Përdorim i gabuar i fjalëve kyç, kyçem, kyçur


    Përdorim i gabuar i fjalëve kyç, kyçem, kyçur

    Prof. Xhemi Hajredini


    Folja KYÇ (KYÇEM) përdoret gabimisht nga mediat, politikanët dhe për rrjedhojë edhe nga qytetarët.

    Le ta shfletojmë fjalorin:

    KYÇ (folje kalimtare) – mbyll derën, dollapin me kyç; mbyll dikë brenda (në një dhomë a në një shtëpi) dhe nuk e lë të dalë; kund. shkyç. Kyç derën (sirtarin, kasafortën). Kyçe nga brenda (nga jashtë)! E kishte kyçur brenda. Kyçe (mbylle, qepe) gojën! Mos fol më! Pusho!

    KYÇ është edhe emër. Fjalë sinonime të emrit kyç janë : çelës dhe dry. Mjet prej metali që varet në dy hallka e shërben për ta mbajtur të mbyllur një derë, një dollap, një arkë etj.; dry. Kyç varës. E mbyll me kyç. I vë derës (dollapit) një kyç. E ka (është) me kyç. I vë kyçin portës.

    KYÇEM (folje vetvetore) sipas FGJSH :

    Mbyllem brenda (në shtëpi, në dhomë etj.) me kyç.

    fig. Mbyllem brenda (në shtëpi, në zyrë etj.) dhe rri aty për një kohë të gjatë pa dalë jashtë. Është kyçur, nuk shihet gjëkundi.

    vet. veta III. Mund të mbyllet me çelës, mbyllet me çelës; e ka kyçin, çelësin a bravën në rregull. Nuk kyçej dera. Mezi kyçej.

    Pës. e KYÇ.

    Kuptimi i kundërt i foljes kyç/kyçem është shkyç (hap) që sipas FGJSH do të thotë :

    SHKYÇ kal.

    Hap kyçin me çelës; hap diçka që është e kyçur; kund. kyç. Shkyç drynin. Shkyç derën (dollapin).

    elektr. Ndërpres kalimin e rrymës në një qark elektrik, hap qarkun me anë të çelësit. Shkyç çelësin. Shkyç qarkun.

    Le ta sqarojmë me disa shembuj :

    -Ai ishte kyçur në Partinë demokratike që nga viti 1991.

    -Unë nuk jam kyçur fare nëpër parti politike.

    -Duhet të kyçesh në politikë që të përfitosh!

    Në të gjitha fjalitë e mësipërme folja kyç/kyçem është përdorur gabim. Mund të thuhet:

    -Ai ishte anëtarësuar në Partinë demokratike që nga viti 1991.

    -Unë nuk kam aderuar fare nëpër parti politike.

    -Duhet të aderosh (inkuadrohesh/përfshihesh) në politikë që të përfitosh!

    Pra nëse themi “Kyçje të reja në partinë X” është gabim.

    Çka do bëjnë këta anëtarë rë rinj, do të kyçen (mbyllen) brenda partisë e nuk do dalin më?!

    Duhet përdorur fjalët: anëtarësim, inkuadrim, bashkim, aderim, përfshirje etj.

    P.sh. Anëtarësime të reja në partinë X.

    Përgatiti: Xhemi Hajredini

    6 views

    Shkrimet e fundit