top of page

Ostreni i Madh, ishte një Fakultet më vete


Fatmir Terziu; Islam Rama, mësues Ostren i Madh

Fatmir Terziu


Era po gjëmon. Në një gjeografi të largët, Era e ftohtë po ngjet, e pashoqe, thyen barrierat e bukurisë „memorje“, që mbufaten dhe përplasen me pengesat dhe harresat, mes zërave të kohërave. Dhe përfundimisht pengesat e zërit, janë ato që bëjnë detyrë për detyrim të ri të memorjes. E kështu era si erë i fryn me sa fuqi që ka nga e shkuara e saj „Fletores“. Ndërsa tërbohet, pa pushuar zgjon netët dhe tërë pasurinë e tyre Hyjnore.

Por, netët nuk mund të shiheshin aq gjatë. Sa të gjata ishin netët atje në fakt… Netë, kur edhe kur nuk dukeshin, edhe kur strukeshin gjithnjë dukeshin me yje… Yje… tolerantë?! Yjet e atjeshme ende më ngjajnë se janë tolerantë. Yjet! Yjet e butë, e urtë, të largët e të afërt, lundrojnë nëpër Rrugën e ashtu-metuar të qumështit, të asaj pike që Nëna bekon që në dhënien e parë në buzët e tua, në sytë e tu shpërthejnë ndjesi të tjera, të reja, të panjohura, që më pas udhëzgjohen, udhë-ushqehen. Pa asnjë hezitim, pa asnjë dhunë, rishfaqen në këtë udhë të gjatë jete, në këtë udhë të shtruar me fjalë në qasjen e kësaj pjese. Ndërsa presioni i madh shkrimor zakonisht i tërheq. Dhe natyra e tyre e zjarrtë i ri-sipërfaqëson ata. Pothuajse flakëron herë pas here, si një distancë e gjatë kohore, si një trokitje pas dere… E ndjesia, si ndjesi, memorja si memorje, i thërret sikur të jenë thjesht një trokitje pas dere. Kjo është dhënia e tyre.

Dhënia e tyre që të mos pushojnë asnjë moment. Por ndjeshmërisht, ata i lejojnë vetes një moment gëzimi. Duke kërcyer nëpër teatrin kozmik, Yjet shkojnë në udhën e ullukun e vet, aty ku jeta flet, aty ku memorja nget në një mënyrë të thjeshtë, atë që ka shkuar e që ka mbetur, jo thjesht për t'u shpërfjetur. Sikur qëndrimi i tyre i shkujdesur, do t'i çonte ata nëpër natën e shkruar, ajo që udhëheq mbetet drejtimi, ajo që është duke i rishkruar. Ndryshe, hamendjet do të nduken të hamendësojnë, si hamendje: „Kush e di se ku janë drejtuar?“ Dhe kështu, ata enden, gjithnjë kështu ..

Lehtësuese, qetësuese, tolerante me kohën në të cilën pikëtakojnë ndryshimin..., aty ku shohin thinjat, flokët e rëna, rudhat e mbira, shenjat e tjera të dukshme e të padukshme, kur shohin shtimin dhe pakësimin, ardhjen dhe ikjen, kur shohin gjeografi të tjera, kur mbesin në mesin e lëvizjeve ngahera. Dhe aty natyrshëm vetëkuptohet qartë se kjo është jeta. Jeta që nisi në moshë të re, në një moshë ku Ditari i edukimit, ishte një pagjumësi rinore, atëherë kur Rregjistri, Amzat, nxënësit, klasat, kolegët, drejtuesit, organizmat dhe organizatat …, shokët e miqtë, rruga e gjatë, vrapi i mëngjesit, turavrapi i pasdites, orari, disiplina, morali… Tjetri, e Ai që bënte pjesën e detyruar të Jetës zunë të bëhen udhë e gjatë.

Ostreni i Madh, ishte një Fakultet më vete. Nuk mund të merrje atje thjesht një Diplomë prej Letre, por një Leksion që shkonte përtej një të tille me arsye jete. Ishte shkolla ku djaloshi në këtë fotografi sapo kishte filluar të shihte ëndrra të tjera, e të gjendej me mësues me mjaft përvojë, të aftë e profesionistë, me ata që u bënë kolegë, miq të arsyeshëm e shokë. Ishte Ostren i Madh, dhe pakkush mund ta kuptonte se aty, pas çdo hapi që hidhej kishte një hall, një faktor që pakkush e kuptonte, ose duhet të shtrydhej fort se jeta kuptohej dhe zvarritej me zorr.

Po Njeriu i Ostrenit të Madh ishte gjithnjë ballëlartë, krenar, mikpritës, bujar me pak fjalë, Njeriu që dinte vlerën e jetës, për hir të vërtetës. Aty gjithkush i ikte frikës dhe i bëhej palë vetëm muzikës. E një gotë, gjothmonë me gradacion të fortë ishte hareja dhe ikja e stresit…, e kush e kuptonte apo mund të fliste atëherë për stresin e Njeriut?

Në një piknikë të tillë në Ramnagorë, natyrisht lehtësisht mund të shihje shapkat e majave me emër që zbardhnin ende me borë, gjeografitë e ndara mes vëllezërish të një gjaku, ndërsa jo shumë larg teje brezi i butë bënte ndarjen e mëtejshme e tejet të mistershme, e ti duhej të qëndroje urtë, sytë me kujdes dhe larg nga ajo botë e përtejme.

Sidoqoftë ti duhej të edukoheshe dhe të edukoje…, me direktivat e diktuara të asaj kohe. Vetëm tani e kupton se Njeriu është gjithnjë një produkt loje. Një lojë, që Michael Foucalt e quan pa droje, Njeriu është thjesht një ekzistencë midis Fuqisë dhe Njohurisë, brenda ngjyresës dhe detyrimit „ngjyrues“ të kësaj „boje“ në hapësirat e çdo kohe.

132 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page