PAS SINQERITETIT



Vullnet Mato


PAS SINQERITETIT

Tregim

Altini dhe Mada ishin njohur prej disa muajsh dhe ishin lidhur me një dashuri të lindur nga afërsia e përditshme. Ata punonin në shtypshkronjën "Iliria", ku ai shërbente ndihmësmakinist dhe ajo libralidhëse. Altini ishte një djalosh fytyrëqeshur, energjik dhe shpatullgjerë. Kurse Mada kishte pamjen e një vajze të mbushur me krenari, delikatesë e zhdërvjelltësi, por tepër e mbyllur në vetvete.

Pas disa takimeve nëpër lokale, për të rrufitur ndonjë kafe, apo për të shijuar ndonjë akullore, ata vendosën të shkojnë të dielën në malin e Dajtit. U kishte gufuar gjoksi nga ndjesitë drithëruese për njëri-tjetrin dhe ishin puthur disa herë. Por tashmë, kur secili kishte fiksuar besimin e plotë te afrimi shpirtëror i dyanshëm, u kishte lindur dëshira e pashprehur, se kishte ardhur koha të afroheshin edhe fizikisht. Altini mendonte, se përveç atij mjedisit të gjelbëruar në majën e malit të Tiranës, ku kryeqyteti do të shtrihej nën këmbët e tyre të ngërthyera, nuk kishte ku bëhej më mirë dashuri. Por edhe Madës i kishte pluskuar ndër mend, se në atë vend të qetë, larg çdo syri të mundshëm familjar, mund t'i jepej pa druajtje të dashurit të zemrës. Pas rasteve të përsëritura, kur ai kishte zgjatur dorën deri te intimitetet e saj. Hipja në teleferik dhe ngjitja përpjetë malit me kabinë ajrore, ishte diçka mjaft e bukur, romantike dhe kënaqësindjellëse. Kabinat e qelqta vinin varg njëra pas tjetrës, si rruaza vigane në tespihet e plakut Dajt. Prej tyre zbrisnin e ngjiteshin pareshtur vajza me xhinse të puthitura pas kofshëve dhe djem me flokë të shpupuritur e të lyer me xhel. Sot kur ata të dy pothuajse fluturonin drejt qiellit, ajo gjendje u kishte krijuar emocione tejet të këndshme. Aty brenda kabinës u puthën disa herë edhe ato puthje fluturimtare kishin një shije më rrëqethëse e më zjarrndezëse.

Pasi zbritën nga teleferiku, kërkuan përqark një vend të përshtatshëm, ku mund qëndronin të vetmuar, në qetësi të plotë. Gjetën një hije me bar jeshil, të pandotur prej automobilave dhe pastruan vendin nga gurishtat. Ndonëse gjinkallat i këndonin vapës së fundkorrikut, aty ndjehej menjëherë freskia e ajrit transparent të Dajtit, të mbushur me cicërimat e zogjve gojëshqyer të verës. Shtruan plastmasin e palosur, të cilin Altini e kish marrë me vete, i përgatitur enkas për këtë ditë. Ky detaj i thjeshtë, e bëri më të plotë bindjen e Madës, se sot ai do t'i kërkonte patjetër plotësimin e dëshirës përvëluese që e digjte prej kohësh dhe ajo duhej të zbulonte sekretin e fshehtësisë së saj të hidhur.

Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Si djalë i pakonsumuar nga femrat, Altini filloi shpejt të japë shenjat e para të padurimit. Madje, me t'u ulur Mada përtokë, ai e shtriu në çast dhe filloi me disa veprime të pakontrolluara, që tregonin se i kishte hipur gjaku në kokë. Ajo po vërente me habi, se si ai lëpinte e thithte i limaksur gjinjtë saj të vegjël, njësoj si fëmijët e gjirit dhe murmuriste, duke rënkuar me një përgjërim dashurie të padëgjuar më parë:

-Oh, sa të mira i ke!... Vdiqa, dua të pi pak qumësht nga ti!…

-Po ku kanë qumësht ato tani! - ia ktheu vajza delikate që skuqej e dridhej nga turpi, duke u ligështuar në fytyrë.

Teksa ai po e mbyste me të puthura, sakaq dora e tij e dridhshme i hoqi të mbathurat me ngut dhe sa hap e mbyll sytë trupi muskulor i Altinit u ngjesh mes kofshëve të saj të brishta. Pas pak sekondash ajo ndjeu, se ende pa trokitur mirë në derën e fshehtë të trupit të saj, “vizitori” i ftuar filloi të sillej si mik i paftuar, duke synuar të shkallmonte portën e brendshme të kolonadave të saj të trandafilta. Por më kot… Porta e Evës ishte shqyer nga një Adam tjetër para tij… Dhe në çastin teksa ajo ishte bërë prush e tëra, sulmi i Altinit u ndërpre krejt papritmas.

Konstatim krejt i papritur, penetrimi pa kurrfarë pengese, pa shenjat e dëgjuara prej shokëve për vajzat virgjëresha e bëri të shtanget, në një heshtje plot mendime. Ai mbeti për disa çaste si peshku i sapodalë nga uji, që mbetet gojëhapur për të thithur oksigjen. Në vetëdijen e tij ishte fiksuar vlerësimi i hershëm, se gjetja prishur e vajzës me të cilën mendon të lidhesh në jetë, do të ishte njësoj si marrja në dorëzim e një ndërtese të shkatërruar. Asgjë tjetër nuk do t’ia kishte tronditur aq fuqishëm ndjenjat e ylberta për Madën, sesa ky fakt i tmerrshëm, që e bëri të stepet para saj si mumje egjiptiane.

Më në fundi Altini e përmblodhi veten dhe pa e këqyrur Madën në sy, i foli me tonin e një zhgënjimi të hidhur:

-Më fal që po ta bëj këtë pyetje, por më tepër u bëra kurioz, me kë ke shkuar para meje?

Kjo pyetje e bërë me qetësi, e prishi në fytyrë vajzën, duke krijuar përshtypjen, se ndjehej disi fajtore. -Nuk kam pranuar të shkoj me njeri...

Altini zgurdulloi sytë.

-Epo, ti s’mund të kesh shkuar me kafshë, de!

Ajo ktheu kryet anash dhe u gjegj pas pak me ton kundërshtues të mbytur:

-Nuk kam dashur te shkoj me askënd!

-Po më çudit! - ia ktheu Altini me fytyrën gjithnjë nga Tirana, pamja e së cilës i dukej tani mjaft e zhyer dhe e mbuluar nga smogu. – Pse e mban te fshehur atë djalë?

-Të them me sinqeritet, me djalë jo...

-Po me çfarë atëherë, me plak? - turfulloi ai me një vështrim therës.

Mada mbeti për disa çaste në gjendje hutimi të plotë, ngaqë s'dinte si t'ia fillonte historisë së dhimbshme të saj.

-Kam pasur një fatkeqësi... - murmuriti ajo.

-Ç'do të thuash me këtë, se s'po të marr vesh? -ia ktheu Altini me fytyrë dhe ton krejt të rënduar tashmë, duke e këqyrur me një vështrim depërtues.

-Mos më shiko aq vrenjtur, se më duket sikur jam përpara gjykatësit!...

-Mbase u vrenjta padashur nga fjala "Fatkeqësi", po fol, se ja, po qetësohem!...

Mada këputi një gjethe dushku, e shkërmoqi në duart e saj të djersitura nga emocioni dhe tha si me zor:

-Më ka përdhunuar një mjek... para ca vjetësh... kur isha shtruar në spitalin e P. nga një bronkit...

Altini e kundroi ngultas me sy të zmadhuar tej masës.

-Si ka mundësi?

-Nuk e pashë, kur përdori trupin tim... Dhe as ndjeva gjë në ato çaste… Vetëm sot kuptova ç’është mashkulli… Altini shfryu një duf ajri nga habia.

-Do të thuash, se ishe në gjumë?...

-Isha më keq se në gjumë...

-Sidoqoftë t'i s'ishe e ngrirë në akull, të mos merrje vesh asgjë nga ato lloj veprimesh që bënte burri i botës mbi trupin tënd! - ia ktheu ai me ironi therëse.

-Isha pa ndjenja. Më kish dhënë një hipnotik aq të rëndë, sa pothuajse nuk isha e gjallë. –tha me ton shfajësimi.

Altini u mbush me frymëmarrje të thellë dhe po e hetonte me sy të çmeritur.

-Dhe si?…

Mada pastroi zërin dhe u shkoi gjuhën buzëve të thara nga sikleti.

-Ai mjeku ishte një burrë i shkurtër, pak i thinjur në tëmtha. Dukej shumë i sjellshëm dhe kujdesej mjaft për mua. Më vizitonte shpesh dhe më pyeste: Si je sot, zogu i vogël?... Më mirë, doktor, i thosha unë... Hajt, hajt, se këtu do bëhesh si nuse e bukur, më thoshte ai. Më dërgonte ushqim të bollshëm nga kuzhina dhe u thoshte infermiereve e sanitareve të kujdeseshin veçanërisht për mua, se gjoja më kishte nga fisi i tij. Bile më pati sjellë edhe nja dy herë çokollata. Nuk doja t'ia merrja. Po ai më thoshte, se u kishte sjellë edhe nja dy djemve që i kuronte vetë. Gjoja ishte në metodën e punës së tij të bënte edhe shpenzime të tilla pa rëndësi, për të krijuar besimin e shërimit tek të sëmurët...

-Dhe ti s’kuptoje asgjë?...

Mada heshti një grimë dhe me dy gishtat e parë pastroi cepat e buzëve.

-Diçka më ra në sy, që më shihte gjatë e ngultas nga larg dhe kur vinte te shtrati më binte lehtë faqeve: "Si të ka babushi ty, zemra?" Po unë budallaçka nuk mendoja kurrë, se ai baba i dy fëmijëve mund të kishte qëllime tek unë, gjashtëmbëdhjetëvjeçarja... Atë mbrëmje ai ishte roje nate. Unë nuk desha ushqim, se kisha ngrënë frutat që më kishin sjellë nga shtëpia para dy ditësh. Dhe ai para gjumit më dërgoi me sanitaren vetëm një gotë me qumësht. Kaq... Dhe s'mora vesh asgjë, si kishte ardhur, si më kishte zhveshur në dhomën e veçantë ku më kishte lënë ditët e fundit dhe si më kishte përdhunuar kur isha pothuajse e vdekur. Vetëm në mëngjes, kur u gdhiva me dhimbje koke, ndjeva se kisha dhimbje edhe nga poshtë e isha lagur. Hodha sytë nënvete dhe pashë, se isha e gjakosur...U mundova të marr me mend, se kur më kishin lënë periodat e fundit dhe u binda plotësisht, se ai babushi më kishte bërë atë natë të pabërën...

-Paska qenë ndyrësirë! Po ti çfarë i the kur e pe prapë? - gulçoi Altini i pezmatuar dhe i përkulur drejt saj nga pesha e rëndë e ngjarjes tronditëse.

-Ç'farë t'i thosha?... Si ti thosha?... Nuk i thashë asgjë. Nuk doja ta shihja më me sy. E ndjeva veten si zog i mbetur pa pupla, nga ai skifter, që më quante “Zogu i vogël!” Më vinte për të vjellë kur m’i ngulte sytë nga larg. Ktheja kokën anash dhe shkoja te lavamani. Lajmërova menjëherë shtëpinë dhe të pasnesërmen erdhën më morën.

-Po atyre të shtëpisë çfarë u the? - pyeti Altini i tronditur duke e vështruar në sy.

-Nuk u thashë dhe nuk u kam thënë edhe sot e kësaj dite. Se jo vetëm që do ngjallja sherre, po kur nuk sheh gjë me sy, s'ke as si ia drejton gishtin tjetrit. Poshtërsinë e tij, ai e bëri aq të maskuar, sa nuk më la mundësi ta akuzoj ose të ankohem. Pastaj halli i femrës bëhet më i madh, kur ngjarja e saj merret vesh nga të tjerët. Të paktën ashtu në heshtje e mbajta brenda vetes atë stres të tmerrshëm, që fillova ta vuaj qysh nga çasti kur ndjeva, se nuk isha më vajzë. Nuk desha të shoh më me sy mashkull në botë. U bëra tepër nervoze. Edhe ty nuk doja të të shihja në fillim. Se më kujtohej tmerri i përdhunimit dhe faji që duhet të mbaja përsipër, kur ti të zbuloje atë që zbulove sot...

Altini mbeti për disa çaste si i ngurosur dhe me një pështjellim të koklavitur ndjenjash. Qëndrimi i saj i butë, i nënshtruar dhe i sinqertë e kishte mallëngjyer. Solli ndërmend ditët e para të njohjes me Madën dhe tani bëri lidhjen e atyre bishtnimeve pa arsye që u bënte ajo vështrimeve dhe afrimit të tij. Pra ajo kishte shprehur fakte krejt të vërteta.

-Tani e kuptova, pse më ktheje krahët në fillim, - i tha ai pas pak, disi i matur.

Këto fjalë sikur e zbutën paksa shpirtin e saj të tronditur, por balli vazhdonte t’i digjte.

-Vuaja shumë përbrenda. E dija që s'isha e pastër, siç e meritoje ti, megjithëse nuk isha fajtore... Por më pas

besova se ti, si djalë me atë shpirt që të kam njohur unë, mund ta përtypje fatkeqësinë time...

Altini u kap mat. Çasti delikat kërkonte prej tij të jepte patjetër një përgjigje të prerë, si do të vepronte në të ardhmen. Ndryshe s’mund ta hapte gojën asnjë rrokje më tej. Befas solli ndërmend, se kishte ndodhur që vajzat i kishin sjellë djemtë përqark deri natën e dasmës, për të fshehur të vërtetën që ta bënin fakt martesën. Ndryshe kjo vajzë e mirë iu dorëzua fare pa naze qysh në njohje, duke marrë parasysh edhe riskun e humbjes. Veç kësaj, sinqeriteti aq i natyrshëm i saj, e bënte atë më të pranueshme nga çdo femër tjetër. Dhe fundja, çfarë ishte ajo virgjëria, për të cilën flitej aq shumë? Një gjendje që u interesonte vetëm dy vetave dhe shpejt vinte mungesa e saj, siç mund të kishte ndodhur pikërisht sot. Pra, mbetej vetëm dashuria. Dhe ai e donte me shpirt. Kishte thurur ëndrra të bukura për jetën e përbashkët me atë vajzë.

Kur u veshën dhe mbërthyen kopsat të dy, vunë re se qielli i Tiranës, i blozuar nga smogu, kishte filluar të pastrohej. Frynte era e ngrohtë jugore, e cila e shtynte mjegullnajën drejt fushës së aviacionit. Atje tej një avion i bardhë u ngrit lart dhe u drejtua nga Perëndimi. Gjithçka lëvizte, ikte, perëndonte. Harrohej...

24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif