Pano Boli: STOLI I POETIT
- 11 hours ago
- 1 min read

-Mikut tim poet, Hekuran Halilit-
NGA PANAJOT BOLI
Një stol i drunjtë,
Hijërendë,
I përkedhelur nga gjelbërimi
Me flladet hedhur krahëve në të aguar
Ëndërrimtar në oborrin e poetit
Vargje joniane rri duke bluar.
Poetin pret me kafen në duar
Mbi kokë i tund ca kokrra shegë
Me pulëbardhat si krushk e nis drejt detit
Në një të fshehtë, shteg.
Të ngjyej pënën me bojën blu të detit jonian
Dhe vargjet si valet t’i ngre
Poeti Hekuran.
Një stol poet i thjeshtë
Me dru gatuar
Një gur i rende mulliri rrotullohet
Vargje të bardhë mielli urtë, urtë bluan
Argjendpraruar.
Stoli,
Poetit,
Një ulli i ka mbjellë
Vargjet t’i rigoj me vaj paqeje e harmoni
Si Anakreont ta mbajë në krahët e muzës
Hoje mjalti për vendlindjen e hire dashurie
Orfe për Sarandën peri.

Mes gjelbërimit shetit frymëzimi
Vijnë poetë e ulen në këtë stol
Fjalët i venë në peshorën Art
Dhe grinden,
Për misterin e Gërzhetës në gjol.
Çlodhen poetët në stolin e poetit
Kur vijnë nga Shenjtorët e Kalasë
Kur zbresin triumfatarë
Nga valët e detit.
Dhe stoli i poetit buzëqesh e gëzon
Aty, që në ag vjen ,
Pulëbardha e zëëmblit Anakreont.







