Për Timo Mërkurin, studiuesin, poetin dhe njeriun e punëve të dobishme qytetare!


Odise Kote

I nderuar kryetar i bashkisë Himarë, z Gjergj Goro!

Të nderuar pjesëmarrës, miq e të afërm të Timo Mërkurit!

Nëse Jeronim de Rada do të ishte gjallë, do të dilte në ballkonin e detit dhe do ta shihte me admirimin e bekuar, me sytë e mendjes këtë bregun tjetër të së bukurës Arbëri, ku punon me passion shkencëtari, studiuesi skrupuloz dhe i palodhur Timo Mërkuri.

De Rada do ti sugjeronte Timos edhe balada e këngë të tjera të moçme nga dheu i të parëve, duke e përgëzuar me mirësinë proverbiale për të arriturat e deritanishme. I tillë është aktiviteti studimor, botimet e shumta dhe kontributi që jep Timo Mërkuri në shkencën e Albanologjisë, në lëmin e studimeve dhe botimeve mbi materien shpirtërore shqiptare prej kohëve të moçme e deri në ditët tona.

Botimet e T.Mërkurit me cilësinë dhe informacionin e ç’pluhurosur prej arkivave vendase e të huaja, me ndjeshmërinë e lartë artistike e shkencore, me dendurinë e fakteve dhe metologjinë krahasimore, me durimin prej asketi e punën e palodhur, mbushin një boshllëk të madh, që rrethanat historike nuk i lejuan Institucionet dhe Akademinë e Shkencave ta kryenin. Të ribësh, të zgjosh, të ngresh në këmbë dhe të shpirtëzosh, t’ju japësh pasaportë kombëtare, qytetarie, legjendave, gojëdhënavve, këngëve e baladave shqiptare, të gjyshstërgjyshërve që prej kohëve të lashta e deri në ditët e sotme, është jo vetëm një mission i madh kombëtar, por dhe një kontribut i paçmuar, që rrallë njerëz e kanë fatin ta ndërmarin, pasi kërkon sakrifica supreme dhe energji të pashoqe shkencore e njerëezore. Një komb nuk mund të jetojë dot dhe as të prosperojë pa memorien, pa kujtesën e vet. Dhe të gjithë këto punë që bën Timo Mërkuri me sivëllezërit e tij, janë si tabela e Mendelejevit, pa të cilën nuk mund të orientohesh dhe as të edukohen brezat në ditët e sotme . Nga mësimet dhe vyrtytet e kësaj pasurie të pashoqe ndër shekuj mer fuqi e motivim Shqiptaria!

Në ditët e sotme, personalitete të tilla të studimeve, të punës Shkencore e përkushtimit ndaj Atdheut, janë asete të vyera e të rëndësishme kombëtare, janë pika referimi që orientojnë brezat drejt së ardhmes. Globalizimi, veç të tjerash ka si dimesion të vet edhe sfidën identitare, ruajtjen dhe zhvillimin koherent të tij. Këtë realitet të kohëve moderne e ka kuptuar më së miri Timo Mërkuri, teksa i ka kushtuar jetën e vet kërkimit shkencor, përpunimit të të dhënave, studimit krahasues dhe botimit të herëpashershëm të veprave të tij, që përbëjnë një kolanë me vlera të jashtëzakonshme për shkencën shqiptare.

Cilësinë e vet punëdashëse dhe talentin krijues Timo Mërkuri e ka shtrirë edhe në gjini e fusha të tjera të artit të bukur të fjalës, me botimet në vëllime me poezi, vëllimet me tregime, publicistikë e gazetari mirëfilli. Ky kontribut vetëm sa e plotëson të gjithë individualitetin krijues të studiuesit e shkrimtarit Timo Mërkuri.

Në këtë ditë të bekuar, kur miq e të afërm janë mbledhur në këtë vend e sofër perëndish, në Pilurin e rrënjëve të lashta e të thella, Nderimi i Timo Mërkurit është një akt i dobishëm qytetërimi dhe emancipimi.

I nderuar kryetar i bashkisë Himarë, Goro! Pranoni edhe urimet e falenderimet e mia, për gjestin tuaj fisnik, që Bardin e detit siç e thërres shpesh Timo Mërkurin, këtë Njeri me vlera e vyrtyte të shquara, po e nderoni duke i dhënë titullin e lartë “ Nderi i Himarës”.

I bekuar qofsh! Ta gëzosh titullin e lartë Timo Mërkuri!

Odise Kote, shkrimtar

Gjirokastër, më 06 Nëntor 2020

13 views

Shkrimet e fundit