PAFUNDËSI…




Nga Fritz RADOVANI:

PAFUNDËSI…

Det’i kaltërt, i bukur, i pastër bilur, i qetë, reda-reda mbi të cilin ndihët një fllad që derdhët mbi breg mbas një tingllime që të ngjason me një pllaf e, gjithshka, këthehët në shkumbë. Tue e shikue më duket se po i vê kambët mbi një rrexë të punueme me grep si dikur i punonte Nana. Kur kambët mbi lmon ndiej freski. Pa ma të voglin shqetësim shkon në vendin e vet, vjen prap e prap shkon.., atje larg.

Përballë diellit e detit jam unë!

Gjith’ ai diell i madh dalëngadalë zhytet e zhduket.

Aq sa i njelmët asht deti asht edhe i rrebtë, shpeshherë...Nuk më trembë as dallga as vala përpise e tij, madje ndiej vedin krenar kur e shoh se m’afrohët e ikë si me më pasë frikë. Tue ecë mbi ranën e lagun e tue lanë mbrapa disa gjurmë të mija që mbas pak minutash fshihën edhe ato, shoh një yll deti të shkrryem mbi ranë e ma larg një kandil, të dy të fikun këso jete që s’marrin as napin ma të voglin shenjë.

Ndonjë degë e shkyeme algësh e plandosun për breg me gjelbrimin e fortë të saj ma ndryshon drejtimin. Shputat e kambëve nuk më bahët mi vue mbi té. Më duket se vazhdon me jetue. Mbi një kaçubë mrinash asht një leckë e ndême, ku nëpër birë të një pullës përshkohet një çestek i varun sahatit. Copë e shkyeme xhamadanit asht kjo?.. Mendoj: Orë, minuta, vite, shumë vite, madje edhe shekuj, mendime të përzime për punë e vepra të mira e të këqija të një jete, që përplasëshin për hagrepët e atij sahati të këputun pa mërrijtë me kapë bregun... Afër një ferre asht e kapun për rrypin e hollë një takë e naltë lustrofini një përçik, e shkapun me forcë prej ndonjë gozhde të atij saloni luksoz...

Mendja më shkon në thellësi. Atje duhet të jenë!.. Atje ku prehën shumë gjana të moçme të shkrueme ndër gur, qypa e letra, ku secili ka dashtë me diftue dishka. Janë thye, janë grrye, janë plasë, janë fshi, janë kalbë.., e kanë humbë përgjithmonë... Sa shumë gjana mbledhë ajo gropë deti, ai fund uji, ato zgavrra e gomna përpise pa i diftue askujt kurrgja. Aty ka hekur, ar, trupa, brilanta, rrashta, speranca, mburoje, topa, heshta, gjyle, flamuj e vargoj, që gjithmonë njerëzimit shpirtin ia kanë marrë pa pikë mëshire!

E, pra, dikur… madhështia e tyne rroposte frone.

Rrëxohën e bijnë gurë, kështjella, lisa, pisha, pallate, kulla, çinarë shekullorë...

Rrokullisën, shkapetën e këthehën në ashkla, ranë e cop’e grimë prroni e lumi i përcjellë për në det. Dikush i ndjekë me sy derisa nuk shihën mâ. Përpihen e zhduken në humnerë. E, bashkë me tá furia e tërbimit përlanë gjithshka edhe ata që malin e shpellat sundojshin dikur, madje edhe bishat e egra në tufan e stuhi mëshirë prej tyne kërkojshin, derisa të prânte vetëtima e fortuna. Kur frika xên vênd në ndonjë skutë, prap fillon ulërima e “dikush” vërret në kupë të qiellit: “Jam unë e askush mbi mue!”...

Harron se do të kujtohet ndonjë ditë prap për kohën e shkueme!

Me vedi rrin e mendon: “Qé, ku mbaron madhështia!”...

***

Pafundësi!...

Prap, atje nalt asht Shqipja Ilire që ruen...

Asht e plakun, e thinjun, me pupla të shpuplueme.., po synin kokërr e ká e çapojt brisk. Hapë krahët në naltësi... E, të duket, sikur mbi Maje të Bratilës ka xânë vênd. Ndër kthetrat e saja ka mbërthye Përkrenarën Tânde o Gjergj Kastrioti Skenderbé, Mbrojtësi ynë po, por edhe i atyne që bajnë se të kanë harrue!

Këtu, bash ku pat shkelë kamba e Sh’ Palit, ruen Bijën e Sajë, ruen Bijën e Tokës sonë, ruen Bijën Tande Shqipni, Nanë Terezën, që me Kryq për parzëm, Atje... lutet për né!

Asht prap mbi këte shkamb e mbi këta krepa të lame me gjakun e Martirëve!

Asht prap aty përbri, mjedis t’ atyne selvijave... Aty ka çerdhen...

Asht prap aty ku ringjallët Madhështore... E, në Pafundësi...

Asht prap aty sot, brij atyne çinarve...Kisha e Shqipeve!

Një PAFUNDËSI...

Shkodër, Rrëmaji, 11 Nandor 1990.

Melbourne, Janar 2020...


#fritz #radovani

6 views

Shkrimet e fundit