pa një pa dy, le të jetë kush të dojë: nxënësi, mësuesi, drejtuesi...!
-Domethënë, edhe drejtori do të rrijë me një këmbë prapa dërrasës së zezë bashkë me ne të dy, mësuese, kështu?
-Bubulino, e teprove tani, ulu dhe mos fol më!
Kur po ulej në bangë, Bubulinoja tha: -Mësuese, unë nuk do të flas më por kam edhe një pyetje, ta bëj?
-Bëje pyetjen shpejt, Bubulino, bëje se më çmende, o Toç!
-Po sikur nesër të harroj pa bërë jo një, por të gjitha detyrat dhe të mos e marr fare çantën me libra, çfarë lloj dënimi do të më japësh?
-Bubulinooo! – i bërtiti rreptë mësuesja dhe, si u mendua pak, vijoi: -E ke parë atë lejlekun që qëndron me një këmbë në maj të lisit para shkollës?
-Po mësuese, e shoh çdo ditë. Ne i kemi vënë atij emrin lejleku Çoko.
-E po, nëse vjen pa detyra dhe pa libra, atëherë atje lart me një këmbë do të qëndrosh edhe ti, do t`i bësh shoqëri lejlekut Çoko. Fola qartë?
-Po mësuese, folët shumë qartë, por unë mezi po pres që të më japësh atë dënim!
-Ç`po më thua, more! Je në vete? Pse mezi po pret që të ta jap atë dënim?
-Po ja, mësuese, kështu do t`i bëhet shumë qejfi babit se ai thotë “Sa më lart do të ngjitesh ti Bubulino, aq më i rëndësishëm do të bëhesh!”, kurse gjyshi kur më uron për ditëlindje, më thotë “Lart e më lart, Bubulino!”. Veçse nuk e kam të qartë, mësuese, me çfarë do të ngjitem unë atje në maj të pemës, me shkallë apo me ashensor?
-Jo po me krahë! - ia bëri mësuesja me ironi dhe, duke u skuqur nga zemërimi i bërtiti:-Ik, ulu në vend, Bubulino se s`po të duroj dot më!
-Pse mësuese, nuk do të ngjitem lart në pemë...?
-Uluuu, mbylle, se kam për t`i dhënë veshët në dorë...
Ndërsa Bubulinoja po nxitonte të ulej, mësuesja vazhdoi: -Për nesër, për ty Bubulino kam dy kërkesa, ti more djalë zgjidh e merr: Ose më sill prindin këtu, përpara se të filloj mësimi, ose mos më hajde fare në shkollë! Dëgjove?
-Po mësuese, dëgjova shumë mirë, veçse nga dy kërkesat, unë po zgjedh të dytën: nesër s`po vij fare në shkollë dhe po e bëj pushim...
-Bubulinooo! - i bërtiti ashpër dhe me ton të lartë mësuesja...
Comments