top of page

Pa fund kjo pjerrinë!


Pajtim Xhelo

Mbeta me veten e po grindem këtu, Mos më prit mëkot në bregun e pendimit,, Në një pjerrinë po rrëshqas kuturu, Nuk përqasem dot me pragun e mendimit.


Po hijet e shpirtit ku shkojnë ashtu, Si shtëllunga të ciklonit drithëruar? Përplasen, zhurmojnë në gurë e dru, Si besa e një burri, e tradhëtuar.


Lotët po t'i shoh në sy si qelibar, Po nuk mendon se shumë janë vonuar? Prita në dimër, të prita në behar, Ngjita naltina me durimin shaluar.


Ditë të tëra në zemër ndeza shpresën, Netëve meraku gjumin ma largoi, Të dhashë fjalën, s'e thyeja dot besën, Po shpresa ngeci n'udhëkryq dhe harroi.


Tani mbi supe rëndonte veç meraku, E ruajta zgjuar për shpirtin e mjerë, E mbajta të çelur si lule zambaku, Tek shihja i lodhur zambakë të tjerë.


U fik durimi dhe zambaku u tha, Ndjeva fijet e shpirtit që u larguan, Shpresa me merakun , ikën dhe ata, Mbeta vetëm, më braktisën, më harruan.


Prita në dimër, të prita në behar, Ëndërova buzëmbrëmje në lëndina, Ndillja erë trëndelinë edhe bar, I hutuar , po vërtitem në pjerrina.


Thash se për ty ishte dashuri e parë, Ndaj të prita agimeve në vegime, Me shpresën dhe me merakun ndezur zjarrë, Të doja bashkrrugëtim në jetën time.


Harrove që koha nuk luan me ty, Është vetëm, s'ka shokë e miq të tjerë,, Vrapoi ajo, na la pas ne të dy, Veç ti këtë s'e kuptove asnjëherë.


Mendove se kohën do ta kishe shok, Harrove që të priste një dashuri, U ende pas kohës, vrapove mëkot, Si hebre në shkretëtirën pa kufi.


Sot lotë të pash në sy si qelibar, Ti nuk mendon se shumë janë vonuar? U sos durimi në dimër e behar, Në pjerrina po vërtitem i hutuar.


Me hijet e shpirtit fola, po bërtas, Ti pret, përlotur, në bregun e pendimit? As shpirti, as mëshira nuk kthehen pas, Shtratit të tharë, pa ujët e burimit.


Harrove kohën, po koha nuk të fali, Si e marrë, rininë kishe lënduar, Shpërfille shpirtin e shenjtë të një djali, Pret të pendohet besa e tradhëtuar???


Pajtim Xhelo 17 shtator 2020

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page