Panajot Zoto: E dhunuara
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 days ago
- 6 min read

E premtja e atij messhtatori ishte e nxehtë,si të gjitha ditët e tjera që kaluan. Edhe se mëngjes, termometri shënonte 27 gradë. Pronari i hotelit, një mesoburë ,me trup të bëshëm, i hodhi një vështrim orës dhe nëpërdhembi bezdisshëm: “Ta hajë dreqi, ora tetë e mëngjesit dhe vapa nisi të shtrëngojë...” Eci pastaj në atë koridor të ngushtë të katit të parë dhe u ndal para portës së dytë të krahut të djathtë të godinës, e cila binte nga ana e ish-kinema “17 Nëntori”. Trokiti dhe me zë paksa të ngjirur pyeti: “Jeni çuar?”...
Priti disa çaste dhe foli sërish,por nuk morri përgjigje. “Është e pagjumë prej kushedi sa ditë...s’ka faj”-tha nën zë dhe solli ndërmend skenën e mbrëmjes, kur ajo, gati sa nuk ishte rëzuar në hyrje të hotelit. Ishte e dërmuar, e pangrënë dhe fëmija e vogël që mbante në krah dukej si e pajetë.
Personi që i kërkoi një dhomë për gruan shtatzanë dhe fëmijën e saj, nuk i kishte treguar asnjë hollësi, veç i ishte lutur ta strehonte. I kishte lënë në dorë shumën e parave për një natë fjetje, pastaj kishte dalë dhe, për pak minuta, sërish ishte kthyer me një pako me ushqime për gruan dhe vajzën e vogël të saj. Ishte larguar heshturazi.
Këto solli nëpërmend pronari i hotelit, teksa priste t’ia hapnin derën e dhomës. Trokiti sërish dhe priti që dera të hapej,para se nervat të kapërxenin kufirin e durimit. Në çast mendimet e ligshta iu ndërkallën së brendshmi dhe instiktivisht nxitoi gjer në fund të koridorit.Hapi një derë dhe pa jashtë dritares. “Kush ishte gruaja me vajzën e vogël!?”.Nuk e dinte. Mendueshëm qëndroi disa çaste pranë dritares në fund të korridorit dhe hodhi vështrimin poshtë. Mendonte për më të keqen:”Të ketë bërë ndonjë proçkë...të jetë hedhur nga dritarja?..,Po pse?”.Dhe hamendësonte:”Mbase nga frika...nuk donte të identifikohej”.
I bluante brenda vetes këto mendime, edhe se nuk e besonte të kishte ndodhur diçka e tillë.
U dëgjua një kërcitje dhe ai u kthye mbrapsht. Te pragu i derës së dhomës ishte shfaqur gruaja e re me vajzën e vogël.
-Më ndje për vonesën-tha ajo kur pronari i hotelit nxitoi pranë saj
- Kujtova se... Donte t’ia thoshte atë që kishte menduar,por vetëm sa e përshëndeti me një buzëqeshje të lehtë.
-Vajza me zor u zgjua,-tha ajo për të justifikuar mos hapjen e derës.
Ishte ende nën peshën e frikës për të panjohurat që e prisnin. Fytyra,edhe pse dukshëm dallohej e nxira në mollzën e faqes së djathtë, i kishte marrë një pamje joshëse dhe kur fliste formoheshin,në të, gropëza që ia shtonin edhe më hijeshinë.
-S’ka problem,-tha pronari i hotelit dhe e pyeti nëse e donte edhe më dhomën. Ajo qëndronte para tij e ndrojtur dhe pa fjalë. Pronari i kërkoi ta ndiqte. U futën në një sallon dhe i tha të ulej.-Të pyeta nëse e do edhe për sot dhomën”. Ajo mohoi me një tundje të lehtë të kokës dhe me një “jo” të zvargur, a thua se zëri i dilte nga fundi i barkut. Ai i hodhi një vështrim keqardhës dhe e pyeti se ku do të shkonte me fëmijën e vogël. “Je dhe shtatzënë”, u bë gati t’i thoshte, por heshti në pritje të përgjigjes.
- Më ndihmo, të lutem, me një telefonatë,-tha ajo.
-Djali që të solli mbrëmë...
-Jo, jo,- e ndërpreu gruaja shtatzënë,- Atë nuk e njoh dhe nuk e di kush është e nga është. Dua t’i telefonoj tim shoqi.
Pronari i hotelit morri nga tavolina celularin dhe në pak sekonda formoi numurin që i tha gruaja shtatzënë...
... Nga Tirana dolëm pas orës dhjetë,në kulmin e të nxehtit ku termometri shënonte 33 gradë. Saranda ishte larg dhe udhëtimi në këtë ditë me diell përvëlues ishte i bezdisshëm.
Në afërsi të Fierit, laili, që drejtonte autoveturën, ndaloi pranë një lokali. “Bëjnë byreqe të mira këtu”,-tha dhe zbriti. .. E vendosëm të bënim një pushim te kompleksi 24 orësh, te “Grilla”... Lailit, që kishte marrë me vete qesen me byreqe, ia preu rrugën një vogëlushe rome, që me dorën shtrirë kërkonte lëmoshë.Kur ai u fut në lokal ishte duarbosh.
-I hëngre?!-e pyeta me habi,kur u ul përball meje në tavolinë.
Ai qeshi dhe tregoi me dorë, tej xhamave të lokalit, romushen e vogël të ulur në stol, duke ngrënë byreqet...
-Më kërkoi 50 lekë dhe unë e pyeta nëse ishte e uritur. Nuk foli, por e kuptova nga shprehja e fytyrës dhimbjen që shkakton uria. Ia lashë qesen me byreqe. Tani le ta kalojmë me një kafe, -tha dhe qeshi.
- Eh jeta!,-thashë,-Për ca sjell gëzime, për të tjerë ngre dallgë e stuhi.
Laili, një burrë rreth të dyzetave, por që dukej djalë i ri, me trup të imët e fytyrqeshur, tundi kokën në shenjë pohimi dhe tha se mbrëmjen e djeshme ishte bërë dëshmitar i një skene të trishtë, që fati ia imponon jetëve njerëzore.
-Mbrëmë? - pyeta me kureshtje.
-Po. Sapo u ndamë bashkë...
- Çfar ndodhi?
-Kalova kryqëzimin te rruga e ‘Barikadave’,pastaj eca në trotuarin përball ish ‘INSIG-ut’ dhe nxitova për të kapur urbanin e linjës së Kamzës. Te cepi i lulishtes, që ndodhet prapa ‘Teatrit të Operës’, dallova një trup të shtrirë mbi barin gjysëm të thatë dhe ndala këmbët. Ishte një femër. Instikti më shtyu drejt saj, edhe pse mendova që mund të ishte nga sëra e femrave që bredhin mbrëmjeve lulishteve e parqeve për të nxjerrë bukën e gojës...
Ndërova në çast mendim dhe nisa të ecë me nxitim në trotuar,kur dëgjova një zë të thëriste:”Zotëri...zotëri, të lutem”. U ndala dhe u ktheva dret saj.Iu afrova dhe, shtrirë mbi barin gjysëm të tharë të lulishtes, dallova fytyrën e përlotur të një gruaje të re, që mbante mbi barkun e fryrë një vocërak.
Kishte rënë nata dhe ndriçimi i dobët në cepin e parkut nuk më mundësonte një shikim të qartë. Ajo u ngrit në të ndenjura dhe morri fëmijën në prehër. Nëpër hijedritën,që formësohej nga kryqëzimi i rezeve të dritës së ndriçuesve me pemët e parkut, munda të dalloja blana të zeza në fytyrë dhe në këmbët e saj të fryra.Para meje nuk ndodhej një femër rruge por një viktimë. E pyeta se për ç’arsye qëndronte atje , e vetme. Nuk foli, veç ngashëreu, duke lëshur faqeve pika loti të ngrohta. Ndjeva keqardhje ndaj i thashë nëse donte ndihmë...të lajmëroja policinë...“Një telefonatë”,- më tha me një zë të mekur, ku qartazi ndihej frika. Nxorra celularin dhe nisa të shkruaja numurat që ajo më diktonte:O697547... Pastaj heshti për pak çaste dhe kur përgjigja nuk po vinte, tha: “Jo, jo! Më mirë lëre se... Është numuri i tim shoqi. Do të keqkuptohet”.
Nuk mund ta lija aty,të vetme, në të panjohurat dhe të papriturat që sjell nata. Kuptova se kisha të bëja me një njeri që duhej respektuar në fatkeqësinë e saj, Çfarë tjetër, veç dinjitetit dhe vetpërmbajtjes, mund ta frenonte atë në ‘dorëzimin pa kushte’, përballë ofertës së çdo kalimtari?. E Pyeta për arsyen e qëndrimit në atë lulishte dhe përse nuk shkonte në shtëpi. Tha se nuk kishte ku të vinte. “Im shoq, i dehur, më rrahu egërsisht, s’di pse.Më nxorri nga shtëpia...jamë e humbur, e zhytur brenda dhimbjes sime,e braktisur”,-tha, ndërsa lotët i derdheshin poshtë faqeve. .. Nuk ishte vetëm ky rast që provonte dhunën. Ndodhte sa herë burri kthehej në shtëpi i dehur...
Ishte nënë e dy fëmijëve, e një djali nëntë vjeçar, që e kishte lënë në shtëpi dhe vajzës 2 vjeçe, që mbante me vete. Priste një fëmijë të tretë, por s’dihej në se do të lindëte i gjallë pas grushtave e shkelmave që kishin goditur trupin e saj atë pas dite.Burri, i dehur, nuk kurseu as shtatzaninë e saj. I thashë të shkonte ta denonconte burin në polici dhe të kërkonte ndihmë, sepse nuk ishte normale ta kalonte natën në lulishte, por nuk pranoi. Tha se nuk donte ta shkatërronte familjen. As te ndonjë i afërm nuk pranoi të shkonte, sepse, siç tha,nuk mund t’u binte në qafë të tjerëve. “Në hotel”, -mendova dhe i thashë të më ndiqte. Fillimisht hezotoi, por e kuptoi se nuk kishte zgjidhje tjetër.
Aty afër, pas unazës së vogël, ngjita shkallët e një hoteli dhe i kërkova recepsionistes një dhomë, por ajo nuk pranoi ta sistemonte gruan me fëmijën e vogël pa një dokument identifikimi. Shkuam më tej. Në afërsi të ish kinema ’17 Nëntori’,pronari i një hoteli modest hezitoi në fillim, por i joshur nga lekët që i dhashë,pranoi.Sikur u lehtësova nga një barë e rëndë dhe ndjeva një lloj kënaqësie për çka kisha bërë...
... E dëgjova jo pa kureshtje tregimin e Lailit dhe veprimi i tij më emocionoi. “Të lumtë!,-i thashë, Veprimi yt është i lavdërueshëm. Ke mbjellë dashuri dhe kush mbjell dashuri ,mirësi e dashuri do të korrë në jetë”. Po Lailit i punonte mendja atje, te fati i gruas me vajzën e vogël.
Formoi një numur në celular dhe tha se do të pyeste pronarin e hotelit. U ngrit nga tavolina dhe doli jashtë me telefonin në vesh...
-Ç’ka ndodhur,- i thashë kur e pash të turfullonte me mallkime, s’di se për kë.
- U nisëm,por ai nuk gjente qetësi. Në ngjitje të qafës së Koshovicës, shpërtheu në ca fjalë të pa kuptimta.
- Ç’farë?,-pyeta instiktivisht
-Hë,pra , edhe unë se di-tha. Përpiqesh. Ke dëshirë për të ndrequr a ndryshuar diçka,por të shkuarën nuk e ndryshon dot.
- Ç’të tha hotelxhiu?,- e pyeta
- Sot në mëngjes gruaja me vajzën e vogël pësuan një tjetër traum. Ajo i kishte telefonuar të shoqit nga hoteli dhe i kishte dhënë adresën e vendndodhjes. Ai kishte mbritur në hotel dhe ishte grindur me pronarin. Pastaj kishte dhunuar gruan. Në hotel mbriti policia që e kishte prangosur dhunuesin...
Zoti i dhëntë forcë asaj për ta përballuar jetën e vështirë,-tha Laili. Heshti dhe nuk foli më gjatë gjithë rrugës.









Comments