top of page

Përtej gojëdhënave dhe një fakt ndryshe




Dikur përmendej me të madhe. Emri i Agush Agës sillej si një shembull i Njeriut në aftësi menaxhuese të jetës, burrëri, trimëri, tregëti, bujqësi, dituri, shkollim dhe… dhjetëra gjëra të tjera që tregoheshin nga të moshuar të brezit që kishin jetuar dhe kaluar mjaft peripeci nga kohërat dhe pushtimet në periudha të ndryshme. E sa herë që kujtohej Agush Aga sillej në mend koha kur ai kishte ikur që i vogël për të studiuar diku në Egje. Tregohej pasuria e madhe që kishte pasur i Ati. Trashëgimia, dituria, zgjuarsia dhe forca me të cilën ai kishte arritur të hynte në sytë e Sulltanit Otoman. Kishte lindur në Trebisht të Gollobordës, në një fshat të madh e të njohur për zejtari dhe ustallëk dhe kishte mbajtur në sytë e tij tokat e shumta të agushëve, gjyshit të tij që kishte bërë pasuri me zanat dhe me tregëti diku në një fshat të quajtur Rajkovë. Dhe kështu quhej dhe quheshin brez pas brezi në të dhënat gojore 'agushovcët'.

Shkollimi e kishte bërë të hapte sytë. Ai e kishte vënë në syrin e kastës më të lartë të kohës, aq sa të gëzonte poste të larta në qeveri dhe në ushtri. Ndaj shkollimi i tij i dëshiruar shumë nga i Ati, edukimi i madh, trimëria dhe hyrja në ushtrinë otomane, shërbimi me zell në të, suksesi në mbledhjen e taksave të Sulltanit në Greqi dhe Shqipëri i kishin hapur sytë atij për një jetë më të mirë. Thuhej se për këtë vetë Sulltani i kishte kërkuar të zgjidhte tashmë njeriun e tij të jetës dhe të gëzonte një dhuratë toke që vetë ai i kishte firmosur dhe dhuruar për të organizuar një jetë më të mirë. Thoshin se mësimet e tij mjaft të suksesshme në Egje e kishin njohur me disa bullgarë, pasi sikurse thuhej dhe dihej ai fliste shqip, bullgarisht dhe turqisht njëkohësisht. Lidhja me bullgarët ishte jo thjesht miqësi, por një lidhje me prirje aristokratike.

Një ditë ai ishte ftuar në një dasëm të një prej të njohurve të tij. Atje ai kishte qëndruar disa ditë dhe në ato ditë sytë i kishin mbetur tek një bukuroshe bullgare, gjë që e kishte mbërthyer aq shumë, sa ishte i detyruar të kërkonte dorën e saj. Fatmirësisht edhe vajza e kishte dashuruar me shikim të parë. Ajo ishte vajza e vetme e një pronari të madh tokash. E kështu jeta kishte nisur të kthehej në një kënd tjetër për të. U fejua, u martua, shiti pronat që kishte larg nga ai fshat dhe aty ndërtoi një jetë, të cilën tashmë e kishte vetëm dedikim familjar.

E ashtu Agush Aga nisi të ndërtonte tashmë shtëpinë e tij. Ai mori mjeshtrat më të mirë të gurit nga Golloborda, vendlindja e tij dhe përfundoi shtëpinë e tij të parë, të cilën e rindërtoi dhe e trefishoi si një saraj kur ai u bë me tre djem në një periudhë që djali i pari i tij arriti të bëhej njezetë vjeçar. E aty sikurse thuhej ende ka mbetur e shkruajtura me një mbishkrim në gjuhën arabe mbi njërën nga portat ku është gdhendur në një pllakë guri katror ajo që thotë: "Allahu u dhashtë begati dhe shëndet në këtë shtëpi. Ndërtuam një konak të bukur! Njerëzit që jetojnë në të të gëzojnë shëndet, lumturi dhe jetë të gjatë. 1258.” (sipas kronologjisë aktuale të vitit 1842). Këto saraje të Agush Agës thuhet se kanë 221 dritare, 86 dyer dhe 24 oxhaqe. E ato sot e kësaj dite janë atje, pikërisht atje ku Agush Aga ndërtoi nga e para, pas martesës me një vajzë nga fshati Kiseliçevë, dhe kur ai vendosi të jetojë me gruan e tij në Mogilicë (emri i mëparshëm i fshatit ishte Tozburun).

Tashmë Agush Aga kishte një jetë tjetër. Djemtë iu rritën dhe ata morën në dorë vazhdimësinë e jetës që kishte ndërtuar për ta babai i tyre. Por Agush Aga sikurse thuhet vërtet u shkëput nga Golloborda dhe nga mjaft lidhje të tjera, por ai nuk kurseu të dashuronte njerëzit e asaj ane. Ai gjithnjë i punësonte ata në punërat që i duheshin dhe madje sikurse thuhej njëri nga djemtë e tij e mori dhe gruan e tij nga Trebishti i Gollobordës. Kur të tre djemtë u bënë të aftë me shkollat që ndoqën, Agush Aga ndërtoi dhe një Bibliotekë të madhe. Aty ai arriti të vendoste një pasuri që sot Bullgaria e quan arkiv më vete. Ai sot quhet Arkivi Agushev.

Arkivi Agushev përmban 778 dokumente me gjithsej 1445 faqe, të bashkuara në 12 njësi arkivore. Vitet kufizuese të certifikatave janë nga 1812 deri në 1947. Arkivi Agushev përbëhet nga dorëshkrimet në Bibliotekë. Të dhënat bashkëkohore tregojnë se „dorëshkrimet nga Biblioteka e Agushit janë në gjendje të mirë të përgjithshme, shumica e tyre ruhen me lidhjet e tyre origjinale (lëkurë dhe dru). Janë 94 dorëshkrime, nga të cilat 66 janë arabe, 18 turqisht osmane, 7 arabo-turke, 2 persiane dhe një persisht-turke. Ato janë inventarizuar në regjistrin bibliotekar të bibliotekës në vitin 1973. Shumica e dorëshkrimeve janë transkripte dhe mbulojnë periudhën nga shekulli i shtatëmbëdhjetë dhe i tetëmbëdhjetë, por disa dorëshkrime arabe datojnë nga shekulli i pesëmbëdhjetë.“ (Beneta Ganeva)

Sipas Ganevas, „tekstet janë të shkruara në arabisht dhe turqisht, me bojë të zezë, të kuqe dhe ari. Ato përmbajnë firmane, predikime, dorëshkrime për medrese, libra mjekësorë, udhëzime për leximin e lutjeve, këngë fetare për profetin dhe kalifët.“ Pasuria e ruajtur letrare e Bibliotekës Agush është një pjesë jashtëzakonisht interesante e trashëgimisë së ruajtur arkivore dhe dokumentare në trojet bullgare. Krijuesi i saj, Haxhi Salih Samiu, ishte myfti dhe dijetar i kohës së tij në fushën e teologjisë islame. Ai ishte jashtëzakonisht tolerant, pasi në kohën e tij të krishterëve të zonës iu dha e drejta për të ndërtuar kisha. Ai vlerësohet gjithashtu për parandalimin e një goditjeje ndaj popullatës lokale gjatë Kryengritjes së Prillit. Haxhi Salih Samiu nuk i lejoi çetat e Senklerit në atë zonë gjatë Luftës Ruso-Turke.

Nuk dihet nëse ka ndonjë korrespodencë me vendlindjen e tij, Gollobordën, por dihet se arkiva dhe dokumentet në të tregojnë për lidhjet e Agush Agës dhe pasardhësve të tij me qarqet sunduese në Aha Çelebi (Smolyan), Gyumri, Edrene dhe Kostandinopojë. Aty në Bibliotekën Agushev, ka shumë libra dhe normalisht ndodhet dhe Libri i Shenjtë.

E natyrshëm Libri më i zakonshëm në shtëpinë e një muslimani është Kur'ani. Koleksioni i dorëshkrimeve të Bibliotekës Agushev përmban 5 dorëshkrime për interpretimin e Kur'anit, një me udhëzime për leximin e Kur'anit, një me predikime mbi tekstet e Kur'anit dhe dy dorëshkrime me citime dhe pjesë të tij. Por dihet tashmë se pasardhësit e kësaj familjeje të njohur bullgaro-muhamedane nga fshati Mogilica janë përfaqësues të inteligjencës së sotme bullgare.

Biblioteka Agushev ishte një nga bibliotekat private më të mëdha në Ballkan në fund të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Themeluesi i saj konsiderohet të jetë Haxhi Salih Sami Effendiu, i cili vdiq në vitin 1921. Haxhi Salih Sami Effendiu është nipi i sundimtarit të madh të Rodopit Agush aga. Biblioteka ka mbijetuar pavarësisht fatit të saj fatal dhe aktualisht pjesa kryesore e saj ruhet në Bibliotekën Kombëtare „Ivan Vazov“ - Plovdiv, në departamentin „Koleksione të veçanta“.

@copyright #fjalaelire.com

43 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page