top of page

Patriotizmi apo atmëmëdhetarizmi


Kopi Kyçyku


Nga mënyra se si e kuptojmë patriotizmin apo atmëmëdhetarizmin, varet se si do të veprojmë dhe ç’qëndrim do të mbajmë për këtë çështje madhore në jetë e në shoqëri. Shteti shqiptar, ashtu si identitetit, duhet t’i kushtojë vëmendje edhe atmëmëdhetarizmit apo patriotizmit. Në mungesë të një doktrine zyrtare, të dekretuar, në radhë të parë është detyrë e shkollës dhe e intelektualëve në përgjithësi t’u vijnë në ndihmë atyre që kanë nevojë për një reper, për shtylla mbështetëse, që ta kuptojnë thelbin e atmëmëdhetarizmit.

Le ta fillojmë me flamurin, i cili është një simbol i padiskutueshëm. Edhe në momentet kur tërësia territoriale dhe pavarësia janë rrezikuar, flamuri ka mbetur i pacënuar dhe si i tillë lipset të vihet në epiqëndër të krejt sistemit arsimor-edukativ. Roli i shkollës merr rëndësi të veçantë në kushtet e sotme kur brezi i ri jo rrallë nuk ka një familje të mirëfilltë, pra kur prindërit kanë shkuar për punë në Perëndim. Familja është ajo që duhet të ta ngulitë në mendje e në shpirt patriotizmin, paçka se mund të shkosh për studime apo për punë në vende të tjera. Pra, patriotizmi mbetet diçka shpirtërore. Zëdhënës i tij është gjuha amtare, ruajtja e saj me çdo kusht e në çdo rrethanë. Ajo nuk duhet braktisur dhe as anashkaluar meqënëse mëson një gjuhë të huaj, qoftë kjo edhe „e madhe”, „ndërkombëtare”. Në këtë aspekt nuk mjaftojnë vetëm veprimtaritë e zhvilluara me rastin e festës kombëtare, ose për të parashtruar kërkesa me karakter politik dhe ekonomik. Nuk mjaftojnë as shpjegimet që mund t’u bësh të huajve për traditat dhe kulturën e vendit dhe popullit tënd. Duhet të mendosh si të bësh shumë e më shumë. Jo vetëm njohja e gjuhës amtare, por edhe e historisë së vendit tonë, është e dorës së parë. Devijimet e mjaft të rinjve, përfytyrimi i tyre i gabuar për patriotizmin, e ka burimin pikërisht në mungesën e njohurive historike për çka fajin e ka moskujdesi në mësimdhënien e lëndës së historisë, në mangësitë e theksuara dhe në cektësinë e shtjellimit të temave kardinale. Kësaj të fundit i shtohet edhe deformimi që i bëhet historisë, „librit të parë” të kombit nga propaganda „e xhamtë” (stacionet televizive), nga radiot dhe massmedia e shkruar, shpesh krejt e papërgjegjshme dhe jokompetente. Gjithsa përmendëm më lart përbëjnë atentat ndaj identitetit dhe patriotizmit.

Reformimi rrënjësor i arsimit dhe i edukimit duhet të ketë synim përvehtësimin real të njohurive të shëndosha historike dhe gjuhësore nga nxënësit dhe studentët, jo kopjimin shabllon të ideve pa vlerë kombëtare. Vetëm kështu mund të shpresojmë që brezat e rinj të mëkohen me ushqimin vitaminoz të atmëmëdhetarizmit. Në faqet e teksteve shkollore nuk duhet të mungojnë kurrsesi kritikat me fakte ndaj shpifjeve dhe denigrimeve që u janë bërë dhe u bëhen historisë dhe traditave tona stërgjyshore. Intelektualët e specialistët e fushës nuk duhet të tregohen indiferentë. Përkundrazi, duhet të luftojnë me vendosmëri duke qënë në ballë të propagandimit shkencor të ideve jetike për kombin.

Në këtë kontekst vlen të vihet në dukje fakti që, kur bëhet fjalë për patriotizmin, partitë, të çdo kahu qofshin, duhet të jenë në një mendje dhe të ndërtojnë një front solid të përbashkët. Shëmbujt pozitivë në këtë drejtim nuk mungojnë, por janë ende të pakët. Tërë spektri politik duhet të marrë shëmbull nga qëndrimi objektiv e burrëror i politikanëve me përvojë e me integritet Idajet Beqiri, Petro Koçi, Rexhep Meidani etj.

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page