PANAJOT BOLI: MALLI YT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 8
- 1 min read

POEZI
NGA PANAJOT BOLI
MALLI YT
Ca pika shiu më tremben vetminë
Si nota muzike trokojnë në tastjerë
Malli dridhet si fletët e pentagramit
Arratisur nëpër natë,me llohë e erë
Malli yt seç erdhi befas si pika shiu
Si rrekezë dhimbje në dritare rigon
Buzët zgjat t'i puth, t'i njmë me to
E prapë i etur,shpirtin s'ma sheron
Me gishta pikat i mbledh në xham
Në sumbullat,syri yt po më çmend
Si ushtarë i inkuadroj ato në germa
E shkruaj duke u dridhur emrin tend
RINGJALLJE
Gjethet bien..zvarriten..pastaj vdesin
Dheu i ngushëllon e i tret me ngadalë
Në pellgje po ndjek hënën e mardhur
E i përhumbur mes territ them ca fjalë
S'i arrij t'i pyes,shushurimen s'e kuptoj
Po m'i shtyn era drejt perroit që t'i tres
Në pranverë si lind prapë gjethja feniks?
Shpresën amebë ,si e ngjallin mos vdes?
Çudi, në këtë dimër të mugët të pashpirt
Ranë gjethet për të vdekur,toka po i tret
Thonë se Krishti u ringjall, po gjethet si?
Nga nxitimi s'arriten të thonë këtë sekret
Comments