Parashqevi Gjergji, artistja vlonjate, për të cilën Vlora heshti


Fitim Haxhiraj



Para një muaji u nda nga jeta një nga pionieret e skenës vonjate, Parashqevi Gjergji, ose Paçi i “kinemasë”, siç e njihnin vlonjatët e mirë, por që mjerisht e harruan titullarët , pushteti lokal, njerëzit e kulturës, institucioni ku ajo shkriu jetën, Teatri “Petro Marko”. Si nuk u kujtua njeri për të xhanëm? Mirë pushtetarët se merren me “punë të mëdha”, por qytetarët, ata që e kishin duartrokitur për gjysmë shekulli, si nuk u kujtua për të së paku një vlonjat që ta përshëndeste largimin e saj nga kjo botë me dy fjalë falënderimi, për vlerat e saj si kërcimtare?!

Sa e vështirë është rruga e artit, për këdo, por veçanërisht për një vajzë të re. Ishte kohë e egër, aq më tepër në Vlorën me mentalitet mesjetar, ku opinioni dënonte çdo vajzë të re që dilte të kërcente në skenë: Por Paçi, si shumë vajza të tjera, që dolën mbi kohën, realizoi vetëveten . Dëshira për t’i shprehur e zhvilluar dhuntitë , me të cilat kishin lindur, bënë që Paçi dhe shoqet e saj të dilnin jashtë kornizave të kohës duke u bërë protagoniste të skenës vlonjate dhe të të gjithë Shqipërisë, apo më gjerë. Me këtë rast po kujtoj lindjen e elementëve të parë të artit koreografik në qytetin e bukur bregdetar, në qytetin e diellit, në Vlorën e dy deteve . Si në të gjithë Shqipërinë, edhe në trevën e Vlorës kënga dhe kërcimi( vallja popullore) kanë qenë pjesë e festave, e gëzimeve familjare apo atyre qytetare . Veçanërisht vallja ishte shprehje e kulmit të kënaqësisë dhe gëzimit nëpër dasma. Dikur kërcehej “Vallja dyshe e grave”, “Vallja e grave në rreth”, të shoqëruara me këngë. Por ato që e karakterizojnë Toskërinë ku bënë pjesë Vlora, kanë qenë vallet e burrave, si: “Nën hijen e ullinjve”, “Vallja e Kapedanit”, “Bejkulo kërcen me kordhë”,etj...


Parashqevi Gjergji, ose Paçi i “kinemasë”

Elementët e parë të artit koreografik në Vlorë janë vazhdimësi e traditës së trevës, me zanafillë vallen popullore. Grupi i parë nismëtar ka filluar në shtëpinë e Pionierit, me vajzat: Parashqevi Gjergji, Asqerie Bushi Bala, Ana Billa, Pëllumbesha Dalliu, motrat, Sanie e Tefta Çiraku, Shpresa Bute, Gjinovefa Golemi,( Milika Marsi & Belina Opingari), dy të fundit i mori Ansambli i Këngëve dhe Valleve në Tiranë . Ndërkohë erdhën Pandora Gjeçi dhe Leonora Valkova. Kurse më pas, grupit iu basnkuan vajzat e Shkollës Pedagogjike, “Jani Miga”, Lina Rrumbullaku dhe Elpiza Gazhga. Nga meshkujt kanë qenë: Kadri Sharra, Nuri Borshi, Kristaq Pema, Gjon Batalli, Fitim Haxhiraj, Musa Deromema, Viktor Konomi, Cane Myrto, Besnik Elbasani. Po ata që mbetën gjatë dhe kaluan me Estradën profesioniste si amatorë, ishin katër çifte: Parashqevi Gjergji e Fitim Haxhiraj; Ollga Gjergji e Kadri Sharra; Pandora Gjeçi e Gjon Batalli; Leonora Valkova e Cane Myrto. Para vitit, 1961, ky formacion punoi nën drejtimin e koreografëve , Shefqet Resuli dhe Tefta Çiraku, Në fund të vititi1961 erdhi Jani Kosta me Ollga Gjergji.Më 1962 Jani filloi si koreograf profesionist dhe trupa e baletit punoi me Estradën profesioniste të Vlorës.

Me këtë trup baleti kanë punuar shumë koreograf me emër, si: Gëzim Kaceli, Petrit Vorpsi, Bujar Aliaj, i cili ka punuar më gjatë me grupin Vlorës.


Medalja e Festivalit të Moskës, 1957


Cila ishte Parashqevi Gjergji?


Ajo ishte vajza vlonjate, “Paçi” që debutoi për gjysmë shekulli në skenën vlonjate dhe në ato të të gjithë qyteteve dhe fshatrave të vendit.

Parashqevia ishte e bija e Palit dhe Sofijes, lindi në Vlorë më 15 gusht, 1942. Arsimin e ultë dhe të mesëm e mori në qytetin e lindjes, në Vlorë. Aktivitetin artistik e ka nisur herët, qysh në bangat e shkollës, si kërcimtare dhe këngëtare, e përgatitur në Shtëpinë e Pionierit. Ndërsa në skenë, para publikut, doli në moshën 15 vjeçare.Gjithashtu ka debutuar në kuartetin vlonjat që përbëhej nga Meliha Doda, Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe Parashqevi Gjergji.


Paçi jo vetëm ka kërcyer dhe ka kënduar, por i ka rënë edhe Daires.


Në vitin 1957, kurteti vlonjat iu inkuadrua në Ansamblin e Shtetit, Tiranë,i cili ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin e Moskës. Ansambi dhe kuarteti i Vlorës, veç Festivalit në Moskë ,dhanë koncerte edhe në Republikat e tjera të ish Bashkimit Sovjetik.Për debutim të nivelit të lartë artistik, Paçi është vlerësuar nga Juria e Festivalit me medalje ari. Kjo vajzë, kjo bashkëshorte, kjo nënë dhee gjyshe vlonjate punonte në skenë me shumë sakrifica, sepse iu paralizua nëna. Ishte e martuar me Todi Kolën , me të cilin lindi një vajzë dhe një djalë. Me kalimin e moshës kaloi si rekuizitore, grimiere dhe shitëse biletash në Teatrin “Petro Marko” deri sa doli në pension. U nda nga jeta në datën 2 shkurt 2020.

Siç e theksova më sipër, Paçi ishte ndër femrat e para të emancipuara në qytetin e Vlorës. Me gjithë vështirësitë , ajo ia doli mban dhe e sfidoi opinionin bashkë me kohën, duke u treguar bashkëqytetarëve të saj se sa e aftë është një femër kur ka një synim në jetë. Në fund të fundit, letërsia, arti i të gjithë gjinive, apo kultura në tërësi në një qytet apo shtet, tregon shkallën apo nivelin kulturor të një kombi. Nuk kish si të ndodhte ndryshe, pasi vlonjatët lindën buzë dy deteve, Adratikut, që me kaltërsinë e tij, u ka dhuruar qetësinë dhe bukurinë shpirtërore. Kurse Joni i thellë, ngjyrë blu u fali me të tepërt bujarinë banorëve të Rivierës shqiptare, se kjo është Parajsa, ku kanë folenë dhe prehen Perënditë. Këto ndjesi kanë provuar vlonjatët nga artistët e qytetit.

Paçi dhe gjithë artistët e Vlorës, u kanë falur kënaqësi dhe qetësi shpirtërore bashkëqytetarëve. Nuk ka vlonjat që të mos e ketë njohur Paçin .

Kurse unë, si Fitim Haxhiraj dhe si partner baleti, e njihja mirë, pasi kam jetuar në një apartament me familjen e Paçit. Unë me bashkëshorten, Vilhelme Vrana dhe dy fëmijët, jetonim në një dhomë të vogël pa diell, kurse familja e Paçit kishte dhomën tjetër dhe kuzhinën. Familja ime ruan konsideratë për nënë Sofinë dhe për Parashqevinë. Në 17 vjet bashkëjetese në një apartament me dy dhoma e një kuzhinë, me Paçin kemi kaluar shumë mirë, prej së cilës ruajmë veçse kujtime të mira.

Falënderojmë vjehrrin e vajzës së saj, Evës, poetin, Meto Hoxha që na lajmëroi..., sepse siç e nisa shkrimin askush nuk u kujtua të jepte një njoftim për Parashqevinë .

U shprehim ngushëllimet tona të sinqerta djalit dhe vajzës.

I qoftë e lehtë balta dhe t’i prehet shiprti në paqe!

Vëllazërisht e me dhembje!

Vilhelme e Fitim Haxhiraj

Vlorë,4.3.2020



Meliha Doda, Reshat Osmani dhe Parashqevi Gjergji në Festivalin e Moskës, 1957


Katër çiftet e baletit më afatgjata


Gjon Batalli , Parashqevia me Fitim Haxhiraj

#Fitim #Haxhiraj

0 views

Shkrimet e fundit