PAPAGALLI DHE KLYSHI FLUTURUES
TREGIM NGA MYSLIM MASKA
I RIPUNUAR
Hajde, - i thashë dhe i futa krahun shokut të fëmijërisë. Erdhi nga Patra në pagëzimin e mbesës time. Kishim vite pa u takuar.
-Ku do të vemi?
-Këtu afër, në një tavernë gjuetarësh, buzë detit. Ka peshk cipu’ra të freskët, verë, raki, uzo, birra e ç’të duash ti. Kam vajtur dhe herë të tjera. Venë shpesh deputetë, ministra e ku di unë. Ka pak zhurmë, por do kënaqesh nga broçkullat, nga dhelprat me bisht të gjatë e të shkurtër etj.
- Nuk më pëlqejnë gënjeshtarët, - me tha shkurt Spirua.
- Ne jemi në tavolinën tonë në fund të fundit, dhe bëjmë ç’të duam. Dëgjojmë ose jo.
Këtë çast mbërritëm tek hyrja e tavernës. Spirua për pak ndali: Përballë, sipër banakut një shqiponjë krahapur në fluturim (e balsamosur). Në krahun e majtë të hyrjes një lepur dhe një dhelpër bishtgjatë, ndërsa në krahun e djathtë, brirët e bukur të një sorkadheje, zogjë dhe sipër tavolinës ku do të uleshim ( zakonisht ishte e rezervuar ) një papagall i madh nga ata që flasin, i balsamosur.
Bukur, - më tha Spirua, shoku im i rinisë. Përshëndeta me kokë dy- tre të njohur dhe u ulëm. Unë përball papagallit dhe Spirua në anën tjetër. Kur mbaruam gotën e parë me verë, ndezëm nga një cigar. Befas dëgjova një zë të largët, të mekur por të qartë. Instiktivisht, pa u vënë re nga Spirua, hetova rreth e rrotull. Asgjë. Sejcili në punën e tij.
-Unë po të flas, unë – më tha Papagalli. Më duket më paske harruar. Kemi bseduar shumë here bashkë. Vetëm me ty merrem vesh dhe me një tjetër, por ai s’është bërë i gjallë qysh atëherë që më vrau Vangjeli, dua të them më balsamosi . Vet e pata fajin, vet. S’thonë kot: “Koka bënë – koka pëson”. Tani shoh dhe dëgjoj, por s’mundem të flas. Po pëlcas! Po çmendem. S’paska gjë më të tmerrshme se memecllëku në këtë botë. E tmerrshme!
-Mos u mërzit, - i thashë për ta qetësuar, mos u mërzit, ç’e zuri njeriun dhe s’e hoqi. Ne ndenjëm pesdhjetë vjet shurdhmemec dhe ja ku jemi.
-Pa ndonjë cen s’keni ngelur, - më tha me qortim, dhe vazhdoi të përsëris: Vet e pata fajin, vet. Sa herë vinin ministra apo deputetë, ato që thoshshnin midis tyre ministrat sot, unë idioti, ua përsërisja dy të tjerve nesër, ç’të thoshin të nesërmen, i thoshja pasnesër. E Kështu me rradhë, gjersa një prej tyre ju ankua pronarit të tavernës, i cili menjëherë njoftoi Vangjelin, kushëririn e kryetarit të Bashkisë, të cilit i paska thënë te ma rregullonte qejfin d. m. th. të më katandiste siç më katandisi në një memec të perjetshëm.
Qënka i tmerrshëm memecllëku… Më mirë të më kishte vrarë…Dhe heshti. Mua m’u duk se po qante…Në sytë e tij sikur pash lotë.
Ja thashë Spiros të gjitha ç’bisedova me papagallin. Ky më pa pak i habitur dhe i merakosur duke më thënë:
-Të më falësh, por …s’më dukesh mirë!
-Shumë mirë jam – ia ktheva menjëherë.
-Që s’je mirë duket nga ç’bënë e thua. Ndoshta, - vazhdoi – nga streset, hallet, borxhi në bankë për shtëpinë që bleve ose puna e vështirë me orar të zgjatur, të katandisën të flasësh me vete, përçart…Bisedon me një papagall! Të ishte i gjallë ajde de…por ai është i vdekur, i balsamosur. Dhe më pa në sy me dhimbje. Pastaj më thua që je mirë, e ç’mirëzeza! – tha pas pak.
- Shumë mirë jam, këmbëngula. Ndoshta ke harruar. S’ke faj. U bënë shumë vite që s’jemi parë. Por… qysh në fëmijëri e kisha këtë dhunti. Me siguri e ke harruar gjersa po më bënë të lajthitur. Është dhunti e imja, përsërita. Jam panteist, d.m.th. kam aftësinë të bisedoj me zogjë, me gurë e me drurë, me të gjallë e me të vdekur. Dhe, kur ngrita gotën për të bërë gëzuar, Ai m’u duk se u trëmb, gjersa instiktivisht lëvizi karrigen mbrapa.
Në këtë çast në hyrje të tavernës u duk ish kryetari i bashkisë i shoqëruar nga djali i tezes së tij, Vangjeli, që kolegët i kishin ngjitur nofkën “Gënjeshtari i Madh”, këtij që balsamosi papagallin. Ish kryetari buzëqeshte, përshëndeste me kokë majtas e djathtas duke tundur dorën e djathtë në ajër, ashtu si udhëheqsit, se udhëheqsit e duan shuuumë popullin! Shkoi tek kryetari i shoqatës, ju dha dorën dhe tre- katër të tjerëve. Në moment erdhi pronari i tavernës, i cili i shprehu keqardhjen për tavolinën e rezervuar dhe tregoi me gisht nga neve. Nuk dinim gjë, u çfajësua.
-Asnjë problem, - tha ish kryetari. Do të ulemi te tavolina pranë tyre. Ju besoj e dini ç’tha Nastradini kur i kishin zënë qoshenë: “Qosheja është atje ku ulet Nastradini” dhe duke qeshur zunë vendet.
Kur servitori solli verë tjetër, shleva llogarinë.
-Sa vite ishte kryetar? –më pyeti Sotiri.
-Tetë vjetë. Është njeri i mrekullueshëm. Ka bërë shumë për qytetin tonë. Ka ndihmuar pa u kursyer sidomos të vobektit dhe të varfrit. E nderojnë dhe e besojnë të gjithë.
-Vangjel! – thirri me zë të lartë kryetari i shoqatës, - Pa na thuaj, çfarë pe sot? – me siguri ndonjë gjë të re të pa dëgjuar!
Vangjeli u ngrit në këmbë dhe pas një pauze të shkurtër, tregoi se kishte parë, lart në qiell, një qen që fluturonte duke lehur, dhe për këtë u betua me një “Më pafshi qorr nëse gënjej .”Plasi e qeshura, romuzet dhe duartrokitjet tallse.
-Shkurtoje ca bishtin e dhelprës – tha kryetari i shoqatës duke rrahur pëllëmbët.
-Nesër do na thuash se pe një buall që fluturonte duke pëllitur – tha një tjetër dhe qeshi me të madhe. Qeshën dhe të tjerët. Ndërsa një plak mbi të 75sat që më të shumtën e kohës e kalonte në tavernë duke pirë kafe me raki, pasi bëri kryqin, me fjalët gjysma - gjysma prej dehjes paska thënë: Ja, ku përfundoi i shkreti njeri, nuk di çfarë të besojë e çfarë të mos besojë. Hajde mere vesh këtë botë! Nga njëra anë e lëvdojnë, nga tjetra e shajnë, ca gënjejnë, ca mashtrojnë. Po! Ama unë e kam zgjidhur punën time… Menjëherë sa u ul Vangjeli, “i fyer që s’e besuan”, u ngrit ish kryetari i Bashkisë duke thënë:
-Po, është e vërtetë! E pash edhe unë! Ju e dini – vazhdoi, atje sipër, dhjetë minuta që këtu, është rritësi i qenve, Kosta. I rrit dhe i shet. Me këtë punë rron.E kam ndihmuar edhe unë kur isha kryetar. Sot, para se të vija këtu, parkova makinën te Kosta. Aty e parkoj gjithmonë. Sa dola nga makina dëgjova një kuisje qeni. Pash rreth e rrotull, asgjë. Lartë, - më tha Kosta dhe më tregoi me gisht qiellin. Një shqiponjë shtrëngonte mes kthetrave qenin që kuiste prej dhimbjeve.
-Isha në kuzhinë po përgatisja ushqimin për qentë, kur dëgjova kuisjen e dhimbshme. E njoha nga zëri klyshin. Rrëmbeva menjëherë çiften. Kur mendova se bashkë me shqiponjën do vrisja dhe klyshin që e doja shumë, hoqa dorë. S’më ndahej tërë ditën, loste me mua. Pastaj, më vetëtiti në mendje gjoba, dhjetë mijë evro, se shqiponjat janë në zhdukje. Pash ç’pash u ula në stol. Bëra një cigare me duart që më dridheshin duke thënë me vete : Kur s’do, s’do. Bjeri po deshe murit me kokë! E doja dhe më donte shumë, - vazhdoi Kosta. E kisha si një bebush të vogël. Një muajsh ishte. Shpesh flinte me mua. Pasi më lëpinte faqet, më përqafonte me putrat e buta dhe e zinte gjumi. S’më vjen keq për katerqind – pesëqind evro që mund ta shisja. Nuk do e shisja. Kisha vendosur ta mbaja për vete. Dhe fshiu sytë me kurrizin e dorës. Nejse, se të mbajta këtu. Klyshin e pa dhe Vangjeli. Sa iku, po të pret aty poshtë.
-E ngushëllova, dhe u largova me një ndjenjë të hidhur në shpirt. Ja kjo është e gjitha…
-Aaa, kështu po! – thanë të gjithë pothuajse me një zë dhe duartrokitën. Pas pak u ngritën në këmbë me gotat në dorë dhe bënë gëzuar nga larg me ish kryetarin e Bashkisë.
-S’qënka gënjeshtar Vangjeli, siç ma bëre ti, - më qortoi Sotiri duke më parë në sy. Heshta. Ç’t’i thosha! Ndezëm nga një cigar dhe vazhduam të pinim shëndete, gjer në çastin që ish kryetari së bashku me Vangjelin, u ngritën për të dalë. Menjëherë pas tyre dolëm edhe ne duke u thënë një “Natën e Mirë” të pranishmëve. Kur u largua rreth njëzetë – tridhjetë metra nga taverna, ish kryetari i tha Vangjelit:
-Këtë herë të mbulova, se Kosta ka dy vjet që ka vdekur…( isha në varrimin e tij )dhe qentë i morri i vëllai në fermën e tij, në një fshat afër Larisës. Gënjeshtra është bërë pjesë e karakterit tënd. Ti s’rri dot pa gënjyer. Gënje, por jo në qiell, në tokë. Në tokë gënjejnë të gjithë: Fshesarët, deputetët, ministrat, bile dhe Presidenti. Dhe njerëzit, jo vetëm që nuk i shajnë e fyejnë, përkundrazi, i duartrokasin…
Maj 2020, Athinë
Shkruar mrekullisht. Kapërcimet e fantazisë përtej kufijve të realitetit kënaqin lexuesin dhe i nxisin hamendje që e afrojnë te e vërteta.