top of page

Panajot  Zoto: Burgu  i  ishllit

ree

         Fragment nga  romani  “Akili  i Sulit”,kapitulli  “Përballja në  sarajet e Vezirit”

                                                                                                   Nga   Panajot  Zoto

 

   Burgu  i ishullit, i ndërtuar  enkas për  kundërshtarët dhe besthyerit, që  nuk ishin të  paktë në atë shtet të sunduar nga një satrap e tiran, kishte ca birruca, ku lagështia e  avujve të liqenit u ngjitej pas mishit të burgosurve dhe i vriste dalngadalë. Djaloshin (Foto), që ende s’i kishte mbushur të tridhjetat, e përplasën, të lidhur me  zinxhirë, në një nga ato qelitë e pista. Atje ,ditët dhe netët ishin njësoj. Dielli që ndriçonte qiellin dhe derdhte  mbi  liqen rrezet e tij të praruara, ishte vetëm një mbetje imazhi në imagjinatën e tij. Veç  ajri, me një lloj kudërmimi lulesh, mbërrinte gjer brenda birrucës dhe ai frymonte me kënaqësi pranë dritarezës së vogël, që  shikonte nga jugu.

Sa  ditë kishin kaluar me duar e këmbë lidhur me zinxhirë, me pak ujë dhe me një ushqim që as  qentë nuk e hanin? Kur e nxirrnin për pak minuta në një platformë rrethuar me një mur telash të trashë, nga ku dukej vetëm qielli dhe ai, si shumë të tjerë tërhiqte zvarrë këmbët e lidhura me zinxhirë, vetëm në ato  pak çaste e ndiente aromën e bukur të lirisë dhe peshën e misjonit për të luftuar tiraninë. Qëndronte diku dhe treste  vështrimin tutje duke parë  qytetin dhe gjelbërimin që vishte kodrat përballë e më tej kështjellën dhe majën  e Pindit, që dukej se  lëshonte  hijen e tij mbi liqen ku ujërat e qeta përcillnin shushurimat e valëve në veshët e të burgosurve.

Gjithnjë, në çdo orë të ditës a të natës, para syve të tij dilnin të njëjtat fytyra  dhe ai shihte po ata njerëz të topitur e të zhytur në dëshpërim. Ishin po ato fytyra që dita me ditë treteshin dhe sytë u futeshin  brenda, thellë në zgavrat dhe humbnin shkëlqimin e tyre. Pas atyre pamjeve ai shikonte, si në pasqyrë, veten dhe shpesh kapte me duar faqet që i dukeshin si të rufitura nga lodhja e shpirtit. Atje,i mbyllur  pas symblljeve në përgjumjet e netëve, dëgjonte hapa të ngadalshëm dhe shikonte njerëz me çehre të vrarë, që silleshin rrotull si fantazma. I dilnin, në ëndrrat e  llahtarshme, fytyrat e tzrishta të fëmijëve dhe ndiente t’i ngrohnin supet lotët e nënës dhe të Dhespinës, gruas së tij. Ah, sikur të kishte mundësi t’i shkruante Moskos një letër dhe  t’i shprehte dufin e shpirtit! Nuk e  kishte mundësinë për t’i thënë ato që ndiente: se përulej para saj dhe dorën ia puthte,përkëdhelte fëmijët dhe puthte sytë e  Dhespinës. T’i thoshte që luftën të mos e ndalonin as ditën  e as natën. Se ai nuk kishte forca dhe nuk mundej t’i ndihmonte se në ishull e kishin burgosur, me dy zinxhirë në qafë  e katër në duar dhe hekura në këmbë ,me një trung të lidhur...

Ishte thjesht një dëshirë që buronte nga misioni që kishte marrë përsipër. Skena e betejës ndodhej larg dhe ai ishte jashtë teatrit të luftës, në një realitet krejt të ri.  Në Sul, pas shpatullave të mbrojtësve heroikë, lëviznin tashmë, në errësirë, të përulurit dhe frikacakët, natyrisht dhe tradhëtarët. Kohët e vështira lëshuan mbi  Sul retë e zeza.                                     

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page